Kush ishte shkrimtari gjerman Jynger dhe marrëdhënia e tij me Hitlerin? Një prezantim pas deklaratës së Kadaresë mbi marrëdhënien shkrimtar - diktator

 

 

SHKRIMTARI & DIKTATORI: KADARE - HOXHA DHE HITLER – JYNGER

 

Shkruan: Hans-Joachim Lanksch

 

Ditëve të fundit pothuaj në të gjitha mediat shqiptare është përhapur një intervistë e shkrimtarit Kadare dhënë ALSAT-it ku shkrimtari shqiptar tregon, ndër të tjera, që ka qenë i mbrojtur Enver Hoxha duke krahasuar, deri diku, këtë dukuri me rastin e një shkrimtari gjerman nën regjimin nazist: "Më ka mbrojtur sepse mesa duket shkrimtari e ka me vete mbrojtjen. Kjo është pak a shumë jo në atë shkallë si Hitleri me Jungerin, por në një farë mënyrë ngjan."


Në këtë mes duket e udhës të kujtohemi se kush ka qenë shkrimtari i lartpërmëndur gjerman dhe cili ka qenë roli i tij nën diktaturën naziste. Ernst Jynger (Jünger) u lind më 1895. Ai ka qënë një ultrakonservator i bindur dhe bënte pjesë në lëvizjen e ashtuquajtur "nacionalrevolucionare" e cila shquhej për ideologjinë e saj antiliberale dhe antidemokratike me prirje për çështje sociale. Në vitet e 20-ta Jyngeri spikatej si shkrimtar i talentuar. Fillimisht, Jyngeri kishte simpati për lëvizjen nacionalsocialiste. Më 1926, i dërgoi Hitlerit librin e vet "Zjarr dhe gjak" me një dedikim "udhëheqësit nacional, Adolf Hitlerit". Ky i fundit i falënderoi me shkrim shkrimtarit "me përshëndetje gjermane" duke theksuar se i njihte dhe i çmonte shkrimet e Jyngerit në të cilat ky e glorifikoi luftën.

 

 Pas kontakteve të para, Jyngeri u rrinte larg nazistëve. Ata kërkonin afrimin me të. Mirëpo, Jyngeri - një estet i ndjeshëm - e kuptoi karakterin primitiv të totalitarizmit nazist. Gjykimi i tij për Hitlerin u ndryshua prej "ky njeri ka të drejtë" në "ky njeri është qesharak" dhe më pastaj në "ky njeri bëhet i llahtarshëm". Diktatori donte ta bënte për vete shkrimtarin e njohur "nacionalrevolucionar". Më 1929 sekretari i atëhershëm i Hitlerit, Rudolf Hess, i shkroi Jyngerit tri letra. Nazistët mundoheshin ta instrumentalizonin shkrimtarin e spikatur për qëllimet e tyre, ndërsa ky jo vetëm se distancohej edhe më tej nga ata por i refuzoi ofertat dhe grishjet e tyre. Nazistët i ofruan Jyngerit një vend deputeti në Reichstag (Rajhstag), në parlamentin e atëbotshëm gjerman. Dhe Jyngeri - refuzoi të bëhej deputet i Partisë nacionalsocialiste. Thuhet se reagoi me fjalët "shkrimin e një vargu të vetëm e konsideroj më të meritueshëm se sa t'i përfaqësoj në parlament gjashtëdhjetëmij budallenjë."

 

Më 1933, nazistët i ofronin Jyngerit të anëtarësohej më "Deutsche Dichterakademie" (Akademi Gjermane Poetësh), sekcionin letrar të Akademisë Prusiane të Arteve. Akademinë në fjalë pas rrëmbimit të pushtetit nga nazistët (1933) e kishin braktisur pendat e famshme Thomas Mann, Heinrich Mann, Alfred Dëblin (Doeblin) dhe Rikarda Huh (Rikarda Huch), ndërsa regjimi e "pastroi" akademinë nga shkrimtarët hebrenj Franc Verfel (Franz Ëerfel), Jakob Vaserman (Ëassermann), Leonhard Frank, Ludëig Fulda, Georg Kaiser, Alfred Mombert, Rene Schickele, Fritz von Unruh, Bernhard Kellermann dhe Rudolf Pannëitz. Në vëndet e tyre të zbrazëta regjimi futi poetë oborri si Guido Kolbenheyer dhe Hanns Johst të cilët më pastaj figuronin në listën e nazistëve të "artistëve të bekuar nga Zoti" dhe brënda kësaj liste në listën e gjashtë "autorëve të pazëvëndësueshëm". Jyngerit iu ofrua "nderi" të pranohej në këtë Akademi. Dhe Jyngeri - refuzoi. E refuzoi për herë të dytë nderin e lartë që ia ofroi regjimi nazist.

 

 Më 1938, Jyngeri u thirr ushtar. Gjatë lufte, u afrohej pjesëmarrësve të rezistencës gjermane të 20 korrikut 1944. Më 1942, Jyngeri shkroi apelin "Der Friede" ("Paqja"), një apel që e parashikoi për rininë e Europës pas rrëzimit të Hitlerit. Në një fjalim më 1979 e quajti gabim tronditës entuziazmin për luftën që e kishte shfaqur si shkrimtar i ri pas Luftës së Parë Botërore. Më 1982, gjatë një interviste ku iu bë pyetja se çfarë i vinte në barrë Hitlerit, Jyngeri u përgigj: "Padrejtësinë e tij evidente pas 1938-ës. Me politikën e tij për Sudetët jam plotësisht dakord edhe sot e kësaj dite. Por shpejt e kisha kuptuar karakterin e tij". Ernst Jynger vdiq në moshën 102-vjeçe më 1998. La pas më shumë se 30 libra të shkruar pas LDB-së.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!