DYZETVJETORI I DEMONSTRATAVE TË VITIT 1968


Cilat ishin rrethanat shoqërore-politike në Kosovë në vitin 1968?



Shkruan: Selatin NOVOSELLA Gazata “Kosova sot”

 

 Lufta nacionalçlirimtare e popullit vietnamez në vitin 1968 kishte arritur kulmin. Kjo luftë, e udhëhequr nga Fronti i Çlirimit Kombëtar, që synonte çlirimin e Vietnamit Jugor dhe bashkimin me Vietnamin Verior, si shtet amë, kishte ngjallur shpresa te shumë popuj të robëruar. Lëvizja Çlirimtare Kombëtare, e cila vazhdonte të vepronte në forma të ndryshme në Kosovë dhe vise, me Vietnamin i krahasonte viset e mbetura jashtë Shqipërisë londineze, kurse me Vietnamin e Veriut e krahasonte shtetin amë të shqiptarëve - Shqipërinë. Andaj, në bashkimin e dy Vietnameve shihte shpresën dhe shembullin e ribashkimit edhe të shqiptarëve në një shtet të përbashkët.


Në anën tjetër, lufta izraelite-egjiptiane e vitit 1967, tashmë kishte marrë përmasa të përgjithshme arabe, ku barrën kryesore vazhdonte ta bartte populli më i shtypur në atë rajon të Lindjes së Afërme - populli palestinez. Edhe kjo luftë çlirimtare e palestinezëve shihej me shumë simpati nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, duke bërë përpjekje që ta përkrahte dhe ta mbështeste atë, qoftë edhe moralisht dhe gojarisht, në territoret e okupuara shqiptare në ish-Jugosllavi.www.besiana.de

Ibrahim Gashi Selatin Novosella Shemsi Hoxha


 Viti 1968 në Evropë do të mbetet në kujtesë për aktin e paprecedencë të okupimit të Çekosllovakisë nga ana e shteteve "aleate", anëtare të Traktatit të Varshavës, të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik. Në shenjë mospajtimi me këtë akt të okupimit, Shqipëria edhe formalisht tërhiqet nga Traktati i Varshavës, ndonëse, objektivisht, nga ky pakt ajo ishte tërhequr që nga viti 1961. Duke përshëndetur këtë tërheqje të Shqipërisë nga ky traktat politiko-ushtarak, Ismail Kadare, shkruante:


www.besiana.de
"Duke sfiduar

Tensionin, shantazhet, traktatin e grisur

Një grua vrapon t'i japë një bir të ri

Kësaj kohe të madhe plot shqetësime"



Këto ngjarje në arenën ndërkombëtare nuk ishin pa ndikim në jetën politike në Kosovë dhe më gjerë. Megjithatë, ndikim dukshëm më të madh do të kenë protestat dhe demonstratat studentore dhe të rinisë në këtë vit, që do të shpërthejnë në Gjermaninë Perëndimore, në Francë, në Itali, në Angli dhe në Spanjë. Rinia studentore në këto shtete më të zhvilluara të Evropës Perëndimore nuk do të pajtohet me statusin e saj në shoqëri, ndonëse i gëzonte pothuajse shumicën e privilegjeve të jetës bashkëkohore. Njëri prej organizatorëve dhe ideatorëve të demonstratave të vitit 1968, Adil Pireva, me të drejtë konstaton: "Rinia studentore botërore kishte rënë në një rezignacion a dëshpërim të madh nga rrethanat politiko-shoqërore të kohës, që karakterizoheshin nga një luftë e ftohtë, e cila kishte zëvendësuar luftën e armatosur. Ajo nuk pajtohej me kohën, në të cilën jetonte, por s`dinte çka donte. Dinte çka s`donte, por s`dinte çka donte".


 Universitetet e këtyre shteteve ishin bërë arena ku për çdo ditë rinia kacafytej me organet e pushtetit dhe kështu rrezikonte që kjo pakënaqësi të merrte përmasa më të gjera. Konfliktet ishin aq të rrepta sa shpesh përfundonin me lëndime, me plagosje dhe me dëme të konsiderueshme materiale.

www.besiana.de
Rinia shqiptare në Kosovë dhe viset e tjera, demonstratat e rinisë studentore në Evropën Perëndimore, në vitin 1968, i shikonte me simpati, edhe pse kërkesat e shtruara nuk përputheshin me ato të rinisë shqiptare, ngase ato ishin të natyrës, kryekreje, kombëtare, si pjesë e popullit të robëruar në ish-Jugosllavi. Pushteti jugosllav fare pak informonte për demonstratat dhe protestat e rinisë në shtetet e Perëndimit, nga droja e arsyeshme se nga ato ngjarje do të merrte shembull, jo vetëm rinia kosovare por, përgjithësisht, edhe ajo jugosllave.


Shembulli i vetëdjegies së studentit Jan Pallah në Çekosllovaki, në shenjë proteste pas okupimit nga Traktati i Varshavës, shembujt e luftës çlirimtare në Vietnam dhe në Palestinë, shembujt e protestave masive të rinisë studentore në shtetet demokratike të Evropës Perëndimore, do të ndikojnë mjaft në përgatitjen shpirtërore për organizimin e demonstratave kosovare të vitit 1968.

www.besiana.de

NDRYSHIME ME NDIKIM


Viti 1968 në ish-Jugosllavi do të karakterizohet me konsolidimin e rrethanave në të gjithë lëmenjtë jetësorë, rrethana këto të krijuara pas Plenumit të Katërt të Brioneve të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (1 korrik 1966). Deformimet e shumta që ishin bërë nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (i njohur në popull si UDB-ja), ndonëse jo në atë masë sa edhe në Kosovë, tashmë, kishin dalë në sipërfaqe në tërë ish-Jugosllavinë. Për këtë arsye, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjitha republikat dhe krahinat në ish-Jugosllavi dëshironin të arrinin atë që shumë kohë ishte e ndaluar me masa të ndryshme administrative e policore. Megjithëse pas këtij plenumi historik kishin ndodhur disa ndryshime fillestare në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore në ish-Jugosllavi, burokracia, sidomos ajo serbe, ende ishte aq e fuqishme sa ia zinte frymën çdo iniciative dhe veprimtarie sado të vogël demokratike që ndodhte.


 Si në të gjitha shoqëritë, ku rinia është ajo që kërkon ndryshime më të shpejta dhe më radikale, edhe në ish-Jugosllavi, në vitin 1968, rinia studentore e ngriti zërin e protestës në mënyrë të vendosur në demonstratën e Beogradit, në muajin qershor të vitit 1968. Në demonstratën e Beogradit, në të cilën mori pjesë edhe një numër i studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit, kërkesat kryesore u orientuan në sferën e standardit të studentëve, në kushtet e studimeve, kundër burokracisë që i bllokonte të gjitha iniciativat konstruktive, në largimin e disa udhëheqësve të lartë partiakë dhe shtetërorë, etj.


Demonstratën e Beogradit të vitit 1968, si dhe ato të shteteve perëndimore, studentët dhe rinia shqiptare në Kosovë dhe më gjerë i shikonte me respekt dhe me simpati. Mirëpo, te këto demonstrata, rinia shqiptare nuk gjente synimin e saj kryesor - kërkesën për liri kombëtare, e cila u mungonte shqiptarëve. Megjithatë, në Kosovë kishte ide dhe propozime që të organizoheshin demonstrata në shenjë përkrahjeje të këtyre aktiviteteve. Për organizimin e demonstratave të përkrahjes, kishte iniciativë edhe nga vetë studentët e Beogradit. Mirëpo, rinia shqiptare kishte kërkesa dhe brenga shumë më të mëdha, shumë më të ngutshme dhe shumë më të rëndësishme. Ajo planifikonte të organizonte demonstrata me karakter kombëtar, në të cilat kërkesë bazë do të ishte e drejta për vetëvendosje politike. Përkundër synimeve të ndryshme, lirisht mund të thuhet se demonstratat e Evropës, dhe ato të Beogradit, ndikuan në shpejtimin e organizimit të demonstratave edhe në qytetet shqiptare në ish-Jugosllavi.
www.besiana.de

KOSOVA FRYMON MË LIRSHËM


Ndryshimet e shumta pozitive që kishte sjellë Plenumi i Katërt i Brioneve vëreheshin në shumë lëmenj të jetës në Kosovë. Sikur u harrua e kaluara e hidhur dhe shpeshherë tragjike, e karakterizuar me likuidimet në masë pas Luftës së Dytë Botërore, me aksionin e grumbullimit të armëve në vitin 1956, me presionin për shpërngulje në Turqi, me burgosjet e pandërprera të shumë atdhetarëve dhe me keqtrajtimin e tyre gjatë hetimeve dhe gjatë mbajtjes së dënimeve të gjata, të cilat përfundonin edhe me vdekjen e të burgosurve, me masat e tjera drakoniane të pushtetit serbo-jugosllav, etj. Sikur mbretëronte, pas këtij plenumi, një frymë më e durueshme në jetën politike të shqiptarëve. Shkurt, edhe pse këto ndryshime nuk kishin ndonjë karakter më të thellë, shqiptarët merrnin frymë pak më lehtë.


Pas Plenumit të Brioneve, me propozimin e prokurorit krahinor, Rezak Shala, filloi zbritja e dënimeve për shumë të burgosur politikë, kurse disa prej tyre u liruar plotësisht nga vuajtja e mëtutjeshme e burgut. Kishte filluar ribotimi i veprave të ndryshme, të ardhura nga Shqipëria, si: "Historia e Skënderbeut" e Marin Barletit, "Fjalori i gjuhës shqipe", "Hasta la vista" e Petro Markos, "Historia e letërsisë shqipe", etj. Filloi shfaqja e shumë pjesëve teatrore, deri në atë kohë rreptësisht të ndaluara, si: "Trimi i mirë me shokë shumë", "Cuca e maleve", "Plaku i maleve", "Shtatë shaljanët", "Migjeni", etj.

 

Shfaqej filmi i koproduksionit shqiptaro-sovjetik "Skënderbeu", si dhe botoheshin shumë fotografi të Skënderbeut dhe embleme të tij.

 

Shoqëritë e ndryshme kulturo-artistike, si: "Ramiz Sadiku" e Prishtinës, "Liman Kaba" e Dibrës, "Hajdar Dushi" e Gjakovës, e shumë të tjera, në repertorin e tyre kishin aso këngësh saqë sallat, siç thonë, ndizeshin nga brohoritjet dhe nga duartrokitjet e publikut të përmalluar dhe të etur për muzikë shqiptare. Kjo ishte e natyrshme, ngase këto këngë ishin këngë me tematikë nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar. Sidomos këngët për Skënderbeun, për Bajram Currin, për Dedë Gjo Lulin, për Azem e Shote Galicën, për Tefik Çangën, për Emin Durakun, për Ganimete Tërbeshin, etj., priteshin me ovacione dhe me brohoritje të pakufishme. Viti 1968, në Kosovë, për shumëçka mund të thuhet se ishte Mot i kremtimit të përvjetorëve, po edhe i zhvillimit të ngjarjeve historike. Ishte Vit i Madh. Në Kosovë, në vitin 1968, u kremtua 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Në këtë vit ishte edhe 90-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 60-vjetori i Kongresit të Manastirit, si dhe u mbajt Konferenca e Dytë Studimeve Albanologjike. Në Simpoziumi Ndërkombëtar për Skënderbeun, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar shqiptar, përveç historianëve, shkencëtarëve, arkeologëve dhe gjuhëtarëve nga shumë vende të botës, morën pjesë edhe shumë studiues nga Shqipëria, dhe kjo i dha ngjyrë të përgjithshme kombëtare këtij simpoziumi. Po në vitin 1968, në Prishtinë, u mbajt Konsulta gjuhësore, e cili do t'i paraprijë Kongresit për unifikimin e gjuhës letrare shqipe.www.besiana.de



Kësaj atmosfere entuziaste, që ishte krijuar në Kosovë, po i kontribuonte edhe radioja, shtypi dhe televizioni i Shqipërisë, me emisione dhe me shkrime të ndryshme. Kështu, më 15 janar 1968, në Simpoziumin për Skënderbeun, të mbajtur në Krujë, kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, iu drejtua pjesëmarrësve nga Kosova me këto fjalë: "Ju jeni shqiptarë dhe ne jemi shqiptarë, jemi pra një popull. Qiejt mund të rrëzohen, por e vërteta që ju jeni vëllezërit tanë e që ne jemi vëllezërit tuaj, pse kemi një mëmëdhe, një atdhe, nuk lëviz. Furtuna të tmerrshme kanë kaluar mbi popullin shqiptar. Mundet edhe nesër të bëjnë vaki gjëra të tilla, por populli shqiptar nuk do të robërohet tani më nga kurrkush. Nuk ka forcë në botë që ta ndalojë popullin shqiptar të rrojë i bashkuar, i lirë, i pavarur dhe sovran. Këtë e kanë vërtetuar kohët e lashta dhe kohët e reja. Po ta lypin rrethanat, këtë do ta vërtetojnë edhe kohët e ardhshme".


Klima e përgjithshme e krijuar në Kosovë pas Plenumit të Brioneve ishte mbështetje e mirë e shpresës se ndryshimet e filluara do të vazhdojnë. Andaj, me plot të drejtë, viti 1968, për shqiptarët e Kosovës sikur paraqet një romantizëm të vonuar kombëtar.


Gjashtëdhjeteteta shqiptare ishte shprehje e nevojës objektive për përshpejtimin e procesit të ndrydhur aq gjatë të mëvetësisë së shqiptarëve dhe, mbi këtë bazë, edhe të emancipimit të tyre të gjithanshëm.


Por ishte, nga ana tjetër, edhe shprehje e drojës (që më vonë do të dëshmohej si e arsyeshme dhe largpamëse) nga tendencat gjithnjë e më të hapura e më agresive të qarqeve shoviniste serbomëdha (madje edhe të atyre opozitare) për ndërprerjen e procesit të rilindjes së re shqiptare dhe për kthimin e sërishëm të ferrit oruelian të kohës së parabrioneve.



DISKUTIME PËR NDRYSHIME RRËNJËSORE


www.besiana.de

Në vitin 1968 formohet Komisioni për Studimin e Çështjeve që kanë të bëjnë me Ndryshimet dhe Plotësimet e Statutit, qëllim i të cilit ishte udhëheqja dhe organizimi i diskutimeve dhe i propozimeve për ndryshimet dhe për plotësimet e Statutit të Krahinës Autonome të Kosovës, aktit më të lartë juridik të Kosovës në atë kohë. Kryetar i këtij komisioni ishte caktuar Fadil Hoxha, kryetar i Kuvendit Krahinor të Kosovës.


Pas dhënies së shenjës së gjelbër nga kreu jugosllav, Josip Broz Tito, në disa qendra të mëdha të Kosovës filluan diskutimet për ndryshimin e Statutit dhe të Kushtetutës së Kosovës. Tito, së bashku me kroatin Vladimir Bakariq dhe me sllovenin Eduard Kardel, synonin dhe planifikonin dobësimin e pozicioneve të Serbisë në federatën jugosllave. Këtë dobësim, sipas bindjes së tyre, mund ta bënin vetëm me ndarjen e Kosovës në fillim dhe, më vonë, edhe të Vojvodinës, nga kontrolli i drejtpërdrejtë i Serbisë. Eduard Kardel, në vitin 1967, duke folur përkitazi me pozitën e pakicave kombëtare, siç trajtoheshin edhe shqiptarët, ndonëse, sipas numrit të banorëve, shqiptarë kishte më tepër se maqedonas, se malazias dhe se slloven, thoshte:


"Porsa diçka është autonomi, atëherë këtu nuk është më fjala për statusin e pakicës, po për një bashkësi autonome të popujve në një territor të caktuar, gjë që në këtë rast kombësisë shqiptare objektivisht i jep një pozitë kombëtare më të fuqishme".
www.besiana.de


Tubimi i parë me diskutime për ndryshimet kushtetuese u mbajt në Gjakovë, më 16 gusht 1968, në Aktivin politik të këtij qyteti, dhe zgjati tetë orë të plota. Në këtë mbledhje u kërkuan ndryshime rrënjësore të sistemit politik. Aty u kërkua, përveç së tjerash, që:


1. Në Kushtetutën e RSFJ-së, kombësia shqiptare të emërtohet si kombi shqiptar;
2. Me Kushtetutë dhe me ligj të përcaktohet përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar;
3. Krahina e Kosovës të shpallet Republika e Kosovës etj.


Gjakova nuk ishte zgjedhur rastësisht për vendin prej nga do të shtroheshin në opinionin e gjerë kërkesat për ndryshimet që do të pasonin në të ardhshmen në Kosovë. Gjakova ishte dalluar në Luftën Nacional-Çlirimtare, prej vitit 1941 deri më 1945. Në Malësinë e Gjakovës, po ashtu, ishte mbajtur Mbledhja historike e Bunjajt, ku ishin marrë vendime afatgjata për fatin e shqiptarëve të Kosovës. Në Gjakovë kishin lindur disa nga simbolet e kësaj lufte, si: Emin Duraku, Ganimete Tërbeshi, Xheladin Hana etj. Për këtë arsye, zgjedhja e Gjakovës për vend të fillimit të diskutimeve për ndryshimet kushtetuese ishte plotësisht e qëlluar dhe e menduar mirë.


Qëndrimet e Aktivit politik të Gjakovës, pas tri ditësh, u botuan në gazetën "Rilindja", më 19 gusht 1968. Përveç së tjerash, në "Rilindje" shkruan:


"Njërës prej çështjeve që më së tepërmi i është kushtuar rëndësi në shqyrtim ishte e drejta për vetëvendosje... Që në vend të Statutit Kosova të ketë Kushtetutë... Që në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ Kosova të ketë 20 përfaqësues si edhe republikat e tjera... Që të pranohet statusi i Kombit për shqiptarët të cilët janë ose më shumë ose sa disa kombe që jetojnë në Jugosllavi... Me Kushtetutë duhet të sigurohen të drejta të barabarta në përdorimin e simboleve kombëtare... Pa vetëvendosje nuk ka barazi...".
www.besiana.de


Qëndrimet e Aktivit politik të Gjakovës pothuajse unanimisht qenë pranuar edhe nga aktivet politike të Prishtinës, të Gjilanit, të Pejës, të Mitrovicës dhe të qendrave të tjera komunale në Kosovë.


Pa dyshim, qëndrimet e Aktivit politik të Prishtinës, si kryeqendër e Kosovës dhe si vend administrativ, kanë pasur peshë të posaçme për rrjedhën e mëtutjeshme për ndryshimet kushtetuese të vitit 1968. Në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, në shtator të vitit 1968, është konstatuar:


"Kushtetuta e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe e Republikës së Serbisë duhet të pranojnë të drejtën dhe dëshirën e shqiptarëve për vetëvendosje... Krahina duhet të bëhet njësi federale... Krahina duhet të barazohet me republikën... Duhet të ndërrohet neni 2 i Kushtetutës së RSFJ-së dhe të insistohet që Jugosllavinë ta përbëjnë tetë njësi federale... Është e drejtë e çdo kombi dhe kombësie për të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Duhet të kërkohet që Krahina të bëhet Republikë...".

www.besiana.de

QËNDRIMET DHE PROPOZIMET E INTELIGJENCIES



Në diskutimet për ndryshimet kushtetuese në vitin 1968 u dalluan: Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Syrja Pupovci, Dervish Rozhaja, Hajredin Hoxha, Mark Krasniqi, Ismail Dumoshi, Hasan Mekuli, Vehap Shita, etj., të gjithë këta profesorë të fakulteteve të Prishtinës dhe punëtorë të njohur shkencorë, si dhe Ramadan Vraniqi - kryetar i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Rezak Shala - prokuror krahinor i Kosovës, Sali Bajra - kryetar i Komunës së Kaçanikut, Bardhyl Çaushi - kryetar i Gjyqit Komunal në Gjakovë, etj.


Inteligjencia shqiptare e kohës, me argumentet shkencore që i paraqiste për të drejtën e të gjithë popujve për vetëvendosje, e në këtë kontekst edhe të shqiptarëve të Kosovës, me bazamentin historik nga e kaluara e largët dhe e afërt historike e shqiptarëve për luftërat për autonomi të plotë të Kosovës, nuk linte kurrfarë dyshimesh në shpjegimet dhe sqarimet e veta para opinionit të gjerë kosovar. Mirëpo, përderisa inteligjencia vazhdonte me këmbëngulje të qëndronte në kërkesat gjithëpopullore për të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, nga ana tjetër, burokracia nga radhët e popullit shqiptar iu nënshtrua presionit që ushtrohej nga nivelet e Federatës jugosllave dhe të Republikës së Serbisë, që diskutimet të ngushtoheshin dhe të orientoheshin në të drejta shumë të kufizuara, të cilat do të fitoheshin në fund të këtyre diskutimeve. Edhe pse në fillim të diskutimeve për ndërrimet kushtetuese kishte mendime dhe qëndrime të drejta të disa udhëheqësve serbë dhe malazias sa i përket statusit të ardhshëm të Kosovës, siç ishte qëndrimi i Petar Stamboliqit, në nivel jugosllav, dhe qëndrimi i Katarina Petarnagiqit në nivel të Kosovës, megjithatë, shumica dërrmuese e udhëheqjes jugosllave dhe serbe kishte qëndrim jo të drejtë dhe joparimor përkitazi me pozitën e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve.
www.besiana.de


Në Aktivin politik në Pejë, shumë diskutues e kritikojnë rreptë "Propozimin për ndryshimet kushtetuese", të përgatitur nga Komisioni Krahinor i Kosovës për Ndryshimet Kushtetuese. Sidomos i kundërshtojnë "sqarimet" e këtij komisioni se, gjoja, një popull nuk mund t'i ketë dy shtete. Diskutuesit, duke kundërshtuar "argumentet" e Komisionit, në arsyetimet e tyre i paraqesin rastet e shumta të njohura në botë në të cilat një popull i ka dy shtete, siç ishte rasti me Gjermaninë Perëndimore dhe atë Lindore, me Korenë Veriore dhe atë Jugore, me Vietnamin Verior dhe atë Jugor, me Jemenin Verior dhe atë Jugor etj.


Më 3 shtator 1968, në Prishtinë, u mbajt mbledhja e Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve, në të cilën Hajredin Hoxha, profesor në Fakultetin Juridik në Prishtinë, përveç të tjerash, thotë:
www.besiana.de


"Përkitazi me çështjen e republikës, unë këtu dua të polemizoj dhe t'i paraqes disa argumente të mia, d.m.th. si duhet ta trajtojmë problemin e republikës në mënyrë teorike dhe parimore, sepse çështja nacionale s'është abstrakte. Një çështje është se ajo është parimore, kurse tjetra se ajo është e zbatueshme në kushte të caktuara. Unë gjithnjë kam qenë për atë që popujt e Krahinës sonë të jenë të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Për mua, esenca e problemit është që krahinat 90 deri 95% të rasteve duhet t'i kenë të njëjtat të drejta si edhe republikat dhe në realitet ato duhet të jenë republika në territorin e vet".

 

Dervish Rozhaja, profesor në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, duke trajtuar çështjen e vetëvendosjes për shqiptarët e Kosovës, përveç së tjerash, thotë: "Çështja është plotësisht e qartë, pa marrë parasysh e kemi shtetin tjetër shqiptar apo jo". Ndërsa, Ali Hadri, profesor i historisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, duke u ndërlidhur me këtë diskutim, thotë: "Pse sistemi ynë kushtetues konteston se vetë në gjenezën e LNÇ-së, duke e shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, popujt e Kosovës ishin element kreativë në krijimin e Jugosllavisë së Re". Në atë mbledhje, të angazhuar dhe të argumentuar, inkuadrohet Gazmend Zajmi, profesor në Fakultetin Juridik në Prishtinë, duke shtuar: "E drejta për vetëvendosje apo jo, për mua kjo pyetje nuk ekziston, pasi që kjo çështje në literaturën shkencore është zgjidhur dhe aq më tepër nuk besoj të ketë kurrfarë arsyeje dhe nevoje për përpjekje të reja për ta zgjidhur këtë problem... Kurse, sa i përket së drejtës së kombësive që ta realizojnë të drejtën e vetëvendosjes, kjo është çështje e rrethanave faktike. Kombësisë si kolektivitet i takon kjo e drejtë siç i takon edhe kombit, dhe për mua kjo çështje është e zgjidhur".


Fehmi Agani, profesor i sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, angazhohet për respektimin e mendimeve, të propozimeve dhe të sugjerimeve të shprehura gjatë diskutimeve për ndryshimet kushtetuese dhe i jep vërejtje Komisionit Kushtetuar duke përfunduar: "Duhet t'i përkrahim të gjitha kërkesat të cilat janë prezantuar si kërkesa të shumicës dërrmuese të popullsisë. Ato duhet të jenë kërkesat tona".


Pas analizës që i bënë diskutimeve të bëra anekënd Kosovës për ndryshimet kushtetuese dhe njerëzit që ishin inkuadruar në ato diskutime, si edhe idetë që ishin shprehur në to, Mark Krasniqi, thotë: "Është shumë me rëndësi që populli në diskutimet e deritanishme ka treguar se nuk i vlerëson pjesëmarrësit në diskutime sipas pozitës të cilën e kanë, por sipas qëndrimeve që ata mbrojnë".


Syrja Pupovci, profesor i së drejtës familjare në Fakultetin Juridik në Prishtinë, duke folur për gjenezën e konstituimit të Kosovës si njësi e veçantë, burimet i kërkon dhe i gjen në Luftën Nacional- Çlirimtare, 1941-1945. Lidhur me këtë, ai thotë: "Prandaj, konsideroj dhe po e cek edhe një herë se sa i përket gjenezës, bile unë së pakut mendoj se s'kemi ç'të diskutojmë absolutisht, por të pranohet fakti çfarë është sjellë gjatë LNÇ-së".


Në Aktivin politik të Prishtinës, me fjalën e tij të argumentuar, bindëse dhe me tonin e zjarrtë dallohet edhe Rezak Shala, prokuror i Krahinës së Kosovës. Duke iu kundërvënë të gjithë atyre që ishin kundër Republikës së Kosovës, ai mbron me këmbëngulje të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe formimin e Republikës së Kosovës. Rezak Shala e përfundon diskutimin e vet me konstatimin: "Republika e Kosovës është imperativ i kohës dhe nga kjo e drejtë nuk duhet hequr dorë". Pa dyshim, njëri prej përkrahësve të Republikës së Kosovës gjatë këtyre diskutimeve në vitin 1968, ishte edhe Ramadan Vraniqi.


Pesha e diskutimeve dhe e kërkesave për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të Republikës së barabartë me gjashtë republikat e atëhershme të ish-Jugosllavisë, ishte e shumëfishtë. Nga njëra anë, Rezak Shala kryente detyrën e prokurorit të Kosovës, ndërsa Ramadan Vraniqi ishte kryetar i Gjyqit Suprem të Kosovës, dhe, nga ana tjetër, si njëri ashtu edhe tjetri ishin anëtarë të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Kjo dëshmonte, fuqimisht, se edhe në strukturat më të larta të shtetit dhe të partisë komuniste kishte ndodhur një ndryshim rrënjësor duke e krahasuar me kohën para Plenumit të Brioneve, me ç`rast ishte larguar nga pushteti njëri prej armiqve më të egër të shqiptarëve të Kosovës - Aleksandar Rankoviq, ndryshe ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Josip Broz Titos.

BUROKRACIA SHQIPTARE BIE NË PROVIMIN HISTORIK


Diskutime të ngjashme dhe qëndrime të tilla nuk kishte vetëm inteligjencia shqiptare, por pothuaj i tërë populli. Kjo ishte manifestuar gati në të gjitha aktivet e komunave të Kosovës, te rinia dhe fshatarësia anekënd Kosovës, si dhe në mesin e klasës punëtore kosovare. Mirëpo, derisa shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës kërkonte të drejtën për vetëvendosje, të drejtën për Republikë, të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, universitetin në Prishtinë, e kërkesa të ngjashme, nga ana tjetër, burokracia shqiptare i kundërshtonte ato kërkesa të ligjshme të popullit, në emër të të cilit fliste duke u prezantuar si "zëdhënëse" e dëshirave dhe e synimeve të tyre. Kështu, burokracia shqiptare, me ndonjë përjashtim të rrallë, çdo ditë e më tepër binte nën presionin e pandërprerë që i bëhej nga udhëheqja serbe dhe ajo jugosllave.


Edhe një herë, si shumë herë më parë, kur po vendosej fati i shqiptarëve të Kosovës, burokracia shqiptare me në krye Fadil Hoxhën - kryetar i Kuvendit të Kosovës, Veli Devën - kryetar i Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Xhavit Nimanin, Xhevdet Hamzën, Ali Shukriun, Sinan Hasanin, Kolë Shirokën, Mahmut Bakallin - kryetar i Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës, e të ngjashëm me këta, lëshoi pe para presioneve që s'ishin të vogla dhe kapitulloi politikisht në çastin e fundit para ndryshimeve kushtetuese të vitit 1968. Në këto rrethana politike, kur diskutimet kishin arritur pikën më të lartë, kur shumica e popullsisë shqiptare ishte përcaktuar për vetëvendosje dhe për avancimin e statusit të Kosovës në Republikë, Fadil Hoxha do të thotë: "Nuk do të thotë se nuk mund të shtrohet çështja e Republikës. Ne nuk kemi shkuar në atë drejtim. Bile, mua më është zënë për të madhe pse po e mbyll diskutimin lidhur me këtë çështje dhe unë e pranoj atë kritikë... Të vlerësojmë çka është reale, vërtet reale dhe e mundshme në këtë drejtim të afirmimit të autonomisë - esenca të arrihet dhe, nga ana tjetër, çka mund të ishte dëshirë. Prandaj, nuk do të mund të jepja ndonjë përgjigje të plotë - çfarë disponimi ka te njerëzit".
www.besiana.de


Në aktivin politik të Prishtinës, Mahmut Bakalli, kryetar i Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës, duke u ndërlidhur me diskutimet e diskutuesve të tjerë, ndër të tjera, thotë: "Te një numër i shokëve, pa marrë parasysh modifikimet e ndryshme dhe pa marrë parasysh papërcaktueshmëritë, sinqerisht të ju them, kam vërejtur se diskutimi është përkufizuar në dilemën: republikë ose jo. Më duhet ta shpreh bindjen time konkretisht se dilema politike republikë ose jo për Krahinën e Kosovës - është dilemë e rrejshme, e cila kërcënohet që njerëzit punues dhe qytetarët në këtë moment t'i largojë nga marrëdhëniet esenciale, të cilat duhet tash edhe në të ardhmen t'i trajtojmë". Po me këtë stil dhe me "argumente" të tilla flet edhe Kolë Shiroka, i cili, duke iu kundërvënë diskutuesve se ekzistimi i dy shteteve shqiptare nuk do të thoshte përjashtim ndërkombëtar, thotë: "Nuk është në rregull që të marrim ca përvoja të huaja dhe t'ua fusim para hundëve tjerëve në këtë diskutim. Mendoj se kjo nuk është në rregull. Ta them haptazi për çka është fjala. Le të shkojnë ata individë në Estoni, etj., dhe le të shohin se si është zgjidhur atje çështja kombëtare. Kurse, disa po përpiqen që ne, jugosllavët, duhet t'i kopjojmë përvojat e huaja. Kjo është e palejueshme. Ne duhet të kërkojmë zgjidhje e cila është e mundur në çastin e tashëm".


CILI ISHTE QËNDRIMI I SERBO-MALAZEZVE PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE TË KOSOVËS?


Në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 janë angazhuar edhe shumë udhëheqës dhe politikanë nga radhët e serbëve dhe malaziasve në të gjitha nivelet, si: Drago Kalugjeroviq, Vuko Bojaniq, Jovan Peçenoviq, Katarina Petarnagiq, Gjuro Tërbojeviq, Misha Samarxhiq, etj. Me përjashtim të Katarina Petarnagiqit, e cila fillimisht deklarohet për Republikën e Kosovës, duke mos u pajtuar me ata të cilët i quajnë shqiptarët nacionalistë vetëm e vetëm pse kërkojnë vetëvendosje dhe Republikë për Kosovën, megjithatë, duke u shprehur se ajo shpreh qëndrimin e forumit e jo të vetin, përcaktohet të mos i pranohet statusi i Republikës Kosovës.
www.besiana.de


Veli Deva, kryetar i atëhershëm i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, në atë kohë thotë: "Është e vërtetë se ekzistojnë lloj-lloj forcash me përcaktime të ndryshme. Por, gjithashtu, është e vërtetë se ekziston kursi shumë i qartë i Lidhjes së Komunistëve dhe tërë popullsisë sonë: serbëve, shqiptarëve, malazezve dhe turqve - për qërimin e llogarive me të gjitha forcat e reaksioneve pa marrë parasysh çfarë etiketash ato bartin dhe nga cilat mese ato vijnë. Nëse ekziston vendosmëri e tillë, kurse ne jemi të vetëdijshëm se ajo vërtet ekziston, atëherë nuk ka vend për panik".


Fadil Hoxha, edhe pse në fillim të diskutimeve për ndryshimet kushtetuese kishte treguar një tolerancë më të madhe ndaj diskutuesve dhe kishte treguar mirëkuptim për anëtarët e Komisionit Kushtetues, pas direktivave që kishte marrë në Beograd nga kreu jugosllav e sidomos ai serb, kishte kapitulluar dhe mund të thuhet i kishte bllokuar diskutimet konstruktive që ishin vënë në udhë të mbarë për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të Republikës. Duke bërë rekapitullimin e të gjitha diskutimeve të deriatëhershme, Fadil Hoxha, thotë: "Ka edhe njerëz të mirë të cilët bien viktima të modeleve tërheqëse, si: Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore, Koreja Veriore dhe Koreja Jugore, dy Vietnamat, e deri edhe te Republika e Moldavisë, duke menduar se kjo mund të ishte e mirë. Kjo do të thotë të kthehen diskutimet nga pozitat themelore, domethënë të mbyllen dyert dhe mu këtë e duan rankoviqasit. Unë jam i bindur se ata (rankoviqasit - S.N.) në këtë i kanë gishtërinjtë e përzier, kurse ata janë duke i ndjekur nacionalistët shqiptarë dhe po bëhen mjaft të zëshëm".


Çfarë ironie! Vihen në lidhje dhe në bashkëveprim rankoviqistët me forcat patriotike shqiptare, të cilat me argumente dhe prova të shumta, historike dhe shkencore, e dëshmonin se Kosovës i takon e drejta e statusit të Republikës si edhe të gjithë popujve të tjerë shtetformues të Jugosllavisë.



Në këto rrethana, kur Tito, i cili ishte jetësisht i interesuar për ta dobësuar elementin serb në Jugosllavi, sidomos pas Plenumit të Katërt të Brioneve të vitit 1966, i bindur se vetëm një Serbi në suazat reale mund të ishte faktor stabiliteti në Jugosllavi, tashmë kur faktori serb ishte në njëfarë dore në defensivë politike për të gjitha ato që kishte bërë ndaj të gjithë popujve tjerë e sidomos ndaj shqiptarëve, kurse faktori shqiptar në një masë të caktuar mund të thuhet se ishte në një avantazh politik, burokracia shqiptare në Kosovë nuk gjen forcë dhe nuk është në nivel të kërkesave dhe të përgjegjësisë politike të momentit historik që të marrë fatin e shqiptarëve në mbrojtje në mënyrë që të kurorëzohej me Republikën e Kosovës. Deviza politike e Titos, "Serbia e dobët - Jugosllavia e fortë", gjente shprehje praktike në formimin e Republikës së Kosovës në vitin 1968. Këtë ai e bënte jo si demokrat dhe jo si mik i shqiptarëve, siç thonë disa zëra, por si patriot jugosllav dhe si njeri që i ishte rrezikuar jetësisht pozita nga shovinizmi serb deri në vitin 1966. Tito, për këtë përkrahje dhe për këtë mbështetje që tregonte ndaj shqiptarëve, kishte mbështetje, siç u tha më parë, edhe në dy personalitete me ndikim të kohës, në sllovenin Eduard Kardel dhe në kroatin Vladimir Bakariq.


Qëndrimi i burokracisë shqiptare të Kosovës ishte i natyrshëm. Për të mos i rrezikuar pozitat e veta, të cilat u krijonin komoditet të mjaftueshëm, ajo nuk hyn në një betejë politike të mbështetur në kërkesat e popullit të vet dhe nuk angazhohet për realizimin e dëshirave pothuajse plebishitare të tij, por e lë atë, në çastet e fundit, në mëshirën e forcave më të errëta dhe më regresive serbo-malazeze. Aq më keq, kur dihet se viti 1968 ka mundur të jetë vit i fitimit të Republikës për Kosovën pa gjakderdhje, pa tragjedi të shumta, pa trauma dhe pa të gjitha ato që do t'i përjetojë Kosova në vitet e përgjakshme dhe të mundimshme në rrugën e pavarësisë dhe të lirisë.


Në rrethanat e presioneve të pandërprera nga nivelet e Serbisë dhe të Jugosllavisë që të ndërpriteshin diskutimet për ndryshimet kushtetuese dhe pas nënshtrimit dhe kapitullimit të burokracisë shqiptare, e cila e kishte fjalën më me ndikim si përfaqësuese e shqiptarëve në të gjitha nivelet ku vendosej për fatin e Kosovës, paraqitej domosdoja që vetë populli të dalë në sipërfaqe, ta thotë vetë fjalën e fundit, ta marrë në duart e veta fatin e vet. Pra, duke pasur parasysh se diskutimet për ndryshimet kushtetuese pothuajse kishin përfunduar dhe mjetet e informimit ishin mbyllur për përfaqësuesit e vërtetë të popullit, për inteligjencien e tij, e vetmja formë e prezantimit të kërkesave dhe të qëndrimeve politike kishin mbetur demonstratat. Në këto rrethana të tendosura politike, kur nuk dihej se ç'po lindte dita e ç'po ngryste nata, është marrë vendimi për organizimin e demonstratave kosovare të 27 nëntorit 1968.


Bashkëkohësit e atyre ditëve të vrullshme të Kosovës mbajnë në mend se si në çdo qytet, fshat, fabrikë, fakultet, shkollë, lokal dhe vend pune, pra anekënd Kosovës, është biseduar dhe është kërkuar mënyrë si të organizohej një demonstratë e përgjithshme e fuqishme, ku do të dëgjohej zëri i shqiptarëve dhe ku do të dilnin sheshazi dëshirat e tyre. Përderisa Fadil Hoxha "nuk dinte çfarë disponimi kishte te njerëzit", përderisa udhëheqja nga nivelet jugosllave dhe serbe insistonte të ndërpriteshin diskutimet për ndryshimet kushtetuese, populli i robëruar shqiptar, me në krye inteligjencien patriotike, kishte kristalizuar qëndrimet dhe synimet për të ardhmen. Shkurt, kishte ardhur koha kur dikush nga gjiri i popullit duhej t'i printe dhe ta udhëhiqte këtë popull të shumëvuajtur në veprimet e mëdha që ia shtronte çasti historik përpara.

 


 

VAZHDIMËSIA E VEPRIMTARISË ATDHETARE

www.besiana.de

Në fillim të qershorit të vitit 1964 u zbulua organizata politike ilegale Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), e udhëhequr nga Adem Demaçi. Me atë rast, u bënë arrestime masive të anëtarëve dhe të simpatizantëve të kësaj organizate në të gjitha qytetet dhe në të gjitha vendbanimet e Kosovës.

 

Në Prishtinë u burgosën: Adem Demaçi, Xhafer Mamuxhiku, Abdyl Lahu, Sabri Novosella, Azem Beqiri, Ahmet Haxhia, Tefik Sahiti, Njazi Straja, Sabit Ratkoceri, Dibran Bajraktari, Hazir Shala, Fazli Greiçevci, Ilmi Rakovica, Shefqet Jashari, Vezir Ukaj, Selman Berisha, Enver Mehmeti. Në Gjakovë: Kadri Kusari (Dushi), Murteza (Xajë) Nura, Hyda Dobruna, Din Spahia, Teki Dërvishi, Asim Vula, Avni Lama, etj. Në Pejë: Remzi Baloku, Shefqet Deçani, Sylë Shala, Ramadan Shala, Ahmet Zeka, Selajdin Daci, Nezir Gashi, Mehmet Krasniqi, Vesel Shala, Abdyl Shala, Niman Podrimja, etj. Në Mitrovicë: Mustafa Venhari, Hysen Daci, Zeqir Gërvalla, Ismet Koshutova, Arif Hoxha, etj. Në Gjilan: Rexhep Elmazi, Fehmi Elmazi, Isa Bajrami, Abdyl Qerimi, etj.


Burgosjet e vitit 1964 në mbarë Kosovën u përjetuan si një tërmet i fuqishëm dhe tronditës. Ky lajm i hidhur u fut në çdo familje shqiptare, në çdo shkollë, në çdo fabrikë, në çdo odë burrash dhe u bë temë kryesore e atyre ditëve. Pas këtyre burgosjeve në masë, mbetën të pazbuluar edhe disa anëtarë dhe simpatizantë të LRBSH-së. Kështu, në Prishtinë, në kuadër të LRBSH-së, vepronin dy grupe të të rinjve. Njërin e udhëhiqte normalisti Abdyl Lahu, ku bënin pjesë kryesisht nxënësit e Shkollës Normale të Prishtinës, dhe grupin tjetër e udhëhiqte mësuesi Hilmi Rakovica, ku bënin pjesë nxënësit e shkollave të tjera të mesme të Prishtinës. Pas burgosjes së Abdyl Lahut, më 8 qershor 1964, ndodhi bashkimi i dy grupeve. Atë e udhëhoqi Hilmi Rakovica, deri në burgosjen e tij. Në këtë grup bënin pjesë: Mejreme Berisha, Ibrahim Gashi, Emine Rakovica, Shemsi Hoxha, Elhame Shala, Rrahman Deliu, Skënder Havolli, Sylejman Gashi, Shazije Gërguri, Eshrefe Halimi, Selatin Novosella, etj. Veprimtaria e këtyre të rinjve orientohej kryesisht në ngritjen e flamujve kombëtarë, në shkrimin e parullave patriotike nëpër vendbanimet e Kosovës, në ndihmën e familjeve të shokëve të burgosur dhe në punë të ngjashme. Këta të rinj, përveç të tjerash, synonin t'ia bënin me dije pushtetit rankoviqian se Organizata e Adem Demaçit ekziston dhe se ajo do të vazhdojë veprimtarinë edhe pas një goditjeje aq të fuqishme që i ishte shkaktuar. Grupi i të Rinjve të LRBSH-së kreu një aksion më 12 prill 1964, me ç'rast organizoi ngritjen e flamujve kombëtarë në Prishtinë, në Vushtrri, në Besianë (dikur quhej Podujevë), në Orllan dhe në Letonc, si dhe shkroi parullat: "Duem Liri!", "Rrnoftë Shqipnia - nëna jonë!", "Duem liri!" dhe "Rrnoftë Enver Hoxha".

www.besiana.de

GRUPI I TË RINJVE TË LËVIZJES REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE VAZHDON VEPRIMTARINË


Pas burgosjes së kryetarit të Grupit të të Rinjve të Prishtinës, Hilmi Rakovicës, më 8 korrik 1964, dhe pas rrezikut se do të burgoseshin edhe anëtarët e tjerë të këtij grupi, u paraqit nevoja për zgjerimin me anëtarë të rinj, të pakomprometuar nga ana e pushtetit dhe bashkëpunëtorëve të tij., u vendos që Shemsi Hoxha të bisedojë me Adil Pirevën, kurse Ibrahim Gashi me Osman Dumoshin. Sapo u njoftuan këta të rinj me qëllimin e Organizatës, iu përgjigjën thirrjes dhe u bënë anëtarë të kësaj organizate politike. Pas ditë më vonë, Grupit iu shtua edhe një anëtar i ri, Ilaz Pireva.


 Aksioni i dytë që vlen të theksohet, të cilin e kryen anëtarët e Grupit të të Rinjve të LRBSH-së, është ngitja e 40 flamujve kombëtarë në Prishtinë, më 4 korrik 1964. Kjo datë ishte caktuar qëllimisht, pasi ishte festë shtetërore e ish-Jugosllavisë.


Për të caktuar detyrat dhe për t'u marrë vesh më detajisht për veprimtarinë e mëtutjeshme, u vendos të mbahet një mbledhje e përbashkët në Taukbahçe, vend pikniku në periferi të Prishtinës. Mirëpo, në momentin e fundit, pushteti rankoviqian i ra në gjurmë këtyre veprimtarëve dhe u burgosën shumica prej tyre. Atë ditë u burgosën edhe: Shemsi Hoxha, Ibrahim Gashi dhe Selatin Novosella, të cilët ishin caktuar të ngrinin flamuj kombëtarë dhe të shkruanin parulla në tri qytete të Kosovës: në Prishtinë, në Mitrovicë dhe në Lypian, së bashku me Adil Pirevën, me Osman Dumoshin dhe me Ilaz Pirevën. Meqenëse flamujt dhe ngjyra me brushat ishin te tre shokët e burgosur (Shemsiu, Ibrahimi dhe Selatini), e të tjerët nuk dinin se ku gjendeshin, veprimi mbeti pa u kryer.


Pas burgosjes së anëtarëve të Grupit të të Rinjve të Prishtinës të LRBSH-së, në gusht të vitit 1964, për një kohë të caktuar, pra përkohësisht, u ndërpre veprimtaria politike në Prishtinë dhe rrethinë.


Pas lirimit nga burgu të Ibrahim Gashit, Shemsi Hoxhës, Mejreme Berishës, Elhame Shalës, Rrahman Deliut, Sylejman Gashit, Emine Rakovicës, Shemsi Havollit dhe Selatin Novosellës, nuk u vazhdua veprimtaria në mënyrë të organizuar si më parë, pasi asnjëri nuk e ndiente veten aq të aftë për udhëheqjen e punëve me aq përgjegjësi dhe me aq rëndësi për çështjen kombëtare. Për këtë arsye, kjo punë mbeti për një të ardhme të afërt. Megjithatë, Osman Dumoshi, Ibrahim Gashi, Adil Pireva, Shemsi Hoxha, Ilaz Pireva dhe Selatin Novosella vazhduan të shoqëroheshin, të tuboheshin në ndeja ilegale dhe të lidhnin një shoqëri dhe miqësi të ngushtë e ta mëkonin atë me një dashuri të madhe dhe të sinqertë. Kësaj shoqërie, më vonë, iu bashkuan edhe Afrim Loxha, Xheladin Rekaliu, Skënder Muçolli, Tefik Çitaku dhe Ramadan Ramadani.
www.besiana.de


Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht për kontaktet e zhvilluara në mese të ndryshme anekënd Kosovës, me ç'rast u dallua biseda në detaje që ishte bërë dy ditë rresht në fshatin Bajçinë të Llapit. Pas konstatimit se të gjitha faktet dëshmonin që burokracia shqiptare përfundimisht kishte hequr dorë nga kërkesa për Republikën e Kosovës dhe pas matjes së pulsit të popullit se është i gatshëm që të dalë demonstrativisht e hapur për manifestimin e përcaktimit të tij politik, prerazi u vendos që demonstratat të organizoheshin deri në Festën e Flamurit, më 28 nëntor 1968. Në fund të kësaj mbledhjeje, u caktua vendi i mbledhjes së ardhshme si dhe u caktuan detyrat e veçanta për secilin anëtar të grupit, veç e veç. Po në këtë mbledhje u vendos që në sa më shumë qendra të Kosovës të organizohen njerëzit për përgatitjen e demonstratave.


SYÇELË EDHE NË MBLEDHJE


Në fund të tetorit të vitit 1968, në Prishtinë, në banesën e Xheladin Rekaliut, u mbajt mbledhja tjetër për organizimin e demonstratave. Në këtë mbledhje morën pjesë: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Xheladin Rekaliu, Ilaz Pireva, Afrim Loxha dhe Selatin Novosella. Secili pjesëmarrës në fjalën e vet prezantoi përshtypjen nga terreni dhe bisedat që kishte pasur me intelektualë, me punëtorë, me fshatarë, me studentë, me nxënës dhe me disa përfaqësues të pushtetit, të niveleve më të ulëta të udhëheqjes. Kuptohet, bisedat në terren ishin bërë nëpërmjet shtrimit të pyetjeve në formën: "Është dëgjuar se do të organizohen demonstrata, çka mendohet për to?", ose: "A do të duhej të organizoheshin demonstrata?", ose: "Çka do të duhej të kërkohej në ato manifestime publike?", ose: "Në cilën ditë do të duhej të organizoheshin demonstratat?", etj. Edhe raportet që janë dhënë në këtë mbledhje kanë qenë të frymës së tillë, përgjithësuese, dhe nuk është përmendur asnjë emër i atyre me të cilët kishin biseduar anëtarët e Grupit. Aty u raportua në formën: "Një profesor i një shkolle të mesme propozon që demonstratë të organizohet vetëm në Prishtinë", ose: "Një fshatar thotë që në demonstrata të dalim edhe me armë", ose: "Një punëtor propozon që demonstratat të organizohen mu më 28 Nëntor", etj. Kjo formë e komunikimit bëhej për arsye të sigurisë së personave me të cilët ishte biseduar.

Afrim Loxha
Në fund të kësaj mbledhjeje, përkitazi me organizimin e demonstratave, me përmbajtjen e parullave, me kërkesat kryesore që do të shtroheshin në demonstratat e ardhshme, etj., u vendos që Osman Dumoshi të konsultohet me Kadri Halimin, intelektual i përmasave kombëtare dhe njëri prej atdhetarëve që pak muaj më herët ishte liruar nga burgu i gjatë, ndërsa Selatin Novosella të konsultohej me Hyrie Hanën, atdhetare e njohur gjakovare që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku kishte marrë pjesë aktive në të, si rezultat i mbetjes së Kosovës nën riokupimin serbo-jugosllav, nuk ishte pajtuar dhe ishte burgosur nga pushtuesit e rinj, kurse i vëllai, Xheladin Hana, pjesëmarrës i Mbledhjes së Bunjajt, ishte vrarë në atentat pak vite pas përfundimit të luftës, si kundërshtar i këtij riokupimi. Në fund të kësaj mbledhjeje u vendos që mbledhja e radhës të mbahet pas një jave në shtëpinë e Osman Dumoshit.


HOLLËSITË E ORGANIZIMIT
www.besiana.de


Në mbledhjen e 16 tetorit 1968, e mbajtur në shtëpinë e Osman Dumoshit, në Prishtinë, morën pjesë: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Afrim Loxha, Tefik Çitaku (rrobaqepës nga Prishtina), Ramadan Ramadani (po ashtu rrobaqepës nga Prishtina), Ilaz Pireva, Xheladin Rekaliu, Skënder Muçolli dhe Selatin Novosella.


Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë mbledhje, Hasan Dërmaku, student i historisë në Prishtinë, i propozoi pjesëmarrësve në këtë mbledhje, nëpërmjet një shkrese, përveç të tjerash, që demonstrata të mbahet më 26 nëntor 1968 dhe Adil Pireva të mos marrë pjesë drejtpërdrejt në demonstratë.


Në fillim të kësaj mbledhjeje u raportua për konsultimet që kishin zhvilluar Osman Dumoshi me Kadri Halimin dhe Selatin Novosella me Hyrie Hanën.
Pas diskutimeve të shumta dhe këmbimit të mendimeve, në fund të kësaj mbledhjeje u vendos:


1. Demonstratat të mbahen më 27 nëntor 1968, në orët e paradites, në Besianë, në Ferizaj, në Gjilan dhe, eventualisht, në qytet tjetër në Kosovë, kurse në orën 15 e 55 minuta në Prishtinë;


2. Në demonstrata të mos përdoret dhunë, përveç në mbrojtje të domosdoshme;


3. Të shumëzohet dhe të shpërndahet vjersha "Eni në demonstratë", e shkruar nga Adil Pireva, me pseudonimin Arbën Kosova;


4. Adil Pireva të mos marrë pjesë drejtpërdrejt në demonstratë, por mundësisht të mbetet i pazbuluar për të marrë pjesë, si gazetar i "Rilindjes" që ishte, në mbledhjet e ndryshme pas demonstratave për të parë nga afër se ç'thuhet në organet e ndryshme të pushtetit dhe të partisë përkitazi me demonstratat dhe çfarë vendimesh do të merreshin në ato organe të pushtetit; dhe,


5. Mbledhja e ardhshme të mbahet në shtëpinë e Selatin Novosellës, në Prishtinë, më 23 nëntor 1968.


DETYRAT PËRFUNDIMTARE


Mbledhja e fundit për organizimin e demonstratave të vitit 1968 u bë në Prishtinë, në shtëpinë e Selatin Novosellës, më 23 nëntor 1968. Në të morën pjesë: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Xheladin Rekaliu, Ilaz Pireva, Afrim Loxha, Hasan Dërmaku, Skënder Muçolli dhe Selatin Novosella. Pas diskutimeve dhe analizave në detaje për punët e kryera rreth organizimit të demonstratave, të cilat zgjatën deri në orët e vona të natës së 23 nëntorit, në këtë mbledhje u morën këto vendime përfundimtare:

Xheladin Rekaliu
1. Demonstrata të mbahen në Besianë, në Ferizaj dhe në Gjilan, në orët e paradites së 27 nëntorit 1968 (mundësisht edhe në ndonjë vend tjetër të Kosovës), kurse në Prishtinë, po më 27 nëntor, por ato të fillojnë në orën 15 e 55 minuta, duke filluar nga Fakulteti Filozofik;


2. Të mos përdoren armët e zjarrit, si dhe çfarëdo dhune tjetër, përveç në vetëmbrojtje të domosdoshme;


3. Xheladin Rekaliu t'i koordinojë punët rreth organizimit të demonstratës në Besianë, Skënder Kastrati në Ferizaj dhe Asllan Kastrati në Gjilan;


4. Adil Pireva, së bashku me Osman Dumoshin, të shkruajnë fjalimin që do të lexohet në demonstratën e Prishtinës, kurse Selatin Novosella ta shtypë atë me makinë shkrimi;


5. Skënder Muçolli dhe Ilaz Pireva t'i shkruajnë dhe t'i përgatisin teknikisht transparentet;


6. Osman Dumoshi ta lexojë fjalimin në Prishtinë, kurse Ilaz Pireva dhe Afrim Loxha ta mbrojnë atë dhe ta sigurojnë që të kryejë detyrën pa u penguar nga të tjerët;


7. Hasan Dërmaku ta ruajë një kopje të fjalimit identik dhe, nëse pengohet, plagoset ose vritet Osmani Dumoshi, të vazhdojë ta lexojë fjalimin aty ku ka mbetur Osman Dumoshi;


8. Adil Pireva të mos marrë pjesë drejtpërdrejt në demonstratë;


9. Selatin Novosella dhe Skënder Muçolli ta sigurojnë transportimin e flamujve, të transparenteve dhe të materialit tjetër nga vendi i caktuar ku ishin përgatitur materialet deri te Fakulteti Filozofik, ku do të fillonte demonstrata;


10. Nëse lëndohen, plagosen ose vriten organizatorët apo demonstruesit, të mos krijohet panik, por demonstrata të vazhdojë pa marrë parasysh se kush do të bjerë në fushën e nderit; dhe,


11. Mbledhja vijuese të mbahet tri ditë pas demonstratës.


 
www.besiana.de

Në atë mbledhje, po ashtu, u vendos të shkruhen në transparente dhe të brohoriten parullat:


- "Duam vetëvendosje deri në shkëputje!";

- "Duam Kushtetutë!";

- "Duam bashkimin e viseve të banuara me shqiptarë meKosovën!";

- "Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës!";

- "Për të drejtat tona gjak do të derdhim!";

- "Askush të mos luajë me fatin tonë!";

- "Në njërën dorë kazmën - në tjetrën pushkën!";

- "Lufta Nacional-Çlirimtare nuk na ka sjellë barazi të plotë!";

- "Poshtë Veli Deva!";

- "Poshtë Misha Sekulloviqi!";

- "Duam Universitet";

- "Duam bashkimin e Preshevës me Kosovën";

- "Një popull - një shtet - një parti"; dhe,

- "Liri të burgosurve politikë".



Në këtë mbledhje mbizotëroi mendimi te të gjithë organizatorët e demonstratave se më i rëndësishëm ishte një demonstrim plebishitar i popullit shqiptar në Kosovë se sa jetët e të gjithë organizatorëve të demonstratave.



KONTRIBUTI I JASHTËZAKONSHËM I HYRIE HANËS


Vlen të theksohet se konsultimet e përfaqësuesit të Grupit të të Rinjve, Selatin Novosella, me atdhetaren veterane, Hyrie Hana, do të ndikojnë në përcaktimin e përmbajtjes së parullave të shkruara dhe të atyre të brohoritura në demonstratat e 27 nëntorit 1968. Duke e ditur disponimin e rinisë kosovare në atë kohë, Hyrie Hana, pas çdo takimi me përfaqësuesin e Grupit të të Rinjve, që po organizonte demonstrata, kërkonte një javë kohë për konsultime me rrethin e saj për punët organizative dhe për kërkesat që do të shtroheshin në demonstrata. Kështu, në takim e fundit ndërmjet Hyrie Hanës dhe Selatin Novosellës, vetëm pak ditë para demonstratave, Hyrie Hana propozoi që në demonstrata të mos brohoriteshin parullat: "Rroftë Enver Hoxha!", "Poshtë Josip Broz Tito!", "Poshtë Fadil Hoxha!", "Duam Republikën e Kosovës!". Kurse, sipas propozimeve të Hyrie Hanës, në demonstrata do të duhej të brohoriteshin këto parulla: "Duam vetëvendosje deri në shkëputje!", "Poshtë Veli Deva!" dhe "Poshtë Misha Sekulloviqi!" 

Hyrie Hana
Rafet Rama, njëri prej organizatorëve të demonstratës së Prizrenit, tha: "Në fund u kthyem përsëri në vendin e nisjes dhe e vumë flamurin pranë vendit historik të Abdylit të Madh e të Ymerit Plak. Manifestuesit u shpërndanë të qetë pa asnjë incident. Ishte ky manifestimi i parë i këtij lloji pas Luftës së Dytë Botërore".


Demonstrata e Prizrenit, e 6 tetorit 1968, ishte edhe një dëshmi se populli liridashës i Kosovës kishte hyrë në një rrugë prej të cilës nuk kishte kthim prapa, e kjo ishte lufta për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të Republikës, në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave, si hap i parë dhe i domosdoshëm drejt pavarësisë së plotë dhe bashkimit kombëtar.


Pa dyshim, demonstrata e Prizrenit do të jetë edhe një mbështetje e fortë morale për Grupin e të Rinjve në Prishtinë, të cilët ishin në vlugun e përgatitjeve dhe në vlugun e organizimit të demonstratës së 27 nëntorit 1968.


NË THERANDË, NORMALISTËT NË BALLË TË DEMONSTRATËS

www.besiana.de
Pas përfundimit me sukses të demonstratës në Prizren, u mor vendim që demonstratë të mbahet edhe në Therandë (dikur quhej Suharekë). Si edhe në të gjitha qytetet dhe vendbanimet e Kosovës, edhe në Therandë, kishte disponim në popull që të dilej publikisht me kërkesa kombëtare. Pjesëmarrësit aktivë dhe organizatorët e demonstratës së Prizrenit: Isa Demaj, Haxhi Bajraktari dhe Isa Morina, vendosën që në Therandë të mbahet demonstratë më 8 tetor 1968, ditë e martë, në ditë tregu. Duke e ditur gatishmërinë e qytetarëve për pjesëmarrje në ndonjë manifestim publik, nga njëra anë, dhe duke i kursyer veprimtarët që të angazhoheshin në organizimin e demonstratave, në mënyrë që të mos pësonin nga ndjekjet e policisë dhe në mënyrë që të dënoheshin sa më pak njerëz pas demonstratave, nga ana tjetër, u vendos që veprimet kryesore në Therandë t`i bartë Haxhi Bajraktari, mësues në shkollën fillore të fshatit Nishor.

Isa Demaj
Haxhi Bajraktari nuk ishte caktuar rastësisht bartës kryesor i organizimit të kësaj demonstrate. Ai rridhte nga një familje e njohur për veprimtari atdhetare prej kohësh. Kështu, për veprimtari patriotike në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, në vitin 1950, babai i Haxhiut, Zekë Bajraktari, ishte dënuar me 17 vjet burg të rëndë, prej të cilave i kishte mbajtur 12 vjet në burgun famëkeq të Nishit. Po ashtu, për angazhimet në NDSH, ishte dënuar axha i Haxhiut, Sefë Bajraktari, me 4 vjet burg. Më pastaj, në vitin 1959, në vazhdën e veprimeve sipas Programit kombëtar të NDSH-së, ishte gjykuar për veprimtari kundër Jugosllavisë edhe axha i dytë i Haxhiut, Jashar Bajraktari, me 3,5 vjet burg, së bashku edhe me kushëririn e tij, Destan Bajraktarin, me 4 vjet burg. 68/ Haxhi Bajraktari, Kujtime;

www.besiana.de
Në vitin 1968, në Therandë, funksiononte paralelja e ndarë e Shkollës Normale të Prizrenit. Përgjegjës i kësaj shkolle ishte Isak Bajraktari. Haxhi Bajraktari dhe Isak Bajraktari u morën vesh që më 8 tetor, në orën 12, të gjithë nxënësit të dilnin të organizuar në demonstratë. U vendos që në demonstratë të brohoriteshin parullat: "Kushtetutë - Republikë!", "Duam Universitetin e Prishtinës!" dhe "Rroftë flamuri!". Po ashtu, u vendos që flamurin ta përgatiste Haxhi Bajraktari. Ky atdhetar i ri do ta vizatojë me përkushtim të madh, me tush, shqiponjën në pëlhurën e kuqe gjatë tërë natës, duke ia mbajtur llambën e vajgurit mbi kokë për t`i bërë dritë e motra Fatimja.


Kështu, të martën, më 8 tetor 1968, nxënësit e Shkollës Normale ishin të rreshtuar para derës së shkollës. Nxënësi më i rritshëm dhe më i zhvilluar, Osman Gega, nga Studençani, u caktua të bartë flamurin kombëtar në ballë të demonstruesve. Kolona me nxënës dhe me arsimtarë u drejtua për në rrugën kryesore të qytetit. Ishte një befasi për të gjithë qytetarët se ç`po u shihnin sytë. Të vjetrit pas më shumë se dy dekadash po e shihnin sërish flamurin shqiptar, ndërsa të rinjtë e shihnin atë për herë të parë.


Theranda gumëzhinte nga njerëzit që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e rrethinës, në ditën e tregut. Pa u hamendur fare, pothuaj të gjithë iu bashkëngjitën normalistëve dhe brohoritën parullat e parapara për demonstratë nga organizatorët. Megjithatë, parulla që u brohorit më së tepërmi gjatë demonstrimit ishte "Republikë - Kushtetutë!". Ishte befasi edhe për organet e policisë, të cilat u gjendën në befasi dhe s`dinin si të reagonin ndaj një numri aq të madh të qytetarëve që brohoritnin parulla patriotike. Këso pamjesh nuk ishin pa ndonjëherë në Therandë që nga Lufta e Dytë Botërore.


Për disa orë, demonstruesit marshuan në rrugët e Therandës duke ngritur flamurin kombëtar mu në qendër të qytetit në një shtyllë të lartë të rrymës, duke brohoritur dhe duke kënduar këngë për flamurin pa ndërprerë. Duke parë se situata po dilte nga kontrolli dhe numri i demonstruesve po shtohej edhe më tutje, policia do të tentojë të rrëmbejë flamurin kombëtar nga shtylla ku ishte vendosur. Në këtë punë, policia do të ndihmohej edhe nga bashkëpunëtorët e UDB-së nga radhët e shqiptarëve. Por, aty pranë flamurit ishte formuar një rreth i burrave të vendosur që assesi nuk lejonte policinë të largonte flamurin nga shtylla ku ishte vendosur. Si në një roje nderi, flamurin e mbronin: Miftar Bajraktari, Veli Gashi me tre djemtë e vet, Nezir Gashi, Rrahman Kryeziu, etj. Ata, me trupat e tyre, e kishin mbështjellë vendin ku valonte flamuri ynë kombëtar.


Pas një kohe të qëndrimit të demonstruesve në qendër të qytetit, ata, me flamur në ballë të kolonës, përsëri vazhduan të defilojnë nëpër rrugët e Therandës, e cila tashmë ishte nën kontrollin e demonstruesve. Ndonëse ishte gatishmëria e qytetarëve që të demonstrohej edhe më tutje, megjithatë, organizatorët e demonstratës vendosën që demonstruesit të shpërndaheshin. Ata ishin të bindur se, në këtë mënyrë, ishte shprehur publikisht dëshira dhe vullneti i shqiptarëve të Therandës, si edhe të tërë Kosovës, që të njihej statusi i Republikës së Kosovës, të lejohej përdorimi i lirë i simboleve kombëtare shqiptare, të hapej Universiteti i Prishtinës, etj.


 NË PEJË PO SHKRUHEJ EDHE NJË FAQE E NDRITSHME E HISTORISË
www.besiana.de


Kërkesat e shtruara anekënd Kosovës për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të Republikës, nuk kishin mbetur pa i trazuar edhe shpirtrat e qytetarëve të Pejës me rrethinë, e sidomos të rinisë patriotike të qytetit të Heroit Kombëtar dhe udhëheqësit të Lidhjes së Pejës, mulla Haxhi Zekës. Andaj, rinia shkollore dhe intelektualët e rinj vendosën të dalin publikisht në demonstratë me kërkesat: "Rroftë flamuri kuq e zi!", "Rroftë populli shqiptar!", "Kushtetutë - Republikë!", etj.


Pas veprimeve paraprake organizative, u vendos që demonstrata të mbahet më 19 tetor 1968, në ditë tregu në qytetin e Pejës, kur prania e qytetarëve do të ishte më e madhe. Koha e fillimit të demonstratës u caktua mesi i ditës, kur nxënësit i përfundonin orët e paradites, kurse të tjerët i fillonin ato të pasdites. Vendi i nisjes së demonstruesve ishte shkolla e mesme normale "Ali Kelmendi", në fshatin Vitomiricë afër Pejës, buzë rrugës Pejë - Mitrovicë. Pjesëmarrës të fillimit ishin nxënësit e Shkollës Normale dhe të Shkollës Bujqësore, si dhe disa arsimtarë. Nisja u bë me flamur kombëtar përpara kolonës në krye, në drejtim të qytetit. Bartësit e flamurit ndërroheshin me radhë. Bartës i parë ishte Demë Mulliqi, normalist. Në pika të rrezikshme bartës ishin edhe Ramadan Blakaj, Zymer Neziri dhe Xhemajl Gashi.


Demonstruesve iu bashkëngjitën edhe shumë të rinj, nxënës, zejtarë, intelektualë, punëtorë, studentë dhe fshatarë, që nga Vitomirica deri në qendër të qytetit të Pejës, vend që ishte paraparë nga organizatorët për mbajtjen e fjalimeve, ku do të brohoriteshin parullat dhe ku do të këndoheshin këngët patriotike të ushtruara enkas për këtë manifestim kombëtar. Me këtë rast u kënduan këngët atdhetare, që deri atëherë ishin të ndaluara rreptësisht për t'u kënduar, e ndër to edhe: "Kur u hap kushtrimi n`Kosovë", "Lidhja e Prizrenit", "Oj Kosovë, mos thuaj mbarova", "Këngë për Skënderbeun", "Mori Shkodër, moj mizore", "Këngë për Ali Pashë Tepelenën", etj.


Demonstrata u zhvillua në qendër të qytetit, pranë ndërtesës së Kuvendit Komunal, kurse flamuri kombëtar u vendos mbi qoshkun e gazetës serbe "Borba". Flamurin e mbante Demë Mulliqi, kurse pranë tij ishte normalisti tjetër, Sylë Kuqi, i cili e lexoi fjalimin e përgatitur paraprakisht nga Zymer Neziri. Leximi i fjalimit u ndërpre disa herë nga brohoritjet e parullave: "Kushtetutë - Republikë!" dhe "Rroftë flamuri kuq e zi!". Duke qenë se kopja e këtij fjalimi është zhdukur gjatë kësaj kohe, përmbajtja e tij është, sipas kujtesës së përpiluesit të tij, Zymer Neziri, kjo: "Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri tash, shqiptarët nuk u trajtuan si komb; shqipja u përdor me kufizime të mëdha; liria e mendimit kombëtar u dënua rëndë; shqiptarët patën më pak të drejta se të tjerë; nuk patën të drejtë që ta mbajnë lirisht flamurin kombëtar, kurse për mbajtjen ilegale të tij dënoheshin me burg të rëndë, etj".
www.besiana.de
Që nga fillimi i kolonës së demonstruesve, policia, disa herë, u përpoq ta rrëmbente flamurin nga duart e çelikta të rinisë. Herën e parë u përpoq ta largonte nga kulmi i shkollës "Ali Kelmendi", por kjo u pengua nga nxënësit. Po ashtu, edhe disa herë gjatë marshimit të kolonës, policia u përpoq ta merrte flamurin, por pa sukses. Organet e pushtetit të Pejës tentuan ta ndalnin kolonën në oborrin e Gjimnazit dhe tentuan të bindnin pjesëmarrësit që të shpërndaheshin. Edhe në këtë nuk arritën.


Pas afër katër orësh demonstrimi nëpër qytetin e Pejës, me flamurin kombëtar në ballë, si dhe duke i brohoritur Kosovës, Republikës së Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, dhe duke kënduar këngë atdhetare, përfundoi kjo demonstratë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, që ishte manifestimi më i rëndësishëm në Pejë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të demonstratës, flamuri kombëtar përsëri u vendos mbi kulmin e shkollës normale "Ali Kelmendi".
www.besiana.de


Organizimin e demonstratës në Pejë e ndihmuan zejtarët e lagjes Kapeshnica: Rexhep Berisha dhe Ali A. Lajçi, që të dy rrobaqepës, të cilët i përgatitën shiritat identifikues të pjesëmarrësve, si dhe shiritat e kujdestarëve. Po ashtu, ndihmoi normalistja Emine Neziri; studenti Riza Smaka, arsimtari i muzikës në shkollën "Ali Kelmendi", Sadri Kelmendi; arsimtari i matematikës në Shkollën tetëvjeçare të Klinës, Murat Gorani.


 Pas përfundimit të suksesshëm të demonstratës në Pejë, filloi ndjekja e organizatorëve të tyre nga Komiteti i Partisë Komuniste dhe nga policia. Pas largimit nga puna në arsim të Ramadan Blakajt, të Xhemajl Gashit dhe të Zymer Nezirit, ndodhi edhe burgosja e tyre, me ç`rast Ramadan Blakaj u dënua me 15 ditë, Xhemajl Gashi me 30 ditë dhe Zymer Neziri po ashtu me 30 ditë. Me dënim me burg u dënua edhe Riza Smaka. 


Demonstratat shumë të suksesshme të Prizrenit, të Therandës dhe të Pejës ishin, pa dyshim, një mbështetje e fortë morale dhe një forcë shtesë e motivimit të organizatorëve të demonstratave edhe më të fuqishme që do të ndodhnin më 27 nëntor 1968 në Prishtinë, në Besianë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Mitrovicë. Këto demonstrata i dhanë kurajë dhe i trimëruan edhe më shumë organizatorët e Grupit të të Rinjve që kishin marrë mbi vete përgjegjësinë për një organizim të tillë në nivel të Kosovës.


Me demonstratën e Pejës u përmbyll cikli i parë i demonstratave shqiptare, të cilat, pushteti, duke dashur t'i minimizojë ato, nuk i dënoi shumë organizatorët e tyre, përveçse me disa ditë burg për kundërvajtje.


DEMONSTRATA E GJILANIT FILLOI NGA NORMALJA E GJIMNAZI


Deri më 23 nëntor 1968, organizatorët e demonstratës së Gjilanit, si edhe organizatorët e qyteteve të tjera të Kosovës, ishin të orientuar të përgatiteshin dhe të organizoheshin vetëm për demonstratën në Prishtinë. Pra, pjesëmarrësit në demonstratë do të vinin nga Gjilani në Prishtinë në ditën që do të caktohej më vonë. Mirëpo, më 23 nëntor, nga Prishtina, si të deleguar nga Trupi Koordinues për Organizimin e Demonstratave në tërë Kosovën, Asllan Kastrati dhe Beqir Qerimi (që të dy studentë të Fakultetit Teknik në Prishtinë) shkuan në Gjilan për të vënë kontakt me organizatorët e atjeshëm që vepronin shumë kohë më parë në këtë qytet.


Asllan Kastrati dhe Beqir Qerimi kontaktuan me Fatmir Salihun, nxënës në Gjimnazin e Gjilanit, dhe në marrëveshje me qendrën në Prishtinë u vendos që demonstratë të ketë edhe në Gjilan, ashtu si edhe në qendra të tjera të Kosovës, e jo siç mendohej që demonstratë të ketë vetëm në Prishtinë. Në mbledhjen që u mbajt po të njëjtën ditë, ndër të tjera, u vendos:
www.besiana.de


1. Demonstrata të mbahet në Gjilan, më 27 nëntor 1968, dhe ajo të fillojë në orën 12 e 5 minuta; dhe,


2. Pas kryerjes së demonstratës në Gjilan, demonstruesit në mënyrë sa më masive të shkojnë në Prishtinë, ku pritej se do të bëhej demonstrata qendrore dhe më e fuqishme.


Në mbledhjen e dytë të Gjilanit, të njëjtën ditë, pra më 23 nëntor 1968, u vendos që veprimtarët të organizojnë sa më shumë nxënës të fshatrave përreth ngase nga kjo pjesëmarrje varej tërë suksesi i demonstratës. Për këtë arsye, prej 23-26 nëntor, e tërë veprimtaria ishte e orientuar në njoftimin e nxënësve, të studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjilan, të punëtorëve, të zejtarëve dhe të fshatarëve përreth Gjilanit.


Më 26 nëntor 1968, në Gjilan, u mbajt mbledhja tjetër në shtëpinë e Rexhep Malës, nxënës i Gjimnazit në Gjilan. Në këtë mbledhje morën pjesë: Rexhep Mala, Fatmir Salihu, Irfan Shaqiri, Ahmet Hoti, Xhavit Dërmaku, Shemsedin Kastrati, Mehmet Emini, Ilmi Ramadani, Enver Shabani dhe Ismail Shehu. Në këtë mbledhje, përveç të tjerash, u vendos të shkruhen dhe të brohoriten parullat: "Duam vetëvendosje!", "Duam Kushtetutë!", "Duam Universitetin", "Një popull, një shtet, një parti!". Për shkrimin dhe për përgatitjen teknike të transparenteve u caktuan Xhavit Dërmaku, Shemsedin Kastrati dhe Ismail Shehu. Këto transparente janë shkruar dhe janë përgatitur në shtëpitë e Rexhep Malës dhe të Fatmir Salihut.


Demonstrata filloi saktësisht në orën 12 e 5 minuta nga oborri i Shkollës Normale dhe Gjimnazit. Para se të fillonte demonstrata, Mynevere Kastrati, Fetije Bajrami dhe Mehmet Emini hynë në Shkollën Normale dhe i morën fotografitë e Karl Marksit, të Fridrih Engelsit dhe të Titos, të cilat i bartën në demonstratë. Flamurin kombëtar e para e barti Vahide Hoxha. Në demonstratë, përveç flamurit kombëtar, u bart edhe flamuri shtetëror jugosllav, në mënyrë që të mos shkaktohej ndonjë intervenim i policisë ndaj demonstruesve. Demonstruesit vazhduan duke brohoritur nëpër qendër të qytetit deri në stacionin e autobusëve. Prej këtu, demonstruesit u kthyen përsëri nëpër qendër deri në vendin prej nga ishin nisur në fillim.


Gjatë demonstrimit u përhap lajmi se është burgosur njëri nga pjesëmarrësit e demonstratës. Ky lajm demonstruesit i bëri edhe më këmbëngulës në kërkesat e tyre, prandaj iu drejtuan ndërtesës së policisë për të protestuar. Mirëpo, policia, në kordon të fortë, i zuri pozitat para Xhamisë së Medresesë dhe assesi nuk i lejonte demonstruesit të vazhdonin rrugën më tutje. Atëherë, demonstruesit qëndruan në vend duke protestuar një kohë bukur të gjatë e, pastaj, përsëri u kthyen në vendin prej nga ishin nisur. Me të arritur në oborr të shkollës, njëri prej organizatorëve i luti demonstruesit të shpërndaheshin. Të gjithë demonstruesit u pajtuan dhe në mënyrë dinjitoze u shpërndanë, të bindur se me këtë kishin shkruar një faqe të ndritshme të historisë, jo vetëm të qytetit të tyre të dashur.
www.besiana.de


Për organizimin e demonstratës së Gjilanit, më 27 nëntor 1968, u gjykuan: Irfan Shaqiri - me një vit burg, kurse Rexhep Mala, Xhavit Dërmaku, Ahmet Hoti dhe Fatmir Salihu - me dënime nga Gjykata për Kundërvajtje.


 

NXËNËSVE TË BESIANËS IU BASHKËNGJIT POPULLI


Sikur në shumë qytete të Kosovës, që po qarkullonin ide për organizimin e manifestimeve të ndryshme siç janë grevat, protestat dhe demonstratat, edhe në Besianë, në verën e vitit 1968, kishte ide të organizohej "një manifestim publik", siç thoshin në Grupin e Llapit, ashtu siç quhej një grup të rinjsh llapjanë, shumica e të cilëve ishin zejtarë. Pas ardhjes së Idriz Hasanit, student në Universitetin e Banjallukës në Bosnje e Hercegovinë, dhe pas njoftimit që kishte marrë për këtë ide të zejtarëve, ai i këshilloi ata të hiqnin dorë nga protesta e zejtarëve dhe të shikohej mundësia e organizimit të një demonstrate të qetë, por duke përfshirë sa më shumë intelektualë, studentë e nxënës. Këshilla e Idriz Hasanit plotësisht përputhej me idenë e Xheladin Rekaliut, i cili ishte në nivelin më të lartë për organizimin e demonstratës së 27 nëntorit, për të cilat, në Besianë, këta të rinj nuk kishin asnjë informacion se po organizoheshin nga një qendër. Për "ditën e çlirimit" të qyteteve të Kosovës, siç quheshin ditët e marrjes së pushtetit nga forcat partizano-çetnike në vitin 1945, organizoheshin manifestime të ndryshme. Në disa raste më të veçanta organizoheshin mitingje, ku flisnin personalitet të ndryshme të Komitetit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë si dhe udhëheqës të ndryshëm. Kështu, për "ditën e çlirimit" të Besianës, më 8 nëntor 1968, qarkullonin fjalët në opinion se ishte paraparë të organizohej një miting i madh ku do të fliste njëri prej kryekuislingëve shqiptarë të Kosovës, Ali Shukriu, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Duke qenë se, tashmë, në Besianë vepronte Grupi Organizues që përgatiste demonstratën e 27 nëntorit 1968, kishte lindur ideja që ky manifestim i okupatorit të shfrytëzohej dhe të shndërrohej në kundërmiting apo, siç mendohej, në një demonstratë antijugosllave.  Për të pasur sukses sa më të madh dhe për të arritur efektin e kësaj demonstrate të mundshme, u mbajt një takim i veçantë i Grupit Organizues të Prishtinës, me një temë të vetme: organizimi i kundërmitingut, përkatësisht demonstratës, në Besianë, më 8 nëntor 1968.
www.besiana.de

 

Takimi u mbajt më 5 nëntor 1968. Për të humbur gjurmë, që të mos vëreheshin veprimtarët së bashku në ndonjë bazë ilegale apo në shtëpitë e njëri-tjetrit ku zakonisht mbaheshin mbledhjet për organizimin e demonstratave vijuese, takimi u mbajt në restorantin "Union", në qendër të Prishtinës. Në këtë takim morën pjesë: Osman Dumoshi, Xheladin Rekaliu, Adil Pireva, Selatin Novosella, Afrim Loxha, Ilaz Pireva dhe Skënder Muçolli. Në këtë takim u përkrah ideja e veprimtarëve nga Besiana që mitingu i okupatorit serbo-jugosllav dhe i kuislingëve shqiptarë të shndërrohej në një kundërmitig. Aty u vendos, po ashtu, që për këtë qëllim të shkruhej një fjalim nga Adil Pireva dhe Selatin Novsella. Ata e shkruan fjalimin dhe ia dorëzuan atë Xheladin Rekaliut që ta dërgonte në Besianë, po të njëjtën ditë. Aty u vendos, po ashtu, që fjalimin ta lexonte Hamit Abdullahu, veprimtar i njohur nga Besiana. Të nesërmen, në Besianë, duhej të shkonin si përforcim për Grupin Organizues të këtij qyteti: Osman Dumoshi, Adil Pireva dhe Skënder Muçolli. Po për këtë qëllim u mbajt edhe një takim në Besianë, më 6 nëntor, në shtëpinë e Abdullah Nishevcit. Kjo mbledhje u mbajt me propozimin e Xheladin Rekaliut. Në të morën pjesë: Xheladin Rekaliu, Hamit Abdullahu, Hasan Shala, Sabit Syla, Bahri Shabani, Skënder Hoxha, Shaqir Shala dhe Abdullah Nishevci. Pas shpjegimit të rëndësisë së shndërrimit të mitingut të pushtetit okupues në kundërmiting apo në demonstratë patriotike, fjalën kryesore e kishte Xhaladin Rekaliu, i cili i kishte pas vetes edhe qëndrimet e organizatorëve të tjerë nga Prishtina.

Në fund të takimit u mor vendim: www.besiana.de

 

1. Më 8 nëntor (e premte) 1968, në ditën kur do të mbahet mitingu i pushtuesit, ai të shndërrohet në kundërmiting apo në demonstratë, ku do të shkruhen dhe ku do të brohoriten parullat: "Duam vetëvendosje!' "Duam Kushtetutë!", "Duam Universitetin e Prishtinës!" dhe "LNÇ-ja nuk na solli barazi të plotë!";

 

 2. Për përgatitjen teknike të transparenteve u caktuan Sabit Syla dhe Bahri Shabani;

 

3. Fjalimin, të shkruar në Prishtinë nga organizatorët e demonstratave të ardhshme, ta lexojë Hamit Abdullahu ose Abdullah Nishevci.


 Përkundër ndërmarrjes së të gjitha masave organizative, megjithatë, nuk u realizua ky vendim pasi organizatorët e këtij veprimi kishin arritur të siguronin informata të fuqishme se ishin ndërmarrë të gjitha masat nga policia dhe nga UDB-ja serbo-jugosllave që të pengohej me çdo mjet çfarëdo manifestimi. Duke qenë se demonstratat vijuese ishin në vigjilje, të parapara për t’u mbajtur në Prishtinë, në Besianë, në Ferizaj dhe në Gjilan, më 27 nëntor, nuk u rrezikua deri në atë shkallë sa të burgoseshin organizatorët, patjetër edhe veprimtarë të tjerë, duke mbajtur demonstratat e planifikuara. Rol vendimtar që ky manifestim të mos mbahej kishte qëndrimi i Osman Dumoshit, i cili kishte vlerësuar se do të ishte ekspozim tepër i madh rrezikut, meqë forcat e mëdha të policisë dhe të UDB-së ishin të gatshme të përdornin dhunë të shfrenuar ndaj demonstruesve, e kjo do të linte pasoja të mëdha në procesin e organizimit të demonstratave të ardhshme.


Sidoqoftë, përgatitjet për demonstratën e 8 nëntorit i kanë paraprirë përgatitjes së demonstratës së 27 nëntorit 1968 në Besianë. Sepse, pa atë përgatitje, vështirë që do të organizohej demonstrata e 27 nëntorit në Besianë ashtu siç u organizua nga i njëjti grup. Së këndejmi, mund të thuhet se mbledhja e 6 nëntorit dhe mbledhja pasuese e 24 nëntorit do të jenë një ndihmesë e fuqishme për demonstratat pasuese. Në Besianë ishte vepruar disa kohë që demonstrata e nëntorit të organizohej në nivel të lartë. Megjithatë, Xheladin Rekaliu, duke u mbështetur në vendimin e Trupit Koordinues për Organizimin e Demonstratave në tërë Kosovën, që ishte marrë më 23 nëntor, thirri një mbledhje urgjente në Besianë, më 24 nëntor 1968. Mbledhja u mbajt në shtëpinë e Hamit Abdullahut. Në këtë mbledhje morën pjesë: Xheladin Rekaliu (arsimtar), Sabit Syla (student), Hakif Sheholli (mësues), Hamit Abdullahu (berber), Bahri Shabani (mësues), Hasan Shala (mësues), Xhafer Ejupi (arsimtar), Skënder Hoxha (mësues) dhe Shaqir Shala (mësues).


Që në fillim të mbledhjes, Xheladin Rekaliu i informoi të pranishmit se është marrë vendim që, më 27 nëntor 1968, të organizohen demonstrata në shumë vende të Kosovës. Më tutje, aty u bë fjalë për demonstratat që tashmë kishin ndodhur në Prizren, në Therandë dhe në Pejë dhe për mësimet që mund të dilnin prej këtyre demonstratave në punën e mëtutjeshme. Xheladin Rekaliu, si përfaqësues i Grupit të Rinjve nga qendra në Prishtinë, propozoi të zgjidhet njëri prej pjesëmarrësve të mbledhjes si kryesues i tubimit dhe për këtë punë e propozoi Hakif Shehollin, propozim ky që u pranua njëzëri.


Në këtë mbledhje u caktuan detyrat konkrete dhe u vendos:


1. Demonstrata të mbahet më 27 nëntor 1968 dhe ajo të fillojë në orën 13:00;


2. Vend i fillimit të demonstratës caktohet Gjimnazi i qytetit;


3. Hamit Abdullahu ngarkohet që, së bashku me Hakif Shehollin dhe me Bahri Shabanin, t’i përgatisin teknikisht transparentet dhe t’i sigurojnë flamujt kombëtarë; dhe,


4. Sabit Syla caktohet të përgatisë fjalimin që do ta lexonte vetë gjatë demonstratave.


Për të mos rënë në sy, sipas marrëveshjes, transparentet përgatiten në Teqenë e qytetit. Këtyre në ndihmë iu shkoi edhe Skënder Muçolli nga Prishtina, mirëpo Hamit Abdullahu, Hakif Sheholli dhe Bahri Shabani i shpjeguan se ai mund të angazhohej më tepër në Prishtinë dhe se ata vetë mund t’i kryejnë ato veprime.


Në mbledhjen e 24 nëntorit u mor vendim të shkruhen dhe të brohoriten parullat: “Duam vetëvendosje!”, “Duam Republikë!”, “Duam Kushtetutë!”, “LNÇ nuk na solli barazi të plotë!”, “Për të drejtat tona do të derdhim gjak”.


Në mënyrë që të jetë çdo gjë në rregull dhe që asgjë të mos mbetej me pikëpyetje, organizatorët e demonstratës së Besianës, më 25 nëntor 1968, bënë edhe një mbledhje, në bufenë “Flamurtari” të qytetit, për definimin e detyrave dhe të obligimeve konkrete të të gjithë bartësve të organizimit të demonstratës.
www.besiana.de

KUSH U DËNUA PËR DEMONSTRATËN NË BESIANË



Më 27 nëntor, demonstrata filloi ashtu siç ishte planifikuar, pikërisht në orën 13.00, para Gjimnazit të qytetit. Organizatorët, duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë dhe transparente të përgatitura më parë, dolën në ballë të demonstratës. Menjëherë iu bashkuan nxënës, studentë, punëtorë, fshatarë. Shkurt, demonstruesve iu bashkua populli i njoftuar që më parë. Kur demonstruesit arritën para hotelit “Llapi”, Sabit Syla e lexoi fjalimin, në të cilin, përveç të tjerash, thuhej:


“Vëllezër e motra shqiptarë!


Jemi tubuar sot, këtu, prej nga do t`i drejtohemi opinionit të brendshëm e të jashtëm që në këtë mënyrë t`i paraqesim disa kërkesa tonat, që njëherësh janë kërkesa të të gjithë shqiptarëve të Kosovës. Ne kërkojmë ato të drejta që i gëzojnë edhe popujt e tjerë në Federatën jugosllave. I kërkojmë ato të drejta për të cilat shqiptarët dhanë aq shumë viktima në atë të ashtuquajturën ‘Lufta Nacional-Çlirimtare’. Kërkojmë të vendosim vetë për fatin tonë, pra kërkojmë të drejtën e vetëvendosjes për Kosovën...!”


Masa e tubuar dhe e emocionuar nga fjalët e Sabit Sylës ia ndërpreu fjalimin duke brohoritur: “Vetëvendosje – Kushtetutë!,  Vetëvendosje – Kushtetutë!, Vetëvendosje – Kushtetutë!”.


Sabit Syla e vazhdoi leximin e fjalimit, duke shtuar:


“Kërkojmë që Kosova të jetë Republikë. Kërkojmë Universitetin e Prishtinës. Kërkojmë vende të reja pune këtu në Kosovën e pasur e të varfëruar. Kërkojmë që të kthehen baballarët dhe vëllezërit tanë që të punojnë në Kosovë e jo të sillen rrugëve të Beogradit dhe qyteteve të tjera të Jugosllavisë për një kafshore bukë. Këtij tubimi dhe këtyre kërkesave nuk iu bashkohen vetëm frikacakët, vetëm qyqarët dhe tradhtarët e popullit shqiptar!”.


Masa e demonstruesve i përcolli fjalët e Sabit Sylës me brohoritje: “Poshtë frikacakët! Poshtë tradhtarët e popullit!”.


Pas përfundimit të fjalimit para hotelit “Llapi”, masa e demonstruesve vazhdoi marshimin nëpër shumë rrugë të Besianës duke bartur flamuj kombëtar, duke brohoritur parulla patriotike dhe duke mbajtur transparente në duar. Sabit Syla përsëri iu drejtua demonstruesve para shkollës fillore “Vëllazërim-Bashkim” me fjalët që, përafërsisht, ua kishte thënë edhe para hotelit “Llapi”.


Si në shumë vende të Kosovës, edhe demonstrata e Besianës ishte e para pas vitit 1945, me të cilën publikisht dhe vendosmërisht u tregua se shqiptarët më nuk mund të pajtohen me fatin që ia caktojnë të tjerët. Pra, me këtë demonstratë, edhe llapjanët filluan një faqe të re të historisë së qytetit të tyre.


Shumë pjesëmarrës të demonstratës në Besianë morën pjesë edhe në demonstratën e Prishtinës. Pra, njëra prej arsyeve që demonstrata në Besianë nuk zgjati më shumë, ishte dëshira e flaktë që llapjanët të merrnin pjesë edhe në demonstratën e Prishtinës.

Hamit Abdullahu
Për organizimin e demonstratës së Besianës, më 27 nëntor 1968, u gjykuan: Hamit Abdullahu (berber) me 1 vit e katër muaj burg; Sabit Syla (student) me 1 vit e dy muaj, dhe Hakif Sheholli (mësues) me një vit burg. Përveç shqiptimit të këtyre dënimeve me burg të rëndë, u dënuan me nga 30 ditë burg edhe këta demonstrues: Hasan Shala (mësues nga Letonci dhe vëlla i dëshmorit Shaban Shala, i mbytur me torturë në Burgun e Prishtinës në vitin 1963), Shaqir Shala (mësues), Selatin Vokrri (mësues), Skënder Hoxha (mësues), Bahri Shabani (mësues), Xhafer Ejupi (arsimtar), Nexhip Ejupi (rrobaqepës), Abdullah Nishevci (rrobaqepës) dhe Nezir Bunjaku (berber).www.besiana.de


NORMALISTËT DHE STUDENTËT E FERIZAJT, SË BASHKU


Edhe në Ferizaj kishin filluar prej kohësh organizimet për pjesëmarrje sa më masive në demonstratat e ardhshme të Prishtinës. Në këtë organizim ishin inkuadruar, sidomos, studentët nga Ferizaj që studionin në fakultetet e Prishtinës, si: Ismet Ramadani, Abdullah Zymberi, Ibrahim Sylejmani, Mustafë Sylejmani, Mustafë Sejdiu, etj. Gjatë një takimi ndërmjet Osman Dumoshit dhe Jakup Mehmetit në Prishtinë, Osman Dumoshi, me një ton kritik, i drejtohet Jakup Mehmetit: “Pse po flini ju, Ferizaj?! Filloni edhe ju të organizoni demonstrata, sepse ato duhet të organizohen edhe atje”. Këtë vërejtje, Jakup Mehmeti e përcjell në Ferizaj dhe që nga ajo ditë fillojnë organizimet më intensive. Një takim i kësaj natyre u mbajt ndërmjet Osman Dumoshit dhe Hasan Abazit, në vigjilje të 27 nëntorit. Pas këtij takimi, Hasan Abazi, së bashku me Mehdi Salihun dhe me Sherif Beqën (arsimtar i artit figurativ në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Shtime), filluan po të njëjtën ditë shkrimin dhe përgatitjen teknike të 150 transparenteve, të cilat i shkruan në shtëpinë e Sylejman Ahmetit, ku banonin Hasan Abazi dhe Mehdi Salihu. Pas këtij veprimi të rëndësishëm, Hasan Abazi e thirri një takim në hotelin “Luboten”, në Ferizaj, më 26 nëntor 1968, në të cilin morën pjesë: Hasan Abazi, Muhamet Sylejmani, Ismet Ramadani, Abdullah Zymberi, Mustafë Sejdiu, Hajredin Salihu, Ibrahim Sylejmani dhe Beqir Beqiri. Hasan Abazi dhe Muhamet Sylejmani u treguan të pranishmëve arsyet e tubimit. Hasan Abazi tregoi se ishte informuar nga Osman Dumoshi që, nga qendra prej nga po organizoheshin demonstratat në tërë Kosovën, ishte marrë vendim të organizohej demonstratë edhe në Ferizaj. Po ashtu, Hasan Abazi u tregoi të pranishmëve për shkrimin e parullave, punë kjo që e kishin kryer gjatë tërë natës së kaluar, duke theksuar se përmbajtja e tyre ishte sipas sugjerimeve të qendrës organizuese në Prishtinë. Aty u tha se pankartave të shkruara duhej vendosur kornizat, në mënyrë që të barteshin në demonstratë. Të gjithë të pranishmit në këtë takim qenë të pajtimit që të kishte demonstratë edhe në Ferizaj, po shprehnin brengën se nuk do të arrihej të njoftoheshin shumë nxënës, punëtorë, studentë dhe fshatarë për pjesëmarrje sa më masive, aq më tepër që njerëzit ishin përgatitur që të shkonin vetëm në demonstratën e Prishtinës.

www.besiana.de

Në fund të kësaj mbledhjeje u vendos:


- demonstrata të mbahet më 27 nëntor 1968, duke filluar në orën 14.30 e deri në orën 15.30;


- vendi i fillimit të demonstratës të jetë Konvikti i Shkollave të Mesme në Ferizaj;


- fjalimin para demonstruesve ta lexojë Ismet Ramadani, para objektit të Komunës së Ferizajt;


- Beqir Beqiri, Abdullah Zymberi dhe Hajredin Salihu u caktuan t'i rregullonin kornizat e transparenteve;


- Ali Mehmeti, profesor i shkollës së mesme ekonomike "Mosha Pijade", sot "Faik Konica", të shkruajë fjalimin që do të lexohet gjatë demonstratës, që ishte edhe propozim i vetë Osman Dumoshit;


- Ismet Ramadani dhe Abdullah Zymberi u caktuan të organizonin nxënësit në Shkollën Ekonomike dhe në Shkollën e Tregtisë;


- Hasan Abazi u autorizua të bisedojë me Hasan Salihun, nxënës i Shkollës Ekonomike, që ta lironte banesën e tij për rregullimin e transparenteve;


- Hasan Abazi, Abdullah Zymberi dhe Hysen Muhaxheri u autorizuan të organizonin nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike, së bashku edhe me Sylejman Bytyçin;


- Muhamet Sylejmani dhe Mustafë Sejdiu u caktuan për organizimin e nxënësve të Shkollës Normale;


-  u vendos të shkruhej një pankartë me dimensione të mëdha, ku do të ishte teksti: "VETËVENDOSJE - KUSHTETUTË - REPUBLIKË!". Ky ishte propozim i Hysen Muhaxherit, i cili studionte në Fakultetin Teknik të Riekës në Kroaci.


Më 27 nëntor, sipas informacioneve që kishin organizatorët e demonstratës, qytetarët kishin filluar të tuboheshin para kohës së caktuar që më herët. Po ashtu, organizatorët kishin informata se edhe brenda Komunës së Ferizajt kishin filluar përgatitjet e funksionarëve të Komunës që të dilnin para demonstruesve dhe ta pengonin mbajtjen e demonstratës.


Demonstrata filloi në orën 14.10. Demonstruesit u radhitën për katër në rresht. Në ballë të demonstruesve ishte flamuri kombëtar dhe pankarta me shkronja të mëdha:

 

"VETËVENDOSJE - KUSHTETUTË - REPUBLIKË!".

 

 Në oborrin e Shkollës Normale u tubuan studentët dhe nxënësit e Shkollës Ekonomike dhe të Shkollës Teknike. Një kohë demonstruesit pritën t'u bashkoheshin edhe nxënësit e Shkollës Normale, të cilëve drejtoria ua kishte mbyllur derën e hyrjes së shkollës. Në pamundësi që të hapnin derën, pjesa dërrmuese e nxënësve kërcyen nga dritaret dhe iu bashkuan demonstratës.


Kontribut të veçantë në organizimin e nxënësve të Shkollës Ekonomike kanë dhënë arsimtarët e kësaj shkolle: Ali Mehmeti, Jakup Mehmeti dhe Salih Hasani.


Afër Shtëpisë së Kulturës, kolonës së demonstruesve i dolën përpara Sinan Sahiti, kryetar i Komunës në Ferizajt, dhe Rasha Mihajlloviq, kryetar i Komitetit të Lidhjes së Komunistëve të Ferizajt, me bashkëpunëtorët e tyre. Ata, me çdo kusht, u përpoqën t'i pengojnë demonstruesit që të mos marshojnë në drejtim të qendrës. Provuan t'i bindin demonstruesit të shpërndahen dhe synuan të bisedojnë me organizatorët. Pasi udhëheqësit që i prinin demonstratës: Hasan Abazi, Ismet Ramadani, Hysen Muhaxheri, Muhamet Sylejmai e Abdullah Zymberi nuk pranuan të bisedojnë me ta, demonstrata vazhdoi drejt qendrës së qytetit, siç ishte paraparë nga organizatorët.


SI INTERVENOI POLICIA NË FERIZAJ
www.besiana.de


Aty nga mesi i qytetit, ku ndahet rruga për Neredime, ishte pozicionuar kordoni i fuqishëm i policisë dhe i punëtorëve civilë të UDB-së, të cilët bënin përpjekjen e fundit për ta penguar marshimin e demonstruesve. Këtu ndodhi kacafytja e fuqishme ndërmjet policëve në kordon dhe demonstruesve. Më në fund, demonstrata vazhdoi më tutje. Flamujt dhe transparentet e shumta barteshin forcërisht nga demonstruesit, në mesin e të cilëve ishin edhe Hazbija, Kefserja, Xhemilja, Sherifja, Ali Sadrija etj. Këtu dallohen edhe studentët: Nebih Jashari, Beqir Beqiri, Nazim Hoxha, etj.


Demonstruesit u tubuan në platenë para ndërtesës së Kuvendit Komunal, ndërsa Ismet Ramadani filloi të lexojë fjalimin, të cilin paraprakisht e kishin shkruar Ali dhe Jakup Mehmeti. Intervenoi policia. U bë rrëmujë e madhe. Filloi përleshja ndërmjet policëve dhe demonstruesve. Policët filluan të ndihmohen edhe nga automjetet e zjarrfikësve. Demonstruesit e pushtuan automjetin e zjarrfikësve dhe filluan të lagin policët dhe zjarrfikësit. Syri i policisë dhe i UDB-së ishte përqendruar te Ismet Ramadani dhe te Hasan Abazi, të cilët edhe u lënduan gjatë përpjekjeve të policisë për arrestimin e tyre. Policia dhe zjarrfikësit u mënjanuan, kurse masa e demonstruesve pandërprerë brohoriti parullat: "Kosova - Republikë!", "Barazi - Liri!", "Duam Kushtetutë!", etj. Diku rreth orës 15.15, numri i demonstruesve ishte rreth 5.000 veta, numër ky që bëri që policia, UDB-ja dhe zjarrfikësit të largoheshin nga sheshi para ndërtesës së Komunës së Ferizajt.


Një grup demonstruesish më të vendosur dolën në rrugën kryesore të qytetit dhe vazhduan brohoritjet nëpër qytet. Këtij grupi iu bashkëngjitën edhe qytetarë të shumtë dhe, kështu, disa herë, ata marshuan nëpër qytetin e Ferizajt, nga njëri skaj në tjetrin. Rreth orës 15.30, demonstruesit u shpërndanë të qetë, pa shkaktuar kurrfarë incidentesh, kurse ata më të vendosurit u nisën për në Prishtinë për të marrë pjesë, siç thoshin ata, në Dasmën e Madhe, në orën 15.55.


Gjatë demonstratës në Ferizaj, në përleshje me policinë, u plagosën rëndë e lehtë disa veta nga të dyja palët. Pas demonstratës filloi ndjekja dhe burgosja e demonstruesve dhe e organizatorëve të tyre. Me procedurë të shkurtër, me nga 30 ditë burg, u dënuan studentët: Mehmet Emërllahu, Avdullah Zymberi, Muhamet Sylejmani dhe Beqir Beqiri, si edhe nxënësit: Hasan Muhaxheri, Sylejman Bytyçi dhe Ekrem Beqiri.


 U burgosën dhe pastaj u hapën hetimet për "veprimtari armiqësore" kundër Ali Mehmetit (arsimtar), Hasan Abazit (student), Ismet Ramadanit (student) dhe Jakup Mehmetit (arsimtar). Pas 15 ditësh nga burgosja, Jakup Mehmeti u lejua të mbrohet në liri, ndërsa pas 4 muajsh u ngrit aktakuza dhe, më 7 prill të vitit 1969, Ali Mehmeti u dënua me 12 muaj burg, ndërsa Hasan Abazi dhe Ismet Ramadani u dënuan me nga 10 muaj burg.


DREJTORI I NORMALES PËRKRAHU ORGANIZIMIN E DEMONSTRATAVE  NË MITROVICË

www.besiana.de
Grupi i organizatorëve që kishte marrë mbi vete organizimin e demonstratave në nivel të Kosovës kishte arritur të vente kontakte të rregullta me organizatorët e qyteteve në Besianë, nëpërmes të Xheladin Rekaliut, në Ferizaj nëpërmes të Skënder Kastratit dhe në Gjilanin nëpërmes të Asllan Kastratit.  Ky Grup, i cili udhëhiqej nga Osman Dumoshi, kishte bërë përpjekje që të vente lidhje edhe me qytetet e tjera të Kosovës, siç ishin edhe Gjakova dhe Mitrovica, për të për të cilat qytete Gruoi në Prishtinë kishte informata, jo të verifikuara, se edhe në këto qytete po përgatiteshin  demonstrata për muajin nëntor të vitit 1968. Sidomos ishte bërë përpjekje që demonstratat t'i organizonin studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike "Bajram Curri" në Gjakovë. Megjithatë, në Gjakovë, në momentin e fundit do të dështojnë mbajtja e demonstratave, ndërsa në Mitrovicë ato do të mbahen më 27 nëntor si edhe në Prishtinë, në Besianë, Në Ferizaj dhe në Gjilan. Këshillin organizues për demonstratën e  Mitrovicës e përbënte: Nebih Istogu, Latif Zariqi, Naim Bujupi, Mustafë Shyti, Vesel Demaku, Ramadan Bytyqi dhe Mustafë Zariqi.


 Ky grup i nxënësve të Normales "Hasan Prishtina" ishte dalluar prej kohësh në aktivitete të lira, siç ishte grupi letrar, shfaqja e pjesëve teatrale në shkollë etj. Andaj, me kohë kishin filluar të përgatiteshin  për ndonjë aktivitet për nder të Ditës së Flamurit, 28 Nëntorin e vitit 1968. Ndonëse shumë aktivitete i kishin zhvilluar edhe në lokalet e Normale, asnjëherë nuk i kishin njoftuar arsimtarët dhe drejtorin e shkollës. Megjithatë, në vigjilje  të demonstratave të 27 nëntorit, këta të rinj vendosin që ta njoftojnë drejtorin e Normales, Ahmet Maloku, dhe ta marrin mendimin e tij. Në takimin që mbajnë organizatorët, drejtori i përgëzon për punën që kishin kryer duke e mbështet idenë për mbajtjen e demonstratave. Me këtë rast, ai ua tërheq vërejtjen që të jenë të kujdesshëm, sepse, siç iu thotë nxënësve të vet,  keni marrë mbi vete rrezik të madh.


 Pas organizimeve që i kishin bërë këta të rinj dhe pas mbështetjes morale që kishin  marrë nga drejtori, Ahmet Maloku, këta vazhdojnë organizimin e demonstratave edhe më me ngulm. Ndër vendimet e para që marrin ishte njoftimi i të gjitha shkollave të mesme të Mitrovicës që t'iu bashkohen normalistëve në demonstratat e 27 nëntorit. Organizatorët i njoftojnë nxënësit e Shkollës Teknike, Shkollës së Mjekësisë dhe Gjimnazin e qytetit.


 Në mbledhjen e fundit organizatorët e demonstratave të Mitrovicës, e cila mbahet në vigjilje të demonstratave, vendosin që:


demonstratat të zhvillohen më 27 nëntor 1968 dhe ato të fillojnë nga Normalja  "Hasan Prishtina"; të njoftohen shkollat e qytetit të Mitrovicës që pikë e takimi të të gjithë demonstruesve të jetë Ura e Ibrit;


në demonstrata të bartet vetëm flamuri kombëtar; në demonstrata të brohoriten parullat: "Kosova Republikë!", "Duam Flamurin Kombëtar!" dhe "Duam Universitetin!".


Demonstratat filluan në ora 14.35 nga Shkolla Normale. Duke qenë se milicia dhe UDB-ja i kishin nuhatur lëvizjet e dyshimta, se do të ndodhte diçka në këtë çerdhe të arsimit në Mitrovicë, kishin penguar që demonstruesit të dilnin në rrugë nga hyrja kryesore e shkollës. Organizatorët vendosën që demonstruesit të dalin nga dalja ndihmëse e shkollës që të mos dështonte fillimi i suksesshëm  i manifestimit.


Posa dalin demonstruesit në rrugën kryesore, e cila ishte përballë Kazermës së Ushtrisë jugosllave, duke bartur flamurin kombëtar në ballë dhe duke brohoritur parullat për Republikën e Kosovës, për Flamurin kombëtar dhe Universitetin e Prishtinës, iu bashkëngjiten edhe popullata e Mitrovicës e ngazëllyer nga pamja që po shihnin, gjë që nuk e kishin parë pas Luftës së Dytë Botërore.  Përkatësisht, pas riokupimit  të Kosovës, në vitin 1945.


Gjatë marshimit të demonstruesve drejt cakut të takimi, tek Ura e Ibrit, milicia  e shumtë në numër po përgatitej  për t'i sulmuar demonstruesit paqësorë. Derisa demonstruesit po parakalonin para ndërtesave të larta, popullata serbe që banonte në banesat e moderne të Mitrovicës, hidhte mbi demonstrues, nga ballkonet dhe nga dritaret, copa thëngjilli, dru të shkurtuar, kavanoza me turshi, deri edhe ujë të valë!


Kur demonstruesit arrijnë pranë Hotelit "Jadran", në qendër të qytetit, intervenon milicia me kordonin e fuqishëm që e kishte bërë ndërkohë.  Demonstruesit detyrohen ta ndërrojnë itinerarin e marshimit dhe drejtohen nga Stacioni i trenit, në periferi të Mitrovicës. Pranë Stacionit të trenit kishte pasur numër shumë të madh të policëve me qëllim që demonstruesit të mos marshonin   më tutje në atë drejtim. Demonstruesit detyrohen të hyjnë në Fabrikën e drurit dhe të përgatiten për sulmin që po planifikonte milicia mbi ta. Duke parë se vazhdimi i demonstratës ishte, pothuaj, i pamundur organizatorët vendosin që të sigurojnë mjet të transportit dhe nisen për në qytetin e Prishtinës për të marrë pjesë në demonstratat  që, tashmë, po zhvilloheshin atje që nga ora 15,55.


Më 27 nëntor, pas fillimit të demonstratave ishin pezulluar shumë aktivitete dhe ishin ndërmarrë të gjitha masat që të mos eskalonin  ato më shumë. Kështu, derisa po bëheshin vizitat në ekspozitën e organizuar nga Arkivi i Kosovës me rastin e 60-vjetorit të Kongresit të Manastirit, intervenon milicia dhe UDB-ja, duke kërkuar që urgjentisht të mbyllet ekspozita, përndryshe organizatorët do të burgoseshin.


Me qëllim të largimit nga syri zhbirues i UDB-së serbe, pas demonstratave organizatorët disa ditë nuk e vijojnë mësimin në shkollë duke u fshehur nëpër vende më të sigurta, në mënyrë që të mos burgoseshin. Edhe pas   kthimit në mësim, organizatorët merren disa herë në pyetje nga UDB-ja, duke bërë presion mbi ta dhe duke i kërcënuar.


Pas përfundimit të demonstratave të Mitrovicës mbahet mbledhje urgjente e Komitetit të Lidhjes së Komunistëve, në të cilën marrin pjesë udhëheqësit e lartë të partisë dhe të shtetit, Ali Shukriu dhe Ilia Vakiqi, të cilët, përveçse i dënojnë "demonstratat armiqësore",  kërcënohem me burgosjen e organizatorëve të tyre. Në diskutim inkuadrohet edhe drejtori i Normales "Hasan Prishtina", Ahmet Maloku, i cili, duku iu dalë në mbrojtje nxënësve të vet, thotë: "Nëse dënohen këta nxënës dhe i dërgohet telegram Komitetit  Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë" në Beograd, me të cilin dënohen demonstratat si "armiqësore", atëherë ai do t'i qesë në demonstrata të reja  2.400 nxënës!"


Vlen të theksohet, se këta  organizator të demonstratave  të 27 nëntorit 1968 në Mitrovicë, më vonë  do të dallohen në fusha të ndryshme të jetës, si në arsimimin e brezave të rinj, në organizata të ndryshme deri në angazhimin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu, si ushtarë të dalluar të UÇK-së bien në fushën e nderit Vesel Demaku, më 26.9.1998 dhe Mustafë Shyti, më 22.9.1998. Ndërsa, në një inskenim tipik për UDB-në serbo-jugosllave, gjoja "aksidentalisht" likuidohet  Nebih Istogu, më 1.6.1971, njëri prej organizatorëve kryesor të demonstratave të Mitrovicës. Ndërsa, Naim Bujupi, për angazhimet tij në UÇK-në, në vitin 1998, nga Shtabi i Përgjithshëm, caktohet Shef i Sektorit ushtarako-civil në Brigadën 121 "Ismet Jashari-Kumanova" në Kleçkë, në postin e ndihmës komandant brigade. Kurse, Latif Zariqi, gjatë luftës emërohet nga Shtabi i Përgjithshëm udhëheqës i Trupës Artistike -Ushtarake "Hamëz Jashari" duke treguar suksese të madh në lëmin e artit dhe në mobilizimin e ushtarëve të rinj në UÇK.


www.besiana.de

PRISHTINA, NËN KONTROLLIN E DEMONSTRUESVE


Është theksuar edhe më parë se ideja fillestare e organizatorëve të demonstratës së Prishtinës ishte që ajo të mbahej vetëm në Prishtinë. Por, duke e nuhatur dëshirën dhe gatishmërinë edhe të qytetarëve të qyteteve të tjera në Kosovë që edhe atje të organizoheshin manifestime publike, ku do të shpreheshin kërkesat politike dhe kombëtare të shqiptarëve, organizatorët u pajtuan dhe, rrjedhimisht, ndihmuan që të mbaheshin demonstrata në sa më shumë vende të Kosovës. Me kalimin e kohës, sa më tepër që afrohej 27 nëntori, Grupi Organizues i Prishtinës merrte peshë dhe luante një rol të bashkërendimit të vendimeve dhe të veprimeve në nivel të Kosovës. Sido që të jetë, Grupi Organizues qëllim parësor vazhdonte të kishte organizimin sa më të mirë në kryeqendrën e Kosovës. Andaj, ishte edhe e kuptueshme dhe e arsyeshme që ky aktivitet të zhvillohej në nivel ashtu siç e kërkonte situata.


Pas mbledhjes së fundit para demonstratës, më 23 nëntor 1968, siç është theksuar edhe më parë, ku ishin marrë vendimet përfundimtare për shkrimin e fjalimit, për tekstin e pankartave, për ditën, për vendin dhe për kohën e fillimit të demonstratave dhe për delegimin e përfaqësuesve: në Besianë - Xheladin Rekaliu, në Gjilan - Asllan Kastrati dhe në Ferizaj - Skënder Kastrati, organizatorët ishin shpërndarë në çdo mes të Prishtinës, ku bisedohej, pothuaj hapur, për demonstratën e ardhshme, për orën dhe për ditën fillimit të saj, për kërkesat që do të shtroheshin aty, etj. Megjithatë, të gjitha këto veprime të organizatorëve bëheshin në stilin: "Kemi dëgjuar se do të ketë demonstrata më 27 nëntor", "Kemi dëgjuar se do të bëhen demonstrata të fuqishme ku do të kërkohet Republika e Kosovës dhe Vetëvendosja", "Kemi dëgjuar se ato demonstrata do t'i organizojnë studentët e fakulteteve të Prishtinës" etj. Domethënë, nuk përmendeshin as emrat e organizatorëve, as të dhëna konkrete të cilat do të mundë ta rrezikonin mbajtjen e demonstratave.


Si rezultat i këtyre veprimeve të organizatorëve, nga njëra anë, dhe si rezultat i gatishmërisë së përgjithshme që ekzistonte në popull, nga ana tjetër, që nga orët e hershme të mëngjesit, më 27 nëntor 1968, Prishtina ishte në këmbë. Nga njëra anë, përderisa studentët, nxënësit, punëtorët dhe tërë populli e priste me padurim orën 15 e 55, duke pritur a po fillonte demonstrata, si po fillonte ajo (ishte hera e parë që në kryeqendrën e Kosovës po organizoheshin demonstrata pas Luftës së Dytë Botërore), kush ishte në ballë të tyre etj., në anën tjetër, pushteti i kishte ndërmarrë të gjitha masat për ta penguar fillimin, ose nëse ndërkohë fillonte, ta shuante demonstratën me të gjitha forcat. Përveç organizatorëve, askush nuk e dinte se ku ishin flamujt, transparentet e materiali tjetër, prej nga do të fillonte demonstrata dhe si duhej të fillonte ajo.


FILLIMI I RREZIKSHËM, POR I SUKSESSHËM


Në orët e pasdites kishin arritur informatat e sigurta se demonstratat kishin përfunduar me sukses në Besianë, në Ferizaj dhe në Gjilan. Kishte informata se edhe në Gjakovë kishte pasur përpjekje për demonstratë, por demonstruesit që në fillim ishin shpërndarë nga forcat e policisë. Gjithashtu, edhe për Mitrovicën kishte njohuri, por të paverifikuara, se shumë minatorë dhe të rinj kishin bërë përpjekje për të dalë në qytet, por për arsye të panjohura ishin shpërndarë, duke mos arritur të fillonin demonstratën.


Koha e caktuar, 15.55, për fillimin e demonstratës po afrohej dhe kjo të bindte se çdo gjë ishte paraparë sipas një rregulli pothuaj ushtarak. Në minutat e caktuara, në afërsi të Bibliotekës Krahinore dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, arritën flamujt, transparentet dhe materiali i përgatitur, të cilat u morën shpejt e shpejt nga mjeti transportues me të cilin ishin bartur deri aty dhe pjesëmarrësit u nisën në rresht për një, duke bartur dikush transparente, dikush flamuj, deri para Fakultetit Filozofik, ku ishte vendi i caktuar për fillimin e demonstratës. Në anën tjetër, policia dhe punëtorët e Sigurimit Shtetëror, të paktë në numër në krahasim me demonstruesit, mbetën të habitur me zhdërvjelltësinë e rinisë që ua shpalosi transparentet dhe flamujt para sysh. Ndërkohë, studentë dhe të rinj, nga të gjitha anët, filluan të grumbullohen para Fakultetit Filozofik. Ata vinin e tuboheshin prej brendësisë së fakultetit, konvikteve të afërme, shkollave fillore, dyqaneve zejtare dhe shitoreve të shumta. Demonstruesit silleshin e tuboheshin sikur të kishin ushtruar me muaj të tërë për këtë situatë.


Fillimi ishte më i rrezikshmi, por ai u bë me sukses. Demonstruesit dolën në rrugën kryesore të qytetit, në rrugën që atëherë quhej "Mareshali Tito", kurse sot "Nëna Terezë". Ndonëse automjetet ende vazhdonin të qarkullonin, shumë shpejt edhe atyre iu ndërpre lëvizja.


Barrikada dhe prita e parë e policisë ishte vendosur te restoranti "3 Sheshira", e cila u mënjanua me lehtësi nga demonstruesit. Sapo arritën demonstruesit në afërsi të pengesës, disa policë u rrëzuan përtokë, disa e liruan vetë rrugën, e disa shtinë me armë në ajër. Kolona vazhdoi rrugën pa pengesa të mëdha drejt cakut të caktuar, para Teatrit Krahinor.


Osman Dumoshi, një nga ideatorët e demonstratave kosovare, i përcjellë prej shokëve të caktuar për sigurinë e tij, u ngjit mbi qoshkun e "Optika"-s dhe filloi të lexojë fjalimin. Disa autobusë ndaluan në mes të rrugës. Masa sa vinte e shtohej. Policia nuk intervenonte. Fjalimi vazhdonte të lexohej, kurse demonstruesit, herë pas herë, brohoritnin njëzëri parullat për vetëvendosjen dhe për Republikën e Kosovës. Ndër demonstrues vëreheshin udhëheqës të shumtë të Lidhjes së Komunistëve, të Lidhjes Socialiste, të Lidhjes së Grave, si edhe shumë punëtorë të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, UDB. Të gjitha përpjekjet e tyre që të ndërpritej demonstrata ishin të kota. Demonstrata vazhdonte pa kurrfarë incidenti.


Masa e demonstruesve u kthye në drejtim të ndërtesës së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Ndërtesa ishte e rrethuar në çdo një metër me policë të armatosur me armë automatike. Në shkallët e ndërtesës së Komitetit kishin dalë shumë udhëheqës. Ndër ta vërehej edhe Veli Deva, kreu i komunistëve të Kosovës. Demonstruesit, sapo e vërejtën atë, brohoritën.
www.besiana.de


"Poshtë Veli Deva!".

 "Poshtë Misha Sekuloviqi!".


Dikush i fotografoi demonstruesit para ndërtesës së Komitetit Krahinor. Policia nuk lëvizi nga vendi. Demonstruesit pa ndërprerë brohoritnin. Njëri brohoriste vetëm. Atij i bashkoheshin disa zëra përreth dhe herën e tretë i bashkëngjitej e tërë masa.


"Rroftë Rezak Shala!",

 brohoriti njëri.

"Rezak Shala!, Rezak Shala!, Rezak Shala!",

 ia ktheu masa.


"Republikë! Republikë! Republikë!",

 brohoritën të tjerët.

Nga shumë dialogë, ndërmjet demonstruesve, po e shënojmë këtë:


-  "Mos brohorit 'Republikë!", - i pari.


- "Pse mos me brohoritë Republikë!?", - i dyti.


- "Sepse asnjë parullë e shkruar dhe në asnjë vend në fjalimin e lexuar nuk përmendet Republika!", - i pari.


- "Po çka të brohoras, ore mik, që është sa Republika!?",- i dyti.


- "Brohorit 'Vetëvendosje!'",- i pari.


- "Unë nuk e kuptoj çka do të thotë 'Vetëvendosje', por e kuptoj shumë mirë se çka do të thotë 'Republikë!'",- i dyti.


- "Atëherë të brohorasim së bashku!",- i pari.


- "Republikë - Kushtetutë! Republikë - Kushtetutë! Republikë - Kushtetutë!", - brohoritën që të dy demonstruesit së bashku.


Kolona vazhdoi drejt ndërtesës së Kuvendit Krahinor. Kur demonstruesit e rrethuan objektin e Kuvendit, masa pa ndërprerë thërriti Fadil Hoxhën që t'i drejtohet popullit të tubuar. Në rrethana të tilla, kur një popull i tërë kishte dalë në rrugë dhe dëshironte t'i dëgjohej fjala dhe ta pranonte dialogun ndonjë politikan ose udhëheqës, të dy personalitetet kryesore, Fadil Hoxha dhe Veli Deva, nuk dëshironin të dilnin para masës popullore. Fadil Hoxha nuk kthehej në Kosovën e ndezur nga demonstratat dhe protestat gjithëpopullore, por qëndronte edhe më tutje në kremtimin e 25-vjetorit të KAÇKJ-së (AVNOJ), në sallat luksoze të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ndërsa, nga ana tjetër, Veli Deva jo vetëm që nuk pranonte të paraqitej para masës, por edhe jepte urdhër të shtihej me armë kundër popullit, kur mori vesh se ishte rrethuar Kuvendi Krahinor.


KUSH KISHTE URDHËRUAR:"ME ARMIKUN NUK KA DIALOG!"


Dëshmitarë okularë, të cilët ishin të pranishëm në ndërtesën e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, dëshmojnë se derisa Mahmut Bakalli, kryetar i Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës, po e udhëhiqte dialogun në mënyrë të tërthortë me studentët para Fakultetit Filozofik nëpërmjet Ismail Bajrës dhe profesorëve, kur kishte dëgjuar se po kërkohej të zhvillohej dialogu me rininë studentore dhe me demonstruesit e tjerë, Veli Deva e kishte marrë telefonin dhe kishte urdhëruar: "Me armikun nuk ka dialog! Me armikun duhet të bëjmë dialog vetëm nëpërmjet grykës së pushkës!", duke harruar se ajo rini ishte rini e popullit të cilit i takonte edhe vetë dhe në emër të të cilëve edhe fliste.


Brohoritjet vazhdonin pandërprerë: "Republikë - Kushtetutë!, Republikë - Kushtetutë!, Republikë - Kushtetutë!", dhe, pas një pushimi të shkurtër, përsëri u ftua Fadil Hoxha të dilte para popullit.


Një demonstrues propozoi: "Shokë, të mos presim kot para Kuvendit, sepse sikur të pranonin 'udhëheqësit tanë' të komunikonin me popullin, nuk do t'i kishim punët siç i kemi. Të kthehemi përsëri para Fakultetit Filozofik".


Derisa ky demonstrues fliste, disa të tjerë e kishin ngritur një burrë të moshuar në duar dhe ashtu e mbanin lart. Pas shumë vitesh do të kuptohet se ky burrë ishte Zeqir Pireva, xhaxhai i Ilaz Pirevës, nga Lupçi i Poshtëm i Besianës. Dikush i ofroi burrit një flamur kombëtar. Duart e ngritura të studentëve që mbanin burrin, i cili e ngrinte sa më lart flamurin, krijonin një skenë madhështore. Burri i moshuar, me plis të bardhë në kokë, qëndronte edhe më tutje në dhjetëra duar të demonstruesve, të cilët gjatë tërë kohës brohoritnin: "Fshatarësia!, Fshatarësia!, Fshatarësia".


"Rroftë flamuri kombëtar!", brohoriti një fëmijë, jo më shumë se dhjetë vjeç. "Rroftë flamuri!", iu përgjigj masa njëzëri disa herë.


"Duam Republikë!", brohoriti burri që edhe më tutje qëndronte me flamur të ngritur në duart e demonstruesve, të cilët tashmë ishin shtuar dhe kishin bërë një plate të gjallë nga qindra duar.
www.besiana.de


"Republikë!, Republikë!, Republikë!", ia kthyen demonstruesit.


Organizatorët e demonstratave, duke vërejtur situatën e krijuar, të ngjashme me atë afër Burgut të Prishtinës, sepse tashmë policia kishte krijuar barrikada në brendësi të ndërtesës së Kuvendit dhe kishte rrezik që masa e demonstruesve të mllefosur ta sulmonte atë, i drejtuan demonstruesit, përsëri, nga Fakulteti Filozofik.


Rruga prej Kuvendit e deri te Fakulteti Filozofik u kalua pa kurrfarë incidenti, sepse policia nuk intervenoi, kurse demonstruesit asnjëherë nuk sulmuan pa u sulmuar ose pa u provokuar nga policia. Plateja para Fakultetit Filozofik tashmë ishte bërë një foltore e vërtetë prej nga flitej për të gjitha ato që i kishin munduar shqiptarët që prej vitit 1945.



DEMONSTRUESIT E SHPALLËN HERO MURAT MEHMETIN


Fjalën pastaj e mori një mësues, siç u prezantua vetë nëpërmjet megafonit. Ai, përveç të tjerash, tha:


"Vëllezër dhe motra, jemi të njoftuar se deri më tash ka të plagosur, ndër të cilët fatkeqësisht është edhe një i vrarë! Andaj, propozoj që me një minutë heshtje t'ia bëjmë nderimet e fundit këtij trimi që ra në logun e betejës!".


Në qetësi varri iu bënë nderimet e fundit shokut të rënë, emri i të cilit ende nuk dihej.


"Lavdi i qoftë për jetë e mot!", foli përsëri mësuesi.


"Lavdiii!", u dëgjua masa.
www.besiana.de


"Vëllezër dhe motra", - vazhdoi mësuesi, - "propozoj që ta shpallim nga ky vend HERO TË POPULLIT shokun e rënë në demonstratë!".


"Lavdi i qoftë HEROIT TË POPULLIT!", u përgjigjën të gjithë njëzëri.


E mori fjalën demonstruesi tjetër, Adem Rukiqi, i cili tha:  "Vëllezër dhe motra, në emër të popullit të Drenicës e përshëndes këtë demonstratë dhe pajtohem me të gjitha kërkesat që u dëgjuan këtu!".


"Rroftë Drenica!", e përshëndeti populli i tubuar fjalën e mësuesit drenicas.
Një normaliste e Prishtinës e mori fjalën: "Shokë e shoqe, nëse kërkesat tona nuk do të merren parasysh dhe nuk do të aprovohen brenda kohës sa më të shkurtër, do t'i kërkojmë me armë kërkesat tona të drejta!".


"Më mirë vdekje se robëri! Më mirë vdekje se robër! Më mirë vdekje se robëri!", përsëriti sërish masa e tubuar, e prekur nga fjalët e kësaj të reje, te e cila vërehej gatishmëria për flijim.


Pastaj fjalën e mori një i ri, i cili u paraqit se ishte llapjan: "Vëllezër dhe motra, të gjithë e dimë se për kërkesat që ne po i shtrojmë këtu sot, për këto kërkesa janë me qindra vëllezër e motra, prindër dhe bij tanë në burgje anekënd Jugosllavisë. Andaj, të ngremë zërin për lirimin e tyre sa më të shpejtë!".


"Adem Demaçi!, Adem Demaçi!, Adem Demaçi!", e ndërpreu populli fjalën e llapjanit.

Llapjani vazhdoi: "Shokë dhe shoqe, propozoj që për trimat e vrarë nga UDB-ja e Rankoviqit, si: Shaban Shala dhe Fazli Grajçevci, të cilët janë mbytur në tortura në burgjet e Jugosllavisë, të mbajmë një minutë heshtje!".

"Lavdi u qoftë dëshmorëve të lirisë!", foli llapjani.

"Lavdiii!", u përgjigjën të gjithë.

"Rrofshin Hazir Shala dhe Kadri Halimi!", brohoriti dikush nga mesi i demonstruesve.

"Rrofshin patriotët shqiptarë!", përshëndetën njëzëri.www.besiana.de



POLICIA KISHTE RRETHUAR FAKULTETIN FILOZOFIK NGA TË GJITHA ANËT

 


E mori fjalën një punëtor i shtyrë në moshë, i cili tregoi se ishte minator: "Vëllezër e motra, unë punoj si minator së bashku me shokët e mi në kushte të vështira të punës. Punojmë në kushte të tilla sa që kurrë nuk jemi të sigurt se do të dalim të gjallë në fund të orarit të punës. Punojmë për rroga të tilla sa nuk na mjaftojnë as për të siguruar gjërat elementare për jetë, kurse ata që rrinë nëpër kolltukë, ata që voziten me vetura luksoze, ata që s'punojnë asgjë, marrin rroga sa dhjetë herë tonat! A është e drejtë kjo vëllezër?!", përfundoi minatori me zë pikëllues.


"Poshtë burokracia!", u dëgjua zëri i dikujt nga fundi i demonstruesve.

"Poooshtë!", brohoritën të gjithë.


Plateja para Fakultetit Filozofik ishte shndërruar në tribunë të vërtetë të popullit, i cili, i shtypur me dekada, sikur dëshironte t'i thoshte të gjitha ato që s'i kishte thënë një kohë aq të gjatë.


Nga mesi i demonstruesve doli një i ri, i cili u prezantua si bir fshatari, dhe tha: "Deri kur më kështu, vëllezër e motra, të durohen këto padrejtësi! Deri kur dikush të lindë në shtratin e kashtës, të jetojë në shtratin e kashtës, të mos e shohë shkollën kurrë, të jetojë në mjerim dhe në fund të vdesë po në atë shtrat të kashtës ku ka lindur!? Nga ana tjetër, fëmijët e atyre që më së paku punojnë, të lindin në shtratin luksoz, të rriten në të, të shkollohen në shkollat që i zgjedhin sipas dëshirës, të voziten me vetura luksoze! Deri kur më kështu!?", përfundoi i biri i fshatarit.


  "Fshatarësia!, Fshatarësia!, Fshatarësia!", brohoriti masa.


Ishte bërë ora 21:00. Policia kishte rrethuar Fakultetin Filozofik nga të gjitha anët. Fjalimet nga plateja vazhdonin. Shumë demonstrues ishin të lodhur, të lagur nga cisternat e zjarrfikësve. Disa ishin të rrahur nga policët gjatë kacafytjeve me ta. Shkurt, ishte një situatë kur nuk mund të vazhdohej tutje. Mirëpo, askush nga demonstruesit nuk dëshironte të ndahej prej shokëve. Askush nuk donte të largohej i pari nga tubimi, që me vite ishte pritur. Secili dëshironte të thoshte fjalën e vet. Megjithatë, disi ndjehej nevojë për ta shpërndarë rininë dhe popullin e tubuar, sa nuk kishte intervenuar policia, që tashmë kishte arritur prej shumë qyteteve të Jugosllavisë: nga Shkupi, nga Kraleva, nga Nishi etj., dhe përgatitej për sulmin vendimtar kundër demonstruesve.



Nga dritarja e katit të dytë të Fakultetit Filozofik paraqiteshin me radhë herë profesorët e herë udhëheqësit e ndryshëm politikë për t'i bindur demonstruesit që të shpërndaheshin. Pas çdo paraqitjeje, demonstruesit e brohoritnin emrin e Mark Krasniqit. Më në fund, në dritare doli Mark Krasniqi, profesor dhe shkencëtar i njohur në tërë Kosovën, si dhe sinonim i njeriut të vendosur, i cili kurrë nuk kishte rënë në pozita që nuk i kanë hije intelektualëve të vërtetë.
www.besiana.de


  "Studentë të dashur, shokë të dashur", - filloi Mark Krasniqi, - "nëse çdokush ua do të keqen, të jeni të sigurt se ne, profesorët tuaj, nuk ua duam. Prandaj, po ju lus, në emër të të gjithë profesorëve, dhe në emrin tim personal, të shpërndaheni".


"Mark Krasniqi!, Mark Krasniqi!, Mark Krasniqi!", brohoriti masa në shenjë respekti për profesorin e nderuar.


"Po ju lus, jo vetëm si profesor juaji, por edhe si shok juaji më i vjetër, të shpërndaheni. Pra, të shpërndaheni në qetësi dhe pa shkaktuar konflikte me organet e rendit. Nesër do të mbahet tubimi në këtë fakultet para dite. Andaj, formoni Këshillin e Demonstratave dhe i dërgoni përfaqësuesit që t'i prezantojnë qëllimet dhe kërkesat tuaja. Për herën e fundit po ju lus të shpërndaheni", e përfundoi fjalën profesor Mark Krasniqi.


Pasi u brohorit shumë herë emri i Mark Krasniqit, ndër demonstrues për disa çaste mbretëroi heshtja. Askush nuk merrte iniciativë të dilte e të kërkonte vazhdimin e demonstratës. Demonstruesit shikoheshin ndërmjet veti dhe sikur ishin të bindur në fjalën e Profesorit. Megjithatë, masa nuk fillonte të shpërndahej. Në ato çaste heshtjeje të pazakonshme, njëri nga demonstruesit doli në plate të Fakultetit Filozofik dhe, me zë të sigurt e të vendosur, iu drejtua popullit të tubuar: "Vëllezër dhe motra, po ju lus ta dëgjojmë këshillën e Profesorit tonë të nderuar dhe të shpërndahemi. Por, para se të ndahemi, të merremi vesh se demonstratën do ta vazhdojmë nesër në orën tetë, duke filluar nga ky vend".


"Nesër n'orën tetë!", u përgjigj masa.


Pas kësaj marrëveshjeje që të shpërndaheshin demonstruesit dhe që të nesërmen të tuboheshin po në të njëjtin vend nga do të vazhdohej me demonstratë, secili shkonte në drejtim të shtëpisë së vet, në drejtim të banesës së vet, në drejtim të konvikteve, dhe dikush në drejtim të fshatrave të afërme, duke u përshëndetur dhe duke ia përkujtuar njëri-tjetrit orën tetë të ditës së nesërme.


Në këtë mënyrë, rreth orës 22.00, përfundoi demonstrata e 27 nëntorit 1968 në Prishtinë.


Gjatë demonstratës së Prishtinës, përveç vrasjes së dëshmorit Murat Mehmeti, pati edhe shumë të lënduar dhe të plagosur. Kështu, sipas raportit të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës, të lëshuar më 11.02.1969, u plagosën këta persona:

 

Bajram Greiçevci, Irfan Rushiti, Shefki Osmani, Skënder Muçolli, Miftar Krasniqi, Mejreme Berisha, Lakushiq Lazar, Haxhi Lahu, Gani Gashi, Sylejman Zhivina, Avdi Jahiri, Haxhi Shabani, Zhivanoviq Velimir, Xheladin Kuçi, Hilmije Krasniqi dhe Hajriz Maliqi.


Ndonëse ishte planifikuar që demonstrata të zhvillohej e qetë dhe të mos ndodhte konfrontimi me policinë, të mos ndodhte thyerja e vitrinave të lokaleve, si dhe të mos ndodhte rrotullimi dhe dëmtimi i veturave, megjithatë, si rezultat i egërsisë së policisë së pushtuesit ndaj demonstruesve, e sidomos pas vrasjes së dëshmorit Murat Mehmeti, masa e demonstruesve u egërsua dhe ndodhën konfrontime të fuqishme ndërmjet demonstruesve dhe policisë. Gjatë këtyre konfrontimeve dhe përleshjeve, përveç shumë të lënduarve, siç u tha, ndodhi dëmtimi i 56 objekteve tregtare, zejtare dhe hoteliere në Prishtinë. Po ashtu, u thyen 13 objekte private. Ndodhi edhe rrotullimi dhe dëmtimi i 27 automjeteve.


                
USHTRIA JUGOSLLAVE E KISHTE VËNË PRISHTINËN NË SHTETRRETHIM TË HEKURT


Me gjithë marrëveshjen që demonstrata të vazhdonte të nesërmen, më 28 nëntor, dhe me gjithë gatishmërinë e popullatës që me çdo mjet të vazhdohej ajo, megjithatë, ajo nuk u vazhdua.


E, si të vazhdohej ajo, kur më 28 Nëntor, policia dhe ushtria kishte bllokuar çdo kënd dhe çdo objekt me rëndësi në qytetin e Prishtinës, kurse ushtria e armatosur dhe e pajisur me tanke i kishte zënë pozitat para ndërtesës së Kuvendit Krahinor, para Këshillit Krahinor, para Komitetit Krahinor, para Radio-Prishtinës, para "Rilindjes", para Bankës Popullore, para Fakultetit Filozofik, si dhe në të gjitha daljet dhe hyrjet e Prishtinës.
www.besiana.de


 Vlen të theksohet se, përveç kërkesave të shkruara në transparentet e bartura nga demonstruesit, u brohoritën edhe këto parulla:

"Duam Republikë!",

 "Republikë - Republikë!",

"Duam Vetëvendosje!",

 "Vetëvendosje - Vetëvendosje!",

 "Republikë - Kushtetutë!",

"Kushtetutë - Kushtetutë!",

"Duam Universitet!",

"Duam lirimin e të burgosurve politikë!",

"Rroftë Adem Demaçi!",

 "Më mirë vdekje, se robëri!",

"Ja vdekje - ja liri!",

 "Poshtë tradhtarët!",

 "Poshtë burokracia!",

"Poshtë Veli Deva!",

 "Lironi shokët!",

 "Rroftë klasa punëtore!",

 "Rrofshin minatorët!",

"Rroftë fshatarësia!",

"Rroftë rinia!",

dhe "Rroftë vëllazëria shqiptare!".



GJYKIMI I ANËTARËVE TË KOMITETIT TË DEMONSTRATAVE


 Pas demonstratave të mbajtura më 27 nëntor 1968 në Prishtinë, në Besianë, në Gjilan, në Ferizaj dhe në Mitrovicë, u organizuan disa procese penale gjyqësore, fund e krye me prapavijë politike, ndaj organizatorëve të këtyre demonstratave. Duke qenë se për gjykimet e organizatorëve të demonstratave në Prizren, në Pejë, në Besianë, në Gjilan dhe në Ferizaj, shkurtimisht është bërë fjalë më herët, këtu do të flitet vetëm për gjykimin e organizatorëve të demonstratës së Prishtinës, të cilët përbënin formacionin më të angazhuar dhe të cilët kishin bërë edhe koordinimin e demonstratave në nivel të Kosovës.


Pasi formacioni prej nëntë vetash në Prishtinë ishte angazhuar më gjatë në organizimin e demonstratave dhe pasi në fund të fjalimit të demonstratës së mbajtur në Prishtinë ky fjalim ishte nënshkruar me "Komiteti i Demonstratave", nga organet e pushtetit (Partia Komuniste, Policia, UDB-ja, Prokuroria dhe Gjyqi) ata u trajtuan si formacion i veçantë, prandaj edhe u gjykuan së bashku. Në Komitetin e Demonstratave bënin pjesë: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Selatin Novosella, Hasan Dërmaku, Xheladin Rekaliu, Skënder Muçolli, Ilaz Pireva, Skënder Kastrati dhe Afrim Loxha.


Gjykimi i këtyre organizatorëve qe shtyrë disa herë, për faktin se shumica e të akuzuarve nuk pranonin të kishin avokatë, ose ata kërkonin nga avokatët që para gjyqeve t'i mbronin kërkesat e shtruara gjatë demonstratave, të cilën gjë avokatët nuk dëshironin dhe nuk guxonin ta bënin. Por, pas lajmërimit të avokatëve në zë, Filla Fillota dhe dr. Jovan Vukçeviq, se do t'i mbronin kërkesat e demonstruesve gjatë gjykimit, të akuzuarit pranuan të fillonte gjykimi.
www.besiana.de


Për këtë gjykim, me autorizimin e Prokurorit Publik të Republikës së Serbisë, Milan Zeçeviq, u autorizua që Aktakuzën ta përfaqësojë Prokurori Publik i Pejës, Sait Meraku, ndërsa procesin gjyqësor e udhëhoqi vetë kryetari i Gjyqit të Qarkut në Prishtinë, Nazmi Juniku.


Ky gjykim i kishte disa karakteristika tepër të veçanta:


1. Të gjithë të akuzuarit deklaruan para gjyqit se secili prej tyre është organizator kryesor, duke u përpjekur, kështu, të marrin barrën mbi vete, duke i liruar shokët nga përgjegjësia;


2. Të gjithë të akuzuarit u përpoqën t'i mbrojnë para gjyqit kërkesat e shtruara në demonstrata;


3. Të gjithë të akuzuarit deklaruan se kërkesë kryesore e demonstratave ishte e drejta për Vetëvendosje dhe


4. Askush nga të akuzuarit nuk u pendua për veprimet e kryera.

 

Kështu, i akuzuari Selatin Novosella deklaroi para Gjyqit të Qarkut në Prishtinë se: "Iniciativa për organizimin e demonstratave të 27 nëntorit rrjedh prej meje dhe prej Osman Dumoshit. Pra, unë e Osman Dumoshi jemi organizatorët kryesorë", kurse i akuzuari tjetër, Skënder Muçolli, deklaroi kështu para gjyqit: "Ideja për organizimin e demonstratave ka filluar prej meje, prej Osman Dumoshit dhe prej Afrim Loxhës". Në pyetjen që iu bë të akuzuarit Osman Dumoshi se çka nënkupton me fjalën Vetëvendosje, ai u përgjigj: "Me këtë nënkuptoj që ne në Kosovë të vendosim vetë për fatin tonë, që ne të vendosim vetë për pavarësinë tonë, që ne të vendosim vetë se në kuadër të cilës Republikë dëshirojmë të jemi".


Duke folur për mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, në shtëpinë e Selatin Novosellës, më 23 nëntor 1968, ku ishte aprovuar teksti i pankartave që do të barteshin gjatë demonstratave, i akuzuari Skënder Muçolli, deklaroi: "Unë dhe Ilaz Pireva i kemi shkruar parullat në pankarta, prej të cilave 20 kishin tekstin VETËVENDOSJE dhe 20 të tjera tekste të tjera". Disa herë gjatë gjykimit, kryetari i Gjyqit, Nazmi Juniku, ua ka tërhequr vërejtjen të akuzuarve që të mos e marrin barrën mbi vete, por të japin deklarata reale se si ka ndodhur organizimi i demonstratave, sepse, siç do të thotë, ai: "Të keni parasysh se për veprën për të cilën po përgjigjeni mund të dënoheni deri në 12 vjet burg të rëndë!".


Gjatë hetimeve për të akuzuarin Selatin Novosella, gjykatësi hetues i Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Riza Fazliu, i tregoi të akuzuarit se, në bazë të Ligjit mbi Procedurën Penale, ai kishte të drejtë që mbrojtjen para gjyqit ta paraqiste në formë të shkruar. Andaj, Selatin Novosella, duke e shfrytëzuar këtë mundësi juridike, e përgatiti mbrojtjen me shkrim që do ta lexonte gjatë gjykimit. Megjithatë, pas një konsultimi që ai pati gjatë një pushimi të shkurtër, ndërmjet dy seancave të gjykimit, shokët me të cilët po gjykohej, sidomos Osman Dumoshi, i propozuan që atë mbrojtje të përgatitur të mos e lexonte para gjyqit. Ndonëse, fillimisht, Selatin Novosella nuk u pajtua, megjithatë, nuk deshi të veprojë pa pajtimin edhe të shokëve të tjerë.



Vlen të theksohet se avokatët mbrojtës të të akuzuarve: Hasan Kryeziu, Mehmet Dushku, Bllazha Stankoviq, dhe sidomos Filla Fillota e dr. Jovan Vukçeviq, ishin në mbrojtje të të akuzuarve, duke dëshmuar se këta të rinj nuk kishin bërë ndonjë krim, por vetëm kishin shtruar disa kërkesa politike për zgjidhje. Megjithatë, në fund të këtij procesi gjyqësor, më 7 prill 1969, Gjyqi i Qarkut i Prishtinës, i shpalli të gjithë fajtorë dhe i dënoi me burg të rëndë: Osman Dumoshin, Adil Pirevën, Selatin Novosellën dhe Hasan Dërmakun me nga 5 vjet burg; Skënder Kastratin dhe Xheladin Rekaliun me nga 4 vjet burg; dhe, Afrin Loxhën, Ilaz Pirevën e Skënder Muçollin me nga 3 vjet burg.


Përveç këtij gjykimi të organizatorëve kryesorë të demonstratës së Prishtinës, u dënuan edhe mbi 70 veta me dënime të ndryshme. Kështu, u dënuan edhe Asllan Kastrati, me 6 muaj burg; Sylejman Kastrati, me 3 muaj burg; Skënder Berisha, me 2 muaj burg; Bedri Novosella, Sylejman Peposhi dhe Halil Qosja, me nga 1 muaj burg; si dhe Ramadan Ramadani dhe Tefik Çitaku, me nga 2 muaj burg.


 
RËNIA HEROIKE E DËSHMORIT MURAT MEHMETI


Me gjithë përpjekjet e organizatorëve të demonstratave dhe pjesëmarrësve të shumtë të tyre që të mos shpërthenin konflikte me milicinë dhe me organet shtetërore të kohës, me gjithë ndërmarrjen e të gjitha masave që demonstratat të kalojnë pa të lënduar, pa të plagosur dhe pa të vdekur, pushteti serbo-jugosllav përdori provokimin e konflikteve, përdori dhunën kundër demonstruesve, përdori armët automatike për të shtënë në demonstruesit paqësorë. Si rezultat i kësaj dhune të pushtetit mbi demonstruesit, u bënë lëndime dhe plagosje të lehta dhe të rënda të më se 50 vetave dhe ndodhi vrasja e demonstruesit Murat Mehmeti.
www.besiana.de


Murat Mehmeti u lind në vitin 1951, në Prishtinë. Babai i tij, Qazimi, punonte punëtor ndihmës në shëndetësi dhe me të ardhurat e vogla që fitonte me vështirësi e siguronte familjen me shumë anëtarë. Babai Qazimi, nëna Shefkija, motrat Fatimja, Nazmija, Naxhija dhe Fikrija, si edhe vëllai i vetëm i Muratit - Nexhati, jetonin një jetë të varfër, por kjo nuk kishte ndikuar që Qazimi përparimtar të mos i dërgonte të gjithë fëmijët në shkollë dhe të kujdesej posaçërisht për shkollimin e fëmijëve të tij, për të cilët shpesh thoshte se nuk ishin vetëm të tij.


Murat Mehmeti i kreu mësimet tetëvjeçare në Prishtinë, në shkollën fillore "Meto Bajraktari". Shkollimin e mesëm e filloi në shkollën teknike "19 Nëntori" (dita e "çlirimit", në vitin 1945), sot "28 Nëntori", në Prishtinë. Ishte nxënës i mirë, i urtë, i zellshëm dhe, mbi të gjitha, shok i sinqertë dhe i guximshëm. Kështu rrëfejnë shokët e tij të shkollës.
www.besiana.de


Dhe, erdhën ditët e tronditura në Kosovën e vitit 1968. Ky vit nuk e la asnjë shqiptar pa u angazhuar, në një mënyrë apo në një tjetër, në vlimet dhe në ndërrimet e mëdha që kishin filluar në Kosovë. Erdhi ajo ditë aq shumë e pritur, në të cilën secili në mënyrë të hapur dhe të shtruar do ta thoshte fjalën e vet. E, si do të rrinte Murati i mbyllur në shtëpi, kur qyteti i tij i dashur, Prishtina, po ndizej nga brohoritjet, nga parullat, nga gazi lotsjellës, nga sirenat, nga të shtënat e armëve automatike.


27 nëntori 1968, ditë kjo kur ra Murat Mehmeti në ballë të demonstratës së Prishtinës, ishte ditë e Ramazanit. Murati ishte duke bërë iftar me prindërit dhe me familjarët e tjerë, kur u ngrit nga sofra me kafshore në gojë, duke e lënë darkën në gjysmë. Prindërit e lutën të mos ngrihej nga buka pa e kryer ushqimin, se do t`i bashkoheshin, pas darkës, të gjithë në demonstrata. Bashkëkohësit e Murat Mehmetit rrëfejnë, më vonë, se ai kishte organizuar një grup shokësh të rrugës "Nëntë Jugoviqët", sot "Murat Mehmeti", ku jetonte me familje, që ende nuk kishin dalë në demonstratë dhe kishte vrapuar në atë rajon të Prishtinës prej nga vinin më shumë brohoritje dhe të shtëna me armë. Po ashtu, moshatarët e 17-vjeçarit Murat Mehmeti tregojnë se ai u kishte thënë: "Hajde, shokë, shkojmë në demonstrata, se na erdhi dita jonë!".

 

Siç është theksuar më parë, pas lajmit të Ismail Bajrës, funksionar i lartë i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, se shumë demonstrues janë burgosur, demonstruesit vendosin të shkojnë para Burgut të Prishtinës dhe të kërkojnë lirimin e shokëve. Njëri nga ata që do t'i prijë demonstratës për në Burgun e Prishtinës ishte edhe Murat Mehmeti, djaloshi sypatrembur 17 vjeç. Barrikada e forcave të milicisë, e cisternave të zjarrfikësve dhe e automjeteve të milicisë, pengoi masën t'i afrohet burgut. Mirëpo, disa më të guximshmit, më vetëflijuesit, u hodhën mbi barrikadë. Ndër ta ishte edhe Murat Mehmeti, i cili me dy gurë në duar, të nxjerrë nga rruga, thërriti: "Përpara vëllezër, t'i lirojmë shokët e burgosur! Përpara vëllezër e motra, të mos frikësohemi se gurët në duart tona janë më të fortë se armët e tyre! Përparaaaa!!!"


Pas thirrjes së Murat Mehmetit u bë sulm i përgjithshëm mbi barrikadën. Pas thirrjes së Murat Mehmetit u dëgjuan shumë armë të milicisë vrastare serbe. Nuk vonoi e u goditën me plumba shumë vëllezër dhe motra të Murat Mehmetit. U rrëzuan, por më vonë u ngritën, edhe pse me plumba në trup. Ndër ta edhe Skënder Muçolli, njëri prej organizatorëve kryesorë. Por, Murat Mehmeti nuk u ngrit më! Murati Mehmeti ra, siç kishte rënë para tij në grykën e topit, Mic Sokoli, dhe në grykën e tankut, Vojo Kushi. Edhe një herë u përsërit historia shqiptare. Kësaj radhe, u vranë fëmijët shtatëmbëdhjetëvjeçarë nga dora e atyre që kishin vrarë me mijëra shqiptarë dhe nga dora e atyre që do të vrasin me mijëra të tjerë në ditët e tronditura që do t'i përjetojë Kosova në rrugën e saj të lirisë.


 

SI U IMPONUA MËNYRA E VARRIMIT TË MURAT MEHMETIT?

www.besiana.de
Pas vrasjes së Murat Mehmetit, pushtuesi u përpoq të fshehë krimin, siç kishte bërë shpeshherë. Pushtuesi e ftoi babanë e Murat Mehmetit, Qazim Mehmetin, dhe e kërcënoi që varrimin e djalit ta bëjë natën dhe pa praninë e askujt, përveç anëtarëve të familjes. Babai i dëshmorit, fillimisht, arsyetohet se nuk mund ta kryejë varrimin për arsye objektive, pasi nuk mund të gjejë hoxhë, nuk mund të gjejë dërrasa për varr dhe nuk mund të gjejë qefin, pëlhurë e bardhë për mbështjelljen e kufomës. Ilia Vakiq, pushtetar i lartë në Kosovë, dhe pushtetarët e tjerë nga radhët e shqiptarëve, e siguruan babanë e dëshmorit se ata do t'ia sigurojnë edhe hoxhën, edhe dërrasat, edhe qefinin. Atëherë, babi i dëshmorit ua tha troç se nuk pranon assesi që i biri të varroset në atë mënyrë. Pastaj, pushtetarët që e zhvillonin "bashkim-vëllazërimin" e që vritnin fëmijë natën tinëz nga prita, iu kërcënuan prindit të dëshmorit se ata do t'ia humbnin kufomën e të birit, duke e varrosur vetë në ndonjë vend sa ai kurrë nuk do të dijë se ku do ta ketë varrin e të birit! Në rrethana të tilla të kërcënimit dhe të shantazhit, babai i dëshmorit Murat Mehmeti u pajtua që të kryejë ceremoninë e varrimit të të birit në kushte jonjerëzore, vetëm e vetëm që të mos ia humbin kufomën të birit të tij. Kështu, në orët e hershme të mëngjesit të 28 nëntorit 1968, nën përcjelljen e shumë policëve dhe nën vëzhgimin e UDB-ashëve serbë dhe shqipfolës, u varros dëshmori i parë i demonstratave në Kosovë, Murat Mehmeti.www.besiana.de


Pas vrasjes së dëshmorit Murat Mehmeti, me iniciativën e Isa Kastratit dhe Hasan Dërmakut, të cilët pas demonstratave ende nuk ishin burgosur, e shtypin dhe u shpërndajnë një trakt me titull "Lajmërim", me të cilin u ftuan qytetarët që të bojkotohet mësimi në shenj pikëllimi për këtë vrasje, si dhe deri sa të lirohen nga burgu organizatorët e demonstratave, të cilët mbaheshin në burgjet e pushtuesit. Në këtë trakt, thuhet:


"Lajmërohen vllaznit shqiptarë dhe motrat shqiptare, studentat dhe studentet, nxanësit dhe nxanëset, që me rastin e vrasjes së shokut, vëllaut dhe birit tonë, Murat Mehmeti, i cili dha jetën tue i kërkue të drejtat tona nga bishat e egra, në shenjë pikëllimi, të mos vijohet mësimi deri me 7 dhjetor 1968. Mbas datës së përmendun, po që se nuk lirohen të burgosunit, mosvijimi do të vazhdojë der sa të lirohen të burgosunit!"


 Ndonëse pushteti i kishte marrë të gjitha masat që ta mbulonte këtë vrasje me vellon e harresës, rinia dhe populli vizitoi në mënyrë masive familjen e dëshmorit Murat Mehmeti, si dhe bëri shumë homazhe pranë varrit të dëshmorit. Kështu, në 6-mujorin e vrasjes së dëshmorit, në organizim të Metush Krasniqit, veteran i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës; të Sabri Novosellës dhe të Shefqet Jasharit, anëtarë të organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve; të Gani Xhafollit, poet i dalluar për fëmijë; dhe të Avdi Limanit, veprimtar i dalluar; u organizua shkuarja e shumë nxënësve, studentëve dhe të rinjve te varri i dëshmorit Murat Mehmeti. Me këtë rast, u vunë lule dhe kurora, ndërsa Gani Xhafolli mbajti një fjalë-homazh për dëshmorin.


Pas këtyre "demonstratave të reja armiqësore", siç do ta vlerësojë Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës këtë homazh pranë varrit të dëshmorit të demonstratës së 27 nëntorit, u morën masa ndaj organizatorëve, kurse Avdi Limani u dënua edhe nga Gjykata për Kundërvajtje e Prishtinës.



Adil Pireva, njëri prej ideatorëve dhe kreatorëve të demonstratave, derisa po e vuante burgun 5-vjeçar për këto demonstrata, në Burgun e Mitrovicës së Sremit i kishte kushtuar këtë vjershë Murat Mehmetit:


                      
NE
www.besiana.de

Ne jemi muskuj punëtorësh

Dhe djersë e valë minatorësh

  - Ne jemi zëri i popullit tonë

Ne jemi duar plot ushla fshatarësh

Dhe gjak i derdhur të parësh

  - Ne jemi zëri i popullit tonë

Ne jemi kambanë e lirisë

Dhe pushkë që qet n'vargoj t'robërisë

     - Ne jemi zëri i popullit tonë

     Ne jemi shpatë që fuqishëm i bie lakut

Dhe luftëtarë edhe në rrugën e gjakut

     Ne jemi zëri i popullit tonë



Vlen të theksohet se pjesëmarrja masive e nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës: Shkollës Normale, Gjimnazit, Shkollës së Mjekësisë, Shkollës Ekonomike, Shkollës Bujqësore dhe asaj Teknike, këto demonstrata i kanë fuqizuar. Ndonëse në demonstrata marrin pjesë edhe nxënës me vetiniciativë, megjithatë, ato ishin të organzuara dhe të koordinuara nga brenda shkollave, diku nga vetë nxënësit, diku edhe nga arsimtarët e tyre. Këtu do t'i veçoja dy raste të organizimit dhe rolit të nxënësve dhe arsimtarëve. Rasti i parë: roli organizativ i Ahmet Krasniqit në Shkollën e mesme teknike "Nikolla Teslla" në Prishtinë, (sot "28 Nëntori), dhe rolin e pazëvendësueshëm të profesorit Idriz Gërvalla në organizimin  e Shkollës së Mesme Ekonomike të Prishtinës. Këto dy raste u përmendën vetëm sa për të ilustruar rolin e shkollave të mesme, kurse për këtë temë vlen të shkruhet punim i veçantë.


Pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të egër serb, në qershorin e vitit 1999, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga forcat e NATO-s, ndër vendimet e para që mori Qeveria e Përkohshme e Komunës së Prishtinës, ishte zbulimi i pllakave përkujtimore për dëshmorët që kishin rënë në Prishtinë që nga riokupimi i Kosovës, në vitin 1945 e këndej. Kështu, më 28 nëntor 1999, me rastin e zbulimit të pllakave përkujtimore, në vendet ku ranë dëshmorët: Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Fahri Fazliu, Afrim Zhitia, Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Ismet Krasniqi, Hyzri Talla, Agron Rrahmani, Bedri Sokoli, Bajram Bahtiri, Mustafë Veseli, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi, u zbulua edhe pllaka përkujtimore për dëshmorin Murat Mehmeti. Në prani të familjarëve të dëshmorit, të organizatorëve të demonstratave të vitit 1968, të udhëheqjes së Prishtinës dhe të shumë qytetarëve, pllakën përkujtimore e zbuloi Osman Dumoshi, ideatori kryesor dhe promotori i demonstratave kosovare të vitit 1968.


DEMONSTRATAT E TETOVËS MË 22 DHE 23 DHJETOR 1968


Demonstrata e vitit 1968 në Tetovë, u organizua një muaj pas demonstratave në Kosovë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të kësaj demonstrate qenë studentët shqiptarë nga Tetova që studionin bashkë me studentët kosovarë në Universitetin e Beogradit dhe në disa fakultete të Prishtinës. Organizatorë të këtyre demonstratave ishin edhe disa patriotë të tjerë që i brengoste fati i kombit dhe pozita politike si dhe shtypja e vazhdueshme e shqiptarëve në Tetovë, në Gostivar, në Strugë, në Shkup, në Kumanovë dhe në qytete të tjera të banuara me shqiptarë në Maqedoni.


Shpërthimi i demonstratave është në lidhje të drejtpërdrejtë me disa ngjarje në Kosovë, pas Plenumit të Katërt të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, mbajtur në Brione më 1 korrik 1966, por edhe me disa ngjarje në Tetovë që i paraprinë demonstratës.


Klima e krijuar pas Plenumit pati rëndësi të madhe. Në këtë kohë filloi një lidhje e bashkëpunim më i ngushtë i shqiptarëve të Maqedonisë me Kosovën. Numri i ekzemplarëve të gazetës "Rilindja" që dërgoheshin në Maqedoni në fillim u dyfishua, mandej u shumëfishua. Filloi depërtimi i madh i librave nga Kosova, në mesin e të cilëve kishte edhe botime të Tiranës. U hap libraria "Rilindja" në Tetovë. Shumë të rinj nga Tetova vinin në Kosovë për të parë pjesët teatrore, si: "Trimi i mirë me shokë shumë", "Cuca e maleve", "Shtatë shaljanët", "Plaku i maleve", etj. Më 1968, jubileu i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u bart nga Prishtina edhe në Tetovë, ndërsa që nga ky vit u bë edhe lejimi i pjesshëm i përdorimit të flamurit shqiptar, që pa dyshim ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në shtator të vitin 1968, Fadil Hoxha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, vizitoi fshatin Shipkovicë të Tetovës, ku u organizua një miting, me ç'rast foli edhe ai. Fjalimi i Fadil Hoxhës pati jehonë të madhe në rrethinën e Tetovës.


Rrethanat e tilla shoqërore-politike dhe lidhja me Kosovën ndikuan në thellimin e vetëdijes dhe i shtyu njerëzit të mendojnë më ndryshe nga ç'kishin menduar. Ata filluan t'i aktualizojnë disa çështje që kishin të bënin me barazinë kombëtare dhe filluan t'i shtrojnë më haptas problemet që i brengosnin, që, pa dyshim, do të ndikojnë drejtpërdrejt në shpërthimin e demonstratave.
www.besiana.de


Në shpërthimin e demonstratave do të ndikojë edhe ngarkesa e popullit shqiptar me një kujtesë të rëndë dhe të hidhur historike. Vrasja masive e rreth 1.200 shqiptarëve në vitin 1945 në "Monopol" të Tetovës, i cili përkohësisht shërbeu edhe si kamp përqendrimi për shqiptarët, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme. Kujtime të rënda kishin lënë edhe vrasjet e shqiptarëve anekënd Jugosllavisë gjatë vitit 1945 (në Tivar, në Dubrovnik, në Trogir, etj.). Burgosjet e shqiptarëve dhe proceset e montuara politike, të cilat filluan menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe zgjatën gjatë gjithë kësaj periudhe deri në vitet e gjashtëdhjeta, bënë ndikim të posaçëm në formimin e vetëdijes kombëtare. Burgosjet e para u bënë në vitin 1945, kur shumica e të burgosurve edhe u ekzekutuan. Në vitin 1946 u organizua gjykimi i parë i montuar në Shkup, i anëtarëve të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), kur me vdekje u dënuan Azem Morana, Mehmet Bushi dhe Skënder Morana, që të tre nga Shkupi. Dy të parët u ekzekutuan, ndërsa të tretit dënimi iu shndërrua në 20 vjet burg. Në këtë proces u dënuan edhe shumë të tjerë prej 1 deri 15 vjet burg, shumica e të cilëve ishin nga Tetova. Në vitin 1948, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, Nexhat Agolli, ministër i Arsimit, u dënua me vdekje, ndërsa i vëllai, Qemal Agolli, u dënua me burg të përjetshëm.
www.besiana.de


Në vitin 1952 pasoi një nga proceset më të mëdha politike, Grupi i Informbyroistëve Shqiptarë, me në krye arsimtarin e Shipkovicës, Sadudin Gjura, i cili u dënua me 20 vjet burg. Bashkë me të u dënuan edhe shumë të tjerë, si: Gani Luma, Sheraf Kazazi, Ismail Seiti, Vehbi Lushi, që të gjithë nga Tetova. Po këtë vit, në Tetovë, u dënuan edhe profesori Shani Mina dhe arsimtari Qerim Arifi, si edhe mësuesit Sejdi Misini dhe Hisni Abdullahu, që të dy nga fshati Sllatinë. Në vitin 1955, me 10 vjet burg, u dënuan mësuesit: Mehmetriza Murtezani - Gega, Muharrem Jusufi dhe Abdullah Kalishta, i cili më vonë do të konsiderohet edhe si ideolog i "nacionalizmit" shqiptar. Në vitin 1956, me burgim të rëndë, u dënuan disa intelektualë të atëhershëm, si: Raif Maleziu, Sylejman Arifi dhe qytetari Hysen Spahiu, që të gjithë nga Tetova, ndërsa nga Gostivari u dënuan: Adnan Agai, Sheraf Agai, Abdylazis Taravari, vëllezërit Naxhi dhe Fevaip Purdhe, etj. Në vitin 1959 u dënua mësuesi Kapllan Kallushi. Në vitin 1961 u dënua qytetari Safet Shahini dhe disa të tjerë.



MEHMETRIZA MURTEZANI, GEGA - SIMBOL I QËNDRESËS


Pas masave drakoniane të vitit 1952, Mehmetriza Murtezani -Gega, njëri nga atdhetarët më të shquar të kësaj ane, i cili nga qeveritarët maqedonas u cilësua edhe si ideolog i tërë Lëvizjes që u bë në vitin 1968, ishte mjaft aktiv. Veprimtaria e tij pas vitit 1952 u dallua, në njërën anë, në pengimin e shpërnguljes për në Turqi, e cila pas vitit 1953 mori përmasa eksodi, ndërsa në anën tjetër në pengimin e fëmijëve shqiptarë që të regjistroheshin në shkollat turke. Veprimtaria e Mehmetriza Murtezanit nuk kufizohej vetëm në Tetovë, ndonëse ai këtu jetonte dhe punonte. Ai veproi edhe në Gostivar, në Shkup, madje edhe në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Mitrovicë, në Gjilan, e në qytete të tjera, duke u përpjekur që t'i bindte njerëzit të mos shkonin në Turqi. Mirëpo, veprimtarinë propaganduese ia ndërprenë shumë shpejt organet e policisë, të cilat i ranë në gjurmë dhe, më 21 maj të vitit 1955, e kapën duke shpërndarë afishe në Hanin e Sharrit në Shkup. Përmbajtja kryesore e afisheve ka qenë: "Mos shkoni në Turqi, qëndroni në vendin tuaj!". Për këtë akt patriotik, Mehmetriza Murtezani u dënua me 10 vjet burg. I vuajti 7 vjet burg dhe u lëshua nga burgu më 1962, me amnisti të përgjithshme.


Me rastin e festës kombëtare, 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit, pikërisht në vigjilje të saj, më 27 nëntor 1967, në shtëpinë e Mehmetriza Murtezanit u mblodh një grup të rinjsh për të festuar Ditën e Flamurit.

 

Këtu, pos Mehmetriza Murtezanit, ishin të pranishëm edhe: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hysenxhevat Kalishta, Miftar Zymberi, Fehmi Rufati, Abdyselam Selami, Xhemil Mustafa, Arbër Xhaferi dhe Abdylmenaf Rustemi.

  Faik Mustafa

Gjatë asaj nate, derisa grupi këndonte këngë patriotike dhe zhvillonte biseda për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve nga pushteti maqedonas dhe ai jugosllav, për pozitën e shqiptarëve sidomos në fushën e punësimit dhe të arsimit, vajza e Mehmetriza Murtezanit, Valdetja, trembëdhjetëvjeçare, përfundoi qëndisjen e flamurit kombëtar.


Herën e fundit, grupi u takua më 27 nëntor të vitit 1968 në shtëpinë e Faik Mustafës. Në këtë takim u diskutua dhe u bë plani për organizimin e demonstratave në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë, në Shkup dhe në qytete të tjera shqiptare. Sipas këtij plani, demonstratat në këto anë do të duhej të mbaheshin në pranverën e vitit pasues dhe pikërisht në muajin maj të vitit 1969. Por, ky plan ndryshoi. Demonstratat në Kosovë u organizuan pikërisht në këtë natë, kur ky grup nuk dinte gjë fare dhe sapo kishte filluar të diskutonte për këtë çështje.


Pas shpërthimit të demonstratave në disa qytete të Kosovës, rrethanat kishin ndryshuar, andaj u shtrua si detyrë që demonstrata të tilla të organizoheshin edhe në Tetovë dhe në disa qytete të tjera, madje edhe para kohës së paraparë.
www.besiana.de


Herën e fundit, grupi u takua më 27 nëntor të vitit 1968 në shtëpinë e Faik Mustafës. Në këtë takim u diskutua dhe u bë plani për organizimin e demonstratave në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë, në Shkup dhe në qytete të tjera shqiptare në maj të vitit 1969. Por, ky plan ndryshoi meqë demonstratat në Kosovë u organizuan pikërisht në këtë natë, kur ky grup nuk dinte gjë fare dhe sapo kishte filluar të diskutonte për këtë çështje. Nga ajo natë, Grupi nuk ishte mbledhur dhe nuk kishte shqyrtuar çështjen e demonstratave, ndonëse Faik Mustafa shkëmbeu letra me Agim Jakën dhe me Ibrahim Rudin nga Gjakova, nga të cilët, gjatë muajit dhjetor 1968, mori udhëzime se si duhet të organizoheshin demonstratat dhe çfarë do të duhej kërkuar në to. Mirëpo, meqë nuk ishin bërë përgatitjet paraprake propagandistike, organizimi i demonstratave u la për më vonë.



NGJARJET QË U PARAPRINË DEMONSTRATAVE TË TETOVËS


Më 27 nëntor të vitit 1967, Shefit Pollozhani nga Struga, bashkë me Sejdi Llogën, Olloman Selën dhe Xhevat Lenën, ngritën flamurin kombëtar, shkruan parullat: “Rroftë 28 Nëntori!”, “Rroftë populli shqiptar!” dhe “Rroftë Shqipëria!”. Ky grup, në mënyrë ilegale, festoi edhe festën e 28 Nëntorit. Një vit më vonë, Festën Kombëtare e festuan edhe dy grupe të rinjsh në Gostivar: Zydi Bilalli, Shaip Bilalli dhe Naim Bilalli nga Çegrani dhe Hysen Hasani nga Forina e Gostivarit. Ata, në vigjilje të Festës Kombëtare, bashkë me disa të rinj të tjerë, u tubuan në lokalet e Shkollës Fillore, ku ngritën flamurin kombëtar dhe kremtuan këtë datë historike. Në të njëjtën natë, në fshat ishin shkruar edhe parullat me tekstin “Rroftë 28 Nëntori!”.


Një grup tjetër arsimtarësh nga Gostivari, në përbërje:

Jusuf Dalipi, Xhavit Muharremi, Ymer Ymeri, Mustafë Rushiti, Refik Dauti, Flora Muharremi dhe Jamin Nuredini, mori vendim, po ashtu, që të kremtojë 28 Nëntorin. Vendimi u mor më 27 nëntor të vitit 1968, domethënë në vigjilje të festës, dhe më 28 Nëntor. Atë ditë, para dreke, Jusuf, Dalip e Xhavit Muharremi, Imer Imeri dhe Refik Dauti, e vendosën flamurin në veturë dhe parakaluan nëpër fshatrat Gajre, Forinë dhe Çegran. Mandej u kthyen në qytet, prej ku sërish u nisën dhe shkuan në drejtim të kundërt, në fshatin Debresht. Prej aty u kthyen në Gostivar dhe, pas dreke, Jusuf Dalipi, Jamin Nuredini, Refik Dauti, Mustafë Rushiti dhe Ymer Ymeri, me flamur në veturë, shkuan në Mavrovë, 18 kilometra larg Gostivarit. Aty hynë në restorantin e “Haneve të Mavrovës” dhe vendosën flamurin mbi tavolinë. Në këtë motel qëndruan rreth një orë dhe mandej u kthyen në Gostivar, ku arritën rreth orës 18:30 minuta. Prej këtu, Xhavit Muharremi dhe Flora Muharremi, me veturë ku ishte flamuri, u kthyen në fshatin Vërtok.


Në Tetovë, pikërisht në fshatin Poroj, në nëntor të vitit 1968, dita e shkollës fillore u kremtua me emër të ri “Skënderbeu”. Kjo kremte qe madhështore, por edhe policia qe përgatitur mirë dhe pritej vetëm ndonjë ekses dhe provokim i vogël që të kalojë në veprim. Emri i kësaj shkolle ishte ndërruar me iniciativën e Beqir Berishës, ish-këshilltar i arsimit, dhe ishte realizuar me angazhimin e drejtpërdrejtë të Servet Koxhaxhikut, mësues në këtë fshat. Ndërrimi i emrit u bë me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Me iniciativën e Beqir Berishës punohej edhe në ndërrimin e emrave të dy shkollave të tjera. Në fshatin Shipkovicë kërkohej që shkolla fillore “Jeta e re” të merrte emrin “Lidhja e Prizrenit”, me rastin e 90-vjetorit të kësaj ngjarjeje, ndërsa në fshatin Grupçinë propozohej që shkollës fillore “Zheden” t’i ndërrohej emri në “Kongresi i Manastirit”, që përkonte me 60-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të gjuhës në Manastir. Derisa drejtori i shkollës së Shipkovicës, Nexhbedin Neziri, e kishte dhënë propozimin me shkrim në organet përkatëse të Komunës, drejtori i shkollës së Grupçinit, Muhamet Munishi, spiun i përbetuar i policisë maqedonase, e kishte njoftuar në mënyrë të hollësishme policinë për rrjedhën e kësaj çështjeje. Para ngjarjeve të Gostivarit dhe para demonstratave në Kosovë, në Tetovë, më 18 tetor 1968, u bë bojkotimi njëditësh i mësimit të nxënësve shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Ata kërkonin hapjen e paraleleve shqipe, propozim ky që ishte dhënë një vit më parë e që ishte përkrahur e miratuar nga Kuvendi Komunal i Tetovës Mirëpo, forcat shoviniste maqedonase e pengonin sendërtimin e tij. Këtë ngjarje, të gjithë faktorët politikë dhe shtypi jugosllav, e karakterizuan si një nga aktet më të rënda të marrëdhënieve ndërnacionale në komunën e Tetovës dhe në Republikën e Maqedonisë. Me këtë rast u formuan komisione për hetime. Në Gjimnaz erdhën delegacion pas delegacioni, u bënë mbledhje pas mbledhjeje, por synimi pjesërisht u realizua. Kërkesa e nxënësve për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe u plotësua vetëm pas dy ditësh. Më 20 tetor filloi punën paralelja shqipe.



INCIDENTI ME FLAMURIN DHE PROVOKATORI MAQEDONAS


Në muajin nëntor të vitit 1968, Kuvendi Republikan i Maqedonisë, formalisht, kishte miratuar përdorimin e “lirë” të flamujve të kombësive, ky hynin edhe shqiptarët. Meqë flamuri nuk u ngrit dhe nuk u përdor askund gjatë festës së 29 Nëntorit – “Ditës së Republikës së Jugosllavisë”, shqiptarët filluan të blejnë flamuj nëpër shitore dhe të përgatiteshin t’i përdornin gjatë kremtes fetare – Bajramit, që ishte afër.


Në mbrëmjen e 19 dhjetorit, në vigjilje të kremtes së Bajramit, flamujt shqiptarë u ngritën në disa xhami të qytetit të Tetovës. Në Xhaminë e Sahatit, e cila gjendet në qendër të qytetit, flamurin në minare e vendosi Murtezan Murtezani, vëllai i Mehmetriza Murtezanit – Gegës, personalisht me porosi të të vëllait.


Në Xhaminë e Vjetër (Eski Xhamia), flamurin e vendosi Abdullah Jusufi. Ndërsa, në Xhaminë e Pashës, flamurin e ngriti Haqif Ferati. Flamuri u ngrit edhe në disa shtëpi private dhe në disa dyqane. Masa për këtë ishte përgatitur nga Mehmetriza Murtezani – Gega. Ai, në Xhaminë e Sahatit, më 28 Nëntor, i foli masës për këtë festë, duke i propozuar masës të bëjë lutje për dëshmorët e atdheut.
www.besiana.de


Maqedonasit ishin revoltuar me ngritjen e flamujve shqiptarë gjithandej qytetit të Tetovës, prandaj përgatitën një skenar provokues. Në orët e mbrëmjes, të datës 22 dhjetor 1968, shovinisti maqedonas, Sreçko Janeski, grisi flamurin kombëtar, të ngritur në dyqanin e Ismail Spahiut, në qendër të qytetit. Njerëzit që ishin aty pranë reaguan kundër këtij provokatori. Masa filloi të tubohet dhe të bëhet gjithnjë më e madhe. Provokatori, Sreçko Janeski, nxori revolen dhe ia drejtoi masës duke u zmbrapsur në lokalet e “Hotel Makedonija”. Protestuesit shqiptarë thyen xhamat e hotelit dhe u futën në lokalet e tij, por së shpejti arriti policia, e cila e mori në mbrojtje provokatorin shovinist. Më të dalluarit në këtë reagim ishin mjekët Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, si dhe arsimtarët Selajdin Hyseini dhe Abdullah Kalishta.



PROTESTA U SHNDËRRUA NË NJË DEMONSTRATË TË FUQISHME
www.besiana.de


Të nesërmen, më 23 dhjetor, protesta u shndërrua në një demonstratë të fuqishme. Organizatorë të saj të drejtpërdrejtë ishin: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Ismail Emini dhe Hysniqemal Merxhani, të cilët shkruan parullat dhe dhanë kushtrimin për fillimin e demonstratës. Ndër parullat kryesore ishin: “Rroftë Fadil Hoxha!”, “Poshtë shovinizmi maqedonas!”, “Kërkojmë hapjen e Universitetit të Kosovës!”, “Kërkojmë përdorimin e lirë të flamurit kombëtar!”, etj. Diçka para orës 11:00, demonstruesit ishin tubuar para dyqanit të provokatorit Sreçko Janeski. Masa ishte bërë shumë e madhe. Ndërkohë kishin ardhur edhe shumë fshatarë nga rrethina e Tetovës, në tubimin e të cilëve kishin kontribuar në mënyrë të posaçme Sali Bakiu nga Reçica dhe Ismail Saliu nga Gradeci. Demonstrata filloi në orën 11:00. Me angazhimet e tyre, në mënyrë të veçantë, u dalluan: Sejfullah Zylbeari, Jakup Leka, Hamit Saliu, Nexhbedin Neziri, Neshat Zylbeari, Gafur Zylbeari, etj. Demonstruesit u nisën nga qendra e qytetit të Tetovës.
www.besiana.de


Së pari iu drejtuan selisë së Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste, në ndërtesën e të cilit u futën demonstruesit, duku hyrë madje edhe nëpër zyrat e tij. Këtu u dallua në mënyrë të veçantë nxënësi i gjimnazit, Hamit Saliu, i cili e shpaloi flamurin kombëtar në dritaren e një zyre në katin e tretë të Komitetit të Partisë Komuniste. Prej këtu demonstruesit u kthyen në qendër të Tetovës dhe prej atje iu drejtuan Sekretariatit për Punë të Brendshme, UDB-së, duke kaluar gjithnjë nëpër rrugët kryesore të qytetit. Para ndërtesës së UDB-së demonstruesit qëndruan një kohë të gjatë duke kërkuar lirimin e të burgosurve, sepse demonstruesit ishin informuar se, tashmë, ishin të burgosur shumë shqiptarë. Demonstruesit, sërish, u kthyen në qendër të qytetit, ku qëndruan një kohë të gjatë duke brohoritur parulla për barazi kombëtare. Në orët e vona të pasdites, në qendër të qytetit, ishte tubuar një masë e madhe prej më se 20.000 vetash, e që shtohej gjithnjë. Krahas masës filluan të vijnë edhe përforcime të policisë speciale nga Shkupi dhe nga qytetet e afërme, të cilët e bënë masën e demonstruesve gjithnjë më të padurueshme dhe më agresive.


Në atmosferën e këtij entuziazmi të madh të demonstruesve, kur në qendër të qytetit dëgjoheshin vetëm brohoritje të ndryshme, djaloshi 20-vjeçar, Shifajet Fetahu, hipi në shtyllën gjashtë metra të lartë metalike dhe e ngriti flamurin kombëtar, për të parën herë që kur kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Ngritja e flamurit para kësaj mase të madhe njerëzish qe akti kulmor i kësaj demonstrate. Pas pak kohe, një i porositur nga ana e qeverisë maqedonase, u paraqit në një dritare të një ndërtese dhe nëpërmjet megafonit iu kërcënua masës se brenda disa minutash do të fillojë ora policore dhe intervenimi i policisë. Demonstruesit reaguan rreptë, por, pas disa minutash, meqë demonstruesit e kishin bërë të veten, filluan të largohen dhe në këtë mënyrë përfunduan demonstratat dyditëshe, më 22 dhe 23 dhjetor 1968, në Tetovë.

 

Me qëllim të marrjes së masave sa më të rrepta kundër shqiptarëve, të shtimit të terrorit shtetëror, si dhe të kthimit të situatës parabrioniane në Kosovë dhe në të gjitha viset e tjera shqiptare, qeveritarët maqedonas glorifikuan shumë qëllimin e demonstratave. Ata demonstratat i paraqitën si "armiqësore" e më kërkesa irredentiste për bashkim vertikal të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën dhe me Shqipërinë. Me qindra shqiptarë u burgosën dhe u dënuan me kundërvajtje, ndërsa 54 veta u dënuan me dënime mbi një vjet burg të rëndë.


Përkundër faktit se dënimet ishin shumë të rënda, maqedonasit planifikonin edhe dënime me vdekje dhe shumë dënime me burg të rëndë mbi dhjetë vjet. Mirëpo, situata ndërkombëtare dhe pozita që gëzonte atëherë Jugosllavia, e bënë të veten. Maqedonasit, në këto rrethana dhe në këtë situatë, qenë të detyruar të kënaqen edhe me vetëm një dënim maksimal prej shtatë vjetësh, që ia shqiptuan atdhetarit të njohur, Mehmetriza Muretezanit - Gega.


Shtypi maqedonas i dha publicitet shumë të madh demonstratave, në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e opinionit jugosllav kundër shqiptarëve, por kjo u kthye si bumerang kundër vetë maqedonasve, për arsye se çështja shqiptare filloi të dalë para opinionit ndërkombëtar. Maqedonasit nuk patën mundësi ta ndryshonin situatën as në Kosovë. Përkundrazi, me përfundimin e gjykimeve në Kosovë, ku dënimi më i lartë qe 5 vjet, maqedonasit u gjetën në një situatë të vështirë dhe nuk dinin se si të arsyetonin numrin e madh të të burgosurve politikë.


NDJEKJET DHE BURGOSJET E VEPRIMTARËVE NË TETOVË DHE VISET E TJERA


Pos burgosjeve masive në Tetovë, u burgosën shumë veprimtarë edhe në Strugë, në Shkup, në Gostivar, në Kërçovë, etj., madje edhe ata që nuk kishin pasur kurrfarë lidhjesh me demonstratat. Kështu, për shembull, në Shkup u burgos dhe u dënua Sejdi Kryeziu, me 5 vjet burg, gjoja se ka bërë "propagandë armiqësore" për shkëputjen e Maqedonisë Perëndimore dhe për bashkim me Shqipërinë, ndërsa Inajet Bariu u dënua me një vit burg, po për "propagandë armiqësore". Në Strugë u burgosën dhe u dënuan: Irfan Vlashi, me 6 vjet burg për "diversion"; Tosun Roçi, me 5 vjet burg; mandej Suria Qura, në Kërçovë; Sali Ramadani, etj.


Për dënimin e intelektualëve shqiptarë anekënd Maqedonisë, që ishin në sy të burokracisë shoviniste maqedonase, gjyqet shfrytëzuan edhe disa dëshmitarë që u shërbyen me gënjeshtra. Për dënimin e grupit të Mehmetriza Muretazanit - Gegës, para gjyqit dolën 103 dëshmitarë, prej të cilëve vetëm 3 veta dëshmuan në favor të aktakuzës. Për dënimin e grupit të Gostivarit dëshmuan 62 veta, por përgjithësisht në favor të të akuzuarve. Si dëshmitarë më të rrezikshëm, që dëshmuan në favor të aktakuzave dhe që u shërbyen kryesisht me gënjeshtra, ishin mësuesit: Jakup Haliti nga fshati Dobrosht i Tetovës, Muhamet Munishi nga Tetova, vëllezërit Sadik Sadiku dhe Taip Emini nga fshati Pirok, si dhe Nuhi Besimi, po ashtu nga fshati Pirok.  Demonstratat e Tetovës aktualizuan çështjen e flamurit kombëtar shqiptar në nivel të federatës jugosllave dhe së shpejti u miratua vendimi që ai të përdoret zyrtarisht në të gjitha festat, ndonëse këtë vendim Maqedonia nuk e përfilli deri në vitin 1975. Ato, më tutje, ngritën vetëdijen kombëtare, shtuan interesimin për shkollim dhe aktualizuan çështjen e pazgjidhur shqiptare, si në nivel të vendit, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Ky qe një bumerang për maqedonasit, të cilët, përgjithësisht, me masat drakoniane kundër shqiptarëve, u treguan si politikanë të rangut të ulët dhe e humbën luftën politike.



NË ULQIN, PUSHIMET U SHNDËRRUAN NË DEMONSTRATË

www.besiana.de
Në fund të vitit shkollor 1968/1969, në shkollën tetëvjeçare të Tërstenikut, arsimtarët dhe drejtori vendosën që maturantët të cilët kishin kryer klasën e tetë të mos i dërgojnë në udhëtim nëpër Jugosllavi, siç ishte zakon në atë kohë, por tërë kohën të qëndrojnë në qytetin tonë të bukur të bregdetit, në Ulqin. Të udhëhequr nga drejtori i shkollës, Kamer Rukiqi, dhe arsimtarët: Mehmet Rukiqi, Islam Dobra dhe Ymer Kastrati, këta të rinj u vendosën në një ndërtesë të përbashkët në qendër të Ulqinit. Pas larjes në ujët e detit dhe pas rrezitjes në plazhin e bukur të Ulqinit që bënin këta nxënës dhe arsimtarët e tyre, për çdo mbrëmje këndonin dhe u binin instrumenteve me zë të ëmbël, çiftelisë dhe sharkisë. Kështu, këta të rinj dhe arsimtarët e tyre i kalonin ditët e pushimit në Ulqin, kurse interesimi i ulqinakëve rritej për çdo mbrëmje duke i shoqëruar, siç thoshin ata, vëllezërit kosovarë, në ndejat që shpesh përfundonin në orët e vona të natës. Këtu këndoheshin këngë për Skënderbeun, për Bajram Currin, për Azem Bejtën, për Dedë Gjo Lulin, për lirinë, e të ngjashme me këto.


Këngët e bukura të drenicasve i kishin ndezur shpirtrat e shumë ulqinakëve. Kështu, një ditë të bukur, kur po ktheheshin drenicasit e vegjël për në Kosovë, kishin dalë shumë ulqinakë për t'i përcjellë. Dikush duke i rënë instrumenteve popullore, dikush duke kënduar, dikush duke brohoritur parulla patriotike, dikush duke bartur në ballë flamurin kombëtar. Kjo ishte një skenë që kaherë nuk e kishte përjetuar Ulqini, i njohur gjatë historisë sonë të lavdishme për trimëri dhe për bujari. Duke vërejtur këtë situatë, pushteti malazias intervenoi brutalisht duke shpërndarë popullin e tubuar në një demonstratë të qetë e paqësore, ku ishin dëgjuar kërkesa publike për të drejta sociale dhe për të drejta kombëtare të shqiptarëve.


Pas kthimit të drejtorit, të arsimtarëve dhe të nxënësve në vendlindje, filluan ndjekjet dhe persekutimet ndaj të gjithëve, sidomos ndaj drejtorit dhe arsimtarëve që i kishin shoqëruar nxënësit në Ulqin. Edhe në Ulqin dhe në nivel të Malit të Zi u ngrit shumë pluhur për këtë demonstratë paqësore të shqiptarëve. Për këtë u bënë shumë mbledhje të Lidhjes së Komunistëve, ku u dënua rreptësisht ky "akt armiqësor nga pozitat shqiptaromëdha". Për këto demonstrata shkroi edhe gazeta "Pobjeda" e Titogradit (tash Podgoricë) dhe "Veçernje novosti" e Beogradit. Për këtë ngjarje u bë fjalë edhe në Televizionin e Malit të Zi, më 17.06.1969. Pas demonstratave në shumë qytete të Kosovës dhe në Tetovë, demonstrata e Ulqinit i dha, kështu, demonstratave të vitit 1968 kuptimin dhe karakterin gjithëkombëtar të shqiptarëve të robëruar nga pushteti jugosllav.



Në demonstratat e vitit 1968, në Kosovë dhe në Maqedoni, dhe në vitin 1969, në Mal të Zi, në mënyrë plebishitare, populli shqiptar që jetonte në këto troje me shekuj, bëri me dije se nuk pajtohet me statusin e imponuar politik në Jugosllavi pas vitit 1945. Në këto demonstrata gjithëpopullore, në të cilat morën pjesë të gjitha shtresat shoqërore, të gjitha moshat e popullsisë dhe, pothuaj, në të gjitha territoret e banuara me shqiptarë, mund të thuhet lirisht se u shprehën unanimisht që shqiptarët në ish-Jugosllavi duan të gëzojnë të gjitha të drejtat që kanë edhe popujt e tjerë. Pra, të gëzojnë të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare, të drejtën të trajtohen si komb e jo si kombësi, të drejtën e vetëvendosjes dhe të kenë shtetin e tyre, Republikën në kuadër të Jugosllavisë, si hap cilësor, dhe si parakusht, drejt bashkimit kombëtar me shtetin amë - Shqipërinë. Mund të thuhet, prandaj, se demonstratat e vitit 1968 ishin plebishit, përkatësisht një referendum për kërkesat e shqiptarëve jashtë shtetit amë.


Burokracia shqiptare, e cila nuk kishte shkuar deri në fund gjatë diskutimeve kushtetuese dhe kishte kapitulluar para presioneve që bëheshin me të madhe, qoftë nga nivelet e Republikës së Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, qoftë nga nivelet e Jugosllavisë, pas demonstratave, bëri gara të villte sa më tepër helm ndaj organizatorëve të demonstratave dhe në përgjithësi ndaj demonstratave.



SHTYPI JUGOSLLAV PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1968


Shkrimet e botuara në shtypin jugosllav, duke e përfshirë edhe atë që botohej në Kosovë, i cili dallonte nga shtypi i Beogradit vetëm për faktin se ai fliste shqip, si dhe lajmet që transmetoheshin në radio dhe televizion, kryesisht ishin artikuj të Agjencisë Telegrafike të Jugosllavisë, TANJUG. Pra, nuk kishte shkrime ku njoftohej për rrjedhat e demonstratave, nuk kishte informata rreth kërkesave të vërteta të demonstruesve, nuk kishte komente të ndryshme dhe analiza nga do të shiheshin këndvështrimet e analistëve për këto ngjarje. Ato shkrime karakterizoheshin nga një gjuhë e ashpër diskualifikuese  dhe me fyerje të llojeve më të ndryshme. Me një fjalë, nga shtypi jugosllav dhe nga mjetet e tjera të informimit nuk mund të kuptohej asgjë për demonstratat kosovare të vitit 1968. Ato shkrime, pa përjashtim, dezinformonin dhe krijonin huti në opinionin e gjerë lexues.
www.besiana.de


 Të vetmen gjë që shtypi jugosllav dhe mjetet e tjera të informimit e bënin me kujdes dhe me saktësi, ishin njoftimet nga proceset gjyqësore që organizoheshin ndaj organizatorëve të demonstratave të vitit 1968, si dhe për dënimet drakoniane që shqiptoheshin kundër shqiptarëve. Shtypi jugosllav dhe ai kosovar ishin të kujdesshëm të mos lëshonin pa njoftuar opinionin për këto gjykime, duke filluar nga gjykatat komunale për kundërvajtje, gjykatat komunale, gjykatat e qarkut e deri te Gjyqi Suprem i Kosovës. Këto raporte nga gjykatat e niveleve të ndryshme bëheshin me qëllim që të frikësohej popullata dhe të krijonte pasiguri te qytetarët, nga njëra anë dhe të krijonte përshtypjen para opinionit botëror se, ja, me çfarë armiqsh ballafaqohet pushteti socialist jugosllav, në anën tjetër. Kështu veprohej që pushteti jugosllav të merrte bekimin edhe para faktorit të jashtëm për ndëshkimet drakoniane që shqiptoheshin kundër demonstruesve paqësorë në viset shqiptare nën administrimin jugosllav, për çka demonstruesit e tjerë në Beograd dhe në Zagreb, si dhe ata në Berlin, në Londër, në Romë, në Paris dhe gjithandej Evropës, ose ishin dënuar me ndonjë muaj burg ose nuk ishin dënuar fare.


 

SHTYPI BOTËROR PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1968

www.besiana.de
Nga ana tjetër, shtypi dhe agjencitë telegrafike botërore i kushtuan rëndësi të veçantë këtyre demonstratave. Kështu, një ditë pas demonstratave në Prishtinë, në Besianë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Mitrovicë, pra më 28 nëntor 1968, agjencia telegrafike amerikane ASOSHIETED PRESS, ndër të tjera, duke informuar për zhvillimet e demonstratave në Kosovë përmes kumtesës së agjencisë jugosllave TANJUG, që ajo lëshoi pas demonstratave, thekson: "Derisa në kumtesë nuk theksohet se kush i organizoi demonstratat, vrojtuesit e këtushëm besojnë se inspiratorët e këtyre demonstratave janë pakica shqiptare në këtë krahinë, një pjesë e të cilëve vepron për bashkim me Shqipërinë". Edhe agjencia tjetër amerikane, UPI, në lajmet e 28 nëntorit 1968, ndër shkaqet e organizimit të demonstratave kosovare, thekson: "Si duket, prapa kësaj qëndron rryma e fortë e ndjenjave nacionaliste për Shqipërinë".

 

  Gazeta prestigjioze franceze "Le Mond", në njoftimin e korrespondentit të saj nga Beogradi, më 28 nëntor 1968, përveç të tjerash, shkruan: "Shqiptarët në këtë krahinë janë shumicë dhe kërkojnë revidimin e Kushtetutës, me krijimin e Republikës shqiptare të barabartë me republikat e tjera federale jugosllave".


 Edhe gazetat gjermane: "Zidojçe Cajtung" dhe "Frankfurter Rundshau", duke iu referuar korrespondentëve të tyre nga Beogradi, apostrofuan, ndër të tjera, se demonstruesit kanë kërkuar bashkimin e kësaj krahine me Shqipërinë. Gazeta tjetër gjermane, "Frnakfurter Algemajne", po ashtu më 28 nëntor 1968, përveç të tjerash, shkruan: "Këto demonstrata deri më tani janë shenja më e fuqishme e alarmit të Krahinës në të cilën vazhdimisht po vjen deri te shqyrtimet nacionale rreth kërkesës për atdhe të vet".


 Shtypi austriak, ndërkaq, i jep publicitet të jashtëzakonshëm demonstratave të vitit 1968 në gazetat e saj, siç janë: "Di prese", "Arbajter cajtung", "Folkshtime", "Noje cajt", etj. Korrespondenti i gazetës "Noje Cajt", Hari Shajle, i cili raportonte nga Beogradi për demonstratat, shkrimin e tij e titulloi: "Kryengritja e shqiptarëve në Jugosllavi kundër Beogradit". Gazeta tjetër austriake, "Di prese", e datës 9 dhjetor 1968, në shkrimin e korrespondentes së saj nga Beogradi, Kristin fon Kol, e cila duke komentuar kërkesën e demonstruesve që Kosova të bëhet Republikë, thotë: "Në lidhje me këtë, fjala është për republikën e shtatë brenda federatës jugosllave, e nga ana tjetër për thirrjen e të drejtës për vetëvendosje, për republikën e pavarur, e cila do t`i bashkohej Shqipërisë...". Pas demonstratave të Tetovës, të cilat u zhvilluan më 23 dhe më 24 dhjetor 1968, vazhduan shkrimet e agjencive të ndryshme botërore, duke i kërkuar arsyet e vazhdimit të demonstratave në territoret e banuara shqiptare nën okupimin e Jugosllavisë. Kështu, gazeta gjermane e Munihut, "Zidojçe Cajtung", në shkrimin e 27 dhjetorit 1968, shkroi: "Krijimi i Kosovës në Republikë të pavarur do të nënkuptonte prishjen e federalizmit jugosllav, sepse nëse një pjesë e Maqedonisë do t`i bashkohej Kosovës, një ditë do t`u jepej mundësia që republika e zmadhuar e Kosovës të bashkohej me Shqipërinë".


Shtypi dhe agjencitë telegrafike botërore, përkundër referimeve që mbështeteshin edhe në vlerësimet e atëhershme të propagandës së fuqishme jugosllave, me shkrimet e tyre ndikuan në sensibilizimin dhe në internacionalizimin në nivel të panjohur deri atëherë të çështjes së pazgjidhur të Kosovës dhe të viseve të tjera nën okupimin e Jugosllavisë. Çështja shqiptare, përmes demonstratave të vitit 1968, u ngrit në çështje të hapur dhe që kërkonte zgjidhje për të mos mbetur nën mëshirën e pansllavizmit.
www.besiana.de


Përkundër propagandës së shfrenuar të Jugosllavisë që organizatorët e demonstratave të vitit 1968 të paraqiteshin si "të manipuluar nga qarqe të jashtme", që të ngjyroseshin me ngjyra ideologjike dhe si "dorë e zgjatur e propagandës subversive të shteteve armiqësore", megjithatë, në shkrimet e shtypit botëror askund nuk thuhej se grupet dhe organizatorët e demonstratave shqiptare të ishin cilësuar me epitete ideologjike "grupe marksiste-leniniste", si preferohej nga shtypi jugosllav dhe nga strukturat e burokracisë politike në Kosovë. Pra, shtypi botëror, demonstratat e vitit 1968 në Kosovë nuk i shihte me dioptrinë ideologjike, por i analizonte drejt si reflektime të një rruge historike të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera të Jugosllavisë drejt pavarësisë dhe ribashkimit me shtetin amë.


Me gjithë faktin se demonstratat e vitit 1968 ishin gjithëpopullore, ku populli shqiptar në mënyrë plebishitare bëri me dije se nuk pajtohet me statusin e imponuar politik në Jugosllavi pas vitit 1945, por don të gëzon të gjitha të drejtat që kanë edhe popujt e tjerë, burokracia shqiptare, e cila kishte kapitulluar para presioneve të niveleve republikane e federative, zbrazi helm ndaj demonstratave dhe organizatorëve të tyre. Kështu, Mahmut Bakalli, sekretar i Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës, disa ditë pas demonstratave të 27 nëntorit 1968, në telegramin që ia dërgoi Titos me këtë rast, përveç të tjerash, shkruante: "Me gjithë përpjekjen e disa elementëve ekstremistë, shovinistë dhe reaksionarë, që ta shkatërrojnë bashkimin dhe vëllazërimin tonë dhe t'u shkaktojnë goditje përpjekjeve tona dhe proceseve të cilat po zhvillohen në shoqërinë tonë vetëqeverisëse - ne edhe në këtë rast kemi dalë unikë dhe të fortë dhe të bindim Ty, i dashuri shoku Tito, se ne komunistët, klasën punëtore dhe të gjithë njerëzit punues të Prishtinës - shqiptarët, serbët, malazeztë dhe turqit, askush s`mund t`i ndalë nga rruga që Ti na ke treguar, se nuk mund të na pengojnë kurrfarë pengesash dhe vështirësish dhe, si çdo herë deri tash, do të jemi unikë dhe të vendosur që t`i mundim armiqtë tanë klasikë dhe të tjerët, nacionalistët dhe shovinistët e të gjitha llojeve dhe të të gjitha ngjyrave". Pra, pas demonstratave vazhdoi satanizimi i organizatorëve nga ana e udhëheqësve shqiptarë në të gjitha nivelet, duke filluar nga ai komunal, krahinor, republikan e federativ. Kështu, Veli Deva, sekretar i Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, duke bërë përpjekje që domosdo të gjejë "fajtorin" për organizim të këtyre ngjarjeve te udhëheqja e Shqipërisë, thotë: "Pozitat shqiptaro-shoviniste dhe shqiptaro-reaksionare pandërprerë kanë marrë orientim ideo-politik nga propaganda e jashtme. Por propaganda nga Shqipëria është më e afërmja".


Ndonëse në asnjë parullë të brohoritur, në asnjë parullë të shkruar në transparente, dhe as në fjalimin e lexuar në demonstrata nuk fyhet asnjë komb në Jugosllavi, nuk shprehet asnjë urrejtje ndaj asnjë populli dhe nuk tregohet as më e vogla ndjenjë e shovinizmit, Orhan Nevzati, anëtar i Komitetit Republikan të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, thotë:

 

"Ky reaksion kurrë nuk ka pasur lidhje me interesat e popullit shqiptar, as që ka luftuar ndonjëherë për të mirën e tij. Ai, popullit shqiptar i ofron flamurin nacionalist në vend të atij nacional, shovinizmin në vend të internacionalizmit, mostolerancë ndaj kombeve të tjera në vend të bashkimit dhe vëllazërimit". Ndërkaq,  Ali Shukriu, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, përveç tjerash, thotë se "këto demonstrata, për nga karakteri, për nga ajo kush është organizator i tyre, për nga esenca e tyre, politike dhe ideore, armiqësore, nuk janë gjë e rastit, sepse aksione të armiqve të socializmit, rregullimit të sistemit tonë, kemi pasur edhe më herët në Kosovë e Metohi".  


Duke pasur për bazë edhe këto mendime dhe vlerësime që burokracia shqiptare, nga nivelet komunale, krahinore, republikane dhe federative, iu jepte këtyre ngjarjeve, Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, në muajin shkurt të vitit 1969, demonstratat gjithëpopullore i vlerësoi kështu:


"Demonstratat e Kosovës dhe të Tetovës bëjnë pjesë në radhën e sulmeve nacionaliste dhe reaksionare ndaj socializmit, ndaj sistemit tonë shoqëror... Organizatat e Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, në RS të Serbisë dhe në RS të Maqedonisë, me përgjegjësi  kanë vlerësuar se organizatorët e këtyre turbullirave kanë për qëllim të mbjellin përçarje në mes popullsisë shqiptare dhe popujve serb, maqedonas, malazez dhe kombeve të tjera në Jugosllavi, që ta pamundësojnë politikën e barazisë dhe lidhjeve ndërnacionale në bazat e vetëqeverisjes".



VITI 1968 - VIT I KTHESAVE TË MËDHA NË EVROPË DHE NË KOSOVË



Po si i përjetuan demonstratat qytetarët e zakonshëm të Kosovës? Mbase më së miri flet teksti i kësaj kënge që populli ia kushtoi demonstratave:


"Vjeshtë e parë gjashtëdhjetë e tetë

S'do t'harrohet kurrë për jetë.

Atje poshtë te Fakulteti

U ndie zëri i një studenti.

Atje poshtë te do ura

Po dëgjohen shumë parulla.

Brohorasin hiç pa frikë:

'Rroftë Kosova REPUBLIKË!"

www.besiana.de

Duke analizuar orientimin majtist, me fytyrë të re, të lëvizjeve politike në vitin 1968 në shtetet e ndryshme të Evropës, Adam Mihnik, konstaton: "E vërteta, komunizmi ishte atraktiv për shumë arsye, njëra prej të cilave ishte edhe ideja për një drejtësi të përgjithshme dhe të marrëdhënieve më njerëzore në shoqëri, një kundërpërgjigje ndaj krizës shpirtërore të pas Luftës së Parë Botërore, dhe më vonë të gjenocidit nazist; dhe një besim që mbizotërimi i Perëndimit po e arrinte fundin. Së fundi, në një botë të ndarë nga Jalta, komunizmi për disa ishte zgjidhja e vetme për Evropën Qendrore". Përderisa në shtetet demokratike të Evropës Perëndimore, si në Gjermaninë Perëndimore, në Francë, etj., si dhe në shtetet e Evropës Lindore të cilat ishin anëtare të Traktatit të Varshavës, të komanduara dhe të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik, siç ishin Plonia, Çekosllovakia, etj., nga ana e të cilave po bëheshin "eksperimente" të ndryshme për të gjetur rrugën më të mirë dhe më të drejtë për ndryshimet politike-shoqërore në vendet e tyre, nga ana tjetër, në Kosovë dhe në viset e pushtuara shqiptare, të cilat vazhdonin të ishin nën administrimin e Jugosllavisë, çdo gjë ishte e kristalizuar dhe e qartë. Shqiptarët, në territoret e tyre etnike jashtë Shqipërisë londineze, e kishin një kërkesë bosht: të drejtën për vetëvendosje. Andaj, mu për këtë, Lëvizja politike e shqiptarëve në vitin e madh 1968 është aq e kristalizuar dhe aq konkrete.


Duke shkruar për demonstratat e vitit 1968, historiania Ana Lalaj, konstaton: "Demonstratat e nëntorit të vitit 1968 u dëshmuan pushtetarëve serbë se po niste rrugën e vet edhe një lëvizje e organizuar ilegale, e gatshme për t'i dhënë shtytje të re Lëvizjes Kombëtare në çdo moment ndalimi, tërheqjeje apo depresioni. Në këtë kuptim, ato sollën mesazhin se shqiptarët e Kosovës për të realizuar aspiratat e tyre kombëtare kishin rrugë të gjatë për të bërë dhe se duhej të organizoheshin më mirë e të sakrifikoheshin më shumë". 



MBËSHTETJA E NDRYSHIMEVE TË MËTEJSHME

www.besiana.de
Viti 1968 është i njohur si vit i vlimeve dhe i trazirave studentore në botë, të organizuara nga lëvizja studentore e të majtës së re dhe kishin karakter, përgjithësisht, social. Domethënë, synonin të përmbysnin rendin ekzistues shoqëror. Ndërkaq, Lëvizja studentore shqiptare, e cila po atë vit organizoi demonstratat shqiptare, kishte karakter kombëtar, karakter të çlirimit nacional dhe të rezistencës kundër robërisë shumëvjeçare serbo-jugosllave. Lëvizja studentore shqiptare kishte qëllime, synime e vizione të qarta dhe e kishte të qartë detyrën e saj parësore. Andaj, ajo mund të simpatizonte lëvizjen studentore botërore, siç simpatizonte çdo lëvizje përparimtare dhe nacionalçlirimtare në botë, por rrugën e saj revolucionare e nacionalçlirimtare ia trasonin grupet e veta politike patriotike ilegale e gjysmë-ilegale, të cilat vepronin në gjirin e saj në mënyrë të organizuar dhe të ndërgjegjshme.


Rinia studentore shqiptare më 1968 doli në ballë të një Lëvizjeje gjithëpopullore kombëtare, i artikuloi drejt kërkesat e saj dhe i mbrojti me guxim në demonstrata, në një kohë që në Jugosllavi zhvillohej një luftë e pandërprerë ndërmjet forcave decentralizuese kroato-sllovene dhe forcave unitare serbomëdha, të cilat kishin humbur një betejë në Plenumin e Brioneve, por nuk mendonin se kishin humbur edhe krejt luftën. Kjo luftë, ndërmjet këtyre dy rrymave rivale në Jugosllavi, krijoi një "intermexo" liberale edhe në Kosovë, të cilën Lëvizja e rezistencës shqiptare e shfrytëzoi për të kërkuar që popullit shqiptar t'i njihet statusi i kombit, t'i njihet e drejta për vetëvendosje deri në shkëputje dhe që Kosovës t'i njihet statusi i republikës. Demonstratat bënë jehonë të madhe në Kosovë, në Shqipëri, në Jugosllavi dhe në botë. Rezultat i drejtpërdrejtë i demonstratave të vitit 1968 është:


1. Emërtimi i drejtë dhe historikisht i qëndrueshëm për Kosovën në vend të emërtimit të deriatëhershëm "Kosovë e Metohi";


2. Lejimi definitiv i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë dhe më gjerë;


3. Hapja e Universitetit të Prishtinës;


4. Afirmimi dhe aktualizimi i çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare; dhe,


5. I paraprinë dhe i shpejtuan ndryshimet kualitative të pozitës së Kosovës me Kushtetutën e vitit 1974.


Arritja më e madhe e këtyre demonstratave studentore është se nxitën zgjerimin e Lëvizjes së Rezistencës më të organizuar shqiptare kundër robërisë serbo-jugosllave. Shumë veprimtarë dhe militantë, që kishin qenë pjesëmarrës aktivë të demonstratave, u bënë nismëtarë dhe organizatorë të grupeve dhe të organizatave ilegale, të cilat do të zhvillojnë veprimtari patriotike gjatë gjithë viteve të shtatëdhjeta dhe kështu do të ngrenë Lëvizjen e Rezistencës në një shkallë të lartë kombëtare dhe do të përgatisin Epokën e 1981-shit.


 Zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë gjatë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur kontinuitet  të pandërprerë dhe ritme gjithnjë më të shpejta. Ngjarjet historike, që shënojnë këtë zhvillim dhe këto ritme, janë shpejtuar duke përgjysmuar periudhën midis tyre. Në qoftë se nga Kryengritja e armatosur shqiptare më 1944-1945 deri te demonstratat e vitit 1968 u deshën 24 vjet, nga këto të fundit e deri te ato të vitit 1981, u desh vetëm gjysma e kësaj periudhe. Nga zhvillimet e viteve 1981-1984 e deri te demonstratat e vitit 1988-1989, u përgjysmua edhe njëherë distanca, kurse nga zhvillimet e viteve 1989-1992, deri te formimi i formacioneve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u deshën vetëm dy vjet distancë.


 
PS: Fusnotat janë hequr për shkak të natyrës së gazetës
www.besiana.de

  Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 



 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!