Ambasadori Amerikan UILLIAM E. RAJERSON: ”RAMIZ ALIJA KISHTE GJAK NË DUART E TIJ”

 

Nga Ruben Avxhiu GAZETA “ILLYRIA”



      Pas gati 15 vjetësh ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, Uilliam E. Ryerson tregon misionin e tij në vendin e izoluar për gjysmë shekulli. Si e priti detyrën, cila ishte përballja me Shqipërinë, klasën e vjetër dhe të re politike. Marrëdhëniet me politikanët e rinj, takimet e Sali Berishën dhe Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alia.

  Uilliam E. Ryerson

 

 

GAZETA “ILLYRIA”: Z. Ryerson, pas dimrit të gjatë komunist, shqiptarët u gëzuan për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara në 1991. Si e mësuat lajmin për detyrën e re dhe si e përjetuat?


UILLIAM E. RYERSON: U ngarkova me detyrë përkohësisht në Tiranë, në prill të vitit 1991. Kishte dalë nevoja për të vendosur një njeri atje dhe unë që kisha mësuar pak shqip, me dëshirën time, kur punoja në Beograd, dola vullnetar që të shkoja në Shqipëri. U gëzova kur më thanë se do të shkoja aty për “30 deri në 60 ditë”. Mbeta i habitur, kur më thanë se më kishin emëruar si ambasadori ynë i parë në Shqipëri.


GAZETA “ILLYRIA”: A mund të tregoni ndonjë episod të veçantë që ju habiti, preku apo shokoi kur u vendosët në një vend, që kishte qenë për kaq kohë i izoluar në guaskën e vet?


UILLIAM E. RYERSON: Mbeta i shokuar nga pamja e njerëzve në rrugët e Tiranës. Njerëzit dukeshin të kequshqyer dhe shumë prej tyre ishin të veshur në mënyrë të mjerueshme. Në veçanti më kujtohet që pashë një ushtar të ri, palltoja e të cilit ishte gjithë vrima dhe dukej që ishte prerë në mënyrë amatore, vetëm që të shkurtohej sipas trupit të tij. Gjendja e rrënuar e shtëpive dhe ndërtesave ishte depresuese.


GAZETA “ILLYRIA”: Si u takuat me Sali Berishën dhe udhëheqësit e Partisë Demokratike dhe çfarë përshtypjesh ju lanë?


UILLIAM E. RYERSON: Udhëheqësi i parë që takova nga Partia Demokratike ishte Gramoz Pashko. Fola me të nesërmen e ditës që kisha mbërritur. I thashë se shefi i Protokollit në Ministrinë e Jashtme më kishte thënë se nuk mund të ndiqja sesionet në Parlament (unë kisha paraqitur një protestë të menjëhershme po nuk isha i sigurt, nëse do të merrej parasysh). Pashko më tha se PD-ja do ta ngrinte çështjen në Parlament. Të nesërmen në mëngjes, pata një telefonatë nga Shefi i Protokollit, që më njoftonte se mund të merrja pjesë duke marrë edhe një përkthyes me vete. Gjatë pushimit të parë të seancës parlamentare, u takova me Dr. Berishën dhe një numër deputetësh të tjerë. Përshtypja që më lanë ishte shumë e mirë. Mu dukën njerëz të arsyeshëm, të mbushur me guxim për të sfiduar komunistët në pushtet, diçka që e dija që ishte e rrezikshme në atë kohë.


GAZETA “ILLYRIA”: PPSH ishte famëkeqe për retorikën e saj antiamerikane. PD-ja nga ana tjetër i përkiste të ardhmes. A ishte e vështirë të ruanit distancën diplomatike gjatë fushatës së zgjedhjeve historike të vitit 1992, kur zgjedhja ishte kaq e qartë mes “të mirës” dhe të “keqes”? Ju kanë akuzuar në fakt për njëanshmëri, po kjo nuk besoj se ju ka çuditur…


UILLIAM E. RYERSON: Nuk ishte sekret se politika amerikane ishte për promovimin e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Gjatë vizitës së tij në qershor 1991, Sekretari i Shtetit, Bejker u takua me dhjetë figura të opozitës së re ekzistuese dhe i inkurajoi ata, që të bashkoheshin për të rrëzuar komunistët nga pushteti.

      Takimi u organizua në një dhomë të vogël ngrënieje në hotel “Dajti” dhe pa asnjë dyshim, që mjedisi ishte i mbushur me përgjues. Kështu që nuk kishte pse të çuditej PPSH-ja që unë isha “i njëanshëm”.


GAZETA “ILLYRIA”: Çfarë kujtoni nga takimet tuaja me ish-presidentin Ramiz Alia? Disa e shihnin atë si Gorbaçovi shqiptar, por për shumë të tjerë ai ishte thjesht udhëheqësi i fundit stalinist i Shqipërisë. Cili është mendimi juaj për figurën e tij?


UILLIAM E. RYERSON: E takova së pari jozyrtarisht, në një kafene, në katin e poshtëm të Parlamentit, gjatë një prej pushimeve mes debateve. Kur i vura në dukje se Shqipëria duhej të rishikonte të kaluarën e saj ashtu siç ishte detyruar të bënte Gjermania me të kaluarën e saj, ai më kundërshtoi, duke më thënë se dy rastet nuk mund të krahasohen.

      Pak javë më pas më ftoi që të takohesha me të në Presidencë. Mu duk shumë i informuar. E dija që fliste serbo-kroatisht, por kur qeshi për diçka që thashë, pa pritur që t’ia përcillte përkthyesi, e kuptova që kishte edhe njohuri të anglishtes.
Ai u soll në mënyrë dashamirëse me mua, por unë asnjëherë nuk e harroja se shumë më tepër njerëz ishin vrarë, duke u përpjekur që të iknin nga Shqipëria, gjatë viteve të tij, sesa gjatë periudhës së gjatë të Enver Hoxhës. Ai kishte gjak në duart e tij. Shumë gjak.


GAZETA “ILLYRIA”: Është ende shpejt për të përcaktuar vendin e Sali Berishës në historinë e Shqipërisë, sidomos tani që është rikthyer në pushtet. Megjithatë, opinionet për qeverisjen e tij si President nuk kanë si bëhen më kontradiktore? Ju vetë si e kujtoni atë? Si e vlerësoni punën e tij si udhëheqës?


UILLIAM E. RYERSON: Unë besoj se ai ishte njeriu i duhur për atë punë, në atë kohë dhe se i shërbeu mirë Shqipërisë. Ai ishte shumë inteligjent dhe kishte një personalitet të fortë. Ky kombinim karakteristikash mund t’i ketë bërë disa njerëz brenda PD-së që t’i druhen përplasjes me të.


GAZETA “ILLYRIA”: Më duket sikur diplomatët ndërrohen pikërisht atëherë kur janë njohur mirë me vendin e mund ta bëjnë punën. Si ka qenë rasti juaj me Shqipërinë?


UILLIAM E. RYERSON: Është praktikë amerikane që ambasadori të mos shërbejë më shumë se një maksimum prej tre vjetësh, si edhe në rastin tim.

      Për diplomatët e karrierës, ndryshe nga të emëruarit politikë, ata që zgjidhen si ambasadorë, zakonisht kanë qenë më parë me detyrë e nganjëherë edhe dy herë në atë vend. Sigurisht që kjo nuk vlente për Shqipërinë, duke qenë se marrëdhëniet tona ishin ndërprerë që nga viti 1939, asnjë diplomat amerikan nuk kishte qenë ndonjëherë me detyrë atje: Shqipëria ishte diçka e re për të gjithë ne.


GAZETA “ILLYRIA”: Tani pas kaq vitesh, duke parë çfarë ndodhi a do të kishit ndryshuar diçka në punën tuaj si ambasador?


UILLIAM E. RYERSON: Ua lë të tjerëve të gjykojnë punën time dhe çfarë mund të kisha bërë më mirë.


GAZETA “ILLYRIA”: Nga ambasadorët që ju pasuan në Shqipëri, a ju ka kontaktuar ndonjëri, apo a ju kërkuar ndihmë duke pasur parasysh përvojën tuaj atje? A jeni takuar me ta?


UILLIAM E. RYERSON: Kur isha në SHBA me pushime, në fillim të vitit 1994, ambasadori Joseph Lake dhe zonja e tij më ftuan në shtëpinë e tyre dhe patëm një bisedë të shkëlqyer, të shoqëruar nga një darkë e shkëlqyer.


GAZETA “ILLYRIA”: A keni ndonjë të preferuar mes tyre? A ju ka zhgënjyer ndokush?


UILLIAM E. RYERSON: Jo. As të preferuar e as zhgënjime. Mbaj mend se qe një periudhë kur kishte shumë debate për ambasadoren Lino, përkrahësit dhe kritikët të ndarë pothuajse sipas vijave partiake.


GAZETA “ILLYRIA”: Si e vlerësoni punën e saj?


UILLIAM E. RYERSON: Jam takuar me ambasadoren Lino, kur ajo shoqëroi kryeministrin Fino në SHBA dhe mbeta shumë i impresionuar prej saj. E kam takuar atë disa herë që atëherë, duke përfshirë madje edhe një ekspozitë me piktura mbi Nënë Terezën, disa net më parë. Veprimtaria ishte në Ambasadën e Vatikanit në Uashington e organizuar nga ambasadori Sallabanda dhe Nunci i Papës së bashku.


GAZETA “ILLYRIA”: Sa e vështirë ka qenë për një diplomat të huaj (sidomos amerikan) në një vend ku politika shkakton emocione kaq të forta dhe e kaluara ka qenë tepër e dhimbshme për t’u injoruar?


UILLIAM E. RYERSON: Në parim duhet të jetë shumë e vështirë, por Shqipëria bën përjashtim. Roli i Presidentit Wilson dhe puna e Harry Fultz-it kujtoheshin me kaq shumë mall e respekt dhe njerëzit e dinin nga emisionet e shërbimit shqiptar të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin harruar Shqipërinë dhe shqiptarët.


GAZETA “ILLYRIA”: Ka pasur debate në vitet e fundit për sfidat ndaj imazhit amerikan në botë. Çfarë roli mund të luajnë ambasadorët në këtë drejtim? A ka hapësirë për të lënë gjurmë personale në marrëdhëniet mes vendeve dhe imazhin e Amerikës, apo është diçka për të cilën gjithçka varet nga ajo që thotë e bën Uashingtoni?


UILLIAM E. RYERSON: Sigurisht, është e mundshme për ambasadorët dhe diplomatët që të lënë gjurmët e tyre në vendet ku shërbejnë. Nëse politika amerikane nuk i pëlqen një vendi dhe popullit të tij, atëherë puna do të jetë shumë më e vështirë për diplomatët. Po ata për këtë paguhen: të shpjegojnë politikën amerikane për qeveritë e huaja dhe popujt në botë.


GAZETA “ILLYRIA”: Ka pasur disa ambasadorë amerikanë në Shqipëri, por ju ishit i pari pas një gjysmëshekulli dhe për këtë u bëtë dhe mbetët një emër i njohur për shqiptarët. Po Shqipëria çfarë vendi zë në kujtimet tuaja nga karriera diplomatike?


UILLIAM E. RYERSON: Nuk ka ditë që të mos mendoj për Shqipërinë dhe miqtë e mi atje. Siç është shkruar edhe në gazetën “Illyria”, flamuri shqiptar valëvitet në hyrje të shtëpisë sime bashkë me atë amerikan.

      Unë jam krenar për lidhjen time me shqiptarët dhe përpiqem me kontaktet e mia, që njohuritë e mia për Shqipërinë t’ua përcjell amerikanëve që njoh e takoj.

       Ju falënderoj për këtë mundësi, për të komunikuar me lexuesit tuaj dhe më lejoni t’ju uroj Gëzuar Ditën e Flamurit.



(Marrë nga Gazeta “Illyria” - New York)

 

Kthehu në faqen e parë 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!