ZHIKICA R. DHE GENTIANA M. – NJË DASHURI NË SHIKIM TË PARË

 

Shkruar nga Enver Robelli

 

“Nuset shqiptare janë të mira dhe të zellshme, më së shumti dëshirojnë t’i ruajnë delet”! Si po e gjejnë bujqit e pamartuar serbë nafakën e jetës në veriun e Shqipërisë? Dhe si po i lavdërojnë vjehrrat serbe nuset nga Shkodra?

A keni dëgjuar për katundin Bogalinac? Nëse jo, atëherë ja disa të dhëna elementare. Bogalinaci gjendet në Serbi, më saktë në Komunën e Rekovacit në Qarkun e Moravës. Në vitin 1991 kjo trevë numëronte 255 banorë, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002 në Bogalinac jetojnë vetëm 163 njerëz. Prej tyre vetëm 16 janë fëmijë. Numri mesatar i anëtarëve të familjes është 2,33, mosha mesatare e meshkujve është 53,5 vjeç, e femrave 56,5. Në bazë të kësaj statistike shihet se Bogalinaci i ka punët keq. Nëse vazhdon ky trend, atëherë ky katund brenda pak vitesh mund të mbesë pa njerëz. Sa për krahasim: në vitin 1948 në Bogalinac jetonin gati 700 banorë. Gazetat serbe prej vitesh alarmojnë se nëse gratë serbe nuk lindin më shumë fëmijë, atëherë serbët pas 500 vjetësh do të zhduken edhe biologjikisht.

Zhikica Radojkoviq, 45-vjeçar, banor i Bogalinacit, e ka gjetur shpëtimin. Pasi ka kërkuar pa sukses një nuse gjithandej nëpër Serbi, ai një ditë ka shkuar në “vashar”, një lloj tubimi popullor, një lloj panairi, ku bujqit blejnë gjësendet e nevojshme. Në traditën popullore serbe vashari është një pazar i gjithanshëm: aty mund të blihen lopë e dele, por edhe të fejohen vajza. Ato vishen bukur dhe ecin nëpër vashar „për të rënë në sy“, por përherë shoqërohen nga ndonjë kushërirë më e moshuar. Në vashar çiftet e martuara për herë të parë ia tregojnë fëmijën e sapolindur të gjithë katundit. Pra, vashari është më shumë se pazar kafshësh.

Këtë e di mirë bujku Zhikica Radojkoviq.

Ai i ka treguar gazetës serbe „Blic“ se më 22 korrik të këtij viti kishte shkuar në vashar në lokalitetin Javor për të gjetur një nuse. Në mbarë nahinë serbe ishte përhapur lajmi se në vashar do të vinin 200 (!) vajza nga Shqipëria, të gjitha në kërkim të bashkëshortëve. Për Zhikicën ky ishte një rast për të gjetur dashurinë e jetës. Por, kur kishte shkuar në pazar ai ishte zhgënjyer. Aty nuk i kishte gjetur as gjurmët e ndonjë femre shqiptare, por vetëm gjashtë burra me republika (kapela). „Shkuam menjëherë te ata njerëz që t’i pyesim ku janë vajzat nga Shqipëria. Një shqiptar na ftoi në kafehane dhe na tha se vajza e tij ishte sëmurë dhe nuk kishte mundur të vinte, por ai shtoi se së pari ne duhet të shkonim në Shkodër, sepse rendi është që dhëndri të shkojë te nusja“, tregon Zhikica. Një javë më vonë ai shkoi në Shkodër. Në familjen e nuses e pritën sipas traditës. Zhikica mësoi se nusja e tij e ardhshme quhet Gentiana. Ajo njëherë ishte turpëruar t’i dilte përpara burrit të saj të ardhshëm.

 

Tani nëna e Zhikicës është shumë e lumtur. Stanica (kështu quhet vjehrra) thotë se shqiptarja Gentiana Malaj „përjetësisht është dashuruar“ në djalin e saj që në çastin kur e ka parë. „E kemi pranuar si fëmijën tonë dhe jemi gëzuar që Gentiana ishte e gatshme të martohej me djalin tim Zhikicën. Sikur sivjet të mos kishte gjetur nuse, nuk do të kishte gjetur tërë jetën. Ky ka qenë shansi i tij i fundit. Ajo është e mirë dhe e zellshme, më së shumti dëshiron t’i ruajë delet. Shpresoj të kemi së shpejti nipa e mbesa dhe vetëm ata po i pres“, thotë Stanica. Në një foto të botuar në „Blic“ Gentiana shihet duke e puthur ëmbël Zhikicën, i cili supozohet se me syzet e tij shumë të trasha vështirë do t’ia gjente buzët shqiptares nga Shkodra. Nusja shqiptare tashmë e ka ndërruar fenë dhe thotë se ortodoksinë e ka pranuar „me zemër“.

Jo të gjithë banorët e Bogalinacit i dëshirojnë fat Zhikicës me nusen e tij shqiptare. Disa janë zemëruar dhe frikësohen se kështu shqiptarët po e popullojnë Serbinë. Madje thonë se në këtë mënyrë në Serbi po krijohet një Kosovë e re, etj. etj. Njëri nga fqinjët e Zhikicës, i cili nuk dëshiron ta tregojë emrin, thotë: „E mjera Serbi që e përjetoi këtë. Të gjithë e dimë si janë shqiptarët dhe si janë të edukuar, kjo është pjesë e një plani të madh, kështu ata zgjerohen. Ato tani lindin fëmijë serbë, të cilët fshehtas do t’i edukojnë në mënyrën e tyre. Kjo nuk është fare mirë“. Një tjetër banor nuk pajtohet me këtë mendim. Ai thotë se rruga për nuset shqiptare është e hapur dhe tregon se si një shqiptare e martuar në një fshat të afërm për vetëm gjashtë muaj e ka mësuar gjuhën serbe dhe rregullisht shkon në manastir. Ai premton se së shpejti krejt bujqit e pamartuar serbë në rrethin e tij do ta gjejnë nafakën në Shqipëri. „Do të bëjmë mrekullira“, thotë ai.

Fenomeni i martesave të bujqve serbë me vajzat shqiptare nga veriu i Shqipërisë nuk është i ri. Në vjeshtë të vitit 2007 në fshatin Bugjevo të Serbisë u mblodhën 40 çifte të përziera serbo-shqiptare. Sipas gazetës „Politika“ gjatë këtij tubimi burrat serbë kishin treguar se si e kanë kaluar rininë të vetmuar nëpër ndeja dhe kafehane ose në fabrika të Shumadisë dhe kur janë kthyer në katund nuk kanë gjetur vajza për t’i martuar, e nëse rastësisht kanë gjetur ndonjë, ajo nuk ka dashur të martohet „za seljaka“ (për katundarin). A do të ndryshojnë trendin e tkurrjes së popullsisë serbe vajzat shqiptare? Vështirë. Në katundet e Serbisë „nuk ka vajza“, shkruan gazetari Nebojsha Jevriq. „Të dashuruara pas serive latinoamerikane, ato ëndërrojnë një jetë më të mirë në një qytet të madh. Dhe shkojnë“.

http://www.blic.rs/reportaza.php?id=67019 

 Kthehu në faqen e parë 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!