INTERVISTË ME ADEM DEMAÇIN

  ADEM DEMAÇI

 

"Kosova Sot": Si i vlerësoni njohjet që i janë bërë Kosovës?



ADEM DEMAÇI: Njohjet kanë tejkaluar parashikimet e mia. Çdo njohje duhet të ketë mbrapa një interes. Kosova, njëherë për njëherë, Fuqive të Mëdha u ka ofruar interesin dhe mundësinë që, duke e frenuar hegjemonizmin serb, ta frenojnë edhe hegjemonizmin rus. Sepse hegjemonizmi dhe pretendimet për të krijuar një Rusi cariste tash kanë dalë edhe publikisht. Ndryshe, ne të tjerëve nuk u ofrojmë kurrfarë interesi. Duhet ta kuptojmë se shtetet që na kanë pranuar, shumica janë nën ndikimin e SHBA-së dhe fuqive të tjera që na mbështesin. Ka kualitet në njohje. P.sh. shtatë vendet më të zhvilluara të botës na kanë pranuar. Kjo është tejet e rëndësishme. Këto shtete kanë deklaruar se na kanë pranuar dhe na përkrahin ekonomikisht dhe edhe në fushat e tjera. Këto shtete kanë ushtritë e veta...Ky është një realitet, i cili mund të hapë rrugë. Po e them, projektin e Ahtisarit, me kalimin e kohës, do ta hedhë poshtë realiteti.


"Kosova Sot": Duke e pasur parasysh se ne nuk mund të bëjmë shumë për çështjen e njohjeve, pse po i jepet kaq rëndësi lobimit. A ka Kosova nevojë për të lobuar?


ADEM DEMAÇI: Kosova nuk ka edhe mundësi që të lobojë. Që të të pranojë dikush duhet t`i ofrosh diçka. Në këtë rast, çdo shtet që do të normalizonte marrëdhëniet me Kosovën do të prishte marrëdhëniet me Serbinë dhe Rusinë. Andaj, nuk mund të presësh që shtetet që kanë interesa nga Rusia e Serbia të na njohin. Duhet ta pranojmë se shtetet që nuk po na njohin shumica e tyre në një mënyrë apo tjetër janë të varura nga Rusia dhe ekonomia e saj..

Kina, ta marrin shembull, bën shumë tregti me Serbinë. Kina ka edhe arsye të veta të brendshme, për të cilat nuk dëshiron të na njohë. Kina nuk guxon as moralisht të obligohet që një popull që dëshiron të ndahet t`i lejohet. Ka Tibetin dhe rajonet e tjera të brendshme, me të cilat ka probleme. Nëse e shohim mirë, 60 për qind e territorit kinez u takon pakicave. Ndonëse krejt kjo është naive, sepse nuk është qëndrimi kinez ndaj Kosovës ai që e ruan unitetin e atij territori, nuk është as ndonjë rregull ndërkombëtare, por është fuqia e Kinës. Edhe vetë Rusia i ka mbi 50 popuj me disa të drejta të përgjysmuara... Edhe ata popuj po i mban të robëruar fuqia ruse e jo qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes së Kosovës... Problemi është se disa nga këto vende ende nuk shohin se do të fitonin diçka në rast se na njohin, andaj nuk e bëjnë këtë.


ARABËT U KORITËN


"Kosova Sot": Si e komentoni mosnjohjen nga shtetet arabe?


ADEM DEMAÇI: Shtetet arabe u koritën. Unë nuk besoj kurrë që Serbia do të guxonte të ndërpriste marrëdhëniet me këto shtete në rast se këto do ta njihnin Kosovën. Serbia na kërcënoi edhe ne se do të ndërpriste të gjitha marrëdhëniet ekonomike, por në fund nuk e bëri, sepse nuk kishte interes që të vepronte asisoj. Me fjalë të tjera, shtetet arabe treguan nivel shumë të ulët të aftësisë së tyre politike. Tekefundit, ata treguan nivel të ulët edhe në qëndrimin ndaj Izraelit. As atëherë e as sot nuk mund të lavdërohet aftësia politike e atyre që janë në krye të atyre shteteve.


"Kosova Sot": A mendoni se nuk na njohën për shkak të proamerikanizmit tonë?


ADEM DEMAÇI: Jo, në asnjë mënyrë. Këto vende janë vetë proamerikane. Egjipti është vetë proamerikan. Shtetet e tjera janë të lidhura me Amerikën. Nuk është kjo arsyeja. Në fakt, problemi është se ata kanë lidhje me Rusinë dhe Serbinë, të cilat nuk kanë dëshirë t`i turbullojnë. Problemi është se ata nuk kanë aftësi politike që t`i thonë Serbisë që, nëse doni t'i prishim marrëdhëniet, i prishim. Ju keni shkatërruar një popull dhe ne nuk mund ta pranojnë një gjë të tillë. Me kaq do të merrte fund kjo punë. Por, ata janë aq të mjerë, saqë nuk janë në gjendje t`i bëjnë këto analiza.


"Kosova Sot": E pse po i jepet kaq shumë hapësirë debatit për lobim, në rast se nuk mund të bëhet më shumë?


ADEM DEMAÇI: Këto gazetat tona nuk po kanë se çfarë të bëjnë. Me përjashtime të vogla, këto mediat tona e kanë humbur udhën në oborr dhe po merren me disa gjëra që nuk janë të rëndësisë së parë. Nuk po them se kemi diplomaci të mirë, por kështu ka ndodhur. Ka qenë dashur të ekzistonte një marrëveshje që strukturat që prekin shtetin të mos jenë partiake. Kosova nuk është vend që nuk mund t`i gjejë 20 ministra të kompletuar, ose të gjejë 100 njerëz të tjerë që mund të hyjnë në këto pozita diplomatike. Paramendoni ende diskutohet kush ta udhëheqë Drejtorinë e Sigurisë së Shtetit. Kjo po ndodh, sepse partitë po shtyhen mes vete. Po mundohen që ta shtyjnë njeriun e vet. Si pasojë e kësaj në këto pozita po ofrohen disa njerëz minorë që kanë kryer disa shkollime nëpër vende të ndryshme nëpërmjet organizatave joqeveritare. Kur i shtojmë këtu edhe nevojën për të qenë i dëgjueshëm ndaj këtyre miqve tanë që kanë ardhur këtu, del që jemi në gjendje të keqe. Thënë të drejtën, dëgjueshmërinë këta miqtë ndërkombëtarë po e sigurojnë duke i futur këta tanët në disa gjëra jo të mira. Këta po e hanë bakllavën e pastaj bakllava po i zë, si po thotë Albini...



QEVERISJA E RE


"Kosova Sot": Z. Demaçi, si po qeveris Hashim Thaçi?


ADEM DEMAÇI: Hashim Thaçi e ka trashëguar këtë gjendje. Në krahasim me qeveritë e kaluara, Hashim Thaçi po qeveris në mënyrë më serioze. Hashim Thaçi nuk mund të bëjë mrekulli, sepse ka trashëguar 95 për qind import dhe vetëm 5 për qind eksport!... Ka trashëguar edhe këtë gjendje në energjetikë për shembull. Ka trashëguar mungesën e ujit dhe shumë gjëra që nuk mund të rregullohen për një kohë të shkurtër. Tash na mbetet me pa se si do t`i ndryshojë këto probleme. Nuk është pa gabime, sepse edhe ky është i lidhur me optikën e partisë. Edhe ky po mundohet që njerëzit e partisë me i shti në punë. Nuk është kjo për shkak të kontrollit, por çdokush mundohet ta zgjerojë ndikimin e vet. Ky e di se nesër mbahen zgjedhjet dhe duhet t'i fitojë prapë. Si fitohen zgjedhjet duke u gjetur njerëzve punë. Andaj, edhe ky nuk mund të bëjë përjashtim në këtë rast. Në pushtet do të duhej të vinin njerëz që do t`i shërbenin atdheut dhe do t`i harronin interesat partiake. Këso njerëzish ka në Kosovë, janë pak, por ka. Mirëpo, këta njerëz nuk shtyhen. Nëse do të ndodhte kjo që po e them, nuk do të na ndodhnin këto korrupsione dhe të zeza të tjera. Tash duhet me ardhë EULEX-i që të na i zgjidhë problemet me dosje, mbi të cilat ka fjetur UNMIK-u. UNMIK-u e ka ditur mirë kush çka po bën këtu, mirëpo nuk ka dashtë me çel varrë, sepse ka tentuar ta mbajë njëfarë stabiliteti të rrejshëm këtu.


"Kosova Sot": A besoni se EULEX-i do të jetë më efikas?


ADEM DEMAÇI: Patjetër. EULEX-i është i obliguar që të jetë më efikas, sepse Kosova do të hyjë në Evropë dhe duhet përgatitur. Në Evropë nuk mund të hyhet pa u përgatitur. Në mes të mollëve të shëndosha, të them kushtimisht, nuk mund të hyjë një e kalbur, sepse e kalbura i kalb edhe të tjerat. EULEX-i është i detyruar ta përgatisë Kosovën për Evropë. E për Evropë përgatitesh, fillimisht, duke e ndalur korrupsionin dhe këto hajni. Mirëpo duhet pasur parasysh se këto ndodhin në radhë të parë për shkak të varfërisë. Kur njerëzit nuk kanë çfarë të hanë, edhe korruptohen. Nuk mund të presim që të gjithë të jenë Sokrata dhe të vuajnë për vendin.


"Kosova Sot": Çfarë duhet bërë ndryshe?


ADEM DEMAÇI: Këtu po bëhen shumë punë, të cilat nuk kanë lidhje me gjendjen dramatike në Kosovë. Nuk besoj që ka vend në botë, i cili eksporton 5 për qind dhe importon 95 për qind. Me këto përqindje të eksportit dhe importit nuk ka shtet që mund të ekzistojë. Nuk ka shtet që e mbledh buxhetin e vet vetëm prej taksave doganore. Këtu importon maca e kuca, sepse e ke valutën më të fortë që është euro. Në këtë mënyrë nuk mund të ekzistojë shteti. Duhen marrë masa konkrete. Duhet t`i jepet rëndësi edukimit. Është vendim i mirë i Qeverisë ndalja e këtyre universiteteve private, ku në të vërtetë mësohej pak e fitoheshin shumë para, gjë që nuk na nevojitet fare.


HARROJENI GJYKATËN NDËRKOMBËTARE!


"Kosova Sot": Dalim pak te zhvillimet fqinjësore. Pse Kosova është ende prezente në fjalorin e politikanëve serbë? A është Kosova peng i kësaj politike, apo politika serbe është peng i Kosovës?


ADEM DEMAÇI: Serbët, më së pari, e kanë parë ditën kur e humbën Kosovën, mirëpo me qëndrimin që pati Evropa në radhë të parë, e pastaj Amerika, ua çeli rrugën që të mendonin se ndoshta mund të rikthejnë diçka nga Kosova. D.m.th bashkësia ndërkombëtare i dha shpresa Serbisë për Kosovën. U ofroi shumë mundësi bashkëpunimi me qëllim të integrimit të Serbisë. Nëse ju kujtohet momenti kur ra Slloba, për një kohë rekord të shkurtër bashkësia ndërkombëtare e rehabilitoi Serbinë, duke ia falur gjysmën e borxheve dhe duke e rianëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë. Qëllimi ka qenë ta hiqnin Serbinë nga ai binar i gabuar dhe ta vendosnin në një binar, i cili është edhe në interes të popullit serb. Mirëpo, me pas këqyr interesin e popullit serb, ata që janë atje në pushtet nuk do ta kishin nisur fare luftën në Kosovë. Nuk do ta bënin asnjë luftë. Shikoni, disa fuqi të mëdha, si Anglia, bie fjala, me disa ish-koloni të tyre, diku-diku i kanë zgjidhur problemet me referendum...


"Kosova Sot": Çfarë mund të vendosë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Kosovën?


ADEM DEMAÇI: Puna e kësaj gjykate dëshmon se Serbia po kapet për shkumë. As kjo nuk është temë që do të duhej që shtypi të merrej me të kaq shumë. Mirëpo, kush ka nge, shtin rruaza në pe, thotë populli. Është shumë lehtë me u marrë me këto tema, me i mbushë faqet dhe në fakt mos me zgjidh kurrgjë. Në rastin më të keq, gjyqi ndërkombëtar mundet me thanë: "Po valla, Kosova edhe këta që e kanë njohur i kanë shkelë normat ndërkombëtare". Çfarë fiton Serbia me këtë? Kurrgjë. Tekefundit, edhe Rezoluta 1244 e ka ndaluar pavarësinë. Ajo e sheh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë. Kjo rezolutë është në fuqi, dhe ne, duke e shpallur pavarësinë, e kemi shkelur. Por, nuk e shkelëm vetëm ne, e shkeli edhe SHBA-ja, Anglia, Franca, e shkelën 47 shtete, prej tyre 40 serioze dhe shumë të fuqishme. Ata e shkelën me vetëdije. Na pranuan sepse e panë se përpjekja për t`i bërë lëshime Rusisë dhe Serbisë është e kotë. Tash, këta miqtë ndërkombëtarë, e që unë i dua fort, e kanë parë që Rambujea ka qenë gabim, por nuk mund ta pranojnë. Mungesa e datës së referendumit në marrëveshjen e Rambujesë ka qenë gabim fatal. Nuk i bëhen lëshime një regjimi kriminal, dhe fatkeqësisht në Serbi ende kemi regjim kriminal. Tadiqi po mundohet të jetë demokratik, mirëpo për të kuptuar se sa demokratik është një politikan në serbi, duhet ta pyesësh për Kosovën. Përgjigjja e tij të tregon sa është demokratik. Në pozitën çfarë është Kosova, çdo e drejtë demokratike ia mundëson pavarësinë, dhe tash nuk mund t`i thuhet demokrat një politikani i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Çfarë të drejte ndërkombëtare kërkon Serbia. Këtë të drejtë ata e kanë dhunuar duke na pushtuar e duke na mbajtur të pushtuar me dhunë. E kanë la në gjak Kosovën e tash kërkojnë të drejtë ndërkombëtare...



“Kosova Sot”: Pse iu bën kompromise Serbisë?


ADEM DEMAÇI: Bashkësia ndërkombëtare shpesh bën këso gabimesh. Me kriminelët që janë në pushtet nuk bën të sillesh si të ishin demokratë. Kështu ndodhi me Sadam Hysenin, me Slobodan Milosheviqin, me talebanët. Ndërkombëtarët nuk ndërmorën masa të menjëhershme, duke u munduar të bënin marrëveshje me ta. Krejt vonë u detyruan të merrnin masa kundër Slobodanit, kundër Sadamit, kundër talebanëve...Në momentin e fundit, kur ia kanë vënë lakun Sadam Hysenit për me e varë, unë e kam pa atë emision, ai i ka bërë të fala Sheshelit, i cili pret të dënohet në Hagë për krimet më monstruoze që ka bërë në Kroaci, në Bosnjë e Kosovë. Kush e bëri të mundur që të funksiononte ky rrjet kriminelësh? Mosreagimi me kohë i amerikanëve dhe i shteteve të tjera demokratike. Fatkeqësia është se për vonesat dhe gabimet që i bëjnë këta vuajnë njerëz të pafajshëm. Edhe SHBA-ja ka gabime, mirëpo ne si njerëz që e duam Amerikën nuk i shohim këto gabime. Edhe unë e dua Amerikën, por nuk do të thotë kjo se duhet t`ua fal gabimet ose të shti kokën në zall për mos me i pa gabimet e tyre. SHBA-ja e di se po punon për demokratizimin e botës, por jo gjithmonë po ia qëllon. Ndonjëherë është mirë me na vetë edhe neve të vegjëlve nga diçka-diçka...


“Kosova Sot”: A mund të shtrihet autoriteti kosovar në veri?


ADEM DEMAÇI: Veriu do të jetë problem, përderisa ekziston kjo politikë ndërkombëtare. Krejt problemi i veriut është problem politik që nuk bëhet nga populli, por nga politika. Po të pyeten pa u rrezikuar qytetarët serbë në Serbi, jam i bindur se janë të lodhur nga Kosova. Mirëpo, politikanët i fshehin këto sende. E keqja është se edhe këtë faturë do ta paguajnë qytetarët. Amerika dhe perëndimorët ia kanë mundësuar Serbisë të prodhojë e të eksportojë prapë armë. Nuk mund t`i lejohet një gjë e tillë një shteti gjenocidial. Këtë ia mundësuan miqtë tanë amerikanë. Atyre u mundësojnë të krijojnë armë, përderisa ne mundohen të na çarmatosin deri në fund. Në vend se të çarmatoset agresori, u çarmatosëm ne.


TENTATIVA PËR DEFAKTORIZIMIN E SHQIPTARËVE


“Kosova Sot”: Z. Demaçi, a ka identitet kosovar?


ADEM DEMAÇI: Edhe këtu bashkësia ndërkombëtare, për shkak të interesave të veta, për hatër të grekëve, të maqedonasve dhe të kombeve të tjera ballkanike, po tenton që ta defaktorizojë elementin shqiptar. Faktikisht, nëse do të duhej një drejtësi demokratike, shqiptarëve do t`u duhej të bashkoheshin, edhe pse jemi vonuar tash që ta krijojmë shtetin e përbashkët. Në rregull, nuk bëhet ajo punë. Pse po mundohen tash që një popull i cili është kristalizuar në identitetin e vet ta ndryshojnë. Vonë është të na bëjnë kosovarë. Vonë është që dikush të na bëjë ta duam atë flamur me yje që na e kanë bërë. Nuk e ke asnjë shqiptar, të cilit, kur e sheh atë flamur, i bën zemra vërr. S`ka kurrgjë shqiptare ai flamur. Nëse do të bëhej ndonjë flamur që ka diçka kombëtare, njerëzit ndoshta do ta pranonin, por këta me ka krejt e kanë ndryshuar. E kanë bërë me qëllim që ta krijojnë një identitet të rrejshëm. Ka njerëz, të cilët janë të gatshëm që për interesa të ngushta e të përkohshme të hyjnë në këto pazare, por jo populli. Ne kemi përjetuar me dhjetëra okupime, kemi kaluar me qindra e mijëra vjet nën okupime dhe nuk kemi ndryshuar identitetin tonë. Sot, kur teknologjia është zhvilluar kaq shumë, të mundohesh ta bësh budallë një popull, duke u munduar që t`i tregosh se nuk je shqiptar, por kosovar, është maja e budallakisë. Ky popull i ka rrënjët këtu dhe nuk mund të shkulen. Edhe kjo është humbje kohe, dhe me kohë do të dështojë. Edhe për këtë do të paguajmë ne. Do të na dalin keqkuptime me miqtë tanë, të cilët na duan, por nuk po mund të na kuptojnë...


PUSHTETIN ENDE E KANË NDËRKOMBËTARËT


“Kosova Sot”: A ka Kosova opozitë?


ADEM DEMAÇI: Në Kosovë nuk janë kristalizuar strukturat politike, sepse pushtetin nuk e ka politika kosovare, por ndërkombëtarët. Edhe pse na thonë se janë vetëm këshilltarë, këta miqtë tanë, kur vjen puna për vendime, i marrin shpesh vetë. Vetëm kur ta marrim vetë pushtetin, mund të themi se kemi pozitë dhe opozitë. Në këtë kohë, kur nuk e kemi pushtetin, ne vetëm luajmë për poste. Për këto poste edhe e luajmë rolin e pozitës dhe opozitës. Derisa ka struktura të Serbisë në Kosovë, derisa numrat tanë të telefonit mund të na përgjohen nga Serbia, përderisa kemi armatën e huaj këtu, gjyqtarët e huaj, edhe pushtetin nuk e kemi tonin. Këto mekanizma e bëjnë pushtetin. Këto janë faza kalimtare kur ne po luajmë. Është sikur kur fëmijët luajnë nuse. E marrin një vajzë të vogël ia vendosin një lloj si duvaku, vijnë të tjerët e marrin. Mandej u del diçka tjetër edhe e prishin dasmën, harrojnë se ishin duke luajtur.


“Kosova Sot”: Ta relaksojmë pak bisedën. I dimë raportet me Albin Kurtin dhe vlerësimin tuaj për të. Po mundohem të nxjerr diçka tjetër. A e keni kritikuar ndonjëherë Albin Kurtin, ose a keni kërkuar nga ai që të hyjë në politikë?


ADEM DEMAÇI: Nuk ka kërkuar që ai të hyjë në politikë, sepse ai di mjaft dhe i di pozicionet e tij. Nuk i kemi raportet që Albin Kurti të vijë dhe të më pyesë. Po të vijë të më pyet, unë e di çka i them. Ai e ka një ide, e cila është e vërtetë. Pa vetëvendosje të popullit, nuk mund të zgjidhet problemi i Kosovës. Vetëm kur ky popull të vendosë për fatin e vet, vetëm atëherë do të zgjidhet problemi. Ajo ditë do të vijë. Unë nuk mund ta kritikoj Albinin, derisa shumë pika që ne i diskutuam janë në përputhje me qëndrimet e Albinit. Ai kritikon me argumente pakon e Ahtisarit.


“Kosova Sot”: Megjithatë, bacë, u solidarizove pak me pakon dhe me politikën aktuale, gjë që Albini s’e bën?


ADEM DEMAÇI: Unë ta shpjegova se pse jam solidarizuar me këta politikanë dhe me këtë politikë. Unë nuk kam guxuar që as formalisht të mbes kundërshtar i kësaj kthese, kur alamet shtete, si SHBA-ja e të tjera, e shkelën Rezolutën 1244. E shkelën projektin për pajtimin me Serbinë dhe Rusinë dhe e hapën një rrugë tjetërfare. Unë nuk kam mundur që të mbes vetëm duke kritikuar. Me gjithë të këqijat që i kritikuam, gjërat po ecin. Është ligj i natyrës që proceset të ecin, por Serbia dhe disa të tjerë po mundohen ta ndalin këtë ligj. Është e pamundur ta pengosh vetëvendosjen e një populli. Mund të vonohet, por jo të pengohet. Populli shqiptar është vonuar shumë, por sot kemi pozitë më të mirë sesa e kemi pasur. Ligji i jetës është më i fortë sesa ligjet e njerëzve. Po të mos ekzistonte ligji i jetës, i cili i lëviz proceset, shoqëritë do të mbeteshin skllavopronare. Është ky ligj, andaj jeta shkon vetëm përpara e jeta e njerëzve përmirësohet...


tetor 2008

Intervistoi: A. AHMETI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!