100-VJETORI  I LINDJES SË SHOKUT ENVER HOXHA

 

 Shkruan Artan LAME Gazeta "SHQIP”

 

Tiranë, 1965. Shoku Enver Hoxha, udhëheqës i lavdishëm i Partisë dhe i popullit së bashku me kuadro të larta të Shtetit dhe të Ushtrisë sonë Popullore.

 

 

 

 

Nga e majta: SADIK BEKTESHI, SPIRO MOJSIU, KADRI HAZBIU, BEQIR BALLUKU, ENVER HOXHA, MEHMET SHEHU, PETRIT DUME, MIHALLAQ ZIÇISHTI, ARANIT ÇELA.

 

 Vini re unitetin e çeliktë që zotëron mes tyre. Në sytë e të gjithëve shihet besimi më i pastër tek njëri tjetri, tek shoku Enver dhe tek Partia.

 

GJENERAL-MAJOR SADIK BEKTESHI, partizan, anëtar themelues i Komitetit Central të Partisë Komuniste, Drejtor Politik i Ushtrisë Popullore. Në fund, armik i Partisë dhe i popullit. Në kohën e luftës ishte burgosur dhe internuar në Itali si i burgosur politik, fillimisht në Napoli dhe më pas në Ventotene. Vërtet i shpëtoi me një vit burgut fashist, por nuk ia hodhi dot burgut të Komandantit, ku qëndroi 20 vjet, për të vdekur të paktën i lirë në demokraci pak vite më parë.

 

GJENERAL-MAJOR SPIRO MOJSIU (1900-1980). Ushtarak karriere që në kohë të Zogut, pastaj të Italisë, e pastaj të Partisë. Gjeneral, deputet, shef i shtatmadhorisë. Megjithëse i goditur nga pak, kohë pas kohe, arriti t‘ia hidhte Enver Hoxhës duke vdekur nga pleqëria vetëm një vit para zbulimit të komplotit të poliagjentit Mehmet Shehu, në të cilin Komandanti do t‘i kishte gjetur patjetër ndonjë rol sa për ta vënë pas murit.

 

KADRI HAZBIU (1922-1983). Partizan, Komandant Brigade, Gjeneral, Ministër i Brendshëm mbi 20 vjet, deputet, Ministër i Mbrojtjes dhe në fund armik i betuar i Partisë dhe i Popullit. U pushkatua pas njëmbëdhjetë muaj hetuesie si ajo që dinte të të bënte Komandanti.

 

GJENERAL-KOLONEL BEQIR BALLUKU (1917-1974). Partizan, Komandant Brigade, Komandant Divizioni, Gjeneral me tre yje (i vetmi që arriti këtë gradë), Kryetar i Shtatmadhorisë, deputet, 22 vjet Ministër i Mbrojtjes, Zëvendëskryeministër dhe, në fund, armik i betuar i Partisë dhe i popullit. Pushkatuar.

 

MEHMET SHEHU (1913-1981) Vullnetar në Luftën e Spanjës, partizan, Komandant Brigade, Gjeneral, Hero i Popullit, deputet, Ministër i mbrojtjes dhe 27 vjet rresht Kryeministër (kryeministri më kohëgjatë i Shqipërisë). Në fund, poliagjent dhe armik i betuar i Partisë dhe i popullit. U vra a e vranë, nuk u mor vesh asnjëherë. Mua më ka mbetur në mendje versioni i të birit Bashkim Shehu, i cili thotë "Mehmet Shehun e vetëvranë".

 

GJENERAL-LEJTNANT PETRIT DUME. Partizan, Komandant brigade, Komandant divizioni, Hero i Popullit, deputet, me dy akademi sovjetike, shef i shtatmadhorisë mbi 10 vjet, në fund armik i betuar i Partisë dhe i Popullit, plus akuza "tradhëti e lartë kundër atdheut". Pushkatuar me 1975.

 

GJENERAL-MAJOR MIHALLAQ ZIÇISHTI. Partizan, Gjeneral, Zëvendësministër i Brendshëm. Në vitin 1982, vëllai i tij Lambi Ziçishti, Ministër i Shëndetësisë pushkatohet dhe natyrisht që ai përfundon në burg si vëlla i armikut.

 

Njëri pas tjetrit, të gjithë këta i dënoi ARANIT ÇELA, i cili në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, drejtoi gjyqet e tyre. E ku ta dinin ata të shkretë se pikërisht ai burri me veshje civile, që rri i ndrojtur në fund të rreshtit, do t‘i çojë të gjithë në plumb.

 

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!