MARRËZI ARKITEKTONIKE NË ZAGREB DHE NË PRISHTINË

 

Defekt absurd në aeroportin e Zagrebit: Si u eliminuan arkitektët më të famshëm të botës nga konkursi për ndërtimin e terminalit të ri dhe pse fitoi firma kroate IGH, e cila fiton përherë? Madje IGH ka fituar edhe tenderin për të shtruar rrugën Prishtinë-Ferizaj. Dhe si është e mundshme që një studio anonime arkitektonike nga Berlini të ndërtojë në Prishtinë godinën e teatrit dhe operës? Është e mundshme, sepse kështu vendosën pushtetarët provincialë

 

Shkruan: Enver Robelli

 

1. Airport Zagreb Pleso

 

Sharmi i Jugosllavisë së Titos ende  është i pranishëm – në aeroportin e Zagrebit. Pothuaj gjithçka të kujton një kohë të harruar. Ngjyrat socialiste (kryesisht verdhë, përhimët, zi) dominojnë ambientin. Karriget në sallat e pritjes janë të papërshtatshme. Nëpër restorante kamerierët duket se nuk e kanë ndërruar uniformën që nga vitet 70-të. Aeroporti i vogël i Zagrebit nuk i përshtatet më kohës. Këtë, më në fund, e kanë vërejtur edhe përgjegjësit. Në vitin 2006 kanë vendosur të modernizojnë portin më të rëndësishëm ajror të vendit dhe për këtë qëllim do të investohen rreth 250 milionë euro. Pjesë e modernizimit është edhe ndërtimi i një terminali për pasagjerë. Pas ndërtimit pritet që për çdo vit nëpër aeroportin Pleso të Zagrebit të kalojnë 5 milionë udhëtarë dhe përreth tij të ndërtohet një “Airport City“ me hotele dhe objekte biznesi.

 

 2. Urat e Jure Radiçit

 

Për të ndërtuar terminalin e ri autoritetet kroate shpallën konkurs ndërkombëtar. Në muajin gusht dhjetë studio kroate dhe shtatë studio ndërkombëtare dorëzuan projektet e tyre. Konkursi ishte anonim. Së paku kështu u tha zyrtarisht. Nëpër qarqet arkitektonike të Zagrebit pëshpëritej se për ndërtimin e terminalit të ri të aeroportit të Zagrebit do të konkurronin arkitektë të famshëm.

 

Në fillim të tetorit juria, e cila dominohej nga vendorët dhe, sa për sy e faqe, kishte edhe disa ndërkombëtarë, madje ndonjëri prej tyre as që kishte marrë pjesë në vendimmarrje, pra në fillim të këtij muaji - u shpall fituesi. Asnjë arkitekt që merr vesh nga ndërtimi nuk e priste se do të fitonte pikërisht firma kroate IGH e Jure Radiçit, i cili në vitet 90-të ka qenë politikan prominent i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe ministër për rindërtim, zhvillim e ndërtimtari, ndërsa që nga viti 2006 është drejtor i IGH-së (Institutit të Kroacisë për Ndërtimtari). Radiç dhe firma e tij nuk kanë asnjë referencë për realizimin e ndonjë projekti të rëndësishëm ndërtimor. Madje kjo firmë dhe Radiçi në veçanti në Kroaci kritikohen për një dështim të madh në ndërtimin e urës së Maslenicës në Dalmaci. Ura e vjetër ishte hedhur në ajër gjatë luftës. Firma IGH ndërkohë e ka ndërtuar urën e re, e cila gjendet 800 metra larg prej urës së vjetër, por ajo shpesh është e mbyllur për shkak të erërave të fuqishme. Sipas ekspertëve të ndërtimit firma IGH e ka ndërtuar urën gabimisht në një vend tepër të ekspozuar ndaj erërave. Bashkë me një konsorcium firmash kroate IGH po ashtu ka fituar tenderin për ndërtimin e urës, e cila do të lidhë bregdetin kroat me siujdhesën Peleshac dhe tutje me Dubrovnikun. Me këtë projekt Kroacia synon të lidhet me Dubrovnikun duke anashkaluar territorin e Bosnjë-Hercegovinës. Tani një pjesë e shkurtër e rrugës drejt këtij qyteti kalon nëpër Neum të Bosnjës. Për të ndërtuar urën e Peleshacit kanë konkurruar disa firma të huaja, të cilat nuk kanë pasur asnjë shans të fitojnë projektin. Konsorciumi kroat, ku është i përfshirë edhe IGH, ka premtuar se ura do të kushtojë rreth 260 milionë euro. Firmat e huaja kanë vlerësuar se kjo shumë nuk mjafton, ekspertët mendojnë se ato kanë të drejtë. IGH është duke shtrirë aktivitetet edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Së fundi kjo firmë ka fituar një tender për të ndërtuar rrugën Prishtinë-Ferizaj.

 

 3. Disfata e Sir Norman Foster

 

Pra, terminalin e ri të aeroportit Pleso në Zagreb do ta ndërtojë firma kroate IGH. Para pak ditësh në Muzeun e Arkitekturës në Zagreb u prezantuan edhe projektet tjera. Një arkitekt i njohur kroat, duke aluduar   në projektin fitues, thoshte me ironi: „Gjithçka është legale”. Natyrisht ai nuk e kishte fjalën te tenderi, por te birra që e pinte. Kush qenë konkurrentët e Jure Radiçit? Për shembull njëfarë Sir Norman Foster, ndër arkitektët më të famshëm të botës, i cili ka ndërtuar “Gherkin-in” (rrokaqiellin në formë trangulli) në Londër, kupolën e Bundestag-ut në Berlin, selinë e Kommerzbank në Frankfurt, urën e mijëvjeçarit në Londër, stadiumin e ri në Wembley, aeroportin në Peking etj. Prandaj, revista kroate “Globus” me të drejtë pyet pse në Zagreb nuk fitoi mbreti i arkitekturës moderne, Sir Norman Foster, lajtmotivi i të cilit është “përgjegjësia për t’i bërë gjërat të bukura“, siç ka thënë ai me një rast. Projekti i Foster për aeroportin e Zagrebit, i cili mbizotërohet nga një platformë me xhama dhe përshtatet lehtësisht në hapësirë, nga njohësit e arkitekturës është vlerësuar dukshëm më i mirë se ai i arkitektëve të IGH-së. Por, argumenti i jurisë kishte qenë: „Kush do t’i mirëmbajë gjithë këta xhama?“ Në Zagreb nuk pati shans as arkitektja britanike me origjinë irakiane Zaha Hadid, e cila ka realizuar projekte prestigjioze në mbarë botën, por as arkitekti i njohur japonez Shigeru Ban. Të gjithë këta morën nga një shumë simbolike parash për idetë e tyre, ndërsa projektin e fitoi Jure Radiçi. Një grup arkitektësh kroatë këtë javë i kanë akuzuar autorët e projektit për aeroportin Pleso për plagjiat. Në padinë e dorëzuar në Shoqatën e Arkitektëve të Kroacisë theksohet se Jure Radiçi dhe arkitektët Branko Kincl dhe Velimir Neidhardt e kanë kopjuar projektin nga aeroporti Kansai në Osakë të Japonisë, i cili është ndërtuar nga arkitekti i njohur Renzo Piano. Po ashtu arkitektët kroatë akuzohen se kanë kopjuar edhe disa pjesë të terminalit të udhëtarëve në Shenzhen të Kinës të projektuara nga arkitekti Massimiliano Fuksas. Kur ishte shpallur fituesi i konkursit gjoja anonim, gazetarët e pranishëm sapo dëgjuan emrin e firmës IGH filluan të qeshnin me zë të lartë.

 

 4. Shansi i humbur

 

Jo pak kritikë të arkitekturës në Zagreb theksojnë se arsyeja e shpalljes së konkursit ndërkombëtar ka qenë që t’u jepet shansi edhe arkitektëve të famshëm për pjesëmarrje – dhe në fund, duke ia dhënë projektin një firme kroate, t’u tregohet atyre dhe opinionit botëror të ndërtimtarisë se, ja, edhe Kroacia paskësh arkitektë me renome së paku evropiane. Por, fakt është se që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot asnjë objekt në Kroaci nuk gjendet në hartën e ndërtimeve prestigjioze në botë. Tani Kroacia kishte shansin – dhe ky shans, sipas kritikëve, u humb qëllimisht, sepse duhej të fitonte një firmë vendore, duhej të fitonte IGH, që edhe pse e privatizuar ende de fakto është nën kontroll të qeverisë. Vetë ministrja e ndërtimtarisë Marina Matuloviç Dropuliç është pronare e 1497 aksioneve të IGH-së në vlerë prej mbi 1,5 milionë euro. Por, Matuloviç Dropuliç përherë thotë se nuk ka ndonjë konflikt interesi.

 

 5. Dështim në Prishtinë

 

A duhet të nxjerrë Kosova ndonjë mësim nga kjo farsë ballkanike e ndërtimit të terminalit të ri në aeroportin e Zagrebit? Mësimi më i rëndësishëm do të ishte që projektet me rëndësi kapitale nuk duhet t’u jepen firmave pa referencë. Kjo ka ndodhur, ta zëmë, kur është përzgjedhur një studio arkitektonike anonime nga Berlini për të ndërtuar objektin e Teatrit dhe Operës në Prishtinë, i cili do të bart emrin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. (Nuk do të ishte habi sikur nesër dikush të kërkonte një teatër dhe operë me emrin Adem Jashari). Emri i Ibrahim Rugovës nuk do t’ia shtojë as ulë vlerën arkitektonike Teatrit dhe Operës në Prishtinë. Vetë arkitekti Kai Auffermann nga studioja “ARW Planungsgemeinschaft” pasi e kishte fituar konkursin në Prishtinë, kishte thënë me habi: “Një punë të tillë e fitojnë vetëm arkitektët e njohur”.

 

Në gazetën “Berliner Morgenpost”, Auffermann po ashtu ka shpjeguar se për Teatrin dhe Operën në Prishtinë ai ka projektuar një formë të thjeshtë dhe ka hequr dorë nga “elementet prestigjioze”. Pra, vetë arkitekti është i vetëdijshëm se Prishtina nuk do të hyjë në hartën e arkitekturës botërore, madje as rajonale, kur të ndërtohet Teatri dhe Opera. Projekti i Auffermann-it i përngjan një qendre tregtare dhe është një miks i keq i pseudomodernizmit me neoklasicizmin e imituar. Tepër problematike ka qenë edhe përbërja e jurisë. Ndonëse tenderi (ose konkursi) ka qenë ndërkombëtar, anëtarë të jurisë – për aq sa dihet publikisht - kanë qenë disa arkitektë lokalë dhe të ashtuquajtur specialistë vendorë të ndërtimtarisë. Se çfarë i kualifikon ata për të vlerësuar një projekt, i cili mendohet të jetë kartëvizitë e Prishtinës, është çështje që duhet diskutuar.

Një gjë është e sigurt: anëtarët e jurisë nuk kanë pasur asnjë referencë serioze arkitektonike për të gjykuar mbi vlerën e projektit të Kai Auffermann-it. Komentin më absurd për firmën arkitektonike “ARW Planungsgemeinschaft” e ka dhënë Bujar Demjaha, kryetar i Komisionit për Projektin.

Ai për “Kohën Ditore” ka deklaruar: “Përmes disa kontakteve e kemi verifikuar emrin e kësaj kompanie dhe kemi vërtetuar se ekziston”. Më shumë, me sa duket, nuk i ka interesuar jurisë, e cila shihet ashiqare që nuk ka qenë në nivel të detyrës. Kriteret kanë qenë qesharake. Është theksuar se do të fitojë ai që ofron çmimin më të ulët dhe që premton realizimin sa më të shpejt. Si kriter i fundit është përmendur forma arkitektonike. Thonë se çorba e lirë t’i djegë buzët. E mira e së mirës do të ishte sikur Qeveria e Kosovës të anulonte këtë projekt të keq. Nëse institucionet nuk kanë mundur t’i ndalin privatët në shkatërrimin e kryeqytetit, është mirë që bile së paku vetë të mos marrin pjesë në këtë kaos me projekte siç është ky për ndërtesën e Teatrit dhe Operës në Prishtinë.

 

6. Shembulli i Bilbaos

 

Qyteti i Bilbaos në Spanjë deri se voni nuk ka qenë aq i njohur në botë. Por, prej viteve 90-të në arenën ndërkombëtare flitet për “Efektin Bilbao”, i cili përshkruan rritjen e vlerës së një qyteti përmes ndërtimeve spektakolare të arkitektëve të njohur. Domethënë: një qytet i vogël, i cili është larg destinacioneve turistike, si rasti i Bilbaos, dhe i cili nuk ka çfarë t’i ofrojë turistëve, bëhet i njohur në botë me ndërtime moderne. Kështu arkitekti amerikan Frank Gehry me muzeun e tij të Guggenheim-it e ka shndërruar Bilbaon në një magnet të turizmit. Ky është njëri ndër objektet më të rëndësishme të arkitekturës së avangardës të shekullit 20-të. Arkitekti Sir Norman Foster ka projektuar të gjitha stacionet e metros, e cila është gati 40 kilometra e gjatë. Santiago Calatrava ka ndërtuar urën e këmbësorëve “Zubizuri” (Ura e bardhë) dhe aeroportin e Bilbaos. Dikur Bilbao njihej vetëm si qyteti më i rëndësishëm industrial i Baskisë dhe quhej “qyteti i zi”. Në vitin 2004 Bilbao mori një çmim për projektin më të mirë në botë të arkitekturës së qytetit. Bilbao është shembull se si përmes ndërtimtarisë një qytet mund të bëhet qendër e lulëzimit ekonomik dhe kulturor. Edhe Prishtina do të mund të bëhej një shembull i tillë – sikur në gjithë këto vite kryeqytetin e Kosovës të mos e kishte futur në grusht një grup pushtetarësh grykës dhe provincialë.

 

Muzeu Guggenheim në  Bilbao

 

Kthehu në faqen e parë

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!