VIZIT TE HASAN MALA NË GJILAN – PAS SHUM VITESH MËRGIMI I GËZOHET SHTETIT TË KOSOVËS

 

Shkruan: Sulejman Sulejmani


Zakonisht, ne të gjallët shkruajmë për Heronjtë e rënë për liri, dhe ata Heronj që ranë në altarin e lirisë kishin bashkëpunëtor, që sot janë gjallë,  dhe padrejtësisht mbesin në harresë apo nuk përkujtohen.

 

Hasan MALA ndër të parët në Kosovë me Pasaportën e shtetit të tij


Nuk e ndaj mendimin me disa që mendojnë se ne shqiptarët i respektojmë vetëm të vdekurit.  Ta kujtosh me sinqeritet dhe respekt,  figurën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Shaban Polluzhës, Ramiz Cërnicës, Rexhep Malës, Zahir Pajazitit, Adem dhe Hamz Jasharit, jo që nuk bëhet e tepërt, po nuk do të mjaftojnë libra e libra që të thuhet e tëra për ta.  Ata qenë dritë për këtë popull, jetuan me lavdi dhe me bujë si Uragaj plot furtunë, ranë me zulmë dhe lanë dritë ndër brezni, që sa të ketë diell e hënë, do të ketë edhe Shqipëri të lirë.

  Por, fatmirësisht, në rrebeshet që kaluam, nuk ranë të gjithë ata që e bënë Historinë, bashkëveprimtarët e tyre mbeten për të na kujtuar në ditë paqeje, se çfarë buzëqeshje kishin ata që ranë për liri, çfarë sjellje njerëzore kishin, çfarë dashurie ndaj njerëzve kishin e shumë veti të tjera fisnike, që në ditët e sotme i duhen Kosovës të i mësoj e kujtoj me krenari. 


Një ndër këta burra lavdiplotë është edhe Hasan Mala nga Hogoshti i cili qe gjatë kohë jeton në Gjilan, duke i përjashtuar disa vite, jo të pakta, mërgimi të detyruar nga ndjekja e UDB-ës serbo-jugosllave. Emri i tij ishte bërë i njohur në Kosovë me veprimtarin për përhapjen e të vërtetës për Kosovën në Zvicër dhe para selis së OKB-së në Gjenevë, si para luftës çlirimtare ashtu edhe gjatë luftës në Kosovë. Para disa ditëve pata fatin dhe mundësin ta vizitoj këtë burrë të madh në shtëpinë e tij në Gjilan.  Bashkë me motrën time Nazlije, e cila shumë vite është mike e familjes Mala, hymë në oborrin e shtëpisë dhe i ramë ziles.  Posa hyn në shtëpinë e Hasan Malës, njeriu fiton përshtypjen se është me një botë tjetër, aty takon një buzëqeshje të ngrohtë, një shtrëngim dore miqësisht, një bisedë  vëllazërore.  .  .

 
U ulëm në kanapën e thjesht të dhomës së pritjes dhe gruaja e Hasanit, Zonja Rexhije na servoj kafe.  Deshte apo nuk deshte, në atë shtëpi nuk mund ta kalosh bisedën pa e përmend Rexhep Malën, tashmë Hero kombëtar, vëllain e vogël të Hasanit.  Evokuam disa kujtime, pasi edhe unë me motrën ruanim kujtime të drejt për drejta për Rexhepin.  Çdo fjalë që thuhej disi merrte një kuptim të veçantë dhe më bëhej se dëgjohej ajo bunbullim dridhëse kur forca të mëdha i rrethuan në Prishtinë, bashkë me Nuhi Berishën.  Më kujtohej edhe ai dimri i largët i ati Janari kobzi, kur u përhap lajmi se , ata ranë për mos me vdek kurrë.  Hasan Mala në ato vite ishte i arratisur politik në Zvicër dhe nuk e pushonte as një moment punën për lirinë e Kosovës.

 

  U mundua me të gjitha forcat e tij që ta forconte organizimin çlirimtar, jashtë dhe brenda, bënë punë të madhe po edhe u ndeshën me shumë vështirësi.  Këto vështirësi sa shkaktoheshin nga rrjeti i UDB-ës,  aq shkaktohej nga padituria e njerëzve tanë, brenda dhe jashtë.  Hasan Mala kishte përvojë jetësore dhe aktivitet të dendur për lirinë e Kosovës. gjatë bisedës më bëhej se flisja me një Profesor të Bernit, atje ku Hasani kaloj shumë vite si i arratisur politik.  Bisedën e solla te djali i tij Naim Mala i ngarkuar me punë të Ambasadorit në Bern.  E pyeta, baci Hasan a u gëzove që Naimin e  emëruan Ambasador?


U përgjigj me dhimbje, jo, më tha.  U jam mirënjohës atyre që e kanë emëruar, kushdo qofshin ata, që me një farë mënyre na kanë respektuar dhe na kanë besuar, po gjithë ajo propagandë që u ngrit ndaj Naimit, ishte shumë e dhimbshme për mua, mu bë se sytë ju mbushën me lot.    Naimi u emrue Ambasador në Zvicër, po i doli një problem i vogël për shkak të dyshtetësisë, ky problem u zgjidhë shpejt dhe ai mbeti aty ku u emrue.  Nga shumë medija në Kosovë u ngrit pluhur se gjoja Naimi qenka i dyshuar për kontrabandë etj.  Unë dhe Hasani e dinim kush e ngriti atë propagandë dashakeqe, po nuk e thamë, nuk deshëm të merremi me ata hijena të ndyra  “që të vrasin natën dhe të qajnë ditën”! Këta sahanlëpirës të sotëm ishin dje sahanlëpirës të UDB-ës, punonin Gjykatës, Prokuror, Inspektor UDB-e etj, këta ishin që e burgosën Naim Malën në moshën 14 vjeqare dhe e dërguan në burgun e Lipjanit për katër vjet me radhë!  Këta ishin që e burgosën Zonjën Rexhije e cila ishte vetëm amvise dhe e dënuan me dy vjet burg, këta e detyruan Hasan Malën të arratiset në Zvicër, këta ishin ata që e rrethuan Rexhep Malën e Nuhi Berishën në Prishtinë.  Harruan këto hijena se ata kanë mbetë po ata që kanë qenë, shërbëtor të hurit dhe të litarit, po kohët kanë ndryshuar dhe Serbia nuk është më t`i mbroj. 


Gjatë kohës sa qëndronim aty nuk mundesh pa menduar se sa e nderuar është oda e Mehmet Malës, aty është biseduar për hallet e Vatanit, sa e sa  burra atdhetar, miqtë dhe shok si Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Adem Demaqi, Kadri Zeka, Ilmi Ramadani, Hadajet Hyseni e shumë të tjerë, që disa nga ata veç janë bërë kurban në muret e Atdheut.  Nuk mund të mos i kujtosh ato rrethime të shpeshta nga forcat speciale serbe, po edhe vrojtimet e gjakatarëve si ishin policët e serbisë Daut Morina, Selim Brosha, Refik Thaqi e shumë shërbëtor të tjerë, besnik të serbizmit. 


Gjatë bisedës me Hasan Malën fitova përshtypjen se ndihej i vetmuar po jo i lodhur, ai nuk ankohej. Hasan Mala kishte triumfuar, me faqe të bardhë i ishte kthyer vendlindjes dhe me krenari shëtiste rrugët dhe parqet e Gjilanit dhe Kosovës së tij.  Hasan Mala ka shumë shokë dhe miq, njëherit edhe të gjithë shokët e veprimtarisë së Rexhep Malës, ishin edhe shokë të tij.  Disa nga ata sot mbajnë poste me rëndësi në Kosovë dhe drejtojnë me shtetin e Kosovës.  U ndava nga Hasan Mala, me mendimin se njerëzit që bënë histori si Hasan Mala, duhet respektuar dhe nderuar, sepse në këtë mënyrë i nderojmë ata që nuk janë më, po që vepruan dhe punuan bashkë, për ditë më të mira të këtij populli që po i gëzojmë sot në shtetin e Kosovës!

  www.besiana.de 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!