NJËMBËDHJETË TË NGARKUARIT ME PUNË NË MISIONET DIPLOMATIKE TË KOSOVËS

 

Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se të nominuarit janë kandidatë me bagazh patriotik dhe profesional. “Është moment që kërkon marrje të përgjegjësive, meqë që nga sot fillon ndërtimi i gjeneratës së diplomatëve tanë, të cilët janë njerëz me veti të larta kombëtare, vizion dhe përkushtim”, - ka thënë Thaçi. “Të propozuarit do të kenë nderin dhe përgjegjësinë që ta përfaqësojnë Kosovën në vendet më me ndikim në botë”.

 

 Gazeta “EXPRESS”  SJELL  CV  E AMBASADORËVE

 

GAZMEND PULA

 

Gazmend Pula, i cili emërohet në Tiranë, ka lindur në Mitrovicë, ku edhe kryen shkollën fillore. Shkollën e mes-me e vazhdon në Kaliforni të SHBA. Në vitin 1977 përfundon studimet e gjuhës angleze në UP, dhe po në të njëjtin vit, përfundon edhe Fakultetin Elektroteknik. Ai kryen studimet post-diplomatike në Zagreb, ndërkaq magjistron në George Washington University në Uashington. Ai doktoron në elektroteknikë në UP. Që nga vitet ’90 është profesor në Fakultetin Elektroteknik të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe, ai ka mbajtur një sërë funksionesh. Ka qenë themelues i Komitetit Kosovar të Helsinkit, dhe po ashtu për pak kohë ka qenë udhëheqës i sektorit të politikës së jashtme në Partinë Parlamentare të Kosovës. Gazmend Pula në vitin ‘98 është shpërblyer me çmi-min “Shpërblimi për demokraci dhe shoqëri civile”, i cili iu ka ndarë atij në Londër nga presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton dhe kryeministri britanik, Tony Blair.

 

AVNI SPAHIU

 

Avni Spahiu, i cili të enjten u emërua i Ngarkuar më Punë në ambasadën më të rëndësishme të Kosovës - atë në Uashington, hyn në radhën e gazetarëve të njohur kosovarë, ashtu sikurse llogaritet si një ndër përkthye-sit më të mirë të anglishtes në Prishtinë. Ai ka lindur në Mitrovicë, ku kryen edhe shkollën fillore, ndërkaq, dy vitet e fundit të shkollës së mesme i vazhdon në Elk Rapids në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka kryer magjistraturën në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, dega e gjuhës angleze. Nga viti 1978, Spahiu ka punuar në gazetën “Rilindja”, nga ku në vitin 1982 emërohet korrespondent special nga Selia e OKB në Nju-Jork. Në vitin 1986, Spahiu kthehet sërish në Prishtinë, ku punon redaktor i politikës së jashtme në “Rilindje”. Me mbylljen e gazetës “Rilindja”, ai është njëri ndër themeluesit e Qendrës për Informim të Kosovës, ndërkaq nga viti 1994-1998, ai mban postin e kryeredaktorit në të përditshmen “Bujku”. Pas lufte, ai ka mbajtur një sërë postesh në RTK, nga kryeredaktori e deri te drejtori i Televizionit, e më pas i Radios. Me krijimin e LDK’, Avni Spahiu ka qenë këshilltar kryesor i liderit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Gjatë kësaj kohe, ai ka shoqëruar z. Rugova në të gjitha takimet e zhvilluara në Perëndim për sensibilizimin e botës demokratike me gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës. Pas lufte, Spahiu nuk ka qenë më pjesë e kabinetit ‘Rugova’, ndërkohë që shumëkush besonte se ai kishte kaluar në anën e luftëtarëve të UÇK që themeluan subjektin politik - PDK. Megjithëse, zyrtarisht, ai asnjëherë nuk ka qenë pjesë e kësaj partie.

 

 

MUHAMET HAMITI

 

Muhamet Hamiti apo njeri prej pjesëtarëve të familjes Hamiti, e cila ka ndikim të madh në jetën publike të Kosovës, ka lindur në Dumnicë të Podujevës. Ai ka kryer Fakultetin Filologjik, dega gjuhë angleze në UP, ku edhe ka doktoruar në vitin 2006. Ha-miti jep letërsi angleze në UP nga viti 1989. Është autor i një libri monografik për letërsi angleze, i shkrimeve eseistike për letërsi, si dhe i përkthimeve në shqip dhe në anglisht. Në vitet 1991-1999 ka punuar në Qendrën për Informim të Kosovës, si redaktor përgjegjës për seksionin anglisht. Ka qenë redaktor dhe përkthyes i një sërë botimesh në anglisht që QIK ka realizuar gjatë atyre viteve të luftës se kosovarëve për liri dhe pavarësi. Hamiti është anëtar i LDK që nga viti 1990, ndërkaq, ka qenë këshilltar për Media dhe zëdhënës i presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, e më pas këshilltar i lartë politik i presidentit, Fatmir Sejdiu. Muhamet Hamiti do ta përfaqësojë Kosovën në Mbretërinë e Bashkuar.

 

MUHAMEDIN KULLASHI

 

 Muhamedin Kullashi, i cili do të përfaqësojë në Francë, cilësohet si filozofi më i shquar kosovar i të gjitha kohërave. Ai ka lindur në Pejë, ndërkaq Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë Franceze e ka kryer në Zagreb, ku edhe doktoron në vitin 1977. Nga viti ‘74 është ligjërues në Fakultetin e Filozofisë në UP. Në vitin 1977 kryen doktoraturën në Zagreb. Ndërkaq, në vitin 1992, Kullashi ikën në Paris, ku filloi punën si profesor në Universitetin 8 të Parisit, universitet ky ku kanë ligjëruar mendimtarët më të mëdhenj francezë. Ai ka botuar disa vepra, ndërkohë që ka spikatur me “Mendimi politik modern”, “Pushteti dhe dija te Michel Foucault”, “Përplasje e identiteteve”... Në vitin 2002 është zgjedhur anëtar i Akademisë se Shkencave të Kosovës. Profesor Kullashi, deri më tash, nuk ka qenë i angazhuar në parti politike.

 

ILIR DUGOLLI

 

Ilir Dugolli është bashkëthemelues dhe drejtor i hulumtimeve në KIPRED. Ai mban titullin e magjistrit të së drejtës kushtetuese komparative nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, ndërsa pjesë të studimeve i ka mbaruar në universitete të ndryshme, përfshirë edhe Universitetin Yale. Ka ligjëruar në Fakultetin Juridik dhe Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës e gjithashtu edhe në Universitetin Amerikan. Në qeverinë e vendit, nga viti 2002-2004, fillimisht ka qenë këshilltar për çështje ligjore e më pas këshilltar i parë i kryeministrit Rexhepi. Ka qenë edhe këshilltari politik i komandantit të TMK, Gjeneral-lejtnant Agim Ceku, gjatë viteve 2005-2006. Është autor i një numri punimesh nga lëmi e drejtësisë, zgjedhjeve dhe sigurisë.

 

SULEJMAN GASHI

 

Sulejman Gashi, apo fytyra më e njohur televizive pas përfundimit të luftës në Kosovës, ka lindur në fshatin Kiev të komunës së Klinës, në një familje të shquar në Kosovën qendrore. Ai ka përfunduar Fakultetin Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, ndërkaq ka punuar në vitet ’80 si gazetar në Televizionin e Prishtinës. Pas mbylljes së TVP, Gashi shkon në SHBA. Në vitin 1999, ai kthehet në Kosovë si pjesë e stafit të UNMIK në Prishtinë. Ndërkohë që më pas angazhohet në themelimin e RTK. Për disa vjet ai bëhet një ndër gazetarët më të shquar të këtij televizioni. Në vitin 2002, ai kthehet sërish në SHBA, ku vazhdon të jetë korrespodent i RTK dhe bashkëpunon me Departamentin e Shtetit. Të enjten, Sulejman Gashi u emërua i Ngarkuar me Punë në Nju-Jork.

 

VILSON MIRDITA

 

Vilson Mirdita, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në Berlin, ka lindur në fshatin Ranoc të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kryen në Zllakuqan, ndërkaq të mesmen në Klinë. Studimet i vazhdon në Universitetin e Prishtinës, dega e Biologjisë. Mirdita në vitin e tretë të studimeve shkon në Gjermani, ku në vitin ‘97 fillon studimet për biologji aplikative në Universitetin Hohenheim. Ndërkaq, në vitin 2006, po në këtë universitet, ai mbron doktoraturën. Që nga përfundimi i doktoraturës, ai fillimisht punon si bashkëpunëtor shkencor e më pas edhe asistent dhe ligjërues në këtë universitet. Vilson Mirdita është vëllai i dëshmorit të kombit Kolë Mirdita. Deri më tash, ai nuk ka qenë i angazhuar politikisht.

 

SABRI KIÇMARI

 

Sabri Kiçmari, i cili hynë në radhën e llapjanëve të paktë që janë pjesë e PDK, ka lindur në fshatin Gurash të Podujevës. Aty ai kryen shkollën fillore, të mesmen e vazhdon në Prishtinë, ndërkaq me të regjistruar studimet universitare, ai detyrohet të hidhet në ilegalitet për shkak të veprimtarisë armiqësore ndaj regjimit serb. Që atëherë ai është një prej pjesëtarëve të LPK, ndërkaq në vitin 1989, Kiçmari shkon në Gjermani, ku kryen një sërë funksionesh dhe jep kontributin e tij për kauzën e Kosovës. Pas lufte, ai emërohet për një periudhë të shkurtër kohore këshilltar diplomatik i kryeministrit të QPK, Hashim Thaçit. Në vitin 2000 kthehet sërish në Gjermani, ku në vitin 2007 mbron disertacionin në Universitetin e Bonit. Pas kthimit të tij në Kosovë, në tetor të vitit 2005, është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kurse për zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 është dominuar kandidat në listën e PDK për Kuvendin e Kosovës. Sabri Kiçmari do të jetë i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës në Vjenë të Austrisë.

 

BEKIM SEJDIU

 

Bekim Sejdiu, ka lindur në Klinë, ku edhe kryen shkollën fillore dhe atë të mesme. Studimet në Fakultetin e Drejtësisë në UP i kryen më 1999. Ndërsa ka fituar titullin Master për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut nga Universiteti i Bolonjës dhe Sarajevës. Gjithashtu në vitin 2005 ka fituar titullin Master në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Universiteti i Bilken (Ankara, Turqi). Momentalisht, është kandidat për Doktoraturë në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit të Bilken. Në vitin 2002, z. Sejdiu ka filluar të punojë si asistent/profesor në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë në UP. Më 8 prill 2008 është emëruar këshilltar i lartë politik i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai do ta përfaqësojë Kosovën në Turqi.

 

ALBERT PRENKAJ

 

Albert Prenkaj, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në Itali, ka lindur në Pejë, ku kryen shkollën e fillore dhe atë të mesme. Ai ka kryer Fakultetin Filozofik, dega e historisë. Ndërkaq që nga paslufta punon në OSBE, në departament të demokratizimit. Në OSBE ka mbajtur një sërë funksionesh. Prenkaj është një ndër themeluesit e degës së Partisë ORA në Pejë.

 

NAIM MALA

 

Naim Mala, i cili është anëtar i familjes së njohur Mala të Anamoravës, ka lindur në Gjilan, ku kryen edhe shkollën fillore dhe atë të mesme. Ai ka qenë një ndër njerëzit e shquar të ilegales, për çka edhe burgoset në vitin ’84, ku mban katër vjet burg. Pas lirimit, ai emigron në Zvicër, ku në vitin ’97 kryen në Gjenevë Fakultetin e Shkencave Sociale. Më pas ai punon si profesor në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës. Mendohet se ai ka lidhje të fuqishme me politikën zvicerane, ndërkaq është anëtar edhe i Lidhjes Ndërkombëtare Kundër Racizmit dhe Antisemitizmit. Gjatë Qeverisë së Përkohshme, ai ka qenë përfaqësues i Kosovës në Zvicër. Naim Mala jeton në Zvicër.

 

 Kthehu në faqen e parë 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!