Ç‘ËSHTË PERËNDIMI ? PERËNDIMORIZIMI?


Shkruan: Gi Sorman


      Tani, kushdo ka dëgjuar për "përplasjen e qytetërimeve" (the clash of civilizations). Ky koncept i Semjuell Hantingtonit (Samuel Huntington) është universalizuar. Në vitet 1950, ekonomisti francez, Alfred Sovi (Sauvy) pati sukses të krahasueshëm me shprehjen "bota e tretë" (tiers-monde). Një nga arsyet pse këto fraza u pranuan gjerësisht, ka të bëjë me mungesën e një përcaktimi të qartë të kuptimeve në to. Shprehja "përplasja e qytetërimeve", pikërisht Perëndimi kundër pjesës tjetër të botës, është hamendësuar për të përshkruar botën siç është. Në të vërtetë, fjala Perëndim është e turbullt për të përfshirë brenda saj një gamë të gjerë elementesh, pa përshkruar karakteristikat e tyre të njësuara.

      Çfarë është saktësisht ky Perëndimi? Ç‘kuptojmë me perëndimorizim (kalkim i fjalës anglisht "Westernization" dhe saj frëngjisht "occidentalisation" - shënim i përkthyesit)? Përse Japonia konsiderohet perëndimore dhe Kina jo? Ku futet Shangai? A është Rusia pjesë e Perëndimit?

Për shkak të kësaj papërcaktueshmërie, ne mund të konkludojmë se Perëndimi nuk është entitet gjeografik. Ka gjasa që ky koncept u krijua për herë të parë si mënyrë e vështrimit të gjërave 25 shekuj më parë, kur grekët e konsideronin veten si perëndimorë në dallim nga persët - lindorë. Qysh se Perëndimi e humbi njëfarë bazë të qartë territoriale, fjala "Perëndimi" u bë nocion universal dhe jo për të lokalizuar.

      Të jesh perëndimor ose i perëndimorizuar, para së gjithash, është një mënyrë të menduari, që nuk i përgjigjet ndonjë kontinenti, as ndonjë kombi apo feje specifike/e. Gabimi i Hantingtonit, me sa duket, ishte përcaktimi i Perëndimit brenda kufijsh shtetërorë, meqenëse nuk ekziston hartë e Perëndimit.

Asnjë hartë nuk mund të pasqyrojë gjendjen reale, kur disa kombe aziatike janë perëndimore (Japonia, Taivani), kur grupe joperëndimore (myslimanët në Evropë) jetojnë vende kinse perëndimore, kur disa vende lindore janë pjesërisht të perëndimorizuara dhe disa vende perëndimore (Rusia) nuk janë plotësisht të perëndimorizuara. Në fund të fundit, qenka shumë më e lehtë të përkufizosh kufijtë mendorë të Perëndimit se sa kufijtë e tij territorialë.

Besoj se Perëndimi është mënyrë të menduari, e përcaktuar nga tri tipare themelore, që nuk mund të gjenden lehtë në të ashtuquajturat qytetërime lindore: pasion për risi, aftësi për qëndrim autokritik dhe barazi gjinore.

      "Ndonjë të re?" – përshëndetje qysh nga epoka romake (në versionin anglisht është "the Hellenistic age" epoka helene – shënim i përkthyesit) – pasqyron thelbin e të menduarit perëndimor. Në të kundërt, joperëndimori do të vinte më parë traditën mbi risinë. Por risia si një vlerë themelore shpjegon përparimin shkencor të Perëndimit kundrejt Lindjes. Shpjegon konfliktet e pashmangshme me shoqëritë konservatore joperëndimore, dhe shpjegon gjithashtu se çfarë do të quanim "perëndimorizim të Perëndimit".

Perëndimi vazhdon të shkatërrojë traditat e veta, përfshirë fetë e tij. Ekonomisti Xhozef Shumpeter (Joseph Schumpeter) e ka përkufizuar këtë proces si "shkatërrim krijues" (creative destruction). Ky term mund t‘u takojë të gjitha fushave të jetës në Perëndim. Konservatorët perëndimorë janë jo më pak të prirur për shkatërrim krijues sesa liberalët perëndimorë: për më tepër, konservatorët njihen mirë për shpikje traditash. Marrim, bie fjala, kryeministrin britanik të shekullit të 19-të, Benxhamin Dizraeli (Benjamin Disraeli), i cili shpiku shumicën e traditave kinse të lashta, të lidhura me monarkinë britanike. Risia në Perëndim duket si një proces vetëtransformues, që nuk mbaron asnjëherë.

Autokritika, madje më tepër se risia, është karakteristikë përcaktuese e Perëndimit. Në shumicën, në mos të të gjitha, qytetërimeve joperëndimore, krenaria dhe dashuria ndaj vetes e përjashtojnë autokritikën ose të paktën kritikën ndaj qytetërimit të vet si të tillë. Një dijetar i vërtetë mysliman ose kinez nuk mund të quhen kinez i vërtetë ose mysliman i vërtetë nëse ai kritikon botën e vet. Ndryshe puna në Perëndim.

Dijetari perëndimor e ruan legjitimitetin e vet dhe pasi ka braktisur vlerat perëndimore: nuk ekziston Niçe (Nietzsche) kinez ose mysliman që të shpallë se Perëndia e vet ka vdekur. A ka Montenj (Montaigne), kinez ose mysliman, që të mos ia përtojë të shkruajë se "indianët e egër" (indiens sauvages) janë më me mend në kokë se ne (plus sages que nous), sikurse e bëri këtë Montenji në Francën e shekullit XVI?

Sigurisht, që mes kinezëve dhe myslimanëve ka gjasa të ekzistojnë Montenjët dhe Niçet e tyre, por ata s‘ do të konsideroheshin fenerë të qytetërimeve të tyre. Autokritika, jo dashuria ndaj vetes si dhe relativizmi kulturor janë elementët kryesorë të mendësisë perëndimore.

E njëjta gjë mund të thuhet për barazinë gjinore. Kjo s‘ ka qenë gjithmonë kështu. Në fetë e grekëve të lashtë, ato hebreje dhe të krishtera, gratë konsideroheshin më inferiore se burrat. Por ky nocion ka qenë çështje e diskutueshme në Perëndim gjatë shekujsh. Sot, barazia gjinore u bë normë. Por kjo nuk është kështu në shumicën e qytetërimeve joperëndimore. Dikush mund të argumentojë se barazia gjinore është pasojë e një procesi modernizimi dhe aspak perëndimorizimi. Kjo mund të jetë e vërtetë, por statusi i grave është dukshëm një nga çështjet, që ngre kundër Perëndimit myslimanët joperëndimorë.

Nëse pranojmë përcaktimin e mësipërm të Perëndimit si mënyrë të menduari, kjo shtron tri pyetje: a mund të modernizohet Lindja pa perëndimorizmin e saj? Ku ta shënojmë vijën ndarëse mes Lindjes dhe Perëndimit? A do të mbetet Perëndimi perëndimor?

Deri tani, historia nuk ka njohur raste modernizimi joperëndimor; diskursi për vlerat aziatike, që zuri fill në Singapor, është në thelb diskurs politik. Pikërisht, pas modifikimit të mënyrës të të menduarit të tyre me pikësynim risimin dhe autokritikën, vendet aziatike u bënë moderne.

      Kjo nuk i bën ato më pak aziatike. Koreanët ose japonezët e sotëm mbeten kokë e këmbë koreanë ose japonezë, por janë më afër një perëndimori se të parët e vet. Për më tepër pikëpamjet e një egjiptiani modern ose një sauditi modern sot janë më të ngjajshme me pikëpamjet e një francezi ose amerikani se ato të arabëve t ë lashtë.

A i bën arabë më pak autentikë egjiptianët ose sauditët perëndimorizimi? Të tilla debate bëhen në të gjitha shoqëritë lindore, gjë që na çon drejt një përplasjeje reale qytetërimesh: të gjitha shoqëritë sot janë të ndara në pro-dhe-kundër-perëndimorizimit. Kjo përplasje brenda qytetërimeve për atë që kuptojmë me modernizim, është më i rëndësishëm se i ashtuquajturi konflikt i Hantingtonit mes entitetesh / njësish gjeografike.

Polemika mbi kuptimin e thelbit të modernizimit, që njihet dhe si krizë identiteti, ndikon gjithashtu dhe në vendet perëndimore. Grupe të mëdha në Perëndim, që përfaqësojnë fundamentalistë si perëndimorë, ashtu dhe joperëndimorë, luftojnë kundër procesit të pandërprerë të perëndimorizimit në emër të traditës. Të shumtit do të donin të ndalonin këtë proces, duke përdorur vjega të ndryshme, të tilla si ekologjia ose identiteti, por një shoqëri perëndimore, ku nuk do të mund ta nisje ditën pa pyetjen "Ndonjë të re?", nuk do të ishte më perëndimore.



Gi Sorman (Guy Sorman) është filozof dhe ekonomist francez, është autor i librit "Perandoria e gënjeshtrave" (The Empire of Lies. Ed. Encounter, New York, 2008)

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!