HISTORIA E USHTRISË SË KOSOVËS

 

Shkruan: Arianit BYTYÇI

 

Në procesin e ndërtimit dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një ndër sfidat më të rëndësishme për funksionimin e shtetit demokratik të Kosovës, ishte ndërtimi i Ushtrisë së Kosovës – Forcës së Sigurisë të Kosovës.

            Ashtu siç e ka historinë e vet Pavarësia e Kosovës, edhe ushtria e shtetit të pavarur të Kosovës që po krijojmë sot e ka rrjedhën e saj historike, që është e lidhur ngushtë me procesin e çlirimit, shpalljes dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

            Besoj se të gjithë në Kosovë jemi të vetëdijshëm dhe kemi konsensus të përbashkët se themelet kryesore të Ushtrisë së Kosovës janë të ndërtuara nga fillimvitet 90-ta, me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizimit të parë serioz ushtarak dhe politik të shqiptarëve të Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore.

            Historia e themelimit të Ushtrisë së Kosovës është Historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbi këtë bazë duhet kuptuar jo vetëm procesin e ndërtimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, por edhe vetë Historinë e Shtetit të Pavarur të Kosovës. Themeli i historisë së pavarësisë së Kosovës, i ndërtimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, është në Prekaz, në familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe jo rastësisht ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, kryeministri i Republikës së Kosovës, komandantin tonë legjendar e quan Baba të Pavarësisë së Kosovës.

            Pas luftës sonë çlirimtare, që solli mbajtjen e Konferencës së Rambujesë, ku për herë të parë në historinë e Kosovës, shqiptarët kishin përfaqësuesit e vet legjitim në një konferencë ndërkombëtare, ku vendosej për fatin e vendit dhe popullit tonë, pas intervenimit të NATO-s në mbështetje të çlirimit të Kosovës, u krijuan rrethanat e reja politike në Kosovë.

            Një ndër sfidat kryesore të pasçlirimit ishte edhe demilitarizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kthimi në shtëpi i njerëzve më meritorë dhe më vizionarë për lirinë e vendit, pa themelimin e vazhdueses së UÇK-së, ishte i pakuptimtë dhe krijonte dilema të mëdha për procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

            Ishte vizion dhe përkushtim i lartë i udhëheqjes politike të UÇK-së se procesi i demilitarizimi i UÇK-së duhej patjetër të përcillej edhe me procesin e transformimit të saj në një forcë të sigurisë së Kosovës. Me gjithë insistimin shumë agresiv të një pjese të madhe të bashkësisë ndërkombëtare për shuarjen e UÇK-së, falë vendosmërisë së lartë të udhëheqjes politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli në Kosovë edhe gjeneralin amerikan të NATO-s, Uesli Klark, u arrit që të ruhet në substancë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila u transformua në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.

            Ishte vendim historik nënshkrimi i Marrëveshjes për Transformimin e UÇK-së në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Në realitetin e Kosovës së çliruar u arrit vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, ushtri kjo me uniformën dhe emblemën e saj, që ishte sinkronizim i emblemës së paraardhëses së saj.

            Të gjithë njerëzit e rrjedhave politike dhe ushtarake në Kosovën e para dhe pasçlirimit, edhe ata që sot janë në opozitë, e që nuk po mund të formësohen dot politikisht, në të kaluarën e afërt e kanë pranuar, madje edhe në libra që i kanë botuar, se merita kryesore e ruajtjes së UÇK-së dhe formimit të TMK-së, ka një emër – Hashim Thaçi. Këtë e dinë edhe vendorët, edhe ndërkombëtarët.

            Prandaj, sot është joreale dhe gjithashtu jo morale të thuhet nga ana e opozitës dhe e atyre që dezertuan nga udhëheqja e TMK-së në momentet më vendimtare të saj, se pikërisht koncepti politik që solli çlirimin e vendit, pavarësinë dhe ndërtimin shtetin e Kosovës, po e dëmton themelimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës.

            Meritorë për vonimin jo vetëm të ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe të pavarësisë së vendit, që e kanë dëmtuar deri në palcë, është qeverisja e keqe, jokonceptuale, korrupsioni, kontrabanda, që identifikohet me një pjesë të opozitës së sotme, me rreshtin e fundit të saj.

            Por, të mos harrojmë, meritor për vonimin e ndërtimit të Ushtrisë së Kosovës është edhe dezertimi nga udhëheqja e TMK-së e atyre që pikërisht në ato momente kur ajo kishte nevojë për avancim edhe më të lartë strukturor, merrnin përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, pa asnjë përvojë politike dhe me përbërje të imponuar ministrash, të njohur për gjëra të këqija.

            Jo vetëm kaq, ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, e ka dëmtuar dhe vonuar edhe simulimi i nënshkrimit të ligjeve për veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, që e kanë bërë pikërisht ata që sot opinionit kosovar i prezantohen si alternativa e qeverisjes aktuale.

            Ndoshta edhe janë alternativë e qeverisjes aktuale, ngase koncepti i ri qeverisës me të cilën po udhëhiqet vendi sot, është koncepti i marrjes së përgjegjësive para qytetarëve të vendit, koncepti i realizimit të projekteve për të mirën e vendit, koncepti i ecjes përpara, është koncepti i ndërtimit të Ushtrisë së Kosovës.

            Ky assesi nuk është koncepti i ikjes nga përgjegjësitë para qytetarëve të vendit, që mund të ilustrohet më së miri me deklarimet e njohura në fund të mandatit të fundit që karakterizohen me ikje të përgjegjësisë nga qeverisja e keqe dhe korrupsioni enorm, me gjithë pranimin e përgjegjësisë qysh në fillim.

            Në të vërtetë, ky koncept i qeverisjes së vjetër është alternativë e konceptit të ri qeverisës, është alternativë e keqe, që qytetarët e vendit përfundimisht ia kanë dhënë çmimin e merituar.

            Tani kur jemi në prag të formimit të Ushtrisë së Shtetit të Pavarur të Kosovës, mund të vlerësojmë se ata që filluan rrugën e çlirimit të Kosovës, që themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, ata që në koordinim të plotë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë shpallën pavarësinë e Kosovës, dhe që po ndërtojnë konceptin e qeverisjes së mirë në shtetin e Kosovës, ata po e themelojnë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

            Njerëzit e kalibrit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk i ikin përgjegjësive shtetërore për vendin, ata po vënë themelet shtetit demokratik të Kosovës, me qeverisje të mirë, në të mirë të qytetarëve të vendit dhe integrimeve euro-atlantike.

 

Autori është drejtor i Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës

 

 

Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!