FËMIJË I LUFTËS – NJERI I PAQES

 

Fjala a Martti Ahtissarit pas marrjes së çmimit NOBEL për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 2008

 

 

Shkëlqesia juaj,

Lartëmadhëria Juaj Mbretërore,

 të nderuar anëtar të Komitetit norvegjez të Nobel’it,

 të dashur miq dhe kolegë nga mbarë bota

 

Ndjehem edhe i përulur e edhe kryelartë në pranimin e Çmimit Nobel për Paqe për këtë vit. Kjo është mirënjohja me e madhe që mund t’i jepet çdokujt që punon në këtë fushë.

 

Ajo që po e ndjej tani mund të krahasohet vetëm me kënaqësinë që e kam ndjerë kur shikoja ndryshimet që paqja u ka sjellë jetërave të njerëzve. Kur njerëzit, të cilët kanë duruar luftëra dhe kriza, fillojnë t’i ndërtojnë jetërat e tyre në atmosferë paqeje – Kur kthehet besimi në të ardhmen. Edhe unë si fëmijë kam qenë prekur nga lufta. Isha vetëm dy vjeçar, kur si rezultat i një marrëveshjeje në sferën e interesit midis Gjermanisë së Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, shpërtheu lufta, duke e detyruar familjen time të largohej menjëherë nga qyteti Viipuri. Si edhe disa qindra-mijëra bashkëqytetarë karelians, ne u bëmë refugjatë në vendin tonë, kur politikat e fuqive të mëdha i rishkruajtën kufijtë e Finlandës dhe qytetin tim e lanë si pjesë të Bashkimit Sovjetik. Kjo eksperiencë e imja fëmijërore, kontribuoi në angazhimin tim për të punuar në zgjidhjen e konflikteve.

 

*****

 

Ndërmjetësuesit nuk i zgjedhin konfliktet në të cilat do të përfshihen, por palët në konflikt e zgjedhin ndërmjetësuesin. Pjesëmarrja e tyre si ndërmjetësues bazohet në besimin e të gjitha palëve në konflikt. Detyra e ndërmjetësuesit është që t’i ndihmojë palët që të hapin çështjet e vështira dhe t’i shtyjnë ato përpara në procesin e paqes. Roli i ndërmjetësuesve është kombinim midis pilotit të anijes, këshilluesit të mjekut, mamisë dhe mësuesit. Sidoqoftë, ka prirje për të pasur shumë fokusim në ndërmjetësues. Me këtë ne po i shfuqizojmë palët në konflikt dhe po krijojmë përshtypje të gabuar se paqja vjen nga jashtë. Procesi që çoi në pavarësinë e Namibias ishte i gjatë dhe kërkonte angazhim dhe vendosmëri të fuqishme nga namibianët. Namibia gjithashtu është një shembull i shkëlqyer i asaj se çfarë mund të arrijnë OKB-ja dhe shtetet e saj anëtare. Sot, duke shikuar pas në ato vite, duket gati e pabesueshme se arritëm t’i bëjmë bashkë të gjithë aktorët kryesorë, pesë shtetet perëndimore (SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania dhe Kanada), Bashkimin Sovjetik, Organizatën e Bashkimit Afrikan, (përfaqësuar nga shtetet e vijës së parë të Afrikës), qeverinë e Afrikës së Jugut dhe të gjitha partitë politike nga Namibia, duke përfshirë SWAPO, për të punuar drejt një qëllimi të përbashkët. Ai proces gjithashtu na mësoi se një zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse jeni të përgatitur që të merrni pjesë në diskutime me kundërshtarët e juaj politik. Unë besoj se eksperienca nga Namibia e ka inkurajuar qeverinë e Afrikës së Jugut që të fillojë procesin për ndryshimet demokratike. Procesi paqësor në Aceh, tregoi se sa e rëndësishme është që udhëheqësia politike e vendit të angazhohet në gjeten e një zgjidhjeje në një konflikt të brendshëm. Përpjekjet e përbashkëta nga udhëheqësia politike në Indonezi dhe Lëvizja për Liri e Acehut, rezultuan me marrëveshjen për paqe.  Sidoqoftë, ai kishte qenë vetëm fillimi. Reformat sociale dhe ekonomike mund të përparojnë vetëm nëse që të gjitha palët negociuese dhe popullata në tërësi angazhohen në to në periudha afatgjate. Mbetet për t’u punuar në zhvillimin e sistemit kombëtar që mbron, mbështet dhe përmirëson kualitetin e jetës në Aceh.

 

TË GJITHA KONFLIKTET MUND TË ZGJIDHEN

 

Luftërat dhe konfliktet nuk janë të paevitueshme. Ato shkaktohen nga qeniet njerëzore. Gjithmonë ekzistojnë interesa që shtyjnë drejt luftës. Kështu që ata që kanë fuqi dhe ndikim, mund edhe t’i ndalojnë luftërat.

 

Paqja është çështje e dëshirës. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen, dhe nuk ka justifikime për lejimin e tyre që të bëhen të përjetshme. Thjeshtë është e patolerueshme që konfliktet e dhunshme të mos i përfillin rezolutat për dekada, duke  shkaktuar vuajtje të pamasa humane, dhe duke penguar zhvillimin ekonomik dhe social.

 

Pasiviteti dhe impotenca e bashkësisë ndërkombëtare e bën më të vështirë për neve që ta vendosim besimin tonë në ndërtimin e strukturave të përbashkëta të sigurisë. Pavarësisht shumë sfidave, edhe konfliktet më të zorshme mund të zgjidhen, nëse palët e përfshira dhe bashkësia ndërkombëtare i bashkojnë forcat dhe punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët. Kombet e Bashkuara e sigurojnë strukturën e duhur për përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe për zgjidhjen e probleme globale. Sidoqoftë, ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që ekzistojnë në OKB dhe për tendencat e shteteve anëtare për të marrë detyra, pa i siguruar burimet adekuate dhe mbështetjen politike. Është e rëndësishme që shtetet anëtare të OKB-së të punojnë me vendosmëri për ta fuqizuar organizatën botërore. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes humbjen e OKB-së.

 

Në një konflikt, njëra palë gjithmonë mund ta shpallë fitoren, por në ndërtimin e paqes duhet të përfshihen të gjithë: i dobëti dhe i plotfuqishmi, fituesit dhe të mposhturit, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të vjetrit. Sidoqoftë, negociatat paqësore shpesh drejtohen nga një elitë e vogël. Në të ardhmen, duhet të jemi më të aftë për të arritur një pjesëmarrje më të gjerë në proceset paqësore. Në mënyrë të posaçme, ekziston nevoja për të siguruar angazhimin e grave në të gjitha etapat e proceseve paqësore.

Proceset dhe marrëveshjet paqësore rezultojnë nga dhënia fund e dhunës. Por puna e vërtetë fillon vetëm pasi të përfundohet marrëveshja për paqe. Marrëveshjet e arritura duhet që të implementohen. Ndryshimi social dhe politik nuk ndodh brenda natës, dhe rindërtimi dhe themelimi i demokracisë kërkon durim. Kjo kërkon qasje të hollësishme në ndërtimin e paqes dhe mbështetje për shoqërinë civile.

 

PABARAZIA SHKAKTON KONFLIKT

 

Pabarazia në rritje përbrenda shteteve dhe në mes rajoneve thellohet në çarjet ekzistuese. është detyra jonë që të krijojmë një të ardhme dhe shpresë për rajonet dhe shtetet në krizë ku njerëzit e ri vuajnë nga papunësia dhe kanë pak shpresë që t’i përmirësojnë jetët e tyre. Pos nëse nuk e rregullojmë këtë sfidë, konflikte të reja do të ndizen dhe do t’ia japim edhe një gjeneratë tjetër luftës. Ka pasur mjaft bisedime këtë vit rreth krizës financiare. Kjo krizë financiare gjithashtu thekson rëndësinë e mbajtjes së premtimit të komunitetit ndërkombëtarë që të zhvillojë bashkëpunimin. Ndikimi i kësaj krize mund të dëshmohet të jetë  një pengesë e madhe për botën në zhvillim. Njerëzit më të varfër tashmë janë goditur më së keqi nga ndikimi i ndryshimit klimatik, rritjes së çmimeve të ushqimit dhe niveleve më të ulëta të tregut të jashtëm. Shkurtesa në ndihmat e huaja dhe investimeve do të jetë katastrofale për rritjen aq të nevojshme ekonomike. Në këtë kohë të vështirë, i thërras të gjitha qeveritë që të mbesin të përkushtuara ndaj synimeve të tyre të deklaruara drejtë zhdukjes së varfërisë. Ne të gjithë duhet të jemi në gjendje të kontribuojmë drejtë së ardhmes sonë dhe të ardhmes së komuniteteve tona. Nëse gjërat vazhdojnë kështu si janë, ne do të përballemi me një situatë ku qindra milionë njerëz të ri do të jenë pa punë nëpër shtetet të cilat janë në nivelet fillestare të zhvillimit. Nëse nuk bëhet diçka, ne do të krijojmë një vend efektiv për rritjen e krimit, jo stabiliteti dhe luftë gjersa njerëzit e ri humbin të gjitha shpresat. Besoj se lufta kundër varfërisë gjithashtu është masa më efektive në luftimin e terrorizmit në afat të gjatë. Para dhjetë dite u ktheva nga Liberia, dhe me veti solla ndjena të përziera. E para, një ndjenjë pikëllimi për shkak shkallës së shkatërrimit të cilin e la lufta në Liberi, si dhe madhësia e sfidës për qeverinë dhe komunitetin ndërkombëtar. E dyta, një shkallë optimizmi  që njerëzit të cilët i takuam, mund të fillojnë të bëjnë ndryshim të vërtetë, por vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar mund të mban premtimin e bërë Libisë në afat të gjatë. Zgjidhja e konfliktit kërkon injektimin e optimizmit dhe shpresës, të lindura nga punësia dhe mundësitë ekonomike. Përndryshe, marrëveshjet e brishta paqësore rrallë herë mund të mirëmbahen. Në afat të gjatë, vetëm sektori privat është në gjejnë të rritë sipërmarrje, të krijojë mundësi investimi të cilat japin vende pune dhe siguri stabile ekonomike. Joshja e investimeve të sektorit privat në rajone të shqyera nga lufta nuk është lehtë. Kërkon gjëra të reja. Duhet sajuar një përzierje e stimuleve jo ekonomike dhe ekonomike. Njëlloj, përfshirja e sektorit privat në punën më të madhe të formulimit të strategjive për rigjenerimin pas luftës do të kërkon të menduarit inovativ.

 

DUHET GJETUR NJË ZGJEDHJE PËR KONFLIKTIN E LINDJES SË MESME

 

Procesi më sfidues i ndërtimit të paqes me të cilin po përballemi është gjetja e një zgjidhjeje ndaj konflikteve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë vazhduar me dekada. Tensionet dhe luftërat në rajon po ndodhin për aq kohë të gjatë sa që shumica kanë filluar të besojnë se nyja e Lindjes së Mesme kurrë nuk do të mund të zgjidhet.

 

Unë nuk e ndaj këtë besim. Të gjitha krizat, përfshirë edhe ajo në Lindje të Mesme, mund të zgjidhen. Zgjidhja do të kërkonte një kontribut nga të gjitha palët e përfshira si dhe nga komuniteti ndërkombëtar si tërësi. Ne mund të fuqizohemi me vendosmërinë tonë nëse shikojmë në të ardhmen dhe paramendojmë se si do të mund të dukej bota nëse shtetet në rajon do të fillonin së bashku të zhvillonin potencialin e tyre ekonomik, të lidhin lidhje transportuese, të shfrytëzojnë plotësisht popullatën e tyre të edukuar dhe të fillojnë të korrin përfitimet e një lokacioni me avantazh që gjendet në udhëkryq të tre kontinenteve.

 

Shpresoj që presidenti i ri i SHBA-së, i cili do të jep betimin muajin e ardhshëm, do ti jep prioritet të lartë konfliktit të Lindjes së Mesme gjatë vitit të tij të parë në zyre. Bashkimi Evropian, Rusia dhe OKB-ja duhen përkushtuar seriozisht gjithashtu në mënyrë që të gjendet një zgjedhje për këtë konflikt i cili shtrihet nga Izraeli e Palestina deri në Irak dhe Iran. Nëse duam të arrijmë rezultate që zgjasin, ne duhet të shikojmë në tërë rajonin. Kredibiliteti i komunitetit ndërkombëtar është në pyetje. Ne nuk mund të vazhdojmë, vit pas viti, thjeshtë duke u bërë sikur po bëjmë diçka për t’i ndihmuar situatës në Lindje të Mesme. Ne gjithashtu duhet të tregojmë rezultate.

 

Për shumë njerëz, tensionet në mes religjioneve kanë dhënë një shpjegim të thjeshtë për kokëfortësinë e krizës së Lindjes së Mesme. Unë nuk mund ta pranoj këtë pikëpamje. Gjatë karrierës sime kam parë shumë kriza gjatë të cilave religjioni është përdorur si armë apo si një instrument për të zgjatur konfliktin. Sidoqoftë religjionet vetë janë paqedashëse. Ato gjithashtu mund të jenë një forcë konstruktive në ndërtimin e paqes, dhe kjo njëlloj vlen për Lindjen e Mesme.

 

NDËRMJETËSUESIT E PAQES NUK FUNKSIONOJN VETËM

 

Të gjitha palët në konflikt luajnë rol kyç në gjetjen e një zgjedhjeje paqësore dhe në zbatimin e saj në praktikë. Gjithashtu, një parti e vetme rrallë është në gjendje të luan të gjitha rolet të cilat kërkohen që një proces paqësor të ketë sukses.

 

   Të gjitha detyrat e mija për paqe më kanë mësuar se një proces paqësor është kryesisht çështje e bashkëpunimit dhe partneritetit në mes vepruesve të ndryshëm, palëve në konflikt, ndërmjetësuesve paqësore, qeverive, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Edhe pse shpesh të gjitha sytë janë mbi ndërmjetësuesit paqësore, është me rëndësi të theksohet roli i ekipeve ndërmjetësuese dhe vepruesve tjerë me rëndësi jashtë vetë procesit direkt të negociatave. Gjatë punës sime gjithmonë kam qenë në një pozitë të privilegjuar që të ndërtoj vetë ekipin tim, përfshirë kolegët e mi në organizatën të cilën e themelova pas presidencës sime finlandeze, Nisma për Menaxhim të Krizës. Kam pasur mundësinë që të punoj me shumë kolegë me kualifikime të larta në procese të ndryshme paqësore. Pa ata nuk do të isha sot këtu. Shpresoj se të gjitha ata burra dhe gra trima të cilët kanë punuar për paqe në shtetin e tyre do të ndiheshin se do të mund ta ndanin këtë çmim me mua. Sidoqoftë, burimi im më i madhi i fuqisë është familja ime. Gruaja ime Eva dhe biri im Marko gjithmonë kanë qenë pranë meje. Ata më kanë dhënë përkrahje dhe kriticizëm konstruktiv. Iu jap faleminderimet e mija nga zemra.

 

Të dashur miq; Shpresoj se ky çmim i shquar me të cilin u shpërbleva do të inkurajon individë dhe organizata që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për paqe. Gjithashtu shpresoj që ata do të marrin përkrahje të plotë për punën e tyre në të ardhmen. Nëse punojmë së bashku, ne mund të gjejmë zgjidhje. Me nuk duhet të pranojmë asnjë arsyetim nga ata të cilët janë në fuqi.

 

Paqja është çështje e vullnetit.

 

Faleminderit!

 

 

“PAVARËSIA ISHTE DREJTËSI” –Intervistë e Martti Ahtisaarit në TV CNN pas marrjes së çmimit NOBEL për paqe

 

Mjaft shpesh negociatat janë kësisoj, nuk përfundojnë me marrëveshje kompromisi. Duhet të bësh atë që është e drejtë. Në Kosovë, gjërat ishin aq të qarta, saqë e vetmja zgjidhje që kishte mbetur ishte pavarësia. Në çerekun e parë të vitit 2006, të gjitha palët e kanë ditur se pavarësia po vinte. Martti Ahtisaari, duke pranuar çmimin Nobel, mbrojti pavarësinë e Kosovës

 

Ish-Presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, autori i planit për pavarësinë e Kosovës, ka pranuar të mërkurën në Oslo çmimin më të madh që mund të merret për aktivitet paqekrijues në botë - Nobelin për Paqe.

Në një fjalim me rastin e pranimit të këtij çmimi, ndërmjetësi me përvojë 30 vjeçare në zgjidhjen e konflikteve anekënd botës, si në Namibi, Irlandën Veriore, Aceh, e së fundi edhe në Kosovë, ka vlerësuar se çdo konflikt mund të zgjidhet.

“Paqja është çështje e vullnetit. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen. Nuk ka shfajësim që të lejohen për t’u bërë të amshueshme”, ka thënë Ahtisaari, para anëtarëve të Komitetit të Nobelit, familjes mbretërore norvegjeze, si dhe miqve, bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të familjes së tij.

Ahtisaari i ka bërë thirrje Presidentit të ri amerikan, Barack Obama që gjatë vitit të parë të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, t’i jap prioritet të lartë zgjidhjes së konfliktit në Lindje të Mesme.

Ahtisaari i cili për dy vjet udhëhoqi negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka përmendur Kosovën gjatë fjalimit në ceremoninë e pranimit të çmimit të paqes, por, për këtë është kujdesur kryetari i Komitetit të Nobelit, Ole Danbolt Mjoes.

Rolin e Ahtisaarit në zgjidhjen e statusit të Kosovës, Mjoes e ka radhitur në mesin e angazhimeve të tij më sfiduese por edhe më të suksesshme të karrierës së Ish-Presidentit finlandez në shërbim të paqes.

“Kjo ishte një detyrë e vështirë. Palët ishin shumë të ndara, me shekuj të historisë së hidhur”, ka thënë Mjoes.

Në Kosovë nuk ishte e mundur arritja e kompromisit, por, në janar të vitit 2007, Ahtisaari paraqiti propozimin e tij që Kosova të bëhet e pavarur. Kjo zgjidhje nuk u aprovua në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, për shkak se Rusia, një aleate e Serbisë, ishte kundër. Në korrik të vitit 2007, Ahtisaari e shpalli të mbyllur misionin e tij në Kosovë. Kompromisi nuk u arrit as në procesin shtesë të negociatave të udhëhequra nga Treshja SHBA - BE - Rusi. Kështu që, më 17 shkurt, 2008, Kosova shpalli pavarësinë. “Shteti i ri u pranua shpejt nga SHBA dhe shumica e shteteve të BE’së, e deri më sot, mbi 50 shtete kanë vepruar njëjtë. Serbia me përkrahjen e Rusisë ende kundërshton shtetin e ri, por mund të thuhet se zgjidhja e Ahtisaari’t për Kosovën në masë të madhe është zbatuar”, ka thënë Mjoes.

Kryetari i Komitetit Norvegjez të Helsinkit tha se për Kosovën nuk kishte zgjidhje tjetër, pos pavarësisë. “Ne e falënderojmë Ahtisaarin për punën e tij në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës”, tha ai.

Dy orë pas përfundimit të ceremonisë, Ahtisaari ka dhënë një intervistë të drejtpërdrejtë për rrjetin televiziv amerikan CNN.

Një pjesë të madhe të intervistës me gazetarin Jonathan Mann, i është kushtuar angazhimit të Ahtisaarit në çështjen e Kosovës, që nga takimet e me Milosevicin në maj dhe qershor të vitit 1999, deri te negociatat për statusin politik të vendit.

Ahtisaari ka zbuluar për herë të parë se gjatë dy vjet bisedimesh, Beogradi kishte marrë tetë mesazhe private nga diplomatët perëndimorë se procesi do të përfundojë vetëm me pavarësi.

 

PJESA PËR KOSOVËN E INTERVISTËS SË CNN’it

 

CNN: Kanceri që vrau Jugosllavinë filloi në Kosovë. Kanceri nuk u shërua derisa paqja arriti atje. Martti Ahtisaari ishte i përfshirë. Disa njerëz nuk ia kanë falur kurrë këtë. Ju shkuat në Beograd si paqekrijues, kishte forca ajrore në anën tënde, dhe me hedhje të bombave për të mbështetur ultimatumin tuaj, ju kishit punë tjetër atje?

 

AHTISAARI: ...Unë nuk do të shkoja atje me një avion të Finair, sigurimi për këtë avion ishte mjaft i lartë atëherë. Na duhej të negociojmë ndërprerjen e bombardimeve derisa qëndronim në Beograd. Unë madje e dërgoja avionin tim jashtë Beogradit.

 

CNN: Eksperienca të ndryshme. Por dorëzimi i ultimatumit te Milosevici. Si rrodhi ky takim dhe a ka qenë njeriu më i keq me të cilin keni punuar?

 

AHTISAARI: Jo, unë thash që në krye të listës së njerëzve të këqij ishte Saddam Husseini.

 

CNN: Por, ju kurrë se keni takuar Saddam Husseinin.

 

AHTISAARI: Jo, por unë kam parë se çfarë ka bërë ai. Unë e dija sa kishte shkatërruar në Kuwait dhe sa kishte ndërtuar në vendin e tij. Milosevic nuk pati kohë të bëjë të gjitha ato gjëra që i bëri Saddam Hussein.

 

CNN: Si ishte takimi?

 

AHTISAARI: Takimi ishte çështje e fakteve dhe nuk mendoj se unë jam sjellur saktësisht ashtu siç e përshkroi miku im Richard Hoolbroke. Unë i thash se ne të tre, për shkak se Strobe Talbot ishte kyç në këto negociata...

 

CNN: Diplomat amerikan në atë kohë.

 

AHTISAARI: Ai ishte Nënsekretari Amerikan i Shtetit, dhe ne të tre arritëm të hartojmë këtë plan. Detyra ime ishte të shkojë dhe t’i sqarojë (Milosevicit) se çfarë thoshte plani. Unë i thash në mënyrë shumë të sjellshme se ky plan është më i miri i mundshëm që mund të hartojmë. Pastaj ai (Milosevic) pyeti se a mund të propozonte ndonjë ndryshim. Unë thash ‘jo, fatkeqësisht, jo’. Ishte një diskutim shumë miqësor.

 

CNN: Miqësor?

 

AHTISAARI: Po. Unë nuk shoh asnjë arsye që nëse dikush nuk më pëlqen të mos mund të kem diskutim të civilizuar me të. Në këtë mënyrë më kanë edukuar prindërit e mi.

 

CNN: Ai ishte kriminel lufte. Një luftë të tmerrshme po vazhdonte.

 

AHTISAARI: Shiko. Kur njerëzit flasin për terroristë, shumica e atyre akademikëve që erdhën në Helsinki për të biseduar me partitë politike të Irakut, kanë qenë në listë si terroristë, së paku një ose dy herë gjatë jetës së tyre. Tash ata janë ministra. Unë e kam ndërtuar karrierën time duke folur me njerëz që ishin etiketuar si terroristë. Tash këta udhëheqin shtetet e tyre. Nuk mund të bësh paqen duke folur me mësues shkollash.

 

CNN: Ti po thua që ka pasur raste kur lufta ka qenë përgjigja e drejtë?

 

AHTISAARI: Jo, e kam pyetur një bashkëkombës tim të shquar, ekspert ligjor, se çfarë mendonte për përfshirjen e NATO’së. NATO duhej të intervenonte sepse opinioni publik kërkonte që serbët nuk duhej lejuar të vrisnin më kosovarë dhe të shkatërronin tërë vendin. E pyeta atë gjatë një dreke. Çfarë mendon për këtë? Ai tha ‘ishte ilegale, por e justifikueshme’.

 

CNN: A është njëjtë rasti i Kosovës tash (shpallja e pavarësisë), ilegale por e justifikueshme? Rusët po thonë që është ilegale.

 

AHTISAARI: Jo, nuk është ilegale. Pikësëpari, kjo është bërë brenda kontekstit të OKB’së. Me lejoni të ju japë një shembull se si i shoh unë negociatat rreth Kosovës. Njerëzit kanë një përshtypje plotësisht të gabueshme se ne thjesht vetëm kemi qëndruar kot në negociata, unë si ndërmjetësues në mes, në njërën anë Serbia, në anën tjetër delegacioni i Kosovës. Njerëzit presin që negociatat nënkuptojnë që ne duhet të gjejmë disi një kompromis mes dy palëve. Por, shumë shpesh, situata në negociata është tjetër...më lejo të marrë një shembull. Serbia është një hajn që ka vjedhur një kuletë nga Kosova. Nëse unë jam ndërmjetësi nuk e këshillojë atë - hajnin serb - që të vendosë vetë se sa para dëshiron t’ia kthej personit që i ka vjedhur kuletën. Ai duhet të ta kthej tërë atë kuletë, dhe pastaj të shkojë në burg për këtë që ka bërë. Pra, mjaft shpesh negociatat janë kësisoj. Duhet të bësh atë që është e drejtë. Gjërat ishin aq të qartë, sa që e vetmja zgjidhje që kishte mbetur (ishte pavarësia). Dhe, secili, Beogradi, Prishtina, serbët e Kosovës, e kanë ditur që në çerekun e parë të vitit 2006 - kur pesë anëtarët perëndimorë të Grupit të Kontaktit u dërguan mesazhe private Beogradit, Prishtinës dhe serbëve të Kosovës, si vijon: Kanë qenë tetë mesazhe private, por nuk dua të ju mërzis juve as publikun me të gjitha ato duke i lexuar të gjitha mesazhet, do ta lexoj të parin: Anulimi jo-kushtetues i autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, pastaj ngjarjet tragjike që rezultuan me administrim ndërkombëtar të Kosovës, ka çuar në një situatë në të cilën kthimi i Kosovës nën pushtetin e Beogradit, nuk ishte zgjidhje e arsyeshme. Secili e ka ditur se pavarësia po vinte, por Kryeministri Kostunica dhe kompania e tij u sollën sikur nuk kishin dëgjuar çfarë u ishte thënë mjaft qartë.

 

CNN: Serbët mendojnë se Kosova është kuleta e tyre dhe ju e morët atë nga ta. Kam një rezolutë të OKB’së këtu, të mekanizmit suprem - Këshillit të Sigurimit, që premton se Jugosllavia kurrë nuk do të shpërbëhet. Kështu që, ka dy anë të medaljes.

 

AHTISAARI: Jo, ka vetëm një anë të medaljes në këtë histori. Sepse, në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vuri parimin se nëse ndonjë udhëheqje diktatoriale, në secilin vend, sillet në mënyrën që Milosevici dhe kompania e tij u sollën ndaj shqiptarëve të Kosovës, atëherë ata humbasin të drejtën për t’i kontrolluar ata prapë.

 

CNN: Pra, kështu ishte?

 

AHTISAARI: Kështu.

 

 

CNN: Jeni 71 vjeç. Keni bërë një botë të mirash. E keni kryer?

 

AHTISAARI:  Kam menduar kështu përpara se të vinte shpallja e Nobelit. Sepse e pyeta gruan time përpara Kërshëndellave të fundit se çfarë dëshironte për dhuratë. Ajo është një grua shumë e zgjuar dhe më tha “më shumë nga ti (kohë)”. Unë thash, po çfarë më duhet të bëjë. Jam i sigurt se ajo do ta thotë të njëjtën edhe përpara këtyre Kërshëndellave...Por miqtë e mi më thirrën dhe më thanë ndalo të flasësh për pensionimin, sepse duhet të shfrytëzoni prestigjin që ky çmim të jep dhe duhet të vazhdosh të shtysh çështjet të cilat ke qenë duke i bërë. Mendoj, se ata kanë të drejtë.

 

CNN: Nuk është vetëm prestigji, por edhe më shumë se 1 milion Dollarë. Kështu ndodhë çdo vit. Çfarë do të bësh me to?

 

AHTISAARI: Shumë njerëz janë të interesuar të dinë se çfarë do të bëjë me parat e mia. Çfarë bëni ju? Ma merr mendja se fitoni më shumë se kaq në profesionin tuaj...?

 

CNN: Mund të gabohesh me atë, por mund të flasim se çfarë bëjë me parat e mia.

 

AHTISAARI: Ndoshta kur programi të mbarojë. Por, në rastin tim, veç kam thënë se do t’i fus në llogarinë e kursimeve. Në këto ditë të krizës financiare nuk do t’i investojë të gjitha pa menduar. Dhe do të pyes gruan të shikojmë se çfarë gjërash duhet të bëjmë, ka shumë gjëra që mund të bëjmë.

 

CNN: Çfarë të pret tash ty?

 

AHTISAARI:  Kur u shpall Nobeli, miqtë e mi suedezë thirrën dhe thanë “as mos mendo të anashkalosh Stokholmin, kur të largohesh nga Oslo”. Është njëfarë rendi që laureati i çmimit NOBEL shkon pastaj në Stokholm dhe për atje jam nisur.

 

CNN: Pastaj, agjenda është e hapur?

 

AHTISAARI:  Pastaj, të shtunën shpresoj të jem në shtëpi. Veç kam treguar se çfarë do të bëjë. Do të shkojë për një saunë të mirë dhe ushqim të shijshëm me gruan time...

 

 

 Kthehu në faqen e parë 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!