KATËR PIKAT E PRISHTINËS ZYRTARE PËR SHTRIRJEN E EULEX-IT

18 Nëntor 2008

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Skender Hyseni, u takuan me z. Daniel Fried, zëvendësndihmëssekretar amerikan i shtetit për Evropë dhe Evroazi, dhe z. Piter Feith, shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Pas këtij takimi, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidenti Sejdiu paraqiti këtë deklaratë të përbashkët:

 

1. Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovës sipas mandatit të paraparë me:

a. Deklaratën e pavarësisë,

b. Dokumentin e presidentit Ahtisari,

c. Kushtetutën e Republikës së Kosovës,

d. Ligjet e Kosovës,

e. Aksionin e përbashkët (Joint Action Plan) të katër shkurtit 2008,

f. Ftesën e bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës, përkatësisht të nënshkruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, më 17 shkurt dhe 8 gusht 2008.

2.  Institucionet e Republikës së Kosovës e refuzojnë në tërësi dokumentin gjashtëpikësh.

3.  Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin e Kosovës në bazë të mandatit sipas dokumenteve të lartcekura në pikën 1, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

4.  Institucionet e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n.

 

 

RAPORTI I BAN KI MOON PËR SHTRIRJEN E MISIONIT EULEX NË KOSOVË



25-11-2008

PRISHTINE- Raporti për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, i është dorëzuar dje shteteve anëtarë të Këshillit të Sigurimit. Në raport jepen instruksione për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe modalitetet që duhet ndjekur në këtë proces. Agjencia e lajmeve në Kosovë “Telegrafi” botoi të plotë raportin e Ban Ki Moon



• Janë zhvilluar diskutime, për të pasqyruar synimin tim të paraqitur në raportin e 12 qershorit para Këshillit të Sigurimit për misionin e administratës së OKB-së në Kosovë për qasjen neutrale të OKB-së ndaj statusit.



• Përfaqësuesi im special ka këshilluar se dialogu dhe konsultimet me të gjitha palët janë zhvilluar në Beograd dhe Prishtinë, pa paragjykime lidhur me qëndrimin e tyre për çështjen e statusit dhe në frymën e Kartës së OKB-së. Të gjithë kanë vazhduar të kërkojnë përparim pragmatik në kuadër të diskutimeve me përfaqësuesin tim special, sa u përket gjashtë pikave, të nënvizuara në raportin tim të 12 qershorit. Jam mirënjohës për përkushtimin e tyre për të arritur një përparim të tillë dhe mezi pres vazhdimin e dialogut për këto dhe çështjet tjera.

• Siç është bërë e qartë në raportin tim më 12 qershor, të gjitha aranzhimet lidhur me gjashtë pikat do të aplikohen, përderisa të mos fillojnë të funksionojnë mekanizmat relevant pasues. Në këtë kontekst, unë nënvizoj se të gjitha palët e kanë pranuar rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare, ashtu siç është paraparë në nenin 16 të Raportit tim më 12 qershor, i cili është në përputhje me situatën e evoluar në Kosovë dhe që i mundëson BE-së që të marrë përsipër një rol më të madh operativ në Kosovë, në veçanti në fushat e policisë ndërkombëtare, të drejtësisë dhe të doganave.



• Rezultatet e këtyre diskutimeve janë shpalosur. Përderisa janë arritur rezultate për disa nga gjashtë çështjet, të tjerat do të kërkojnë vazhdimin e diskutimeve.

 

1. POLICIA



a.) Diskutimet kanë nxjerrë në sipërfaqe synimin e përbashkët të përgjithshëm për implementimin e sundimit të ligjit në tërë Kosovën. Kjo do të siguronte më mire mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, administrimin koherent të drejtësisë kriminale, zbatimin jodiskriminues të ligjit kriminal dhe ofrimin e plotë të shërbimeve policore, me respektimin të plotë të të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve.



b.
) Në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, shërbimi policor duhet të pasqyrojë të gjithë shoqërinë dhe shërbimet policore të bazuara në komunitet, për aq sa është e realizueshme dhe e përshtatshme, duhet të ofrohen nga pjesëtarët e komuniteteve lokale. Për këtë arsye, vëmendje e posaçme do t'i kushtohet, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, kushteve të punës së oficerëve serbë të policisë së Kosovës, në vendet e tyre të punës. Sa i përket kësaj, tashmë janë duke u zhvilluar diskutime aktive.



c.) Stacionet dhe nënstacionet në rajonet e pakicave janë hapur në të gjitha komunat.
Nënstacione shtesë do të hapen, varësisht nga kërkesat e sigurisë dhe ato operative. Stacionet dhe nënstacionet do të mbesin nën zinxhirin ekzistues të komandës dhe do të monitorohen nga policia ndërkombëtare.

 

d.
) Përfaqësuesi im special, nëpërmjet komisarit të tij të policisë, do të iniciojë emërimet në funksionet e larta, në përputhje me ligjet e zbatueshme, të oficerëve serbë të policisë së Kosovës me përvojë të përshtatshme, të cilët ndër të tjera do të kenë obligime dhe përgjegjësi, të cilat ndërlidhen me aktivitetet në terren. Këta oficerë do t'i raportojnë oficerëve të lartë të policisë ndërkombëtare në Kosovë, nëpërmjet kanaleve ekzistuese të komandës.

e.) Të gjitha detyrat policore në Kosovë do të monitorohen ndërkombëtarisht, siç është arritur pajtimi me aranzhimet aktuale dhe atyre në të ardhmen. Vëzhguesit ndërkombëtarë të policisë do të vendosen në të gjitha stacionet dhe nënstacionet, në të gjitha rajonet dhe departamentet. Këta monitorë do të kenë strukturë të pavarur komanduese dhe vija të raportimit, e cila aktualisht përfundon me PSSP-në. Krahas monitorimit të sundimit të ligjit, roli ndërkombëtar do të mbikëqyrë edhe trajtimin korrekt të oficerëve të policisë nga radhët e pakicave dhe mbrojtjen e kushteve të punës, në përputhje me udhëzimet ekzistuese. Do të përgatitet edhe një pako e trajnimit, për t'u siguruar se monitoruesit ndërkombëtarë kanë aftësitë e duhura.

 

2. DOGANAT



a.) Kosova do të vazhdojë të funksionojë si një rajon i vetëm doganor.



b.
) Oficerët ndërkombëtarë të doganave, të emëruar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), do të rikthehen në portat 1 dhe 31. Modalitetet e stacionimit të tyre, sa më shumë që është e mundshme do të pasqyrojnë modalitetet e konceptit të menaxhimit të kufijve të integruar të Evropës dhe kjo mund të përfshijë edhe bashkërenditje të pikave doganore. Ata do të aplikojnë procedura në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, përfshirë këtu edhe "Protokollin ndërmjet administratës tatimore të Republikës së Serbisë, që vepron për Ministrinë e Financave dhe Shërbimit të Doganave të UNMIK-ut, të cilat veprojnë për misionin e përkohshëm të administratës së UNMIK-ut në Kosovë, për kooperim dhe asistencë të ndërsjellë administrative për Tatimin në Vlerën e Shtuar dhe çështjet e tatimeve indirekte, të cilat ndërlidhen me transportin e mallrave përtej vijës administrative kufitare", e me këtë edhe të anekseve, e gjithashtu "Minutat e pajtuara të takimit bilateral në kontekstin e negociatave për zgjerimin e CEFTA-s" në vitin 2006.



c.) Do të aplikohen tarifat, të cilat janë në përputhje me kodin e doganave të rregullores 2004/1 të UNMIK-ut.



d.) Do të nevojiten negociata të mëtutjeshme mes palëve relevante negociuese, për të arritur pajtimin dhe për të përcaktuar modalitetet për operim për riaktivizimin e pikave doganore, të përmendura më lart. Këto diskutime gjithashtu do t'i adresohen edhe distribuimit të të ardhurave doganore, të grumbulluara në pikat 1 dhe 31, të cilat gjithashtu duhet t'i kontribuojnë edhe zhvillimit të komuniteteve lokale.

 

3. DREJTËSIA



a) Diskutimet kanë dhënë shenja edhe për pranim të gjerë të parimeve bazë, duke përfshirë edhe sundimin e ligjit që të aplikohet në të gjithë Kosovën, dhe që drejtësia të jetë në dispozicion të të gjithëve, pavarësisht etnisë, komunitetit apo lokaliteteve. Këto parime mbështesin funksionalizimin e një sistemi koherent të drejtësisë, përfshirë çështjet civile dhe kriminale dhe ato të policisë në të gjithë Kosovën.

 

b) Pas diskutimeve për zhvillimin e këtyre parimeve, ndërtesa e gjykatës në veri të Mitrovicës ka kohë që është vënë në funksion të limituar nën kontrollin e UNMIK-ut, duke zbatuar vetëm ligjet e UNMIK-ut dhe i mbështetur nga stafi i UNIMK-ut deri në 60 ditë nga dita e hapjes së gjykatës. Një plan periodik ka ofruar një kornizë për veprimet e tanishme dhe të ardhshme të drejtësisë.

c) Gjatë fazave pasuese, gjykatësit dhe prokurorët lokalë do të emërohen në pajtueshmëri me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999). Përzierja e gjyqtarëve dhe prokurorëve lokalë të emëruar në këto faza do të reflektohet në komunitet dhe në juridiksionin e vendosur territorial, ku ata do të shërbejnë.



4. TRANSPORTI DHE INFRASTRUKTURA



a) Diskutimet kanë dhënë shenja të pranimit të nevojës për bashkëpunim të ngushtë mbi çështjet e mëdha infrastrukturore (rrugë, hekurudhë, ujë, energji elektrike), rrjedhën e trafikut dhe tregtinë, si dhe mbi çështjet shumë të rëndësishme praktike siç është identifikimi i kualifikimeve. Shumë prej këtyre çështjeve janë të rëndësisë qenësore për qytetarët e të gjitha komuniteteve, dhe mungesa e aranzhimeve praktike bashkëpunuese shkakton probleme të mëdha.



b
) Duke pasur parasysh këtë, Raporti im i kaluar ka dhënë shenja se një komitet i bashkëpunimit teknik do të themelohet nga Përfaqësuesi im Special për t'iu adresuar të gjitha çështjeve relevante. Një komitet i bashkëpunimit teknik është themeluar, por nuk ka arritur ndonjë përparim praktik. Mirëpo, Qeveria e Serbisë në diskutimet e fundit, ndërsa ka ritheksuar qëndrimin e saj mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, ka shfaqur shenja se do ta riforcojë këtë propozim, në mënyrë që çështjet të mund të adresohen më konkretisht. Përfaqësuesi im special do të sigurojë dialog të mëtejmë.


Progresi në këto fusha nuk është vetëm çështje e sigurisë që do të mirëpritet në Evropë, por në veçanti do të jetë një zhvillim i mirëpritur për të gjitha komunitetet në Kosovë.



5. KUFIJTË



Shumë prej çështjeve relevante me menaxhimin e kufirit do të adresohen nga procesi i komitetit teknik për transport dhe infrastrukturë. Në të kundërtën, dhe siç është theksuar në Raportin tim të mëhershëm, në pajtueshmëri me Rezolutën 1244 (1999), KFOR-i si prezencë ushtarake ndërkombëtare, vazhdon ta përmbushë mandatin e tij të sigurisë nëpër të gjithë Kosovën, përfshirë këtu edhe respektimin e kufijve, në bashkëpunim me organizata tjera ndërkombëtare.

6.
TRASHËGIMIA SERBE



a) Mbrojtja ndërkombëtare e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet dhe do të vazhdojë. Diskutimet kanë treguar mbështetje universale për parimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.



b) Nën rrethanat e tanishme dhe duke marrë parasysh rolin e statusit neutral të OKB së në Kosovë, konsideroj se dialogu i vazhdueshëm është i nevojshëm në Beograd dhe Prishtinë. Këtu duhet përfshirë edhe Kisha Ortodokse Serbe, aktorë relevantë ndërkombëtarë dhe aksionarë tjerë. Kjo do të themelojë një kornizë të miratuar brenda së cilës mund të adresohen çështje të vazhdueshme si dhe të sigurohet që Këshilli i Evropës dhe procesi për rindërtim i UNESCO-s të vazhdojë.



c) Agjenda do të përfshijë zbatimin e marrëveshjeve mbrojtëse përreth vendeve të Kishës Ortodokse Serbe, aktiviteteve të ndërlidhura me mirëqenien e murgjve dhe murgeshave, siç është lirimi i Kishës Ortodokse Serbe nga TVSH-ja, Taksa e Akcizës dhe obligimeve Doganore, modaliteteve për rindërtimin e vendeve fetare nga Kisha Ortodokse Serbe si dhe çështjen e kthimit të artefakteve arkeologjike.

 

 

 

PLANI I BAN KI MOON-IT PËR RIKONFIGURIMIN E UNMIK-UT - LETRA PËR SEJDIUN DHE TADIÇIN


13 qershor 2008


BAN KI-MOON - Raporti për Këshillin e Sigurimit



I. HYRJA



1. Këshilli i Sigurimit, me Rezolutën e vet 1244 (1999), 10 qershor, 1999, ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm që me asistencën e organizatave relevante ndërkombëtare, të themelojë një prani civile ndërkombëtare në Kosovë, me qëllim që të ofrojë një administrim të përkohshëm nën të cilin qytetarët e Kosovës do të mund të gëzonin autonomi substanciale.

2. Ky raport i dërgohet Këshillit të Sigurimit pas nëntë vitesh të administrimit të përkohshëm, i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, me përkrahjen e partnerëve të saj kyç operativ, përshirë Bashkimin Europian (BE), Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, Fondet dhe Programet. Gjatë këtyre nëntë viteve, prania civile ndërkombëtare, e njohur si UNMIK, ka ndihmuar Kosovën që të përparojë me hapa të kujdesshëm në vendosjen dhe konsolidimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse, demokratike dhe llogaridhënëse, si dhe në krijimin e themeleve për një ekonomi funksionale. Derisa ka pasur përparim thelbësor në zbatimin e standardeve, mbetet hapësirë për përmirësime të mëtejmë në fusha të caktuara, në veçanti në fushën e kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda. Procesi i integrimit dhe pajtimit të plotë i komuniteteve të Kosovës do të jetë afatgjatë, dhe mbetet një sfidë e vështirë, që kërkon përkushtim të mirëfilltë nga pjesëtarët e të gjitha komuniteteve të Kosovës.

3. Më 3 prill, 2007, e kam dorëzuar në Këshillin e Sigurimit Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Zgjidhja e statusit) (S/2007/168.Add.1), i përgatitur nga Emisari im Special për Procesin e Statusit të ardhshëm të Kosovës, Martti Ahtisaari. Megjithatë, Këshilli i Sigurimit nuk e përkrahu këtë propozim. Më pastaj, Treshja e përbërë Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Federata Ruse kanë lehtësuar negociata shtesë intensive mes palëve në fund të vitit 2007. Këto bisedime, po ashtu përfunduan pa zgjidhje të pajtueshme për statusin e Kosovës. Më 17 shkurt, 2008, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë gjatë të cilës ka aprovuar “Deklaratën e Pavarësisë”, me të cilën Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Kjo deklaratë u mbështet nga 109 deputetë prej gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës; dhjetë (10) deputetët serbë të Kuvendit nuk morën pjesë.



4. Për këtë zhvillim unë menjëherë ia tërhoqa vëmendjen Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që të shqyrtonte këtë çështje. Duke vepruar kësisoj, unë ripërsërita se në pritje të udhëzimeve nga Këshilli i Sigurimit, Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të veprojnë në bazë të kuptimit se Rezoluta 1244 mbetet në fuqi dhe se UNMIK’u do të vazhdojë të zbatojë mandatin e vet në përputhje me rrethanat në zhvillim. Këshilli i Sigurimit nuk mori qëndrim pas deklaratës së 17 shkurtit. Deri më tash, 42 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës.



II. ZHVILLIMET NË TERREN



5. Pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Serbisë ka aprovuar një vendim me të cilin kumton se kjo deklaratë paraqet një ndarje me forcë dhe të njëanshme të një pjesë të territorit të Republikës së Serbisë. Veç kësaj, edhe shumë serbë të Kosovës e kanë dënuar deklaratën e pavarësisë dhe kanë ndërmarrë masa që paraqesin sfidim serioz të rolit të UNMIK’ut në Kosovë. Si shprehje e pakënaqësisë së tyre, ata shtuan bojkotin për institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, gjyqësinë, transportin dhe administratat komunale. Policët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK), kanë braktisur postet e tyre në disa komuna në pjesën jugore të Kosovës, ndërsa policët serbë të SHPK’së në veri të Kosovës kanë vazhduar t’i raportojnë policisë ndërkombëtare të UNMIK’ut.



6. Serbët e Kosovës kanë shprehur gjithashtu pakënaqësinë e tyre përmes protestave, të cilat në masën më të madhe janë mbajtur në mënyrë paqësore, megjithëse ka pasur dhunë sporadike në veri të Kosovës. Më 19 shkurt, grupe të vogla protestuesish serbë kanë shkatërruar dy pika doganore në vijën kufitare administrative, ndërsa më 14 mars protestuesit me forcë zaptuan gjykatën në pjesën veriore të Mitrovicës. Si pasojë, më 17 mars, gjatë një operacioni policor për rikthimin e kontrollit mbi gjykatën ndodhi konfrontim i dhunshëm me policinë e UNMIK’ut dhe KFOR’in. UNMIK’u po bën përpjekje për të rikthyer doganat në vijën kufitare administrative dhe për të mundësuar punën e gjykatës në Mitrovicë.



7. Një realitet i ri dhe sfida ndaj UNMIK’ut po dalin në shesh në zonat me shumicë shqiptare të Kosovës. Më 9 prill Kuvendi i Kosovës ka aprovuar një kushtetutë për Kosovën që është caktuar të hyjë në fuqi më 15 qershor. Kjo kushtetutë është hartuar në atë mënyrë që të kërkojë në mënyrë efektive heqjen e përgjegjësive aktuale të UNMIK’ut si administratë civile e përkohshme. Lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ajo do të mirëpriste një prani të vazhduar të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nëse ajo (OKB) kryen detyra të

kufizuara.

8. Përveç këtyre zhvillimeve në terren, më 18 shkurt kam marrë një letër nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, (Javier Solana), i cili më njofton për gatish mërinë e BE’së për të luajtur një rol të shtuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, brenda kornizës së rezolutës 1244. Që nga atëherë, BE ka përsëritur gatishmërinë e saj për të vendosur stafin e vet në fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave në Kosovë.



9. Jam në dijeni se Komisioni Europian ka informuar Përfaqësuesin tim Special se do të ndërpresë financimin për Shtyllën e Katërt, më 30 qershor, 2008. Sekretariati i OKB’së ka informuar Komisionin Europian se ky vendim nuk ka dalë nga konsultimet me selinë e OKB’së dhe se e lë UNMIK’un pa kapacitet teknik dhe buxhet për zëvendësimin e ekspertëve të financuar nga Komisioni Europian.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka aprovuar ligje që hyjnë në fuqi më 15 qershor, të cilat kërkojnë marrjen e detyrave dhe kompetencave të cilat deri më tash janë ushtruar nga Shtylla IV e UNMIK’ut, lidhur me autoritetin administrativ mbi ndërmarrjet shoqërore dhe publike. Këto ligje, përfshirë paralajmërimin për shuarje të Shtyllës IV, në mënyrë efektive heqin autoritetin e UNMIK’ut nga kontrolli mbi këto fusha.



III. PËRPJEKJET PËR TË ARRITUR KOMPROMIS



10. Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës së re më 15 qershor imponon sfida të mëdha ndaj aftësisë së UNMIK’ut për të ushtruar autoritetin administrativ.
Për më tepër, ngjarjet në Kosovën veriore po ashtu tregojnë vendosmërinë e shumë serbëve të Kosovës për të mos qenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Në këtë kontekst, besoj se Kombet e Bashkuara janë duke u përballë me një realitet të ri në Kosovë me implikime operacionale për UNMIK’un, të cilat duhet të merren parasysh.



Është vlerësim imi se nëse nuk bëhet kështu kjo mund të çojë deri në ngritjen e tensioneve në Kosovë, përfshirë ato mes komuniteteve të Kosovës dhe mund të kontribuojnë për krijimin e një mjedisi jomikpritës për praninë civile ndërkombëtare.
Duke pasur parasysh këto, shfaqet një nevojë e madhe për një zgjidhje që ruan paqen ndërkombëtare sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.



11. Si përfundim kam përdorur shërbimet e mia të mira me palët dhe faktorët kryesorë në mënyrë që të përcaktohet nëse ka bazë për një zgjidhje neutrale karshi statusit që do të adresojë këto sfida në mënyrë realiste dhe praktike brenda kornizës së rezolutës 1244 (1999) që po ashtu do të shërbente për të menaxhuar në mënyrë efek tive situatën në terren, që do të zvogëlonte tensionet dhe do të ruante stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Diskutimet e mia me anëtarët e Këshillit të Sigurimit sinjalizojnë se ka një interesim për të përshtatur rolin operacional të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kur kihen parasysh rrethanat evoluuese.



12. Unë po ashtu jam angazhuar në konsultime të drejtpërdrejta me Prishtinën dhe Beogradin rreth aranzhmaneve të mundshme për praninë civile ndërkombëtare në Kosovë. Si përfundim Nënsekretari im për Operacione Paqeruajtëse z.Jean – Marie Guehnno, ka udhëtuar në rajon për të kërkuar një kompromis që do të krijonte kushtet për një pranueshmëri të përgjithshme të pranisë së ristrukturuar ndërkombëtare në Kosovë.
Serbia dhe serbët e Kosovës kanë thënë se duan të gjejnë një rol të pranueshëm dhe më të madh për Bashkimin Europian në fushën e sundimit të ligjit nëse veprime të tilla do të ndërmerren nën autoritetin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, neutral karshi statusit.
Duke marrë parasysh këto diskutime vlerësoj se Prishtina dhe Beogradi njohin nevojën për të gjetur një zgjidhje që lejon vazhdimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Në lidhje me këtë, Serbia ka shprehur në veçanti brenga që kanë të bëjnë me policinë doganat, drejtësinë, transportin dhe infrastrukturën, menaxhimin e Vijës Administrative Kufitare si dhe trashëgiminë kulturore.


Duke pasur parasysh këto konsultime, unë i kam shkruar shkëlqesisë së tij z.Boris Tadic dhe shkëlqesisë z.Fatmir Sejdiu duke përshkruar aranzhmanet praktike për të cilat do ta udhëzojë Përfaqësuesin tim Special, që të angazhohet me ta në secilin prej këtyre fushave (shtojca A dhe B).



13. Oferta e Bashkimit Europian për të luajtur një rol më të madh operacional është gjithashtu zhvillim thelbësor. Një rol i zmadhuar do t’i mundësojë Kombeve të Bashkuara për të ndarë përgjegjësitë duke shfrytëzuar ekspertizën dhe burimet e kësaj organizate rajonale partnere. Duke pasur parasysh se është e nevojshme që të gjendet një zgjidhje operacionale për UNMIK’un, që ruan trashëgiminë pozitive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Ballkan, dhe që është brenda kornizës së rezolutës 1244(1999), dhe duke pasur parasysh vullnetin e BE’së për të luajtur një rol më të madh në Kosovë, vlerësoj se objektivat e Kombeve të Bashkuara do të arrihen më së miri nëpërmjet një roli të shtuar të BE’së në fus hën e sundimit të ligjit, nën “ombrellën” e OKB’së, të udhëhequr nga Përfaqësuesi im Special.
Pres nga Misioni i OSBE’së në Kosovë që të vazhdojë punën e saj si pjesë e UNMIK’ut të rikonfiguruar.
Prania e Misionit të OSBE’së në tërë Kosovën do të jetë kruciale për promovimin e vlerave demokratike dhe mbrojtjen e interesave legjitime për të gjitha komunitetet në Kosovë.

IV. STRUKTURA E UNMIK’UT



14. Zhvillimet aktuale në Kosovë dhe ato të ardhshme pritet të kenë implikime operacionale për UNMIK’un.


Duke pasur parasysh situatën në zhvillim e sipër në Kosovë, në bazë të konsultave të gjera me Beogradin, Prishtinën dhe faktorët kryesorë dhe në pritje të një udhëzimi nga Këshilli i Sigurimit, është synim imi që të përshtat aspektet operacionale të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Kam marrë këtë vendim pas konsideratave dhe analizave se kushtet në terren kërkojnë përshtatje praktike të strukturës dhe profilit të UNMIK’ut.
Përderisa Këshilli i Sigurimit nuk vendos ndryshe, rezoluta 1244(1999) do të mbetet korniza ligjore për mandatin e OKB’së, implementimi i të cilës varet nga rrethanat në zhvillim e sipër.

15. Unë jam në dijeni për gatishmërinë e Bashkimit Europian për të luajtur një rol më të madh në Kosovë ashtu siç pasqyrohet në konkluzionet e Këshillit Europian më 14 dhjetor 2007. Është vlerësim imi se kapaciteti i Bashkimit Europian për të vendosur misionin e sundimit të ligjit në Kosovë mund të përmbush dobishëm punën e Kombeve të Bashkuara dhe mund të ketë ndikim pozitiv në përdorimin e mirë të burimeve të kufizuara, siç parashihet në rezolutën 1631 (2005).



Po ashtu kam marrë parasysh edhe interesin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe pranuar kontributin potencial të vlefshëm që organizatat rajonale mund të ofrojnë në përkrahje të përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.


16. Bashkimi Europian do të kryej një rol të shtuar operacional në fushën e sundimit të ligjit, nën kornizën e rezolutës 1244 (1999) dhe nën autoritetin e përgjithshëm të OKB’së.
Bashkimi Europian, gjatë një periudhe kohore, në mënyrë graduale do të marrë përgjegjësitë e shtuara operacionale në fushat ndërkombëtare të policisë, drejtësisë dhe doganave në tërë Kosovën. Është e kuptueshme që përgjegjësia ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara do të jetë e kufizuar deri në shkallën e kontrollit operacional.



Prania ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara përveç detyrave tjera që do të definohen, do të kryej funksionet si vijon: (i)monitorojë dhe raportojë; (II) lehtësojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit rreth çështjeve praktike: dhe



(IV) funksionet rreth dialogut që kanë të bëjë me implementimin e provizioneve të specifikuara në letrën time të dërguar Shkëlqesisë së tij, z Boris Tadic dhe që referohen edhe në letrën time për Shkëlqesinë e tij, z.Fatmir Sejdiu.



V. VËREJTJET



17. Është vlerësimi im se zhvillimet në Kosovë kanë pasur dhe do të vazhdojnë të kenë ndikim të rëndësishëm operativ në funksionimin e UNMIK’ut. Që nga vendosja e UNMIK’ut më 1999, derisa UNMIK’u ka arritur përparime në përmbushjen dhe kryerjen e detyrave të përcaktuara në paragrafin 11 të rezolutës 1244, aktivitetet me të cilat është marrë janë reduktuar dukshëm. Pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së Kosovës, vlerësoj se UNMIK’u nuk do të jetë më në gjendje të kryej detyrat si një administratë e përkohshme.



18. Nëse nuk menaxhohen me kujdes, atëherë zhvillimet e fundit dhe realitetet e ardhshme mund të çojnë në rritje të tensioneve mes komuniteteve të Kosovës dhe mund të kontribuojnë në përplasjen mes UNMIK’ut dhe aktorëve tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë. Është e domosdoshme për të siguruar paqen ndërkombëtare dhe sigurinë si dhe ruajtjen e trashëgimisë së Kombeve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, dhe me gjerë në rajon. Në veçanti jam i vetëdijshëm për nevojën për të siguruar që të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë të mbrohen dhe ruhen plotësisht.



19. Për këto arsye, dhe në mungesë të udhëzimeve nga Këshilli i Sigurimit, unë synoj të rikonfigurojë praninë civile ndërkombëtare në Kosovë. Ekziston nevoja praktike për ripërshtatjen e pranisë civile ndërkombëtare, që do të ishte në gjendje që më së miri të adresojë nevojat operative aktuale dhe të ardhshme në Kosovë. Duke marrë parasysh perspektivën europiane të Kosovës dhe Serbisë, dhe në përputhje me gatishmërinë e shprehur nga BE për të luajtur një rol të shtuar operativ në Kosovë, në fushën e sundimit të ligjit, unë synoj të lëvizi përpara me aranzhime praktike për t’i mundësuar Bashkimit Europian që të fuqizojë rolin e tij në këtë sektor.



20. Synoj që të zhvillojë konsultime shtesë me partnerë relevantë, përfshirë BE’në dhe OSBE’në, me qëllim për të përcaktuar provizionet funksionale për prani ndërkombëtare të vazhdueshme, si dhe për të zbatuar këto provizione sa më shpejtë që është e mundshme. Lidhur me këtë, falënderojë NATO’në për përkushtim të vazhdueshëm në përkrahje të pranisë civile ndërkombëtare, në përputhje me rezolutën 1244. Jam i bindur se autoritetet në Prishtinë dhe Beograd, si dhe populli i Kosovës, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara, për ruajtjen dhe konsolidimin e paqes dhe stabilitetit, me qëllim që Kosova dhe pjesa tjetër e Ballkanit të ecë përpara drejt një të ardhmeje më stabile dhe më prosperuese në Evropë.



LETRA PËR PRESIDENTIN FATMIR SEJDIU



Shkëlqesi,

Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) vazhdon të funksionojë brenda kornizës së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit (1999) dhe të zbatojë mandatin e tij në dritën e rrethanave që po zhvillohen. Pozicioni i Kombeve të Bashkuara është rreptësisht neutral në lidhje me statusin e Kosovës.



Është pikëpamje e imja se ngjarjet e fundit në Kosovë kanë shkaktuar implikime të rëndësishme operative për UNMIK’un, të cilat e detyrojnë atë t’u përshtatet plotësisht zhvillimeve dhe ndryshimeve në terren. Do të shihni se unë sinjalizova këtë mundësi në raportin tim të fundit në Këshillin e Sigurimit. Orvatjet e Kombeve të Bashkuara janë të orientuara në garantimin e situatës politike dhe asaj së sigurisë në Kosovë dhe rajoni më gjerë të mbetet stabil, dhe që popullata e Kosovës, dhe në veçanti komunitetet e minoritare, të jenë të mbrojtura në mënyrë adekuate.



Pas miratimit të deklaratës së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës me datën 17 Shkurt 2008, një numër i vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën si shtet sovran, përderisa disa të tjera nuk kanë marrë vendim të tillë. Gjithashtu vërej se Kushtetuta e re e Kosovës pritet të hyjë në fuqi me datën 15 qershor 2008. Këto zhvillime, të mbledhura së bashku, po kontribuojnë në ndryshime thelbësore të situatës në Kosovë.



Në mungesë të udhëzimeve nga Këshilli i Sigurimit, dhe pas konsultimeve të gjera, qëllimi im është të rikonfigurojë strukturën dhe profilin e pranisë ndërkombëtare në mënyrë që të përshtatet me zhvillimin e situatës në Kosovë dhe t’i mundësojë BE’së të marrë rolin e shtuar operacional në Kosovë në pajtim me rezolutën 1244( 1999).



Në lidhje me rikonfigurimin e UNMIK’ut dhe në mënyrë që të adresohen shqetësimet operacionale që janë shfaqur që nga 17 shkurti 2008, aranzhmane të caktuara praktike do të implementohen siç parashihen në letrën e bashkëngjitur.



Këto aranzhmane do të zbatohen për një periudhë të limituar duke mos paragjykuar statusin e Kosovës. Në këtë kontekst, dhe kur është fjala për implementimin e këtyre provizioneve Përfaqësuesi im Special po ashtu do të konsultohet me ju dhe me faktorët tjerë relevantë.
Kam besim se autoritetet dhe populli i Kosovës do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara për ruajtjen dhe përforcimin e rezultateve të rëndësishme që i kemi arritur së bashku dhe trashëgiminë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.



LETRA PËR PRESIDENTIN SERB, BORIS TADIC



I dashur z. President,



Qëndrimi i Kombeve të Bashkuara rreth çështjes së statusit të Kosovës është qëndrim i prerë neutral. Pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, disa nga vendet anëtare të OKB’së kanë njohur Kosovën si shtet sovran, të tjerat jo. Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të OKB’së vazhdon të jetë në fuqi derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe.



Në mungesë të udhëzimeve tjera nga Këshilli i Sigurimit, dhe pas konsultimeve me Qeverinë tuaj dhe faktorëve tjerë të rëndësishëm, kam ndërmend të ushtrojë autoritetin që më takon në bazë të Rezolutës 1244 (1999), për të rikonfiguruar prezencën civile ndërkombëtare sikur ceket në raportin tim për Këshillin e Sigurimit (S/2008/354). Gjithashtu, dispozitat në vazhdim do të jenë aranzhime të përkohshme që do të vlenin për një kohëzgjatje të kufizuar dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.



1. POLICIA

 

Shërbimi Policor i Kosovës që operon në rajonet e rëndësishme me shumicë serbe, duhet të raportojë tek policia ndërkombëtare nën autoritetin e përgjithshëm të Përfaqësuesit tim
Special.

2. GJYKATAT



Gjykata shtesë të qarkut dhe lokale që do të shërbenin në hapësirat me shumicë relevante serbe mund të krijohen. Ato do të veprojnë në kuadër të sistemit të gjykatave të Kosovës, sipas ligjit që aplikohet, përbrenda kornizës së Rezolutës 1244 (1999).



3. DOGANAT



I dërguari im i Posaçëm do të përcaktojë, në konsultim me faktorët relevantë, një strukturë organizative që do t’i lejojë Kosovës të vazhdojë të funksionojë si një vend i veçantë me dogana, që do të përfshijë garancitë për një prezencë të vazhdueshme të zyrtarëve ndërkombëtarë doganorë në pikat e rëndësishme të doganave.



4. TRANSPORTI DHE INFRASTRUKTURA



Një Këshill teknik koordinues, përfshirë Republikën e Serbisë dhe faktorët e tjerë të rëndësishëm, do të krijohet nga Përfaqësuesi im i Posaçëm, për të drejtuar të gjitha çështjet teknike dhe kalimit të vijave kufitare, duke marrë parasysh punën e grupit punues Prishtinë-Beograd në kuadër të dialogut teknik.



5. VIJAT KUFITARE ADMINISTRATIVE



Në përputhje me Rezolutën 1244 (1999), NATO’, si prezencë ndërkombëtare ushtarake, do të do të vazhdojë të kryejë mandatin e saj ekzistues për sigurinë në tërë Kosovën, përfshirë kufijtë administrativë, së bashku me organizatat tjera ndërkombëtare.



6. TRASHËGIMIA SERBE



Kishës Ortodokse Serbe (SOC) në Kosovë duhet t’i jepet mbrojtje ndërkombëtare. SOC në Kosovë do të qëndrojnë nën autoritetin direkt të selisë fetare të saj në Beograd. Ajo do të ruajë të drejtën e veçantë të mbrojë dhe rindërtojë objektet e saj fetare, historike dhe kulturore në Kosovë. Republika e Serbisë do të vazhdoj bashkëpunimin e afërt me Kombet e Bashkuara dhe të gjithë trupat relevantë në ofrimin e mbështetjes për një mbrojtje të tillë dhe aktivitetet e rindërtimit.

 

Sa i përket implementimit të dispozitave më lartë, i Dërguari im i Posaçëm do të dialogojë me Qeverinë tuaj. Në këtë kontekst, i Dërguari im i Posaçëm, gjithashtu do të konsultohet me vendimmarrësit tjerë relevantë, përfshirë autoritetet në Prishtinë. Në pajtueshmëri me paragrafin 6 të rezolutës 1244, kam ndërmend të caktojë Përfaqësuesin e ri konform rikonfigurimit të paraparë.



I vetëdijshëm për përkushtimin e Bashkimit Europian në rajon, kam ndër mend të konsultohem me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, për të caktuar një rol operativ të Bashkimit Europian në implementimin e kushteve të lartcekura përbrenda strukturës së paanshmërisë rreth statusit të Kombeve të Bashkuara.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!