8 NËNTORI 1941 DITA E THEMELIMIT TË PARTISË KOMUNISTE TË SHQIPËRISË

(Pjesë nga libri i Enver Hoxhës «Kur lindi Partia» seria e kujtimeve të shkruara gjatë viteve 1975-1976)

 

 

....“Pas gjithë këtyre i erdhi radha çështjes se fundit: zgjedhjes së Komitetit Qendror. Fillimisht shokët ranë dakord me propozimin që u bë, që ky Komitet që do të zgjidhnim të ishte i përkohshëm gjer në thirrjen e një konference të Partisë të vendit. Po kush do të zgjidhej? Ky nuk ishte një problem i thjeshtë po të kihet parasysh që në Mbledhje merrnin pjesë krerë të ish-grupeve, nga ata që gjithnjë kishin pretenduar për të qëndruar në krye të gjithçkaje. Domosdo, qejfi do t'ua kishte të ishin përsëri në »kryesinë» e Partisë së re. Aq më shumë, cili kryetar i ish-grupeve do të ishte »kryesori» në krye të Komitetit Qendror?

 

- Lindi Partia Komuniste e Shqipërisë, por mjegulla e ish-grupeve nuk ishte e nuk mund të ishte zhdukur kaq shpejt nga mendja e ndërgjegjja e anëtarëve të tyre. Prandaj, shumë shokë, mes tyre dhe unë, kishim mendimin që me çdo kusht ish-krerët e grupeve të mënjanoheshin nga udhëheqja. Ky vendim do të kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për unitetin e udhëheqjes së Partisë së porsakrijuar, rrjedhimisht edhe për gjithë Partinë.

 

Pikërisht se gjykuam kështu, prandaj me çdo kusht duhej gjetur mënyra për t'i mënjanuar krerët. Për këtë edhe mundësitë ekzistonin. Veç periudhës para Mbledhjes, sidomos 6-7 ditët e debateve në Mbledhje, ua kishin nxjerrë kallajin krerëve, ata ishin goditur më rëndë se kushdo, qenë ngarkuar me përgjegjësi për -dobësitë e mëparshme në lëvizjen komuniste në Shqipëri.

 

Këtu bëri një ndërhyrje të zgjuar Miladini, në rolin që kishte luajtur si arbitër në mes grupeve, dhe tha:

 

- Shokë, kam parasysh këtu një mendim ose propozim që ka bërë shoku Tashko kohë më parë. Ai ka propozuar që si një ndër krerët e ish-grupeve të mos zgjidhet në Komitetin Qendror. Mendoj se propozimi është me vlerë jo vetëm për të, por edhe për të tjerët. Prandaj unë, duke e parë propozimin vetjak të Koços në kuadrin e përgjithshëm, i sugjeroj Mbledhjes që në përbërjen e Komitetit Qendror të Përkohshëm të mos zgjidhet asnjë nga krerët e ish-grupeve, as kryetarët, as nënkryetarët.

 

Menjëherë m'u kujtua se në një takim, para fillimit të Mbledhjes, ku veç disa shokëve tanë ishte edhe Miladin Popoviçi, kur ne po bisedonim se krerët grupeve kishin penguar bashkimin në të kaluarën dhe se si ata po bëheshin akoma pengesë, Koço Tashkoja ishte skuqur nga zemërimi dhe në inat e sipër tha:

 

- Po të jetë se kam penguar unë, atëherë, hiqmëni. Por s'jam unë që kam penguar, të tillë janë ata të Shkodrës e të «Të Rinjve»...

 

Isha i bindur se Koçoja këtë e bënte thjesht për demagogji, për t'u dukur «i gjerë», «parimor», që «i dhimbsej çështja» etj. Bile edhe në një nga ndërhyrjet e tij gjatë Mbledhjes, Koçoja, si kalimthi e kishte përsëritur atë gjë.

 

Koço Tashko, kur dëgjoi Miladinin, sikur i ra pika dhe tha:

 

- Dale, të kuptohemi... Unë fjalën e kisha...

- Shumë drejt e kishe, - i tha Piloja me seriozitet, por edhe me qesëndisje. - Jam dakord të mos zgjidhen kryetarët.

Anastas Lula e Sadik Premtja e përmbajtën zemërimin. S'dinin kujt t'i hakmerreshin. Koços apo vetes? Vetëm Vasil Shantoja e priti vendimin e Mbledhjes me qetësi e me një gjerësi prej komunisti të vërtetë e të devotshëm. Nuk mbaj mend kush propozoi dhe «kompromisi» u pranua që kandidaturat për në Komitetin Qendror t'i përgatiste e t'i paraqiste një komision prej 3 vetash, nga shokët që pak a shumë kishin qenë në krye të grupeve e merrnin pjesë në atë Mbledhje. Pra, në komision u zgjodhën Koço Tashkoja, Vasil Shantoja e Anastas Lula. Por ky komision nuk veproi shkëputur nga konsultimet me shokët pjesëmarrës në Mbledhje, e jo vetëm secili me shokët e grupit të vet, por dhe në konsultime me të tjerë. Kandidaturat u caktuan duke pasur parasysh të kaluarën e tyre, rolin që luajtën në Mbledhje njëri e tjetri, duke pasur parasysh dhe origjinën klasore e duke vendosur një proporcion të drejtë në mes numrit me origjinë ose gjendje punëtore dhe intelektuale. U mbajt parasysh, që të ruhej deri diku, brenda mundësive, njëfarë ekuilibri, duke përfshirë në Komitetin Qendror përfaqësues sa më të shëndoshë nga ish-grupet.

 

Kështu, pasi u diskutua për këto çështje e për karakteristikat që u paraqitën, Mbledhja zgjodhi një Komitet Qendror të Përkohshëm prej 7 vetash. Ata qenë: Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Kristo Themelko e Gjin Marku.

 

Për të siguruar unitetin, nuk pati zgjedhje për kryetar ose sekretar të Komitetit Qendror. Pariteti i plotë u vu në themel të të gjithë punës, si për përgatitjen, ashtu edhe për zhvillimin e punimeve të Mbledhjes për Themelimin e Partisë. Nuk duhej kryer asnjë akt që mund të krijonte përshtypjen se njëri grup kishte më shumë të drejta dhe avantazhe se tjetri....

 

......Qysh në Konsultën e Parë të Aktivit të PKSH, ne menduam se kishte ardhur koha që të hynim në lidhje me Kominternin. T' i raportonim atij për gjendjen në Shqipëri, për luftën që ishte bërë për formimin Partisë Komuniste të Shqipërisë, për qenien e kësaj Partie në krye të Luftës Nacionalçlirimtare dhe se kjo pranonte të gjitha kushtet e Kominternit dhe kërkonte të ishte pjesëtare e tij. Njohjen e PKSH nga Kominterni, Konsulta e shtroi si një ndër kushtet për thirrjen, në të ardhmen, të Konferencës së Parë të Vendit të Partisë.

Menjëherë pas Konsultës e biseduam këtë me Miladin Popoviçin dhe i thamë që, për lidhjen tonë me Kominternin, mundësisht të ndërmjetësonte Partia Komuniste e Jugosllavisë, e cila ishte vetë anëtare e Kominternit dhe, me sa dinim, vazhdonte të mbante lidhje me «Qendrën», pra me organet drejtuese të Internacionales.

Miladini e quajti me shumë vend kërkesën tonë dhe, pasi bëmë përgatitjet e duhura, në maj të vitit 1942, u nis për në Jugosllavi Dushan Mugosha që t'i çonte udhëheqjes së PK të Jugosllavisë kërkesën tonë drejtuar Kominternit.

 

Udhëtimi do të qe i gjatë, i vështirë, në kushtet e rënda të ilegalitetit e të terrorit që sundonte në të gjitha anët, prandaj ne caktuam shokun tonë të sprovuar Vasil Shanton, ta shoqëronte Mugoshën, gjersa ky të mbërrinte në duar të sigurta, pra gjersa të takohej me repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Vasil Shantoja, e më pas, bashkë me të edhe heroi i lavdishëm i Partisë e i popullit tonë, Vojo Kushi, e kryen me nder detyrën që u ngarkoi Partia.

Në shtator të vitit 1942 Kominterni e mori dhe e aprovoi kërkesën tonë. Aprovimin për këtë duhet ta ketë dhënë Dimitrovi, sepse në takimin e parë që pata me shokun Stalin në Moskë, pas luftës, kur i bëra një pasqyrë të përpjekjeve për themelimin e Partisë sonë, për luftën e saj dhe për gjendjen e vendit në ato momente, i zura në gojë, gjithashtu, edhe njohjen e Partisë sonë nga Kominterni. Ai më tha se vetë nuk ishte në dijeni sesi qe vepruar për këtë çështje, për arsye se kjo qe në kompetencat e Kominternit dhe «duhet të jetë shoku Dimitrov ai që e ka dhënë këtë aprovim». Sidoqóftë, këto janë hollësira. Puna është që njohja prej Kominternit, si dhe direktivat që na erdhën në të njëjtën kohë prej tij kishin një rëndësi shumë të madhe për Partinë tonë të re, për rritjen e autoritetit dhe për forcimin e saj, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Luftës sonë Nacionalçlirimtare.

 

Njohjen dhe direktivat e Kominternit i solli në Shqipëri, në dhjetor të vitit 1942, BLLAZHO JOVANOVIÇI, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, një ndër drejtuesit kryesorë të Partisë dhe të Luftës Nacionalçlirimtare në Malin e Zi. Ne u lajmëruam që më parë dhe dërguam shokë për ta marrë atë në Bjeshkët e Veriut. Shokët tanë e morën BLLAZHO JOVANOVIÇIN, e kaluan nëpër male dhe e soIlën deri në Labinot të Elbasanit.

 

Takimin me delegacionin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë ne e pritëm me interes, sepse do të shkëmbenim eksperiencën e partive tona dhe të luftërave naciónalçlirimtare.

 

Fillimisht BLLAZHO JOVANOVIÇI na transmetoi lajmin e njohjes së Partisë sonë nga Kominterni dhe të direktivave, për të cilat na tha se vinin nga «Plaku» (e kishte fjalën për Stalinin), nga Moska. Pastaj bëmë edhe bisedime të tjera të gjata, të frytshme për të dy ja palët. Ne, nga ana jonë, i folëm BLLAZHO JOVANOVIÇIT për situatën në vend, për gjendjen, shtrirjen dhe organizimin e Partisë sonë, për direktivat që e udhëhiqnin luftën tonë dhe për rezultatet që kishim arritur deri në atë kohë. Delegacioni jugosllav na bëri, gjithashtu, nga ana e vet, një ekspoze të përgjithshme të partisë së tyre, të fraksioneve që kanë ekzistuar, të shumta bile në parti, fraksione këto të dënuara edhe nga Kominterni e, më vonë, nga udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Ai na tregoi, gjithashtu, edhe për luftën që bënte populli jugosllav nën udhëheqjen e partisë.

 

Ky ishte një takim pune dhe njohjeje nga i cili krijova vetëm përshtypjet e para për BLLAZHO JOVANOVIÇIN. Ai qe një burrë me shtat të gjatë, si janë malazeztë, dukej i thjeshtë, i matur në fjalë e në gjykime. Më pas ky takim i parë do të pasohej edhe nga takime të tjera, gjatë të cilave do ta njihnim më mirë njëri-tjetrin, sepse delegacioni i kryesuar nga BLLAZHO JOVANOVIÇI do të qëndronte edhe disa kohë, për të përshëndetur Konferencën tonë të Parë -të Vendit, si i deleguar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë.”....

 

 

(Pjesë nga libri i Enver Hoxhës «Kur lindi Partia» seria e kujtimeve të shkruara gjatë viteve 1975-1976)

 

* Vetëm periudhën e përshkrimit të mbledhjes themeluese Enver Hoxha në tekstin e vet përmendë 135 herë Miladin Popoviçin dhe 18 herë Dushan Mugoshën !! dhjetra herë Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe Bashkimin Sovjetik !!

 

KUSH U DEKORUA  PËR "NDIHMËN" NË THEMELIMIN DHE FORCIMIN E PARTISË KOMUNISTE TË SHQIPËRISË

 * Në vitin 1945 si personalitete të huaja konsideroheshin Bije Vokshi, Ramiz Sadiku, Hajdar Dushi, Xhevdet Doda dhe Emin Duraku !!

 

Më 5 shtator 1945, në ish pallatin mbretëror në Tiranë u zhvillua një ceremoni   me pjesëmarrjen e krejt Qeverisë Shqiptare si edhe përfaqsive diplomatike dhe forcave aleate në Tiranë.

 

Omer Nishani, kryetari i Këshillit Antifashist, lexoi vendimin e këtij Këshilli numër 117, datë 5 shtator 1945: Në bazë të propozimit të kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare shokut Enver Hoxha, duke marrë parasysh se shumë personalitete të huaja të vendeve aleate gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të popullit t’onë kanë kontribuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet në Luftën e popullit shqiptar qoftë brenda në Shqipëri krah për krah me ushtrinë tonë, qoftë jashtë Shqipërisë dhe për të shfaqur mirënjohjen e për ta shërbyer e nderuar veprimtarinë e tyre në dobi t’Atdheut e të popullit shqiptar. Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, vendosi:

 

Të dekorohen me dekoratat e shënuara për seicilin personat që përmenden në listën që vijon:



Gjeneral IVAN MILUTINOVIÇ me Urdhërin “Heroi Kombëtar”

LOLO RIBAR me urdhërin “Heroi Kombëtar”

RAMIZ SADIKU me Urdhërin “Hero Kombëtar”

IVAN RIBAR me Urdhërin e “Flamurit”

EDUARD KARDELJ me Urdhërin e “Flamurit”

BLLAZHO JOVANOVIÇ me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”

RADOVAN ZAGOVIÇ me Urdhërin e “Flamurit”

Dëshmori MILADIN POPOVIÇ me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”

DUSHAN MUGOSHA me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”

Gjeneral-Lejtnant ARSO JOVANOVIÇ me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “

 

ALEKSANDER RANKOVIÇ me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “

 

MILAN GJILAS me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “

 

PETKO DAPÇEVIÇ me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “

 

Kolonel VELIMIR STOINIÇ me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “

 

Major IVANOV KONSTANTIN me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “

 

 Kolonel VOJO TODOROVIÇ me Urdhërin e “Yllit Partizan i klasit të II” dhe me medaljen e “Kujtimit”.

Major SAVO STONJOU me urdhrin e “Yllit Partizan i klasit të II” dhe me “Medaljen e Trimërisë”

 

Gjeneral TERZIÇ VELIMIR me Urdhrin “Partizan i klasit të II”

 

Kolonel OBRAT CICMIL me Urdhrin “Partizan i klasit të II”

 

Nënkolonel MIJAT VULETIÇ me Urdhrin “Partizan i klasit të II”

 

 Kapiten NIAZ DIZDAREVIÇ me Urdhrin “Ylli Partizan i klasit të III”

 

BIJE VOKSHI me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit”

 

Dëshmor HAJDAR DUSHI me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit”

 

Dëshmor EMIN DURAKU me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit”

 

Dëshmor XHEVDET DODA me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit”

 

Dëshmor VASO STRUGARI me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit”

 

Dëshmor MIHAIL POPOVIÇ me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit”

 

( Gazeta “Bashkimi “ Tiranë më 6 shtator 1945 ).

 

Në vitin 1945 si personalitete të huaja konsideroheshin Bije Vokshi, Ramiz Sadiku, Hajdar Dushi, Xhevdet Doda dhe Emin Duraku !!!!

 

Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!