Për SKËNDERBEUN – DY INTERVISTA: SABRI GODO DHE PROF. OLIVER SCHMITT

 

SABRI GODO: I ATI I SKËNDERBEUT U QUAJT HAMZA NË FUND TË JETËS

 

Nga: Admirina Peçi “Gazeta shqiptare”



Quhej Ivan apo Gjon i ati i Skënderbeut? Sabri Godo jep dhe një alternativë tjetër të emrit të tij. Ai thotë se në fund të jetës, Gjon Kastrioti u konvertua në mysliman dhe u quajt Hamza.
A është e vërtetë se Skënderbeu u kthye në atdhe për t'u hakmarrë ndaj vrasjes së babait të tij, dhe jo për arsye patriotike, se ai ishte një hero që shkaktoi tragjedi për vendin e tij? A po e thyejnë mitin e heroit tonë kombëtar debatet dhe tezat e reja rreth historisë së tij? Pas tezave të ngritura në librin e fundit mbi Gjergj Kastriotin, me autor studiuesin austriak Oliver Schmitte, bëjmë një bisedë me Sabri Godon, autorin e romanit të famshëm historik "Skënderbeu". Godo ka argumentet e tij mbi të gjithë tezat që po hidhen rreth heroit tonë kombëtar.


“Gazeta shqiptare”: Z. Godo, në monografinë e re mbi Skënderbeun, të studiuesit austriak Oliver Schmitt, emri i babait të Skënderbeut shkruhet Ivan. Përkthyesi i këtij libri në shqip, Ardian Klosi në një intervistë për "Gazetën", ka argumentuar se emri Ivan ishte emri i vërtetë i tij, ndërsa emri Gjon është një emër i shpikur. Sipas jush, çfarë ka të vërtetë në këtë fakt?


SABRI GODO: Them se ky nuk është kurrfarë zbulimi. Albanologë të tjerë të hershëm e kanë vënë në dukje këtë fakt, se Gjoni ka ndryshuar emrin. Sipas meje, kronika e ngjarjeve të çon atje. Fillimisht ai ka qenë katolik me emrin Gjon Kastrioti. Por erdhi një kohë kur pa se nuk mund të nxirrte përfitime nga Venediku dhe Vatikani për zgjerimin e pushteti të tij dhe atëherë u kthye në ortodoks.
Më në fund, para vdekjes e spërkati kokën e tij të zbardhur për të tretën herë dhe u bë mysliman, sepse u thye në luftë nga turku, iu morën peng të katër djemtë dhe ai u ngujua në kalanë e Gurbardhës. Atëherë duket se ka vënë emrin Hamza. Por kjo nuk mund të na bëjë të mendojmë se Gjon Kastrioti ishte një turk për nga origjina. Tani na duhet të kujtojmë atë që ka thënë Çabej i madh: se shqiptari e përdorte fenë si gunën për t'u mbrojtur nga erërat dhe ndodhte shpesh që sundimtarët e asaj kohe të kalonin nga një besim te tjetri. Ky ishte Gjon Kastrioti. Dhe të dalësh e të proklamosh sot me zë të lartë se ai e ka pasur emrin Ivan, pra kishte prejardhje serbe, afirmon vetëm një pjesë të së vërtetës. Them dhe njëherë se kjo nuk përbën ndonjë lajm të ri. Kjo është thjeshtë një vogëlsi nga jeta e Gjon Kastriotit, që nuk e ndryshon historinë e tij, si një ndër krerët shqiptar që u ngrit kundër invazionit turk dhe qëndroi kundër këtij invazioni deri në fund. Ky ishte prakticizmi i kohës.


“Gazeta shqiptare”: Një tezë ngacmuese e Oliver Schmitt është edhe kthimi në atdhe i Skënderbeut. Sipas tij, ai u kthye për hakmarrje. Schmitt citon një dokument ku i dërguari i Skënderbeut në Romë thotë se Sulltan Murati i II, i ka vrarë të atin dhe kjo është arsyeja që ai ngriti armët kundër osmanëve… A e përligj ky fakt kthimin e tij në atdhe?


SABRI GODO: Ky për mua është një interpretim naiv. Nuk e kam lexuar librin e zotit Schmitt dhe respektoj çdo diskutim dhe mendim të kundërt, me kusht që të jenë fakte që të ngrenë peshë. Është e ditur se kur një individ përfshihet në një kryengritje, doemos do të ketë dhe një shtysë vetjake. Në këtë rast shtrohet pyetja nëse interesat e këtij individi përputhen me interesat e një shtrese të gjere ose të mbarë një populli. Atëherë nuk mund të vësh si motiv kryesor inatet ose interesat personale. Dhe kjo të shikohet si një materie që ul rolin e individit në shoqëri. Nuk e kuptoj fare një interpretim të tillë. Dhe kjo kurrsesi nuk mund të përbëjë një arsye për të mbajtur një qëndrim kritik ndaj një individi. Mua më duket se këto janë më tepër kritika anësore të stisura që nuk kanë ndonjë qëndrueshmëri. Ose për ta thënë më qartë, nuk duhet të merren fare në konsideratë.

 
“Gazeta shqiptare”: Këto teza dhe fakte janë komentuar nga masa e gjerë e historianëve në Shqipëri si denigruese për figurën e Skënderbeut. A ndikojnë këto në thyerjen e mitit të heroit?


SABRI GODO: Skënderbeu është kthyer në një legjendë dhe me kohë legjendat bëhen mite. Por ka një të vërtetë të madhe rreth figurës së tij, që ai shkriu jetën në luftën kundër invazionit turk dhe bëri çmos që këtë ta kthente në një luftë të gjithë popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Dhe po të mos ishte kjo rezistencë e madhe e tij, shqiptarët do të qenë kthyer në një popull të robëruar. Do të kishte pasoja deri edhe në ditët e sotme. Sepse ishte epopeja e madhe e Skënderbeut që mbajti gjallë frymën e të qenit shqiptar dhe që ishte burim i madh frymëzimi si për pashallarët shqiptarë që ngritën krye kundër sulltanit, si Karamahmuti, Ali Pasha, etj, por veçanërisht për rilindasit tanë. Them se ishte një frymëzim edhe për luftën nacional- çlirimtare. Një popull mund të thyhet në luftë, por jo të dorëzohet. Dhe pikërisht kësaj ideje i shërbeu Skënderbeu. Me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen, se ç'do të kishte ndodhur me ne dhe si do të ishte zhvilluar historia e Shqipërisë nëse princat shqiptarë të mesjetës do të ishin nënshtruar perandorisë osmane dhe do te ishin njësuar me të?!


“Gazeta shqiptare”: Në parathënien e kësaj monografie, shkruhet se Skënderbeu është një hero, por jo një hero që bëri luftë dhe fitoi disa beteja, por si një hero që shkaktoi tragjedi për vendin e tij...


SABRI GODO: Ajo që thotë zoti Schmitt është plotësisht e saktë. Asnjë vend tjetër në atë kohë nuk pësoi një shkatërrim aq total sa Shqipëria. Asnjë vend tjetër nuk pagoi një çmim aq të shtrenjtë për kryengritje ndaj sundimit turk. Por ç'do të thotë kjo? A mos duhej pranuar më mirë skllavëria, apo duhej luftuar për trojet dhe për lirinë. Nëse në atë kohë Shqipëria vuajti një kalvar të tmerrshëm, shqiptarët me atë që bënë nën udhëheqjen e Skënderbeut fituan të drejtën historike të quhen një popull që është i gatshëm të bëjë sakrificat më ekstreme në mbrojtje të të drejtave të tyre. Ky është trashëgimi më i madh moral që na mbeti nga epoka e Skënderbeut. Ne treguam se ç'është në gjendje të bëjë një popull i vogël duke u ngritur kundër fuqisë më të madhe të kohës dhe kjo na jep të drejtën të themi se ne kemi qenë këtu që nga kohët më të lashta dhe se kemi qëndruar me krenari kundër të gjithë evazioneve.


“Gazeta shqiptare”: Kjo monografi e Oliver Schmitt servir dhe një varg dokumentesh, që sipas vlerësimit të përkthyesit të kësaj vepre, Ardian Klosi: "monografia është shumë bindëse, sepse është e mbështetur në dokumente, dhe dokumentet që ka gjetur Oliver Schmitt janë të rralla..." A janë mjaftueshëm këto dokumente për të ndryshuar historinë?

 
SABRI GODO: Ai që bën eksplorimin në histori gjithnjë do të ndeshet me një dokument që kundërshtohet nga një dokument tjetër. Unë nuk do të bëja kurrsesi gabimin që të humbisja mendjen nga përshkrimi i bisedës së dy ambasadorëve dhe ta merrja një gjë të tillë si një dokument që hedh themelet e historisë së një individi. Tani më bie në mend se kur sulltan Mehmeti sulmoi për herë të dytë Shqipërinë, i dërguari i Venedikut në Durrës, që ndiqte ngjarjet në afërsi imediate (dihet distanca ndërmjet Durrësit dhe Krujës), ky i dërguar pra, i raportonte senatit se turku i madh kishte arritur në Shqipëri me 300 mijë ushtarë, që do të thotë gjithë fuqia e perandorisë osmane. Një shifër e tillë duket padyshim e ekzagjeruar, sepse në kohën e atëhershme ishte e pamundur të përfytyrohej një përqendrim prej 300 mijë trupash në një vend të vogël si Shqipëria dhe para Krujës, me të vetmin synim për të marrë qytetin. Mund të përmenden dokumente të tjerë të tillë me shumicë, që na vijnë drejtpërdrejt nga koha e atëhershme, por që kurrsesi nuk mund të merren si e vërteta e fundit, për shkak të subjektivitetit dhe rrethanave të tjera. Prandaj them edhe njëherë, së duke zbuluar diku një dokument s'mund të ngrihesh në këmbë e të thërrasësh "Eureka", sepse e vërteta gjithnjë ka disa nënshtresa dhe siç thashë në fillim, njëri dokument djeg tjetrin, dhe për të gjetur disi gjurmët e së vërtetës, duhet t'i shtrosh që të gjithë në tryezë. Unë shoh një prirje te disa autorë që kapen pas disa "zbulimeve", për të dalë në treg me një lloj origjinaliteti të tyre, por në raste të tilla duhet pasur shumë kujdes për të mos e ekzagjeruar dhe sidomos për të mos denigruar pa baza. Me aq sa kam mundur, kam lexuar gjithçka që është shkruar për Skënderbeun, nga një numër i madh albanologësh. Por sipas meje, sintezën më të vërtetë rreth Skënderbeut e ka bërë Tivarasi dhe pas tij, Fan Noli e ndonjë tjetër. Megjithatë, nuk është e ndaluar që të bëjnë kërkime të mëtejshme, përkundrazi duhet konsideruar si një kontribut çdo gjë e re që del në shesh nga hulumtimi në arkiva. Veçse në këtë rast merr shumë rëndësi interpretimi dhe të qenit objektiv.


“Gazeta shqiptare”: A mendoni se është bërë portretizimi i saktë i Skënderbeut?


SABRI GODO: Unë për vete mendoj se kam arritur të shoh me qartësi të mirë figurën e Skënderbeut, ambientin në të cilin jetoi, dhe të kuptoj shpirtin e kohës. Megjithatë, e thashë edhe më lart se kurrë ndonjëherë nuk duhet të thuash se ke arritur në shtresën e fundit të së vërtetës. Fakti që Skënderbeu diskutohet ende dhe për të ka kontribute të reja, tregon qartë se në epokën e tij ai ishte një figurë e madhe e kontinentit, duke shtrirë ndikimin e vet edhe në shekujt që erdhën më pas. Duhet mirëpritur çdo kontribut i ri që na sjell vërtet diçka të re dhe jo të stisur.


“Gazeta shqiptare”: Skënderbeu dhe diktatura komuniste. Si kanë bashkëjetuar?


SABRI GODO: Në kohën e diktaturës Skënderbeu u përdor për një lloj nacional-socializmi të Enver Hoxhës. Për të u shkruan vepra dhe figura e tij u lëvrua në gjini të ndryshme të arteve. Megjithatë, gjithnjë bëhej kujdes që Enver Hoxha të mbetej i pari dhe Skënderbeu të vinte pas tij. I është lënë rrugë e lirë trajtimit të figurës së tij në shërbim të ideologjisë së kohës për inspirim patriotik, sidomos në periudhat kur Shqipëria mbetej e izoluar. Por në çdo rast duhej të bëhej kujdes për të nënkuptuar se si figura më e madhe në tërë historinë tonë duhej të shihej Hoxha.


“Gazeta shqiptare”: Fan Noli i është rikthyer dy herë veprës së tij kushtuar Skënderbeut dhe ka bërë disa korrigjime në të. Një prej tyre lidhet me datën e lindjes. Në historiografinë tonë njihet si datëlindje e Skënderbeut viti 1405. Por Noli shkruan se e ka korrigjuar këtë datë të botimit të parë. Ai ka poseduar më vonë fakte që dëshmojnë se data e saktë është 1400. E megjithatë, ne ende njohim 1405 si datë të lindjes së tij... Pse?

 
SABRI GODO: Albanologu i madh, Shuflaj thotë se është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo që ishte e shkruar u dogj nga turku. Nisur nga kjo duhet të pohojmë se ne nuk kemi një dokument kishtar apo të një lloji tjetër që të na japë datëlindjen e saktë të Skënderbeut. Ashtu si nuk kemi një datë të saktë për kthimin e tij në Krujë. Unë besoj se Fan Noli pati mendimin e bukur të vinte 28 nëntorin si datë të kthimit të tij në Krujë, duke dashur ta lidhë këtë me 28 Nëntorin e 1912 dhe që koincidon pastaj me 28 Nëntorin e 1944 të Çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi. Kështu krijohet një kombinim i shkëlqyer i këtyre tri ngjarjeve të mëdha në historinë e kombit tonë. Pra, 28 Nëntori. Për mua data ekzakte ose dita ekzakte e lindjes së Skënderbeut ashtu si edhe saktësia precize e ndonjë date tjetër, nuk kanë më një rëndësi të veçantë. Rëndësi kanë ngjarjet.


“Gazeta shqiptare”: Noli kritikon edhe shumë teza dhe të dhëna nga ai që quhet biografi i Skënderbeut, Marlin Barleti. A duhet të vazhdojnë historianët ta kenë bazë historinë e Skënderbeut të Barletit?

 
SABRI GODO: Barleti na ka lënë një vepër monumentale. Por ai nuk i ka shpëtuar frymës romantike të kohës, duke e lënë të lirë fantazinë e tij. Brenda asaj rryme, ai diku edhe trillon. Për shembull, mund të quhet si krejt e shpikur letërkëmbimi i Skënderbeut me Sulltanin, që nuk vërtetohet me asnjë burim tjetër dhe që diku ndofta thuhet me të drejtë se është huazuar nga Tuqididi, megjithatë si një kronikan i kohës, ai jep shumë të dhëna të tjera që konfirmohen edhe nga burime te mëpasshme, dhe si i tillë Barleti mbetet gjithnjë i çmuar, aq më tepër sepse ishte ndër të parët që shkroi për Skënderbeun.

 
“Gazeta shqiptare”: Dhe në fund i kthehemi edhe njëherë veprës së Schmitt. Ardian Klosi i fton historianët ta lexojnë fillimisht veprën e mandej të debatojnë. Më thatë se as ju nuk e keni lexuar…?


SABRI GODO: Unë e kam kërkuar këtë libër dhe ende nuk e kam gjetur. Sigurisht s'mund të marr përgjegjësinë për ta gjykuar pa e njohur. Por ju përgjigja pyetjeve tuaja, duke u nisur nga disa fraza dhe citate që duket se vijnë drejt nga libri. Kështu që ruaj të drejtën të korrigjoj veten në një kohë të dytë.

 

 

 

 

SKËNDERBEU, NJË LUFTË E VAZHDUESHME PËR MBIJETESË

 

Nga: Ben Andoni  Revista „MAPO“

 

Gjithçka filloi si një hakmarrje, për të atin e vrarë, por pastaj kryeheroi i shqiptarëve nuk diti të ndalej. Në asnjë moment lufta e tij nuk ishte një ecje triumfale, sipas Prof. Schmitt, që ka prezantuar ditët e fundit në Tiranë studimin e tij “Skënderbeu”, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë. I tradhtuar, me një përpjekje të madhe për të pasur ndihmën e bujarëve të tjerë shqiptarë dhe me një diplomaci të vështirë, ai mundi për 25 vjet me radhë të mbante gjallë përpjekjen e tij. Një vullnet i rrallë i tij, që kaloi disfatat dhe tradhtitë dhe që mundi të ruante moralin e luftëtarëve të tij kundër Osmanëve. Bash ky vullnet, nga ana tjetër, i dërgoi në rrënim shqiptarët. Është kjo historia e Skënderbeut të ri, e parë nga historiani e njohur medievalist dhe e përkthyer mjeshtërisht nga Dr. Ardian Klosi. “Është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit: hakmarrësi i t’et, kundërshtari i dy sulltanëve, atleti i Krishtit, Aleksandri i Ri u ndodh i vetëm mbi rrënojat e veprës së tij”, e mbyll Schmitt-i ridimensionimin e figurës së heroit të shqiptarëve, që e ka vlerësuar për luftën dhe karizmin e tij të jashtëzakonshme.

 
Revista „MAPO“: Si e shikoni peshën specifike të luftës së Skënderbeut në shekullin e XV, krahasuar edhe me atë të shqiptarëve në Peloponez, apo me lëvizjet e tjera anti-osmane në Ballkan?


Prof. Oliver Schmitt:  Duhet të kemi parasysh që kryengritja e Skënderbeut ishte pjesë e një kryengritje shumë të madhe në hapësirën ballkanike kundër Perandorisë Osmane. Fillimi i kryengritjes së Skënderbeut duhet që të interpretohet në kuadër të një plani mjaft të gjerë, që u organizua nga Skënderbeu dhe Gjon Huniadi me ndihmën e Papës dhe qëllimi i tyre ishte shkatërrimi i Perandorisë Osmane më 1443-1444. Duhet të sqarojmë se në zonën e hapësirës arbre, që korrespondon me territorin e sotëm të Shqipërisë, dhe në territorin e Maqedonisë Perëndimore kanë marrë pjesë në luftë ata që banonin në hapësirën shqiptaro-folëse dhe ata që njiheshin si sllavët e jugut. Natyrisht që shumica e luftëtarëve të Skënderbeut ishin shqiptaro-folës dhe shqiptarë por nuk mund të ndajmë dhe grupin që u krijua dhe u organizua nga Skënderbeu ndër grupet e tjera etnike. Unë mendoj që në radhë të parë kemi një kategori shoqërore, kemi një popullsi malore: Në malësinë e Tumenishtit, malësinë e Matit, në atë të Dibrës, ku ndodhej shumica e popullsisë ortodokse...


Revista „MAPO“: Mbas paraqitjes fizike të Skënderbeut në Romë, Raguzë dhe Napoli, ai pati mundësi që të njihej gjerësisht dhe personalisht. Falë varësisë nga Napoli, ai arriti që të lidhej deri në Burgundi. Si ndryshoi ideja perëndimore për kancelarinë e Skënderbeu në këtë pjesë të Botës Mesjetare. Si e panë kancelaritë e tyre atë dhe administratën e tij kur e përballën edhe fizikisht?


Prof. Oliver Schmitt: Imazhi i Skënderbeut u krijua jo vetëm nga kancelaria e tij por edhe nga kancelaritë e huaja, sidomos në Itali. Dua të them që në radhë të parë shteti i Venedikut, por sidomos ai i oborrit të Papatit, kishin shumë interes të krijonin figurën e një heroi të Krishterimit, të një miti në luftën kundër Islamit. Duhet të vëmë kryengritjen e tij në kontekstin e luftës së gjerë kundër Perandorisë Osmane dhe pas rënies së Kostandinopulit. Papa është përpjekur që të organizojë të gjithë forcat kundër Osmanëve dhe kishte nevojë për të krijuar imazhin e një heroi në Ballkan, që do të shërbente si simbol i luftës dhe rezistencës kundër Osmanëve. Nga ana tjetër, Skënderbeu vetë, që kishte nevojë për ndihmë financiare nga Perëndimi ka shfrytëzuar dhe e ka përdorur këtë imazh për të krijuar një ideologji të sundimit të tij, që natyrisht ka integruar elementët që janë krijuar jashtë vendit dhe natyrisht ato që kishin lidhje me Papën. Nuk duhet të harrojmë se kisha katolike dhe sidomos arqipeshkvi i Durrësit, Pal Ëngjëlli por edhe abati i Rodecit në malësitë aktuale shqiptare kishin një rol themelor në organizimin e një lloj makine ndërkombëtare të njohjes së Skënderbeut. Kurse kisha katolike si institucion ndërkombëtar, në këtë rast jo kombëtar, ka organizuar një ndihmë për luftën dhe diplomacinë. Duhet thënë se Papa si udhëheqës i kishës katolike kishte çdo interes për të mbështetur kishën katolike në Ballkan, dhe në rajon etj. Dhe Skënderbeu u integrua në këtë mënyrë në një nivel të arrirë ideologjik, propagandistik në politikën e Rinashimentos (Rilindjes).


Revista „MAPO“: Ai mbante vetëm titullin “Dominus Albania” kurse bujarët e tjerë shqiptarë kishin shumë tituj. Përveç faktit që Papa Piu II nuk mund që të vinte dot në Shqipëri, që ti jepte titullin, çfarë e pengonte më shumë Skëndërbeun, që të kishte dhe ky një titull si gjithë të tjerët. Ka ndonjë lloj konteksti kjo?


Prof. Oliver Schmitt:  Jo. Përgjigja është shumë e lehtë. Skënderbeu ishte dhe anëtar i botës Bizantine i Komunelthit Bizantin. Në këtë botë kulturore, vetëm perandori bizantin kishte të drejtë të jepte një titull si anëtar i fisnikërisë ballkanike. Dhe, Skënderbeu e ka respektuar këtë rregull që një anëtar i fisnikërisë rajonale nuk kishte të drejtën që të marrë dhe të krijojë vetë një titull të ri, atë që kishte të drejtë të jepte vetëm perandori bizantin në instancën themelore, sepse vetëm ai e kishte këtë të drejtë. Por pas Rënies së Kostadinopulit kjo instancë nuk ekzistonte më dhe instanca e dytë e mbetur për të dhënë titujt ishte Papa. Sepse papët kishin tash dhe tagrin që të vinin titujt mbretër siç edhe bënë në Serbi dhe Bullgari. Për këtë arsye Skënderbeu ishte në një traditë shumë të lashtë në Ballkan, sepse kurorat serbe dhe bullgare u dërguan herët në Mal të Zi nga Roma në shekullin e XI. Kurse Skënderbeu kishte nevojë për një instancë që të legjitimonte një mbretëri, në një kohë që ishte e qartë që perandori lindor nuk ekzistonte më, ndërsa perandori perëndimor ishte shumë larg nga Shqipëria. Kurse Papa ishte një instancë ose burim legjitimiteti që ishte shumë i njohur në atë kohë. Ai ishte një burim zakonor që u pranua në Ballkan, jo vetëm në pjesën katolike por edhe atë ortodokse dhe kështu pjesa katolike në Shqipëri: arqipeshkvi i Durrësit së bashku me Papën Piu i II kanë zhvilluar një program madhështor për të krijuar një mbretëri në hapësirën arbre. D.m.th. për mua është shumë e rëndësishme që Skënderbeu nuk kishte ide të krijonte një shtet të vogël në periferinë e perandorisë Osmane, por ideja e tij është më e madhe, ai ka për qëllim shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Ai ka idenë e krijimit të një mbretërie katolike në Adriatikun jugor.


Revista „MAPO“: Si i shikon marrëdhëniet e Skënderbeut me Arianitët dhe pse janë luhatur aq shumë në historinë e tyre ato?


Prof. Oliver Schmitt: Ishte një marrëdhënie shumë e ndërlikuar sepse nga njëra anë, ata ishin bashkëluftëtarë me kusht (ishin krushq), ndërsa nga ana tjetër Arianitët ishin në fund të fundit të fundit dhe viktima të Skënderbeut. Dhe, Arianit Komneni e ka mbyllur jetën e tij si komandant i Venedikut, si vasal i saj. Del mjaft e qartë nga dokumentet që Arianitët, qoftë si aleatët më të ngushtë të Skënderbeut kanë vuajtur nga një politikë e ndërhyrjet politike të Skënderbeut në zonën e tyre. Skënderbeu kishte nevojë për resurse dhe për burime ekonomike por edhe për njerëz. Ndërsa fqinjët e tij, siç ishte fisnikëria shqiptare, nuk e kanë pranuar këtë ide të Skënderbeut që vetëm ai të ishte zoti më i fuqishëm në zonën fisnikërore arbre. Ky është dhe problemi kryesor që tregon dhe disfatën e Skënderbeut në fund të jetës së këtij. Kjo është e çuditshme, që bota politike e shqiptarëve në shekullin e XV dhe po të shikosh edhe në shekullin e XVIII dhe XIX dhe tani nuk punon me një sistem shumë të përqendruar dhe centralizim shumë të fortë, por janë disa burra të fortë që e kanë problem shumë të madh që të pranojnë hegjemoninë e një konkurrenti të tyre. Ky ishte edhe rasti i Skënderbeut që kishte edhe disa vite mundësi që të nënshtronte kundërshtarët e tij në hapësirën arbre, dhe që e arriti disi me përjashtim të Dukagjinëve. Ata nuk e kanë pranuar kurrë Skënderbeun si Udhëheqës.

 
Revista „MAPO“: Ju e keni prekur territorin e shqiptarëve dhe të luftërave të Skënderbeut edhe fizikisht. A mund të krijohet ideja e ndonjë novacioni të luftës së Skënderbeut, si strateg ushtarak, ashtu si është pretenduar shpesh. Ju mendoni se ai ka sjellë risi me luftën e tij në artin ushtarak?


Prof. Oliver Schmitt: Po patjetër. Por edhe burimet e dokumenteve dhe sidomos ato Perëndimore shtuar me ato të ushtarakëve venedikas p.sh. që e kanë shoqëruar Skënderbeun në zonën e Ohrit na kanë dhënë përshkrime me shumë detaje për veprimtarinë ushtarake të Skënderbeut dhe kemi nga ana tjetër dhe përshkrimet e aksioneve ushtarake të Skënderbeut në Itali më 1461 dhe 1462, ku del mjaft qartë dhe tregohet se ai nuk është vetëm një strateg ushtarak por ai është edhe në planin personal shumë guximtar. Ai njihet jo vetëm strateg në plane strategjike, por edhe se ka luftuar vetë në radhët e para. Skënderbeu ka qenë edhe vetë një udhëheqës karizmatik, sepse të gjithë ata që kanë luftuar me Skënderbeun e kanë ditur shumë mirë që në një situatë shumë të vështirë të Skënderbeut po të shkonte puna ai do të ishte vetë aty. Madje, edhe në situatat shumë të vështira dhe të rrezikshme, ai ka qenë në ballë të luftëtarëve. Më madhja ndër to është lufta në Berat, një disfatë shumë e madhe, por në orën kritike Skënderbeu ishte në zonat më të vështira të betejës për të shpëtuar jetët e luftëtarëve të tij. Të gjithë ata që kanë luftuar së bashku me të ndjeheshin mirë se udhëheqësi i tyre ishte në vend. Dhe besonin se ai nuk kishte frikë dhe ai...Unë mendoj se mund të përdorim edhe konceptin e Maks Weber-it, atë të një udhëheqësi karizmatik për Skënderbeun. Në atë kohë nuk kishte struktura shtetërore që të na shpjegojnë sepse Skënderbeu ka mbijetuar për 25 vjet kundër Osmanëve, por ka qenë pikërisht karizma e Skënderbeut. Mund të shpjegojmë këngët dhe traditat popullore në Ballkan dhe jo vetëm në shqiptarët por edhe në ato të sllavëve të jugut, ato të grekëve sepse e kanë admiruar Skënderbeun si një ideal të një luftëtari të madh. Ai ishte një udhëheqës dhe një simbol i idealizuar, jo vetëm sepse ai ishte simboli i një miti por e ka realizuar edhe në jetën e tij këtë ideal. Ky nuk është mit sepse kemi burime dhe sidomos burime nga diplomatët italian, që ishin profesionistë që ata nuk e kishin tendencë të ekzagjeronin, por që kanë përshkruar atë që me të vërtetë kanë vëzhguar në terren.


Revista „MAPO“: Përveç monedhës venedikase, çfarë monedhe qarkullonte tjetër në hapësirat arbërore. Si shkëmbehesh malli në atë kohë? Si ishte pagesa e luftëtarëve të tij?

 
Prof. Oliver Schmitt: Skënderbeu, vetë, nuk ka prodhuar monedhën e vet, por ka qarkulluar monedhën e Venedikut, dukatët, por ai vetë është përpjekur dhe ka kërkuar ndihmë nga Roma.


Revista „MAPO“: Sa vlerë ka pasur dukati i atëhershëm me vlerën e sotme?


Prof. Oliver Schmitt: Kjo është mjaft e vështirë, që të thuhet. Pagesa e një çobani në një vit ishte një dukat dhe për shembull Skënderbeu ka pranuar një pagesë në një vit nga Venediku për 1400 dukatë, që mund të hamendësojmë se ai ka mundur të paguajë me këtë plot 1400 luftëtarë, sepse shumica e bashkëluftëtarëve të tij ishin çobanë ose barinj dhe s’duhet të harrojmë, që vlera e monedhës në pjesën e ultësirës shqiptare krahasuar me atë në malësi ishte mjaft e ndryshme. Në ultësira në qytetet kanë qarkulluar shumë monedha, ndërsa një kronist bizantin Kritobulos nga Imbros përmend edhe faktin që në male kjo kishte vlerë shumë të madhe. Një çoban që merrte një dukat ishte një pagesë me shumë vlerë, krahasuar me atë të ultësirës. Dhe duhet të interpretojmë dhe vleftën financiare nga Perëndimi, por kuptohet se jo me monedhën në ultësirë, por me atë që qarkullon në malësi.


Revista „MAPO“: Çfarë mendon për Biemin?


Prof. Oliver Schmitt: Një mashtrues.


Revista „MAPO“: Kategorikisht?


Prof. Oliver Schmitt: Po.


Revista „MAPO“: Në çfarë përfundimi keni arritur për Lidhjen shqiptare të Lezhës? Duket si akt madhor, që u bashkuan ashtu gjithë ata individë të ndryshëm me shumë tituj njëri-tjetrin. Si mundi që Skënderbeu të dalë lideri i tyre?


Prof. Oliver Schmitt: Unë mendoj se Lidhja e Lezhës për krijimin e një shteti të pavarur kombëtar është thjesht një mit. Ajo duhet të interpretohet, të shpjegohet thjesht si një kuvend, një institucion që e njohim dhe nga kapitujt e ndryshëm të historisë shekullore të shqiptarëve. Ajo ishte një takim i përfaqësuesve më të respektuar të fisnikërisë, në hapësirën arbëre, arbër dhe jo-arbër (sepse Cernojeviçi, që merrte pjesë ishte sllav), por atyre të gjithëve u interesonte që të kishte një kryengritje kundër Osmanëve dhe jo të krijojnë një shteti kombëtar. Natyrisht kanë zgjedhur Skënderbeun si udhëheqës sepse ai ishte më i talentuar mes tyre. E kanë njohur të gjithë dhe e kanë respektuar por vetëm për disa vjet, sepse pastaj kur kanë kuptuar se ai nuk respektonte sistemin e Kuvendit, por kishte një program më të gjerë, kanë filluar të tërheqin dhe luftëtarët e tyre. Unë kam identifikuar një dokument venedikas të vitit 1450, që korrespondon me Rrethimin e parë të Krujës, që tregon mjaft qartë që në rradhë të parë kundër Osmanëve se shumica e përfaqësuesve të fisnikërisë, anëtarët e ashtuquajtur të Lidhjes së Lezhës kanë ndryshuar anë. Ata kanë ikur në anën e Sulltanit. Është mjaft e qartë që në Rrethimin e parë të Krujës, Skënderbeu ka luftuar vetëm me Familjen e Arianitëve, ndërsa Dukagjinët kanë mbështetur Osmanët dhe mund të themi që Lezha ishte një Kuvend zakonor, që ka punuar për 3-4 vjet, që u rrënua nga sulmi i osmanëve për dy arsye. E para sepse sundimtarët nuk e kanë pranuar Skënderbeun si udhëheqës rajonal;ndërsa e dyta është forca ushtarake e osmanëve.


Revista „MAPO“: Si e shikon rolin e Krishterimit ortodoks përballë atij katolik në luftërat e Skënderbeut? Ishte më shumë ortodoks apo katolik. Si arriti të konvertohej?


Prof. Oliver Schmitt: Duhet të kemi parasysh dinamikën e jetës dhe luftës së Skënderbeut sepse për këtë arsye nuk mund t’ju jap një përgjigje konkrete. Duhet të dallojmë midis fillimit dhe fundit të jetës së Skënderbeut. Në fillim kemi të bëjmë me një kryengritje ortodokse. Skënderbeu ka zgjedhur si simbol të luftës së tij Shqiponjën dykrenore. Është e qartë sepse ai kishte nevojë për një simbol, në mënyrë që të kishte të mundshme dhe të mobilizonte njerëzit e tij, që ishin të gjithë banorët prej Detit Adriatik deri në Pollog. Duhet të mobilizonte popullsinë kundër Perandorisë Osmane dhe ai duhet të përdorte një simbol që ishte në një farë mënyre dhe simbol i Perandorisë që ishte shkatërruar nga Osmanët. Qëllimi ishte mjaft i qartë në fillim. Pas disfatës në zonën e Pollogut dhe në Shqipërinë Lindore aktuale, Skënderbeu e ka përqendruar pushtetin e tij në një zonë që historikisht ka qenë zonë katolike. Natyrisht u ndihmua shumë dhe nga kisha katolike dhe pas Rrethimit të Parë të Krujës roli i kishës katolike u rrit dhe u bë në të vërtetë themelor sepse kisha ka organizuar për Skënderbeun jo vetëm mobilizimin por edhe trafikun e armëve, teknologjinë ushtarake dhe sistemi bankar varej nga biznesmenët katolikë në Raguzë dhe nga kisha katolike. Është e qartë se marrëdhëniet me papët u bënë me kusht dhe në këtë mënyrë mund të shpjegojmë që ai kaloi ngadalë nga një mjedisi ortodoks në një mjedisi katolik. Nuk kemi një akt të mirëfilltë konvertimi deri më tani.

 

 

 

KUSH ËSHTË G. BIEMI

 

Një vend me rëndësi në histografinë skënderbegiane zë vepra e priftit italian të shek XVIII, G. BIEMI me titull “Historia e Gjergj Kastriot Skënderbeut”, e botuar në Breshia më 1742 dhe e ribotuar po aty më 1756.



Me veprën e tij, Biemi u përpoq të shkëputej nga Barleti, por edhe të shkonte më tej, ta zëvendësonte tregimin e tij me një burim tjetër historik më të hershëm dhe më bindës se vepra e humanistit shqiptar. Për të realizuar këtë synim ai ndoqi dy rrugë. E para, shfrytëzoi burime të ndryshme historike parabarletiane, siç janë letrat e disa personaliteteve italiane bashkëkohore të Skënderbeut, si Fr.Philelphus, J.J.Pontanus, R. Volaterranus, krahas tyre njoftimet e dy kronistëve bizantinë të po atij shekulli dhe më në fund dokumente të arkivuara të viteve të heroit të botuara nga O.Rinaldi, G. Sagredo, etj. E dyta, ai pretendoi se ishte zbuluar një histori e Skënderbeut shkruar latinisht dhe botuar në Venedik më 1480, pra rreth 30 vjet para veprës së Barletit dhe si e tillë duhet besuar më tepër se tregimi i humanistit shqiptar. Biemi thotë se, vepra që ai kishte shtënë në dorë ishte e dëmtuar, se i mungonin përveç emrit të autorit disa fletë. Nga leximi i tekstit, shton ai, del se autori i veprës ishte një shqiptar nga Tivari, i cili e kishte shkruar trajtesën sipas tregimeve të vëllait të tij, një oficer i gardës së heroit. Biemi thotë më tej, se në fund të veprës ndodhej një shënim latinisht. (Këtu merr fund historia e Skënderbeut, botuar prej një shqiptari në Venedik, shtypur nën kujdesin dhe me shpenzimet e Erhard Radoltit nga Augsburgu në vitin e Zotit 1480, më 2 të muajit prill, nën qeverimin e të shkëlqyerit dogjit Johan Mocenigos).

 

RINIA E HEROIT NË FAQET E MUNGUARA


Faqet që mungonin trajtonin, gjithnjë sipas Biemit, rininë e Skënderbeut, ngjarjet e viteve 1443-1449, rrethimin e tretë të Krujës dhe vdekjen e heroit. Në mungesë të emrit të hartuesit të kësaj vepre me titull: “Historia e Skënderbeut”, e botuar prej një shqiptari, Biemi e quajti autorin Antivarino, por që tani është bërë zakon të quhet Anonimi Tivaras. Nga pasazhet e Anonimit Tivaras, të cilat Biemi i ka dhënë në përkthimin italisht, del se tregimi i tij për Skënderbeun nuk është panegjirik si ai i Barletit. Ai flet me gjuhë të matur. Nuk ka retorikë, përmend sukseset, por edhe dobësitë. Dëmet që pësuan turqit në fushën e betejës nuk i jep të fryra, po ashtu humbjet e shqiptarëve jo aq të pakta siç i tregon humanisti shkodran. Duke u mbështetur tek Anonimi, Biemi mban një qëndrim të rreptë ndaj Barletit. Nga ana tjetër, për të treguar se është objektiv mban aty këtu rezerva edhe ndaj vetë Anonimit. Po me gjithë korrigjimet që i bën Barleti, ai pajtohet me të në çështjen thelbësore të historisë së Skënderbeut, pasi i përmend fitoren e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj fushatave njëçerek shekullore të ushtrive turke. Disa nga të cilat u udhëhoqën nga dy prej sulltanëve më të shquar të perandorisë osmane: Murati II dhe Mehmeti II. Vepra e Anonimit, deri më sot, nuk është gjetur nga askush, por edhe trajtesa e Biemit ra në duart e historianëve të interesuar gati një shekull e gjysmë më vonë. Si rrjedhim, deri në fund të shekullit të XIX me gjithë hulumtimet arkivore, Barleti vazhdoi të shërbente si burimi kryesor për historinë e Skënderbeut. Megjithatë, në të njëjtën kohë tregimi i humanistit shkodran vazhdoi diku të korrigjohej dhe diku të plotësohej nga të dhënat dokumentare që dilnin herë pas here në dritë. Historiani i shquar austriak, J. Hamer, në veprën e tij të njohur “Historia e perandorisë osmane” botuar në gjermanisht në 1840, sado që kaloi nëpër duar, mjaft kronistë të të hershëm osmanë, të cilët lëshojnë breshëri mallkimesh ndaj Skënderbeut, e pranojnë në përgjithësi tregimin e Barletit. Ne nuk zgjatemi me qëndrimet që kanë mbajtur historianët jo të paktë të shekullit të XIX ndaj Barletit, por nuk do të kalojmë pa përmendur dhe G. Voigt, biografin e Papës Pio II. Ky është kritiku më i ashpër i veprës së Barletit. Në vëllimin e tretë të veprës, botuar në Berlin në 1863, ai e cilëson trajtesën e Barletit si një libër gënjeshtrash, e cila sado që është ribotuar, shumë herë ka vlerë të pakët. Midis atyre që nuk u pajtuan me të ishte edhe historiani gjerman J.Ph, Fallmerayer. Në veprën e tij, “Elementi shqiptar në Greqi” i botuar në Mynih 1866, në përgjithësi e vlerëson trajtesën e humanistit shqiptar, ndonëse diku e kritikon në lidhje me saktësinë historike të njoftimeve që jep. Nga penat e mëvonshme duhet të përmendim F. Tajanin, sidomos konsullin austriak J. Episko, pasi këta janë të parët që krahas veprës së Barletit dhe burimeve dokumentare në atë kohë ende të pakta, trajtuan e shfrytëzuan trajtesën e Biemit, pra tregimin e Anonimit të cilin e vlerësuan si burimin më të hershëm historik për Skënderbeun.


KRITIKA

Pas këtyre vjen kritiku tjetër i ashpër i Barletit, historiani rumun N. Jorga, i cili në vëllimin e dytë të punimit gjermanisht “Historia e perandorisë osmane”, shpreh mendimin se vepra e humanistit shqiptar nuk ka asnjë vlerë si histori, se vlerësimi i Barletit për Skënderbeun është panegjirik, sepse fitoret që i atribuohen Gjergj Kastriotit janë trillime. Se në të vërtetë ai ka qenë kapedan çetash që pësonte vazhdimisht disfata. Sipas tij, Barleti duhet besuar vetëm në njoftimet e tij, që vërtetohen nga burime dokumentare, me një fjalë Barleti nuk duhet besuar fare. Por gjykimi ndaj veprës së Barletit, Jorga nuk e argumentoi me burime dokumentare. Për këtë arsye, gjykimi i tij i rreptë nuk i bindi historianët e mëvonshëm. Ai nuk bindi plotësisht as nxënësin e tij rumun, C. Marineska, i cili në dizertacionin e vet të dokumentuar, Paris 1923, pasi konstatoi se Barleti me gjithë pasaktësitë që ka, nuk është kurdoherë pa mbështetje dokumentare, pohoi se ai duhet besuar jo kur vërtetohet siç thotë Jorga, por kur nuk kundërshtohet nga të dhënat dokumentare. Veçanërisht historianët shqiptarë nuk u bindën nga gjykimi i jashtëm i Jorgës, madje ata vazhduan të shihnin se veprat e Barletit dhe të Biemit, dy burime kryesore për historinë e Skënderbeut, sidomos në ato raste kur nuk korrigjohen nga burimet dokumentare të shekullit 15. Ky qëndrim duhet shkoqur te punimi i Nolit, “Historia e Skënderbeut, mbretit të shqiptarëve”, i cili krahas të dhënave dokumentare që pati mundësi të shtinte në atë kohë në dorë shfrytëzoi gjerësisht si Barleti ashtu edhe Biemin, madje duke e çmuar më tepër të dytin se të parin. Duke ballafaquar me njëri-tjetrin, ai shkruan sido që të jetë historia e Anonimit, qëndron në radhë të parë jo vetëm se duket që është shkruajtur prej një njeriu që shkoi jetën e tij pranë heroit që përshkruan, por edhe nga shkaku që i rrëfen ngjarjet e mira dhe të liga me ftohtësi, dhe si historian prej race, pa shtuar dhe pa hequr, duke dhënë motin, muajin dhe ditën për çdo betejë dhe veçanërisht duke treguar disa intriga dhe komplote të shëmtuara të princërve shqiptarë, të cilat Barleti i quan për detyrë patriotike të mos i përmendë. Më tej, Noli pasi pranon argumentin që jep Biemi se vepra e Anonimit u harrua dhe humbi për shkak të latinishtes së tij të thatë, të pakrehur dhe të pakëndshme shton: “Që ta themi shqip, Anonimi këndonte bukur, por zëri si punonte fare”. Përkundrazi, për Barletin ai shkruan: “Me latinishten e tij elegante dhe stilin e tij të kujdesur, ai fitoi lexuesë anembanë botës dhe bëri të pavdekur kujtimin e Skënderbeut në Evropë. Si historian Barleti qëndron aq shkallë nën Tivarasin sa e kapërcen si shkrimtar. Këndon ligsht, po ka zë të bukur. Rrallë jep mot, muaj e ditë si Anonimi dhe veç ca datave të pakta, të cilat vërtetohen edhe nga burime të tjera, gabohet në më të shumta. Fitoret i zmadhon, ngjarjet i zbukuron, gjërat e papëlqyera i hedh kosh a i tregon si me pahir kur s’ka se se t’i fshehë, shtrin me mijëra turq të vrarë në fushën e betejës dhe që shqiptarët e vrarë ishin ca dyzina më pak”. Historiani tjetër shqiptar që u mor me Skënderbeun ishte Xhevat Korça, por ky nuk u ndal në analizën kritike ndaj dy biografëve të parë të heroit.



PIKËPYETJET


Në dizertacion për doktoratë që ai mbrojti në Universitetin e Vjenës, i cili është botuar vetëm në përkthimin shqip, ai trajtoi tri çështje. A u ka propozuar Skënderbeu venedikasve në 1450, që ti lëshojë Krujën? A e kanë tradhëtuar Skënderbeun më 1457 dhe a ka qenë ky i shtrënguar për t’u fshehur në male e për të shpëtuar jetën e tij? A u ka paguar ai sulltanëve tribut të përvitshëm? Të gjitha këto shtjellohen duke i ballafaquar kryesisht me të dhëna dokumentare. Pas tyre vjen historiani tjetër shqiptar, Athanas Gegaj, me disertacionin që mbrojti në Universitetin e Louvainit me titull “L’Albanie et l’invasion turque au XV-e siecle”, i cili u botua në frëngjisht në Paris më 1937. Është vepra e dytë integrale nga autorë shqiptarë pas atij të Nolit (1921) në të cilën historia e Skënderbeut dhe e luftës që ai udhëhoqi është ndërtuar duke ballafaquar aktet dokumentare me burimet tregimtare. Gegaj beson në veprën e Anonimit Tivaras, edhe pse deri atëherë, asnjë historian tjetër, përveç Biemit, nuk e kishte pasur nëpër duar. Ai e konsideron jo vetëm si veprën më të hershme, por edhe më objektive se atë të humanistit shkodran. “Ne, shkruan ai, shohim te vepra e Biemit atë të Tivarasit”. Historia e Anonimit Tivaras, shkruan Gegaj, na jep njoftime të prera dhe të sakta mbi shumicën e ngjarjeve, pa e tepruar rëndësinë e tyre. Në vend që të bëjë apologjinë e Skënderbeut, shpeshherë e kritikon qëndrimin e tij. Nuk i fsheh vështirësitë e brendshme të vendit dhe zbulon kritikat e komplotet e princërve… Ajo na njeh me faktet tepër të rëndësishme që kanë të bëjnë me gjendjen e brendshme të Shqipërisë dhe me zakonet e banorëve të saj. Thotë pastaj se, duke ballafaquar njoftimet e Tivarasit me të dhënat dokumentare, del se autori ka qenë mjaft i informuar dhe i pranishëm në gjykimet e tij. Për këtë arsye, përfundon Gegaj, ne e kemi shfrytëzuar kronikën e tij si një burim me vlerë. Disa vite më parë se të botohej vepra e Gegajt, historiani gjerman, Fr. Babinger, kishte shfaqur në punimin e tij, kushtuar themelimit të Elbasanit në “Mitteilungen des Seminars fur Orientalische Sprachen an der Univers, zu Berlin”, dyshimin e përbashkët që kishte me kolegun e vet K. Ohly, se nuk ka ekzistuar asnjëherë një trajtesë e botuar nga Anonimi Tivaras, siç pretendon Biemi. Dy vjet më vonë, hyri në skenë vetë K. Ohly, një gjurmues i kualifikuar i inkunabulave. Në punimin e tij, i botuar në Gutenberg Jahrbuch” Mainz, 1933 njoftoi se gjatë hetimeve që kishte kryer në fondet e arkivuara të punishtes shtypshkronjë të Erhard Radoltit në Venedik, nuk kishte gjetur asnjë gjurmë që të ishte botuar në 1480, madje as më vonë libri i Anonimit të Tivarasit. Si rrjedhim, ai pohoi se trajtesa e Tivarasit ishte një vepër e trilluar nga Biemi, një trillim nga më të rafinuarit dhe më të suksesshmit deri atëherë. Sipas tij, qëllimi i Biemit ka qenë që të rriste te historianët konsideratën ndaj veprës së tij dhe njëherësh ta zhvleftësonte atë të Barletit, e cila vazhdonte të gëzonte prestigjin në publikun evropian. Për të përforcuar konkluzionin e kolegut të tij, Fr. Babinger i botoi një vit më vonë një punim të posaçëm me titull: “Një vepër e falsifikuar mbi Skënderbeun”, Berlin, 1934. Kjo akuzë po të vërtetohej, do të ishte një goditje e rëndë për historiografinë skënderbegiane, e cila do të privohej nga një tregim objektiv më bindës se ai i Barletit në dëm të historisë së heroit të shqiptarëve. Historiani shqiptar Ath. Gegaj, i cili traktatin e vet shkencor e botoi më 1937, duket se nuk i njihte akuzat e dy historianëve gjermanë ndaj Biemit, ndonëse ato qenë botuar disa vite më parë. Ky mosinformim i dha rast historianit rumun, FR. Pall t’i kujtonte historianit shqiptar në recensionin që botoi flakë për flakë për atë vit, “Një histori e re e Skënderbeut”. Vërejtje mbi librin e zotit Gegaj, se Biemi ishte stigmatizuar si falsifikator nga Babinger e nga Ohly dhe se shfrytëzimi prej tij i Anonimit Tivaras e kishte dëmtuar veprën e vet aq të ngjeshur me të dhëna dokumentare...



Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!