KONGRESI I MANASTIRIT, MARRËVESHJE E MADHE KOMBËTARE

 

Shkruan: Rexhep Qosja Gazeta “SHQIP”www.besiana.de

 

         Në jetën e kombeve, të arritura të mëdha kurrë nuk mund të bëhen pa marrëveshje dhe pa përpjekje të mëdha. Në historinë e re të popullit shqiptar janë tri marrëveshje të tilla, të mëdha, kombëtare, të cilat kanë ndikuar paracaktueshëm në ardhmërinë e tij. Janë këto tri marrëveshje të mëdha kombëtare të mbajtura në tri qytete, që dikur bënin pjesë në një tërësi natyrore, që quhej Shqipëri, dhe në një tërësi politiko-shtetërore, që quhej Perandori Otomane, kurse sot, këto tri qytete, u takojnë tri shteteve - Shqipërisë shtetërore, Maqedonisë dhe Kosovës.

         Janë këto tri marrëveshje të mëdha kombëtare, që kanë frymëzuar dy veprat më të mëdha në historinë shqiptare: shpalljen e Shqipërisë shtet i lirë, i pavarur dhe më vete, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912 dhe shpalljen e Kosovës si shtet i lirë, i pavarur e më vete, në Prishtinë më 17 shkurt 2008. Dhe, këto tri marrëveshje të mëdha kombëtare janë:



1. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e mbajtur këtu, në Prizren, në vitin 1878;



2. Kongresi i Alfabetit, ose i abesë, i mbajtur në Manastir, në vitin 1908; dhe



3. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i mbajtur në Tiranë, në vitin 1972.


         Pse janë këto tri marrëveshjet më të rëndësishme, më vendimtare, në historinë e re të popullit shqiptar?

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e mbajtur në vitin e ashpërsimit më të madh të Krizës Lindore, kur fqinjët ballkanikë - Serbia, Greqia dhe Mali i Zi në programet e tyre kombëtare e kishin paraparë zgjerimin në tokat shqiptare, do ta bëjë ideal kombëtar ruajtjen e tërësisë së tokave etnike dhe në to krijimin e shtetit të pavarur kombëtar - të Shqipërisë etnike. Programi kombëtar shqiptar, i shpallur në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, do ta lëvizë historinë shqiptare prej kohës kur është krijuar kjo Lidhje e deri në ditët tona.

Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe do t‘u sjellë shqiptarëve alfabetin e njësuar, të përbashkët, domethënë do t‘u sjellë mjetin e shumëdëshiruar, më të rëndësishëm, të shkrimit, që do të përdorej prej të gjithëve dhe në të gjitha trevat shqiptare, mjetin për zhvillimin më të lehtë e më të shpejtë të arsimit, të shkencës e të kulturës në përgjithësi dhe, më në fund, dëshminë e njësisë së kombit, i cili e bënte me dije Evropën për qenien e tij, të drejtat e tij dhe kërkesat e tij politike e kombëtare që po shtronte. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i mbajtur 94 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 64 vjet pas Kongresit të Alfabetit, megjithëse në shikim të parë i liruar prej përmbajtjeve politike, në të vërtetë do t‘i riaktualizojë idealet e Rilindjes Kombëtare, të Lidhjes së Prizrenit e të Kongresit të Manastirit. Synimin më të rëndësishëm kulturor kombëtar të Rilindjes Kombëtare dhe të Kongresit të Manastirit - krijimin e gjuhës letrare kombëtare, ky Kongres do ta bëjë njëmendësi. Dëshmia e rritës historike dhe qytetëruese të popullit shqiptar, gjuha e njësuar letrare, do t‘i përkujtojë shqiptarët se, megjithëse të ndarë në disa shtete ballkanike, janë një komb, çështja e të cilit duhet të zgjidhet. Dhe, në këtë mënyrë, rëndësia politike e këtij Kongresi bëhet po aq e rëndësishme sa rëndësia e tij shkencore kulturore dhe qytetëruese.

Sot e dimë se për Kongresin e Alfabetit të gjuhës shqipe, i cili është bërë i njohur me emrin Kongresi i Manastirit, është shkruar më pak e më rrallë sesa për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe: është shkruar më pak e më rrallë edhe pse është marrëveshje kombëtare në pikëpamje kulturore, shoqërore dhe politike e rëndësishme sa ato.

Pse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet kështu, në radhë të parë, pse me Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Manastir, marrin fund përpjekjet disashekullore për krijim të alfabeteve të gjuhës shqipe, kurse me një alfabet njësues zëvendësohen alfabetet ndarëse. Ishin këto alfabete të ndryshme, të rënda, të vështira, të përbëra, disa nga të cilat na largonin prej njëri tjetrit dhe prej të tjerëve, të cilëve interesi ynë historik ishte që t‘u afroheshim, e jo t‘u largoheshim.

Ata që e njohin historinë e alfabeteve me të cilat është shkruar shqipja deri te Kongresi i Manastirit, ata na mësojnë se gjatë, disa shekuj, për shkrimin e shqipes janë përdorur alfabeti latin, alfabeti grek dhe alfabeti turko-arab. Alfabeti latin është përdorur kryesisht prej shkrimtarëve të Veriut, si alfabet për bashkësinë fetare katolike, kurse ai grek dhe turko-arab janë përdorur për bashkësitë fetare ortodokse dhe myslimane, dhe kjo domethënë se ishin alfabete të dy gjuhëve që fliteshin dhe shkruheshin në Perandorinë Otomane. Alfabeti latin me të cilin shkruhej në gegërishte, në Veri të Vendit, ishte alfabet që nuk kishte statusin shoqëror dhe shtetëror të dy të tjerëve.

Përveç këtyre tri alfabete me përdorim më të gjerë do të përpilohen dhe, më pak a më shumë, do të përdoren edhe një sërë alfabetesh të veçanta.

Dhe numri i tyre ishte vërtet i madh.

Ishte alfabeti i Anonimit të Elbasanit, që kishte 40 shkronja. Mbështetej në alfabetin sllav, i quajtur glagolik. Ishte alfabet i vështirë dhe i papërshtatshëm.

Ishte alfabeti i Konstandin Beratit. Kishte 37 shkronja dhe mbështetej, si i pari, si alfabeti i Anonimit të Elbasanit, në alfabetin glagolik sllav. Sado pak më i thjeshtë se i pari, prapë ishte një alfabet i komplikuar.

Ishte alfabeti i mjekut të të birit të Ali Pashë Tepelenës, i Jan Vellarait, i bërë në mbështetje të alfabetit grek dhe latin. Me të nuk mbuloheshin të gjithë tingujt e shqipes.
         Ishte alfabeti i Teodor Haxhifilipit, i mirënjohur në popull si Dhaskal Todri. Kishte 52 shkronja. Siç e thonë disa nga studiuesit e alfabeteve të shqipes, ky ishte një alfabet i stilizuar grek ose, siç e thonë disa studiues të tjerë, alfabet sllav glagolik.

Ishte alfabeti i Lekë Matrëngës. Ishte alfabet latin me të cilin shkruhej italishtja.
         Ishte alfabeti i Anton Santorit. Ishte ky një alfabet latin me disa shkronja të përbëra prej dy shkronjash, që kishin vlerën e shkronjave që përdorim sot për ata tinguj.

Ishte alfabeti i Jeronim de Radës. Ishte ky një alfabet latin me të cilin shkruhej italishtja dhe me disa shkronja greke.

Ishte alfabeti i Daniel Corteses. Ishte ky një alfabet latin me dy shkronja cirilike.

Ishte alfabeti i Dhimitër Kamardës. Ishte ky alfabet latin i italishtes prej 41 shkronjash.

Ishte alfabeti i Naum Veqilharxhit prej 33 shkronjash. Ishte ky një alfabet, si thuhet, i pa lidhje me alfabetet e tjera me të cilat ishte shkruar ose po shkruhej shqipja. E alfabete të tjera.

Nuk ka dyshim se të gjitha këto alfabete ishin shprehje e përpjekjeve të krijuesve të tyre për të shkruar shqip, për të shkruar libra, herët më të shpeshta, libra fetarë a didaktikë dhe fjalorë, për të përhapur dijen e për të ngritur popullin. Por, meqenëse ishin kaq shumë, kaq të ndryshëm dhe shpesh kaq të vështirë, ata nuk mund ta kryenin si duhej e sa duhej as rolin e dëshiruar arsimor, kulturor, fetar dhe nuk mund ta kryenin një rol tjetër të madh, të përgjithshëm, që kanë pasur dhe kanë gjithmonë e gjithkund alfabetet: nuk mund të bëheshin mjeti i marrëveshjes së të gjithë atyre që e flitnin gjuhën të cilën e flitnin krijuesit e tyre dhe gjithë shqiptarët. Ishin këto alfabete, që e tregonin gjendjen shoqërore dhe politike të popullit të pushtuar: ndarjen feudale, krahinore, dialektore dhe, madje, fetare. Me to përligjej ndarja e letërsisë dhe e kulturës shqiptare në krahina, madje, në qarqe.

Por, do të vinte koha kur me alfabetet e bashkësive fetare, në njërën anë dhe me alfabetet e veçanta, në anën tjetër, nuk mund të plotësoheshin më qëllimet kulturore, shoqërore, politike as të atyre bashkësive të veçanta fetare, as të atyre përpiluesve të tyre të veçantë.

Populli shqiptar kishte mbërritur në një epokë historike dhe në një gjendje shoqërore kur ishin shtuar kërkesat e tij dhe ishte rritur vetëdija e tij e përbashkësisë. Ishte kjo epoka e Rilindjes Kombëtare. Vetëdijes mbi përbashkësinë etnike, gjuhësore, historike, kulturore i nevojitej edhe mjeti i shkrimit të njësuar: i alfabetit të përbashkët. Përmbushje e parë e kësaj vetëdijeje dhe këtyre nevojave shoqërore e kulturore do të jetë alfabeti i Shoqërisë së Shkronjëzave, në Stamboll, i hartuar prej Komisionit të përbërë prej Pashko Vasës, Hasan Tahsinit, Jani Vretos, Koto Hoxhit dhe të kryesuar prej Sami Frashërit. Ishte ky alfabeti i parë, që mund të quhej kombëtar, i përbërë prej shkronjave latine, por i plotësuar me disa germa shkronja ose latine e greke të ndryshuara e me dy shenja diakritike. Edhe pse me të do të shkruhen e të botohen veprat e një vargu rilindësish të mëdhenj, si veprat e Naim Frashërit, Jani Vretos, Sami Frashërit e të tjerëve, ky alfabet nuk do të mund të bëhet alfabet gjithëkombëtar. Më i thjeshtë se shumë prej alfabeteve të përparme, edhe ky alfabet i Shoqërisë së Shkronjëzave mund të quhej alfabet i përbërë, domethënë jo i thjeshtë sa ishte e nevojshme dhe sa ishte e dëshiruar. Për këtë arsye dëshira për të pasur një alfabet, që do të gëzonte miratimin e gjithë shqiptarëve, që do të ishte shprehje e marrëveshjes së tyre, mbetet dëshirë për t‘u përmbushur në të ardhmen. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, shtohen shumë kërkesat për alfabetin njësues, të përbashkët - për alfabetin e të gjithëve.

Asnjë shkrimtar, asnjë publicist, asnjë politikan, asnjë shqiptar tjetër nuk do t‘i nyjëtojë më qartë dhe më përmbledhur se Fan Noli këto kërkesa: "Një abece për të gjithë shqiptarët dhe si të dojë le të jetë. Kjo është thirrja e tërë shqiptarëve. Mjaft...abecera se është turp", shkruante ai. Vetëdija e ngritur kombëtare, nevojat shoqërore dhe kulturore, kërkesat gjithnjë e më të shumta për një "abece për të gjithë" do të sjellin Kongresin e Alfabetit, që do të mbahet në Manastir. Se sa të rëndësishme, historike do të jenë çështjet, për të cilat do të diskutojë Kongresi i Manastirit, e tregojnë dy të dhëna: zgjatja e tij tetë ditë dhe pjesëmarrja në të e shkrimtarëve, publicistikëve, gazetarëve dhe e politikanëve më të shquar kombëtarë.

Kongresi do të zgjasë tetë ditë, prej 14 deri më 22 nëntor dhe në të do të marrin pjesë 50 delegatë prej të cilëve 32 me të drejtë vote. Ndër ta ishin Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mit‘hat Frashëri, Mati Logoreci, Gjergj Qiriazi, Mihal Grameno, Hil Mosi, Fehmi Zavalani e të tjerë. Në Kongresin e Manastirit, në fund, do të vendoset që të përdoren alfabeti latin me disa shkronja të përbëra si th, dh, gj, xh, zh e të tjera dhe alfabeti i Shoqërisë së Shkronjëzave të Stambollit dhe të përdoren deri në Kongresin e Dytë, pas dy vjetësh. Për shkak të ngjarjeve politike në trojet shqiptare, Kongresi i Dytë nuk do të mbahet, por cili prej dy alfabeteve do të bëhet alfabeti unik i shqiptarëve do ta vendosë jeta brenda dy viteve: ky do të jetë alfabeti latin, që përdorim sot. Zgjidhjet që bën vetë jeta zakonisht janë më të mira, më të drejta dhe, sigurt, më praktike se zgjidhjet që mund të bëhen në tubime, në konferenca a në kongrese. Kjo do të jetë zgjidhja e duhur, historike, për një sërë arsyesh.

Cilat janë këto arsye?

Alfabeti latin i miratuar në Kongresin e Manastirit u përgjigjet më mirë se ai i Stambollit veçantive të gjuhës shqipe.

Ky është alfabet që mbështetet po thuaj rreptësishtë në parimin fonologjik - shkruaj siç flet. Ky është alfabet thjesht fonetik.

Prej këtij alfabeti mënjanohen shkronjat e panevojshme, të quajtura parazitare. Ky është alfabet me grafikë të përsosur.

Ky është alfabet i thjeshtë dhe racional. Me këtë alfabet libri shqip mund të botohej në të gjitha vendet në të cilat ishte në përdorim alfabeti latin. Përpos për alfabetin latin, që është bërë alfabet unik i shqiptarëve, Kongresi i Alfabetit të shqipes, i mbajtur në Manastir, është bërë historik edhe për një varg arsyesh të tjera: ky Kongres ka ndikuar në rritjen dhe zgjerimin e vetëdijes kombëtare; ka ndikuar në nyjëtimin e kërkesave për pavarësinë kombëtare; ka ndikuar në letërsinë shqipe, duke i bërë të vetëdijshëm shkrimtarët se tani e tutje ata shkruajnë për të gjithë shqiptarët dhe, në mënyrë të veçantë, do ta shquajë nevojën e krijimit të gjuhës letrare kombëtare. Por, mbi gjuhën e njësuar letrare kombëtare, ne do të merremi vesh më vonë: në vitin 1972, në Tiranë. Ishte kjo marrëveshja e tretë e madhe, historike, e shqiptarëve. Asgjë e madhe, historike, në jetën e një populli nuk bëhet pa kundërshtarë, të cilat koha do t‘i tregojë të vegjël. As Lidhja Shqiptare e Prizrenit, as Kongresi i Alfabetit e as Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe nuk do të jenë pa kundërshtarë të huaj dhe shqiptarë.

Do të kenë kundërshtarë në kohën kur janë mbajtur dhe do të kenë kundërshtarë edhe në ditët tona. Nuk do të flas për kundërshtimet e tyre. Ka folur dhe po flet koha. Ka folur duke i bërë ngjarje madhore historike edhe Lidhjen e Prizrenit, edhe Kongresin e Manastirit, edhe Kongresin e gjuhës së njësuar kombëtare, me të cilat Kombi shqiptar ka arritur të hyjë në dritën e qytetërimit modern, të lirisë e të pavarësisë dhe duke i hedhur në terrin e harresës së gjithmonshme mohuesit e tyre.www.besiana.de

 

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!